Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Pse i braktisën shqiptarët e Maqedonisë?

| E merkure, 14.12.2016, 10:22 PM |


Pse i braktisën shqiptarët e Maqedonisë?

Shqiptarët vendës çdo gjë që vinte nga Kosova e nga Shqipëria e shihnin më simpati, nuk i rezistonin. Ndërkaq, në dhjetëvjetëshin e fundit nga Kosova e nga Shqipëria nuk ua dërguam asnjë njeri me vlerë, që do t’u ndihmonte e nuk do t’i çorientonte.

Nga Gani MEHMETAJ

Shqiptarët e territoreve etnike në Republikën e Maqedonisë i lamë jetimë, i braktisëm para dhe gjatë fushatës elektorale, i çorientuam, i armiqësuam njërën parti politike kundër partisë tjetër, i bëmë armiq në mes veti. Në vend t’ua hapnim horizontet, i detyruam të hidheshin në prehrin e armikut të tashëm e të dikurshëm. Disfata nuk ishte vetëm e tyre, disfata ishte kombëtare, humbën shqiptarët në Maqedoni, një milionë shqiptarë u defaktorizuan sikur të ishte fjala për një komunitet torbeshës a romësh, prandaj humbën edhe shqiptarët në Kosovë e në Shqipëri.

Disfata tragjike e shqiptarëve etnik në Maqedoni, ishte pasojë e ndërhyrjes së grupeve të interesit nga Prishtina e Tirana, pasojë e pazareve politike të ulëta që u bënë, jo për interesa kombëtare, por që ta shpëtonin lëkurën, që të merrnin ndonjë koncesion a ndonjë lek nga sllavët. Prandaj, në vend të ndihmave të pakursyera subjekteve politike shqiptare në Maqedoni, njerëzit tonë, apo shtabe të tëra mercenarësh nxiten një parti politike ta luftojë partinë tjetër sikur të ishte armiku më gjakatar. Kaosi mediatik - propagandistikë ishte i shkallës së tillë, sa që nuk merrej më vesh kush është armik e kush mik, kush është tradhtar e kush patriot, kush përpiqet për interesa kombëtare, e kush lufton kundër këtyre interesave. Fjala tradhtar ato ditë ishte fjala më e konsumuar ndër shqiptarët e Maqedonisë. Artileria e rëndë e medieve në stilin secili kundër secilit dhe të gjithë kundër të gjithëve e bënë efektin e vet.

Mijëra shqiptarë nuk dolën fare në votime, mijëra të tjerë votuan partitë sllave, edhe më shumë votuan partitë mercenare që kishin mbështetjen materiale të pakursyera nga shoqatat e dyshimta turke, të lidhura më organizata terroriste. Dhe këto shoqata u bënë po aq shkatërrimtare për etninë shqiptare sa shteti sllavë i dhunshëm.

Sado i vëmendshëm të tregohesha, sado njohës i rrethanave ta vlerësoje dike, nuk e kishe idenë kush është i mirë e kush është i keq, kush punon për interesat kombëtare e kush kundër interesave, sepse këtë huti e shkaktuan jeniçerët e mediet. Popullata u çorientua fare, ishte huti e programuar nga qendrat antishqiptare. Kështu, pastaj ia imponuan shtabet e jeniçerëve vullnetin për subjektin e tyre, që mbiu nga hiqi, por që mbështetja nga jashtë nuk i mungoi. Shpërndahej para lumë ndër medie elektronike e të shkuara, merrnin para lumë palo- intelektualët e mjerë që gjithë jetën ishin argatë të djallit. Shkumuan kundër interesave kombëtare kjo lukuni jeniçerësh, ndërtuan kulla të shtrenjta e shtëpi, duke punuar kundër interesave kombëtare.

Shtabe mercenarësh u vunë në shërbim të shoqatave islamike të lidhura me terrorin ndërkombëtarë, duke i nxitur një herë kundër kombit të vet, dhe herën e dytë kundër kontinentit të cilit i takojnë. Shtabe mercenarësh u vunë në shërbim të partive politike të sllavëve. Shtabet e mercenarëve që ua “dërguam” nga Kosova e nga Shqipëria nuk i pengoi fare shërbimi i fshehtë apo ai publik maqedonas, nuk u nxori asnjë problem.

Fatkeqësia më e madhe ishte se shqiptarët vendës çdo gjë që vinte nga Kosova e nga Shqipëria e shihnin më simpati, nuk i rezistonin. Ndërkaq, sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit nga Kosova e nga Shqipëria nuk ua dërguam asnjë njeri me vlerë, që do t’u ndihmonte e nuk do t’i çorientonte. U dërguam jeniçerë për të cilët e dinim se janë të dyshimtë, e dinim se bashkëpunojnë apo janë në shërbim të disa agjencive të dyshimta. Ata jeniçerë u futën në medie, pushtuan xhamitë, morën edhe shkollat e huaja që erdhën në Maqedoni, u bënë pedagogë universiteti më bërryla e ndërhyrje, shtrinë ndikimin në institucione komunale, ku pushtetin e ushtronin zyrtarët me votat e shqiptarëve. Boshllëkun kulturorë, arsimor e intelektual që e lamë më shumë se dhjetë vjet, e plotësuan shoqatat islamike turko-arabe, e plotësuan shoqatat myslimane bullgaro-maqedonase.

Në kohën kur pritej më të drejtë që Shqipëria e Kosova të ndihmonin shqiptarët etnik në Maqedoni, të ndërtonin arsim fillor, të mesëm e universitarë në gjuhën shqipe, ne i braktisëm fare. Nuk ua ndërtuam as financuam asnjë shkollë fillore, asnjë shkollë të mesme, nuk u ndihmuan në asnjë universitet. Nuk bëmë asgjë për ta, sikurse që nuk bëmë për asnjë shqiptar etnik as gjetiu Madje, edhe atëherë kur shkuan njerëzit tonë pedagog a artist , u kërkuan para. Ndërkaq, shoqatat turko-islamike e arabo-islamike ndërtuan dhjetëra shkolla fillore, dhjetëra mejtepe e shkolla të mesme, u ngritën qindra xhami. Shkollat në gjuhën shqipe mbylleshin në mungesë mjetesh, kurse shkollat turke e arabe, mbinë si kërpudhat pas shiu. Shqipëria e Kosova (pos TV21) nuk e ngritën asnjë studio televizive, ndërsa turqit e vëllazëria myslimane egjiptiane, arabe, turke etj. ngritën e financuan dhjetar sosh.

Fitorja e një partie puro islamike, apo partia e shamive sikurse e thonë për partinë “Besa”, ishte model i bartur nga Kosova e nga Shqipëria. Në Kosovë, bie fjala shoqatat islamike blenë votat e më shumë se pesë deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Në një votim për bartjen e shamisë, islamikët blenë afër 40 ish-deputet, sepse po të mos i kishin paguar këta deputetë, kurrë s’do ta votonin shaminë anakronike, kur gratë a motrat e këtyre deputetëve nuk bartin shami. Shqiptarët e Maqedonisë po e marrin, ose jemi duke ua bart modelin e shëmtuar të votimit, shitje-blerjes së votave, shitjes së interesit kombëtar, lidhjet më islamizmin radikalë etj. Sikur të mos e shihnin ata se si Shqipëria e Kosova u bënë satelite të Turqisë, kurrë s’do të çoroditeshin në atë shkallë.

Prandaj rezultati i zgjedhjeve ishte tillë, pa asnjë të ardhme për një milion banorë, me një det problemesh kombëtare, sociale, të drejtash njerëzore etj. Pozita e tyre jo vetëm nuk do të avancojë, por do të degradojë. Prandaj duhet të ngrihet një elitë tjetër politike.