E merkure, 24.04.2024, 07:12 AM (GMT+1)

Mendime

Kadri Kadiu: Ku të vete, ku të shkoj?

E hene, 12.12.2016, 09:02 PM


KU TË VETE, KU TË SHKOJ?

Nga Kadri Kadiu

Kështu erdhën punët, njerëzit e mi po t'i kërkoj, gjithë Botën duhet të kaloj. Rrënjët janë në Shqipëri, por degët e filizat janë të shpërndarë nëpër Botë, në Evropë, në Amerikë, në Azi e deri në Australi.

Eh o Shqipëria jonë, o më i bukuri vend i Botës, si të kanë sakatuar kështu? Në gjashtë shtete t'i kanë coptuar trojet e tua, në Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni, Sërbi e Greqi. Por nuk mjafton vetëm kaq. Të quajtur si albanezë, arnautë, arvanitas, arbëreshë etj, shqiptarët janë shpërndarë e i gjen në Turqi, në Greqi, në Itali, në Rusi, në Rumani, në Bullgari, e ku s'i gjen. Edhe në Brazil e në Alaska gjen shqiptarë. Vetëm tre milionë jetojnë në Shqipëri, dhjetë milionë të tjerë i ke në shtetet fqinj e nëpër Botë.

Edhe unë që po shkruaj këto radhë, një pemë e shkulur nga Shqipëria jam. Jetoj sot këtu në Koloradon e largët, aty ku nuk ma merrte mendja kurrë se do të shkelja, por ja që fati i ne shqiptarëve kështu paska qenë. Kohët erdhën të tilla që jo fëmijët të qendrojnë pas prindërve, por prindërit duhet të ndjekin fëmijët. Këtu ku jam, mirë jam, me djem e vajza, me nipër e mbesa plot shtëpinë e kam. Por Shqipëria më mungon, ajo zemrën ma lëndon dhe shpirtin ma mundon. Ndaj për çdo vit nisem e shkoj në Shqipëri, të çmallem me vatanet e mia, me njerëzit e mi të gjakut, me shokët e miqtë e mi që i kam patur bashkëudhëtarë në shkollë, në punë e në jetë.

Por ku të vete, e ku të shkoj? Shkoj së pari në Vendlindjen time, në fshatin tim të paparë, në Mançurishtin e bukur të të të bukurit Devoll. Aty në hyrje të Fshatit tim ndodhen varrezat. Dhe unë aty e bëj ndalesën e parë. Aty, nën hijen e një kaçke prehen prindërit e mi. Atë kaçkë, me duart e veta e kish mbjellë im atë dhe ajo kaçkë tani i bën hije e u jep hijeshi varreve të prindërve të mi. Aty unë vendos nga një tufë me lule, ndez dy qirinj, ulem në gjunjë dhe këmbej ca fjalë me nënën e me babanë. Pastaj i kërkoj me radhë ku janë në varre njerëzit e mi. Shkoj tek varret e gjyshërve, të xhaxhallarëve, të dajllarëve, të kushërijve e të shokëve e shoqeve të mia që prehen në atë varrezë. I përshëndes dhe këmbej disa fjalë edhe me ata. Por edhe një merak që kam, nuk e le pa ua thënë: Fati im i keq, iu them, e solli që, me sa duket, unë të mos jem sëbashku me juve në këtë varrezë kaq të bukur ku dheu është i lehtë e i ëmbël, se është Dheu i Vendlindjes.

E pasi i nderoj e çmallem me të vdekurit, shkoj pastaj tek të gjallët. Shyqyr, i kam aty një vëlla e një motër, kam edhe kushërinj, shokë e miq. Qendroj disa ditë e kënaqem, e nxjerr mallin me ata. Por ama, i shikoj, i dëgjoj dhe i ndjej edhe brengat e hallet e tyre. Plot me halle janë; halle shëndetësore, halle ekonomike e madje edhe halle politike pasi i kanë nja tetëdhjetë e ca partira shushunja mbi kurriz që I kanë varfëruar, I kanë ndarë e I kanë përçarë. Por hall mbi të të tëra hallet e tyre është se më së shumti nëpër shtëpira kanë mbetur më të pamundurit e më pleqtë. Djemtë e vajzat i kanë në kurbet, të shpërndarë si zogjtë e korbit, në Greqi, Itali, Francë, Gjermani, Angli, Amerikë e kushedi.

Në Devollin tim të dashur, ku unë jam lindur e jam rritur, por edhe nëpër Shqipëri, kam gjithandej njerëz të gjakut, por edhe miq e shokë pambarim. Malli më detyron që të shkoj për t'i takuar. Shkoj sëpari në fshatin Tren. Aty kam patur hallon time të dashur, hallo Fatimen. Me djem e vajza, me nipër e mbesa të hallos time, një lagje e Trenit ishte mbushur, gjashtë shtëpi ishin me kushërinj të mi të parë. Kur shkoja në Tren unë i bëja hesapet mirë pasi prej andej nuk ikje dot pa një javë. Jam rritur unë me kushërinjtë e mi në Tren. Eh sa dashuri e sa kujtime kam për atë fshat ku kam luajtur e kam vrapuar, ku jam rrëzuar e jam lënduar, ku kam qeshur e kam qarë. Ndaj shkoj në Tren që të nxjerr mallë, por largohem nga andej duke qarrë. Asnjërin nuk e takova, të gjitha shtëpitë e kushërijve të mi kishin nga një dryn të madh në portë dhe oxhakët nuk bënin tym, me kuç e me maç njerëzit e mi kanë marrë aratinë e janë shpërndarë nëpër Shqipëri e nëpër Botë. Po si vajti kështu kjo punë? E ku ta gjej unë tani Trenin tim të dashur, ku t'i kërkoj e t'i gjej unë tani të dashurit e mi?

Beteri, thonë, nuk ka fund. Shkoj në fshatin tjetër, në Zagradecin e bukur buzë Gjolit të Prespës së Vogël. Në Zagradec kam patur dy teze: Tezen e madhe, Qazimenë, që i thoshim "Teze Plaka" dhe Arifenë , që i thoshim "Tezja e Vogël". Të dyja këto teze kishin nga një qerre me djem e me vajza dhe unë jam rritur me ata, duke qendruar në Zagradec me javë të tëra. Madje, kur isha në shkollën fillore, meqenëse rrija shumë gjatë në Zagradec, për të mos humbur mësimet unë vazhdoja klasën në Shkollën e Zagradecit. Kur më mbushej mendja për tu kthyer në shtëpinë time në Mançurisht, mësuesi i Zagradecit, Petro e quanin, më jepte një copë letër për mësuesin e Mançurishtit, Dhimitër Pilurin, ku i shkruante se "Nxënës Kadriu ka ndjekur mësimet në Shkollën tonë dhe ka patur përparim të mirë".

Po tani çfarë më ka mbetur në Zagradec nga njerëzit e mi të dashur? Ca i ka marrë Perëndia dhe ca të tjerë i syrgjynosi nëpër Botë ekonomia dhe unë as adresat nuk ua di. Ca pinjollë që kanë mbetur në fshat, mua nuk më njihnin fare, se edhe unë i syrgjynosur jam dhe, siç i thonë asaj fjalës, larg syve, larg zemrës.

Një teze tjetër, të dashur e të bukur, Teze Safijen, e kam patur në Bilisht. Eh, mos qaj po deshe, nuk gjej shenjë të tezes në Bilisht. Po pse o fat na shpërndave kështu?

E kështu unë vazhdova të kryej sebepet e mia, kudo ku kam patur njerëz të afërm e të dashur; në Sul, në Baban, në Zëmblak, në Pojan. në Plasë e në Gollobërdë.

Më plasi zemra nga dhimbja, shkova në Shqipëri i mbushur me mall, e u ktheva në Kolorado i ngarkuar me brenga.



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora