E enjte, 28.03.2024, 10:52 PM (GMT)

Mendime

Zeqa: PISA vërtetoi qeverisjen e pistë në Kosovë!

E enjte, 08.12.2016, 08:03 PM


PISA vërtetoi qeverisjen e pistë në Kosovë!

Nga Florim Zeqa

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik PISA ka nxjerrë Kosovën në nivelin më të ulët të arsimit në rajon dhe botë. Këtë konstatim të PISA-s, kësaj radhe nuk mundi ta mohojë as ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, por që nuk ndjeu përgjegjësi institucionale për këtë gjendje katastrofale në arsimin kosovar! Gjendja e tanishme e arsimit shqip në Kosovë lirisht mund të krahasohet me nivelin e pasluftës së dytë botërore, të viteve '50-ta apo 60-ta, ku gati gjysma e popullsisë nuk e kanë ditur shkrim-leximin. Rezultatet e PISA-s na bëjnë të ndihemi të turpëruar si shoqëri, si pasardhës të rilindasve, të gjeneratës së artë të arsimit të viteve të '70-ta, '80-ta dhe '90-ta, të kuadrove të nivelit më të lartë evropian e botëror. Në rrethana normale, pas rezultateve të publikuara nga PISA për nivelin katastrofal të arsimit shqip në Kosovë, i pari i arsimit, në këtë rast Ministri i Arsimit do duhej të paraqiste dorëheqjen e parevokueshme si akt moral,...për gjendjen alarmante në arsimin shqip në Kosovë.

Kapja e sistemit arsimor nga politika

Janë shpenzuar miliona euro në emër të reformave në arsim, të kurrikulave e postkurikulave të Arsim Bajramit të parealizuara dhe papërfunduara asnjëherë, të librave jocilësorë dhe jopraktikë për nivelet përkatëse të arsimit,...e të mos flasim për keqpërdorimet e panumërta me tekstet shkollore, që çdo vit shtypen nga të njëjtat kompani për përfitime personale të një grupi të vogël njerëzish të papërgjegjshëm, që nuk e meritojnë të jenë pjesë e arsimit shqip. Renditja e nxënësve të Kosovës në nivelin më të ulët të leximit në këto 16 vitet e fundit është "rezultat" i kuadrove të fabrikuara të pasluftës, i plagjiatëve të të gjitha kategorive, duke filluar nga cikli më i ulët e deri në nivelin akademik. ASHAK-u ka "sajgisë" me tituj akademikë personalitete politike me tituj shkencorë të vjedhur apo falsifikuar, pa asnjë rezultat të ndjeshëm në fushën e studimeve shkencore. E gjithë kjo, është pasojë e kapjes së sistemit arsimor nga politika, përfshirë edhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Me urdhër të politikës u jepen titujt akademikë dhe shkencorë personave që gjithçka tjetër mund të jenë, pos të ditur JO! Andaj niveli i parë (më i ulëti) për arsimin shqip në Kosovë, është fryt i kuadrove arsimore me nivelin më të ulët të dijës, në të folurit dhe shkruarit shqip. Kuadrot e tilla me njohuritë gjysmake dhe gjuhën "alla popullorçe" në shkollat tona e kanë prodhuar këtë rezultat tepër negativ dhe katastrofal në arsimin shqip.

Kosova ka mungesë të dijes

Nuk e kam as idenë me çka do të mburret më shumë tani ministri i Arsimit, me "rezultatet apo me përfitimet personale në arsimin kosovar,...ndoshta do mundohet që fajin ta shpërndaj sikurse "era mjegullën", por raporti i PISA-s ua hoqi mjegullën dhe çjerri maskat paraprakisht, duke e bërë publike para opinionit vendor dhe ndërkombëtar nivelin skajshmërisht të ulët dhe qeverisjen e pistë të viteve të fundit në Kosovë. Duke treguar para gjithë botës, se Kosova nuk ka mungesë diplomash, por ka mungesë të dijes, të kuadrove cilësore në të gjitha nivelet, pasojat e të cilave po reflektohen përveç në fushën e arsimit edhe në fushat e tjera, si në: shëndetësi, ekonomi, kulturë dhe politikë-bërjen kosovare. Shembull më i mirë i gjithë kësaj situate katastrofale në arsimin shqip është edhe gjuha e ulët dhe denigruese e përdorur nga deputetët në organin më të lartë dhe më prestigjioz, siç është Kuvendi i Republikës së Kosovës.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora