Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Loro Boriçi, legjenda e futbollit shqiptar

| E hene, 25.08.2008, 06:06 PM |


Loro Boriçi
Loro Boriçi
Portret i lojtarit dhe trajnerit më të mirë të kombëtares


Loro Boriçi, "zotëria" i futbollit shqiptar ndër vite

Nga Leonard KARAJ

Figura më komplekse më e madhe dhe më unikale e futbollit shqiptar. Sinonim i një futbollisti shembull dhe trajnerit më të mirë të vendit që me pasionin, ëndrrat dhe punën e palodhur e lidhi jetën përjetësisht me futbollin. Pjesëmarrësi më aktiv dhe më i spikatur në të gjitha ngjarjet e trofetë e para të futbollit shqiptar ku mund të përmendim fitimin e titullit kampion kombëtar me Vllazninë në vitet 1945-1946, fitimin e titullit kampion të Ballkanit në 1946 etj.

Askush si ai
 
Loro Boriçi është një nga futbollistët më model që njeh historia e futbollit tonë. Si trajner është një nga më të mirët që ka pasur futbolli ynë dhe jo pa qëllim ka qenë një nga më jetëgjatët në kombëtaren shqiptare. Ai është njeriu që ka gëzuar respektin e të gjithë kolegëve dhe futbollistëve. Fizikisht i shkëlqyer, shtatlartë, triumfator në driblime dhe një njohës shumë i mirë i portës kundërshtare. Duheshin të paktën dy futbollistë që të mund të mbanin Loro Boriçin në fushën e lojës. Luante shumë mirë me të dyja këmbët, por falë fizikut, ishte i mirë edhe në lojën me kokë.

Historia

Lindi në Shkodër më 22 gusht 1922 në një familje me shumë fëmijë. Në moshën 15-vjeçare do të stërvitej me të rinjtë e Vllaznisë për të kaluar menjëherë pastaj me skuadrën e parë. Në vitet e pushtimit Loro Boriçi shkoi në Itali ku kreu studimet. Në fundin e viteve '40 do ta shikojmë me skuadrat e kryeqytetit, Lacion dhe Romën. Më pas kthehet në Shqipëri ku aktivizohet me Partizanin, Saprtakun e Tiranës dhe Flamurtarin e Vlorës. Lë futbollin si lojtar në vitin 1956, dhe një vit më vonë merr drejtimin e ekipit kombëtar, të cilin do të udhëheqë për 20 ndeshje në tri periudha të ndryshme. Me përfaqësuesen arrin të fitojë vetëm dy takime, të barazojë katër dhe të humbasë 14-të. Ka drejtuar kombëtaren për herë të fundit më 10 tetor 1976 në miqësoren Shqipëri-Algjeri të fituar nga miqtë.

Panajot Pano: Ja si e njoha të madhin Loro Boriçi

Panajot Pano, një prej nxënësve të ish-trajnerit të kombëtares, kujton plot nostalgji momentet e para të takimit me Loro Boriçin në fundin e viteve 50-të. "Asokohe Loro Boriçi sapo kishte lënë futbollin e luajtur dhe kishte marrë në dorë timonin e ekipit tonë përfaqësues", tregon në një intervistë për gazetën "Tirana Observer", Mjeshtri i Sportit, Panajot Pano. Më tej ai kujton edhe ditët-netët në grumbullim me kombëtaren shqiptare nën drejtimin e Loro Biriçit.

Si e keni njohur Loro Boriçin?

Nuk kishte futbollist të kohës sime që nuk donte t'i ngjante sadopak Loro Boriçit. Ai kishte qenë ndër të paktët që kishte luajtur jashtë vendit në Itali dhe ndër të paktët që kishte mundur të luante me skuadra të suksesshme të kohës si Vllaznia dhe Partizani. Ai më grumbulloi në skuadër në ndeshjen me Bullgarinë dhe që nga ai moment pati një lloj lidhje shpirtërore midis nesh edhe pse për seriozitetin që kishte mundohej të fshihte ndjenjat e tij të vërteta.
Është i vetmi trajner afatgjatë që ka pasur kombëtarja shqiptare...
Po, është shumë e vërtetë. Një fakt i tillë nuk duhet lidhur se në Shqipëri nuk kishte specialistë të futbollit, por gjithkush mund të arrinte të shikonte me lehtësi dëshirën e madhe të Loros për t'iu përkushtuar futbollit. Ai i dedikoi gjithçka kësaj loje. Jo pa shkak edhe kinezët e zgjodhën në vitet 70-të për të shkuar e dhënë eksperiencën e tij edhe atje.

A kujtoni ndonjë gjë nga grumbullimet me kombëtaren e Boriçit?

Po. Loro e kishte për zakon të vinte dhomë më dhomë një natë para ndeshjes për të qetësuar të gjithë futbollistët. Tashmë ne na ishte bërë një ritual dhe nuk shtriheshim të flinim pa ardhur ai në dhomën e hotelit ku flinim.

Loro Boriçi është kthyer pothuajse në një mit. Mendoni se ai është i pazëvendësueshëm?

Them se Boriçi është unikal dhe nuk do të ketë një person që të bëjë aq shumë për sportin. Ç'është e vërteta ne luanim me gjithë shpirt për ekipin kombëtar, pasi e kishim në gjak futbollin dhe na pëlqente shumë. Por ai ishte gjithmonë një hap para nesh jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj.

Skeda

Emri: Loro
Mbiemri: Boriçi
Datelindja: 26.08.1922
Vendlindja: Shkoder
Pozicioni: Sulmues
Skuadrat: Vllaznia (1945-1948), Lacio (1948- 1950),
Roma (1950-1951),
Flamurtari (1951-1952), Spartaku i Tiranës (1952-1953),
Partizani (1953-1956)

Trofete si futbollist
Kampion kombëtar me Vllazninë 1945 dhe Partizanin 1954
Kupa e Republikës me Partizanin 1954
Kampion Ballkani më 1946
Trofete si trajner
Ka drejtuar skuadrat e Partizanit, Teutës, Spartakut të Tiranës, Flamurtarit dhe skuadrën përfaqësuese.
Kupa të Republikës me Partizanin më 1964, 1966, 1970
Tituj Kampion me Partizanin më 1962-1963, 1963-1964, 1970-1971
Fitues i Kupës Ballkanike mes klubeve si trajner 1970 me Partizanin.
Fitues i medaljes së argjendit në turneun e ushtrive të ish-vendeve socialiste në Hanoi 1963.

Me kombetaren
Si futbollist ka luajtur me kombëtaren 24 ndeshje
Ndeshja e parë më 22.09.1946 ndaj Malit të zi.
Ndeshja e fundit më 15.09.1957 ndaj Kinës
Si trajner ka drejtuar kombëtaren në 20 ndeshje ndërkombëtare


Titujt
Mjeshtër i Madh Sporti
Mjeshtër i Merituar
Nderi i Sportit Shqiptar
Urdhri "Naim Frashëri" klasi I
Mjeshtër i Madh i Punës
Vdiq më 22.04.1984

Loro Boriçi
Bejkush Birçe: “Loro Boriçi, ky mësues i futbollit tonë”


Një nga pasuesit e Loro Boriçit, Bejkush Birçe zbulon me shumë dashamirësi pjesë të karakterit të shkodranit që shkroi një pjesë të mirë të historisë së ekipit tonë përfaqësues. "Loro Biriçi është padyshim për mua një nga njerëzit më dinjitozë që ka pasur futbolli ynë. Nuk dua të ndalem në momente të veçanta të tija për të përshkruar një jetë dedikuar vetëm futbollit, pasi vetëm fakti se ka qenë një nga të parët dhe të paktit futbollistë që është aktivizuar në kampionatin italian të futbollit dhe fakti se ka qenë trajneri më afatgjatë i ekipit tonë përfaqësues, tregon për vlerësimin që i bëhej Loro Biriçit. Ai ishte tipik për mënyrën e lojës, korrektësinë, shumë miqësor dhe tejet serioz në punë", thotë ish-trajneri i kombëtares, Bejkush Birçe.

Statistika

Kombetarja me Loro Boriçin
09.15.1957, Pekin (M)
Kinë - Shqipëri 3-2

01.05.1958, Tiranë (M)
Shqipëri - RDGJ 1-1

02.06.1963, Tiranë (L.O)
Shqipëri - Bullgari 0-1

16.06.1963, Sofje (L.O)
Bullgari - Shqipëri 1-0

24.11.1965, Tiranë (K.B)
Shqipëri - I. Veriut 1-1

03.22.1967, Tiranë (M)
Shqipëri - Bullgari 2-0

08.04.1967, Dortmund (K.E)
RFGJ - Shqipëri 6-0

14.05.1967, Tiranë (K.E)
Shqipëri - Jugosllavi 0-3

12.11.1967, Beograd (K.E)
Jugosllavi - Shqipëri 4-0

17.12.1967, Tiranë (K.E)
Shqipëri - RFGJ 0-0

14.10.1970, Chorzov (K.E)
Poloni - Shqipëri 3-0

13.12.1970, Stamboll (K.E)
Turqi - Shqipëri 2-1

17.02.1971, Tiranë (K.E)
Shqipëri - RFGJ 0-1

18.04.1971, Bukuresht (L.O)
Rumani - Shqipëri 1-2

12.05.1971, Tiranë (K.E)
Shqipëri - Poloni 1-1

25.05.1971, Tiranë (L.O)
Shqipëri - Rumani 1-2

12.06.1971, Karlsruhe (K.E)
RFGJ - Shqipëri 2-0

14.11.1971, Tiranë (K.E)
Shqipëri - Turqi 3-0

21.06.1972, Helsinki (K.E)
Finlandë - Shqipëri 1-0

10.10.1976, Tiranë (M)
Shqipëri - Algjeri 0-3

Totali: 20 Ndeshje; 2 fitore, 4 barazime dhe 14 humbje
Gusht 2006