Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Kaos në letrat shqip

| E enjte, 08.12.2016, 10:34 PM |


Kaos në letrat shqip

Shënim

Nga Vangjush Saro

Ka kohë që letrat shqip gjenden në njëlloj kaosi. Në një shkrim tjetër, ku ato nuk ishin temë qendrore apo e vetmja, por gjithsesi cekeshin, kemi përdorur termin vetëgjyqësi; që do të thotë se në hapësirat shqipfolëse, çdokush ka marrë në dorë fatet e veta dhe i ndihmuar nga miqtë më të afërm, shpesh nga paratë e tij, shpallet çfarë të dojë ai, nga “i çquar” deri në “gjeni”. Kjo po ndodh ditën për diell. Ka një betejë të pandershme me fjalën, konkurse nga më të çuditshmit dhe antologji të sajuara si një mani, botime pa fund, në letër e në rrjete, por që (realisht) nuk shkojnë te lexuesi. Më në fund, jemi përpara një dalldie, që sa vjen, merr përmasa edhe më groteske.

Për arsye që nuk është vendi të shtjellohen në këto radhë, një mizëri emrash sulmojnë në të gjitha mediat e mundshme dhe sidomos në rrjetet sociale. Tabori i shkruesve, që sa vjen rritet e fryhet, ka hyrë në një fazë debiliteti të thellë, duke mos marrë parasysh asnjë parim estetik, asnjë rregull gjuhësor, asnjë përgjegjësi përpara publikut, më në fund as edhe pikën e modestisë. Shkruhet si me këmbë, që të mos flasim për ndonjë gjymtyrë a organ tjetër. Broçkullat e quajtura letërsi, të shoqëruara edhe me dobësi gjuhësore të skajshme, krejtësisht të papranueshme, përcillen jo vetëm nga portalet që kanë mbirë gjithkund si kërpudha, por edhe prej gazetave të përditshme e televizioneve; edhe pse ato kanë redaksi me kryeredaktorë, përgjegjësa, redaktorë e korrektorë letrarë, që megjithatë shtjellin mungesa të dukshme në programim dhe në çështje gjuhësore.

Për fat të keq, në këtë marrëzi, përfshihen në mënyrën më të turpshme edhe disa shtëpi botuese, të cilat pasi paguhen mirë nga “shkrimtari”, bëjnë edhe publicitet, promovime të bujshme, sikur të ishte ngjallur Heminguej, ftojnë madje edhe pedagogë e kritikë, që gjithashtu, çuditërisht, pranojnë të flasin për krijues amatorë e të rastësishëm dhe për libra që ndoshta s’duheshin botuar. Dhe që pastaj, harrohen menjëherë. Është e kuptueshme mandej, që autorët në fjalë, të fryhen e të kërkojnë çmime e ndere pa fund, sipas të gjitha reverencave që përmban ky protokoll i turpshëm.

Kaosi i letrave shqip, shfaqet në forma dhe episode nga më të çuditshmit. Le të shohim nga afër vetëm disa pak “xhevaire” nga kjo minierë llafesh. Ngrihet dikush dhe pasi na jep disa “argumente” për çka do të kulmojë më poshtë, përfundon se kjo gjë, kjo tjetra, e kështu më tej, këto pra, “e rendisin poezinë e X-it në kulmet e poezisë bashkëkohore shqiptare dhe evropiane.” Dikush tjetër (merret vesh, gjithnjë punë miku a mik pas miku,) na habit me saktësinë e tij: “Botohen mijëra tituj, por ky roman (vjen titulli i romanit) është padyshim ndër 10 librat më të mirë...” Vetëm se shkruesi nuk merr përsipër t’i raportojë ato; e rëndësishme është që çfarë i ka pëlqyer atij, gjendet në... dhjeçe. Më tej, i shkrepet dikujt dhe sajon e publikon… piramida, ku varrosen ose lëvdohen shkrimtarët; sipas kaplloqes së tij, merret me mend; dhe pa thënë asnjëherë “Unë mendoj” apo “Për mendimin tim”, përkundrazi, duke i pohuar gjërat si Perëndi.

Ka edhe më keq. I lind një dëshirë e çuditshme një autori të vonuar, të sforcuar - fundja një imituesi - dhe sajon (e boton) një përmbledhje me tregime: Autorë të ndryshëm, thotë ai. Dhe aty është Çehovi, është Tolstoi, pastaj Mopasani, O Henri. Është edhe ky surrati, sajuesi; domethënë një tregim i tij. Vazhdojmë me ilaritet. Ngrihet dikush dhe e quan dikë “Mbreti i poezisë shqiptare” (!) Pastaj një i dytë për një tjetër: “Princeshë e poezisë shqiptare” (!) Mandej një i tretë a një i katërt që thotë për krijimin e një të pesti se (as më shumë e as më pak) shënon… “epokë në letërsinë shqiptare” (!) Një tjetër shkrues mburret (edhe ai për mikun e tij) se po e kënaq atë dhe publikun, duke i nxjerrë librat “një pas një, si simite të ngrohta” (!) Shkoni e më gjeni një koment të tillë diku në ravgimet letrare të botës dhe unë do të “ha” çdo simite e çdo pite. Madje, do ta lexoj simitebërësin fjalë për fjalë.

Kështu mund të vijohej gjatë, ndërkohë që vetiu shtrohen disa pyetje: Çfarë i bën këta shkrues kaq patetikë? Si e masin shkallën e lavdisë? Në cilat analiza a konkluzione janë mbështetur për të vizatuar e fryrë “tollumbacet”? Më në fund, cili institucion ua njeh këto “zbulime”?  Mendoj se e vetmja gjë ku mbështeten për të folur marrëzira dhe për të prodhuar teprime gjithfarësoj, është vetë kaosi i letrave shqip. Ky kaos është vepra më e “rëndësishme” që kemi krijuar këto kohë, me bekimin edhe të institucioneve e të kritikës letrare, prej shumë kohësh në një theqafje të frikshme.

Një kapitull më vete i kaosit letrar për të cilin po flasim, është të qenit snob; tashmë një sjellje e tillë, gjithashtu është në modë. Moho gjithçka, përpiqu të thuash ndonjë gjë krejt ndryshe nga të tjerët, fluturo në qiellin e shtatë... Ja se si një i tillë, një autor që s’mund ta quaj krejt të panjohur, shkruan për librin e mikut të vet: “Aksh roman (vjen titulli pompoz)  nuk merr përsipër të kënaqë askënd.” Le të ndalemi pak në këtë frazë. Sado paqësor, dashamirës e kërkues të jesh në zbërthimin e saj, më në fund do të pyesësh se për çfarë ai roman është shkruar dhe kujt i drejtohet?… Snobët, për fat të keq, kapen ndonjëherë fort pas disa burimeve ku... pihet ujë mirë dhe merren çmime e shpërblime të majme. T’ia gjesh anën jurive, disa kompeticioneve në Rajon, duke i blerë apo duke i shtënë ato në dorë, rastësisht a në ndonjë mënyrë fatlume, kjo mund të të kënaqë për disa kohë, por edhe pse i shpërblyer, ti nuk ke publikun me vete, lexuesit nuk të njohin. Mendoj se ka ardhur koha që çmimet dhe pjesëmarrja në disa evente kombëtare dhe më shumë se kaq, më e pakta, të maten me tregues artistikë, por edhe aso të tregut.

Le të ndalemi pak edhe në një tjetër dukuri të këtyre kohëve. Të qenit shkrimtar i “madh” për hir të persekutimit. Gjithandej shikon e lexon për shkrimtarë dhe poetë të tillë - ndonjëherë të kujtohen lavdet e pafund për veteranët - që kanë qenë të persekutuar dhe që tani, dashamirës të tyre, pse jo ndonjëherë familjarë tyre, përpiqen t’i ngrenë e t’i çojnë me zor në dyert e Panteonit. Nuk ka dyshim që ka pasur autorë të talentuar, të cilët rendi në fjalë i pengoi, s’iu dha shkollë, përkundrazi i  mënjanoi, i internoi, i burgosi, disa edhe i vrau; një bilanc i egër, që nuk e ka asnjë vend tjetër ish-komunist në territoret e Evropës Qendrore e Lindore. Vepra e këtyre shkrimtarëve të ndaluar, erdhi pas viteve ‘90; tematika e veçantë dhe përvojat drithëruese të jetëve të vrara, sollën risi në letrat shqip. Por ndërkaq, për shumë të tjerë syresh, mund të thuhet se (pavarësisht vuajteve, për disa, pavarësisht shtirjeve) nuk ishin të talentuar; koha tregoi që nuk shkuan dot te lexuesi; as te botuesi; as te përkthyesi. Ka prej tyre që për çdo gjë fajësojnë ndonjë apo ndoca nga shkrimtarët që patën fat dhe… talent në çdo rend. Pyetja që shtrohet për këto teprime, është pak a shumë: Çfarë treguan zonjat dhe zotërinjtë e nëpërkëmbur dhe që nuk lënë çast pa mallkuar kolegët (me fat dhe me talent) ndërkohë që nga përmbysja e rendit të vjetër e deri më sot, kaloi më shumë se një çerek shekulli? Le të themi pra, se me zor, me biografi, me bërtitje, nuk mund të shkëlqesh dot. Kjo u provua njëherë në rendin e mëparshëm.

Për t’iu dhënë pak më shumë dritë këtyre shënimeve, shpresojmë që po, mund të thuhet në mënyrën më të ndershme se askush nuk i pengon individët të shkruajnë dhe të botojnë apo të shfaqin krijimtarinë e tyre, duke pretendur të sjellin çfarë quajnë më të mirë në këtë lëmë. Nga ana tjetër, në një moment të caktuar, kurrkush nuk mund të ketë kutin për të vlerësuar këtë apo atë krijimtari në mënyrë shteruese. Mbase për disa, lipset një kohë që të afirmohen, së paku të shfaqet gjurma, traga, që një autor a një krijimtari kanë vizatuar në hartën e këtij stërmundimi... Gjithsesi, mendoj se disa hallka kanë qenë gjithnjë dhe mbeten edhe më tej treguesit që një krijimtari mund të jetë cilësore dhe e suksesshme: Vëmendja (reale) e publikut. Treguesit e tregut mbarëshqiptar dhe më gjerë. Interesimi i shtëpive botuese dhe kineastëve. Vlerësimet e kritikës letrare. Përzgjedhja antologjike; (natyrisht, jo manitë qesharake që janë të turpshme gjer në marrëzi). Botimi në gjuhë të huaj. Njohja dhe vlerësimi në një rreth të gjerë krijuesish profesionistë e të afirmuar. Etj.

Nënvizim. Ka pasur raste që libra të mirë nuk e kanë gjetur veten në treg; ka ndodhur që kritika nuk ka shenjuar vlerat e duhura në autorë që më pas kanë bërë emër; ka autorë të mëdhenj që nuk janë botuar e nuk njihen në gjuhë të huaja. Megjithatë, në tërësinë e vet, njëlloj harmonie e hallkave që përmendëm më lart, do ta çonte krijimtarinë dhe autorin në lartësinë e duhur, do të shenjonte ndryshimin. Në këtë mes, roli i institucioneve të specializuara, i individëve të specializuar gjithaq, pse jo të licensuar - aktorë që, siç shihet, mungojnë krejt - është i domosdoshëm; koha bën apel për qasjen e tyre në këtë kaos. Dhe marrjen e përgjegjësive si letrat shqip e kërkojnë.

Më në fund, ky vështrim, përfshirë problematikën e grafomanisë dhe të rendjes pas sasisë, vjen si një opinion vetiak, për çka ndoshta vetë autori i këtyre radhëve do të donte të ishte më optimist. Por ndërkaq, tabloja është kështu dhe s’kemi pse e zbukurojmë, gjë që do t’ia shtonte asaj ngjyrën gri.