E shtune, 20.04.2024, 03:26 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: 250 vjet liri shtypi

E marte, 06.12.2016, 10:01 PM


250-VJET LIRI SHTYPI

Nga Frank Shkreli

Kur flasim për historinë e lirisë së fjalës në botë, zakonisht mendojmë për lirinë e shtypit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku liria e shtypit mbrohet nga artikulli i parë i Kushtetutës së vitit 1791 të këtij vendi, së bashku me liritë e tjera themelore të njeriut.  Historikisht, mbrojtja e fjalës së lirë është përmendur edhe më heret, pikërisht në Magna Kartën britanike të vitit 1215 dhe në kohërat më moderne, në vitin 1948, Organizata e Kombeve të Bashkuara njohu zyrtarisht lirinë e fjalës si një e drejtë e njeriut, përfshirë në Deklaratën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, nënshkruar nga të gjitha vendet anëtare të organizatës botërore.  Ndërsa, ndër të parët që e ka pësuar për lirinë e fjalës thuhet të ketë qenë filozofi grek, Sokrati ai i cili sipas historisë është përsekutuar për një argument të vetëm në favor të promovimit të fjalës së lirë.

Por, pak veta mund ta dinë se është Suedia vendi që megjithse nuk përflitet shumë si vend shembull i mbrojtjes së fjalës së lirë dhe të lirisë së shtypit, por që në të vërtetë ka ligjin më të vjetër në botë, në mbështetje dhe në mbrojtje të lirisë së shtypit.  Megjithëse nuk përmendet shumë, Suedia është vendi i parë në botë -- parlamenti i të cilës 250-vjetë më parë -- pikërisht më 2 dhjetor të vitit 1766, miratoi   në nivel botëror, Aktin e parë në mbrojtje të Lirisë së Shtypit, duke anulluar njëkohësisht edhe censurën për të gjitha botimet e printuara, përfshirë edhe ato që vinin nga jashtë vendit.  Suedia pra, kishte miratuar aktin mbi lirinë e shtypit, ekzaktërisht 25 vjetë para se Xhejms Madisoni të përpilonte nenin e parë të Kushtetutës amerikane, në mbrojtje të fjalës së lirë.

Po e shënoj këtë fakt për rëndësinë që ky përvjetor ka për historinë e mbrojtjes së fjalës së lirë jo vetëm në Suedi, por në mbarë botën.  Dua të rrëfehem se megjithse përpiqem të ndjeki deri diku historinë dhe fatin e lirisë së shtypit anë e mbanë botës, disi e kisha harruar 250-vjetorin e Aktit të parë në mbrojtje të Lirisë së Shtypit, miratuar nga parlamenti suedez më 2 dhjetor, 1766, derisa mora një ftesë (pak me vonesë) për të marrë pjesë në konferencën që kishte organizuar me këtë rast, Ambasada suedeze në Washington, në bashkpunim me entin privat amerikan Newseum.  Është ky një institut me qëndër në Washington, që merret me promovimin dhe mbrojtjen e shprehjes së lirë, të pesë lirive të Nenit të parë të Kushtetutës amerikane, përfshirë, lirinë e fesë, lirinë e fjalës, dhe lirinë e shtypit.  Ishte kjo një konferencë për të pasqyruar kontributin dhe ndikimin e ligjit 250-vjeçarë suedez në mbrojtje të fjalës së lirë, si dhe për të diskutuar gjëndje e lirisë së shtypit dhe mbi rëndësinë e rolit që luan sot liria e shtypit në botë.

Pjesëmarrsit në këtë seminar në Washington, ku morën pjesë gazetarë të njohur dhe diplomatë suedezë dhe amerikanë, diskutuan mbi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në fushën e komunikimit gjatë 250-viteve të kaluara, si dhe ndikimin që kanë sot mbi lirinë e shtypit, teknologjia e re dhe platformat e rrjetëve sociale në mbarë botën.

Në seminarin e mbajtur në Washington të premtën që kaloi, mori pjesë edhe Zëvëndës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall, e cila tha se, “Të dy vendet tona janë të vetdijshme se informacioni është si oksigjen për zhvillimin e një demorkacie”.  Pa lirinë e shtypit, shtoi ajo, nuk është e mundur që qytetarët të vlersojnë si duhet dhe të përballen me sfidat dhe alternativat për një qeverisje më të mirë.  Në vendet autoritare, vazhdoi ajo, gazetarët dhe qytetarët e thjeshtë  kanë pak ose aspak hapësirë për të shprehur lirisht mendimin e tyre, ndërsa ata që bëjnë një gjë të tillë, tha ajo, shpesh ushtrimin e të drejtës së lirisë së fjalës e paguajnë me burg ose me jetë.  Ndërsa në vendet në tranzicion ose në demokracitë e reja, theksoi diplomatja e lartë amerikane, Sarah Sewall, “Sfida nuk është nëse shtypi ka hapësirë për veprim ose jo, por se si shtypi në të vërtetë po e përdor këtë hapësirë për të informuar qytetarët e vet, me qëllim për të përforcuar standardet demokratike në vend”, ashtu që media të luaj rolin që i takon në zhvillimin e demokracisë, tha diplomatja amerikane.

Me këtë rast, ajo akuzoi Rusinë dhe Kinën se po përdorin internetin dhe rrjetët sociale për të postuar informacione falso dhe gjysëm të vërtetash, për realizimin e objektivave të tyre të vjetra propagandistike.  Zëvëndës Sekretarja Amerikane e Shtetit paralajmëroi duke thënë se do të vazhdojmë të përballemi me sfidat që paraqet lufta e gjithëanshme tekonologjike kundër lirisë së fjalës dhe të vërtetës, e sponsorizuar nga shteti – siç është rasti i Rusisë dhe Kinës.  Por, ajo shtoi se përgjigja jonë duhet të jetë, “Të luftojmë për të vërtetën, jo me mjetet tona të propagandës, por duke mbrojtur vendosmërisht median e lirë dhe demokratike, anë e mbanë botës.”

Ndërkaq, Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Margot Wallstrom shënoi 250-vjetorin e miratimit të Aktit në Mbrojtje të Lirisë së Shtypit, nga parlamenti suedez i kohës me një deklaratë të sajen.  Ashtu si edhe dipomatja amerikane, edhe kryediplomatja suedeze shfaqi shqetësimin e saj mbi gjëndjen e lirisë së shtypit sot në botë. “Është tepër shqetsues fakti se të drejtat dhe liritë themelore që ky Akt kishte për qëllim të mbronte, po kërcënohen sot gjithnjë e më shumë, në mbarë botën”.  “Në shumë vende”, shtoi Ministrja suedeze e Punëve të Jashtëme, “Demokracia dhe zbatimi i ligjit po minohen, të drejtat e njeriut po shkelen dhe natyra e tyre universale po mohohet.”  Me rastin e 250-vjetorit të miratimit të Aktit suedez në Mbrojtje të Lirisë së Shtypit, Ministrja suedeze e Punëve të Jashtëme bëri thirrje, “Për dyfishimin e përpjekjeve në mbështetje të shprehjes së lirë, të transparencës dhe të lirisë së medias si dhe për një mbështetje më të madhe ndaj medias së lirë dhe të pavarur anë e mbanë botës.”

250-vjetori i Aktit të Lirisë së Shtypit në Suedi -- më i vjetri në botë -- është një rast që duhet të na kujtojë se liria e shtypit në veçanti dhe liritë themelore të njeriut në përgjithësi, nuk mund të merren për asgjë.  Shumë veta kanë dhënë jetën në mbrojtje të këtyre lirive, për veten e vet dhe për bashkatdhetarët e tyre.  Këto vlera duhet të vlerësohen, të ruhen dhe të mbrohen si sytë e ballit.   Mbrotja e lirisë së shtypit dhe e fjalës së lirë, në vetvete, është një mbrojtje e vlerave themelore të një shoqërie transparente dhe demokratike.  Suedia është shëmbull në këtë fushë për shumicën e vendeve të botës, sidomos për demokracitë e reja dhe për vendet që janë duke kaluar gjithnjë nepër të ashtuquajturin tranzicion post-komunist!

Akti suedez mbi Lirinë e Shtypit, i datës 2 dhjjtor,1766 Photo: Regeringen



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora