E merkure, 24.04.2024, 03:42 AM (GMT+1)

Mendime

Ndue Lazri: Show elektoral apo takim i dëshiruar?

E diele, 04.12.2016, 02:17 PM


SHOW ELEKTORAL APO NJË TAKIM I DËSHIRUAR?

-Mbi samitin e Diasporës në Tiranë-

NGA NDUE LAZRI

Samiti i parë i Diasporës Shqiptare, organizuar me iniciativën e kryeministrit shqiptar Edi Rama, e hapi dhe e mbylli siparin e tij. I shumëpritur nga një anë pas zvarritjeve të shumta që e spostuan atë një vit në kohë, i vlerësuar nga disa, i përfolur nga të tjerë, i anatemuar nga ata që e vështrojnë thjeshtë në aspekt politik, samiti u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, në një pranverë të vogël tiranase, pas ditësh të tëra me reshje deri edhe me përmbytje.

Ishte diçka e bukur që në kryeqytetin shqiptar u mblodhën rreth 1200 vetë të ardhur nga 40 shtete të botës ku ndodhen emigrantë shqiptarë. Një gjë e tillë nuk mund të mendohej në kohën e regjimit komunist, kur diaspora shikohej me shumë si një rrezik për shtetin se një potencial ekonomik e kulturor për zhvillimin e vendit. Nuk u bë as për 26 vjet me radhë që nga përmbysja e regjimit të vjetër. Qeveritë që janë ndërruar në këta 26 vjet as janë kujtuar ndonjëherë për diasporën, veç në rastet kur delegacione të ndryshme qeveritarësh apo politikanësh kanë gjetur mikpritje tek bashkëatdhetarët, në ruajtje të asaj tradite që është flamur i krenarisë sonë kombëtare. Mendoj që një meritë i duhet njohur qeverisë së sotme për këtë iniciativë. Ka shumë njerëz që e mendojnë se kjo u bë për efekte elektorale, meqenëse vitin e ardhshëm do jenë zgjedhjet politike në Shqipëri. Do e konsideroja një gjë normale. Secila nga partitë shqiptare, që do ishte në pushtet, të njëjtën gjë do të bënte. Sot gjithçka bëhet për të fituar kapital elektoral dhe vota. A nuk e kanë bërë vazhdimisht dy partitë më të mëdha të vendit tonë sa herë kanë qenë zgjedhjet, duke u paguar biletat shumë emigrantëve, simpatizantë të tyre, për të shkuar të votojnë në Shqipëri? Veprim në të cilin ka dy shkelje ligjore: e para sepse blihet vota me një biletë avioni dhe e dyta sepse ai që pranon biletën ka bërë praktikisht deklarimin e votës pa e hedhur ende atë në kutinë e votimit.

Samiti u hap me një pritje në Pallatin e Brigadave, të themi me një seancë të shkurtër plenare, ku u mbajt fjala e përshëndetjes e kryeministrit Rama dhe e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi e ku foli edhe ndonjë përfaqësues i diasporës, që nuk e kuptova pse foli në anglisht midis shqiptarëve, a thua nuk kishte të tjerë që mund të flisnin shqip. Për këtë seancë personalisht mendoj se u vërejtën dy gjëra: Mungesa e Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, që në mos për tjetër, duhej të ishte përkrah homologut të tij nga Kosova. Dhe e dyta: Ajo seancë plenare duhej të ishte më e gjerë, ku pas përshëndetjeve të rastit nga autoritetet qeveritare, ta merrnin fjalën përfaqësues të diasporës që të shprehnin problemet e vërteta të emigrantëve, kërkesat dhe vërejtjet e tyre për mungesën e prezencës së politikës shqiptare për 26 vjet me radhë, mendimet e projektet e tyre për një organizim më efektiv të diasporës, për pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga emigracioni në politikën dhe insitutucionet shtetërore shqiptare e jo vetëm disa elozhe në drejtim të qeverisë.

Kryeministri Rama e vlerësoi rolin vendimtar të diasporës në ekonominë e vendit, duke theksuar që pa diasporën nuk do ishin bërë ato çka janë bërë deri tani në Shqipëri. Por diaspora nuk mund të mbetet një bancomat i qeverive e i politikës shqiptare, por duhet të ketë rolin e saj edhe në vendimmarrje, edhe në hartimin e ligjeve, edhe në ruajtjen e investimeve që sipërmarrës nga diaspora bëjnë në Shqipëri e Kosovë. E për këtë nevojitet miratimi i ligjit mbi votën e emigrantëve ne vendet ku jetojnë e punojnë, në mënyrë që ata të zgjedhin përfaqësuesit e vet në parlamentin shqiptar, në raport të drejtë me numrin e votave të tyre. Problemi i votës u përmend nja dy herë shkarazi, por le të shpresojmë se pas premtimeve në samit të kalohet në veprime konkrete në këtë drejtim.

Në ditën e dytë punimet u zhvilluan në panele të ndryshme, të organizuara në institucione të ndryshme të kryeqytetit. Mendoj se ishte një zgjidhje e mirë, sepse edhe interesat e 1200 pjesëmarrësve ishin të fushave të ndryshme. Më qëlloi të merrja pjesë bashkë me disa nga kolegët e mi të Federatës e të flisja 2 minuta në panelin e kulturës, drejtuar nga ministrja Mirela Kumbaro. Panelet ishin projektuar pak a shumë si emisione televizive, ku flisnin personat e zgjedhur nga organizatorët dhe platea ishte thuajse pasive. Do ta konsideroja te pranueshme këtë mënyrë organizimi, duke vlerësuar edhe personat që ishin në panel. E vetmja gjë që mund të ishte parë me mirë ishte koha në dispozicion për të folur. Sepse ne shqiptarët kur e marrim mikrofonin në dorë e kemi vështirë ta lëshojmë, pa menduar edhe për kohën e të tjerëve. Kësisoj,secili nga folësit e telkaloi kohën e përcaktuar dhe në dispozicion të folësve nga salla mbetën vetëm thërrime. Çfarë mund të thoje në një minutë apo dy që të jepnin në dospozicion?

Mendoj se ishin të një niveli të mirë organizimi i drekave nga kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe kryetarët e bashkive në qytetet ku u bënë vizita nga pjesëmarrësit e samitit, çka ishte në traditën e mikpritjes shqiptare. Nuk dua të lë pa përmendur drekën që grupit tonë i ofruan vëllezërit Muçaj tek restoranti karakteristik “Gjana”.

Ndër momentet më të arrira të samitit mendoj se ishte seanca me pyetje-përgjigje direkte midis përfaqësuesve të diasporës dhe vetë kryeministrit Rama. Kryeministri tregoi aftësi të veçanta komunikative, ku nuk mungonin as batutat e tij me humor, dhe e vuri veten në dispozicion të pjesëmarrësve. Ka patur mendime që pyetjet ishin të pilotuara, por personalisht nuk e mendoj kështu. Mikrofonat lëviznin nëpër sallë dhe për një orë e gjysmë sa vazhdoi seanca mikrofonin mund ta kërkonte secili. Natyrisht ne ishim 1200 vetë në samit e po tëp merrte fjalën secili, do të duhej që ai të vazhdonte me javë. Ndaj mendoj që ishte një seancë e arrirë e një bashkëbisedimi të natyrshëm.

Idea e vizitave në qytete, muze e institucione të ndryshme ishte diçka e bukur dhe i shërbeu sadopak çmalljes së emigrantëve me tokën mëmë.

Mendoj se një nga gjërat më pozitive ishte takimi i secilit nga ne me përfaqësues të diasporës, me miq e vëllezër nga vende e kontinente të ndryshme. Pjesëmarrja e përfaqësuesve nga komuniteti arbëresh, si ajo e Mjeshtres së Madhe Lucia Martino me grupin teatral të Frascinetos në Kalabri ishte diçka e bukur që e zgjeroi më tej konceptin e diasporës, duke e afruar akoma më shumë me dheun e të parëve.

Para kënaqësinë të takoja pas kaq vitesh mikun e bashkëfshatarin tim, Zef Brozi, gjyqtarin e pakorruptueshëm e simbolin e politikanit të ndershëm që jeton e punon në Amerikë. Të këndshme ishin takimet me kolegët tanë të Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, drejtuar nga Etmond Guri. Dy federatat tona ishin dy grupimet më të mëdha, që përbëheshin me më shumë se 20 vetë secila. Takimi me këngëtaren e mirënjohur Alida Hisku, që punon e jeton në Gjermani e me të cilën kemi në projekt promovimin e diskut të saj më të ri muzikor, takimi me Suela Qemal që kishte ardhur nga Melbourni i Australisë, me mikun Miho Gjini, Mjeshtër i Madh,krijues dhe intelektual i shquar që jeton në Athinë, me Fatmir Osmanin që jeton në Austri e shumë të tjerë ishin momente me mbresa të veçanta. Dhe jam i sigurtë që të tilla mbresa përjetuan të tërë pjesëmarrësit e samitit.

Samiti e mbylli siparin me mbrëmjen gala në pallatin e Kongreseve e me dhënien e disa çmimeve.

Pas mbarimit të tij është normale që të kete diskutime pro e kundra, me objektivitet apo me këndvështrime politike. Ka që e quajtën samit i selfie. Një dukuri reale, por që tashmë është bërë një tendencë botërore dhe nuk i prish punë askujt.

E rëndësishme është që njerëz nga diaspora u bashkuan në një takim të gjerë e që njëfarë bashkëbisedimi ka nisur me organet shtetërore. Kuptohet, diaspora ka nevojë për organizim të strukturave të saj,madje edhe me organizimin e një force të denjë politike të diasporës që në samitet e ardhshme të ulet si palë e barabartë me qeverinë e të diskutojë për ato çfarë janë bërë pas samitit të parë, të kërkojë një prani më të madhe të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në diasporë, të bashkërendojë punën per një ndërhyrje e pjesëmarrje më të gjerë e efektive në jetën ekonomike, politike e shoqërore në Shqipëri e Kosovë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora