E enjte, 25.04.2024, 07:39 AM (GMT+1)

Mendime

Serxhio Mazreku: Dialog apo “dhëmb për dhëmb”?!

E diele, 04.12.2016, 01:02 PM


Dialog apo “dhëmb për dhëmb”?!...

Nga Av. Dr. Serxhio Mazreku

Ekziston një gjuhë për të cilën flet diku Erik Fromi, psikoanalisti pauses i Frojdit dhe kjo është gjuha e të pavetdijshmes, që e shtyn njeriun drejt egërsisë dhe primitivizmit. Falë qytetërimit kjo gjuhë ka mbetur një “gjuhë e harruar”, por që herë herë shfaqet dhe përcjell primitivizmin njerëzor. Askush nuk mund ta mohojë se këto njëzet e pesë vjet, që kur nisi gara e lirisë dhe pluralizmit, politika ka treguar jo rrallë këtë “gjuhë të harruar’, ose thënë ndryshe, “gjuhën e dhëmbëve”, madje gjatë kohëve të fundit kjo psikologji sjellje është thelluar më tej, është pasuar me kërcënime në Parlmanet e jashtë tij, me rrahje deputetësh me rrip, me sharje rrugëçërore e me libër shtëpie nga të dy kampet për njëri-tjetrin etj. Kjo psikozë frenetike përcillet nga piramida në bazë, në të dy kampet politike, me tension të lartë, dhunë e përjashtim, duke e konsideruar kundërshtarin si armik në instikamin përballë. Shoqëria shqiptare ndodhet sot e mbërthyer në ngërçin e një pjese të politikës që vazhdon tentativat e dëshpëruara të sajimit të “armiqve”, në kampin përballë apo dhe brenda të njëjtës “llogore”. Në vend të dialogut politik, të shpalimit të alternativave, po përdoret “gjuha e dhëmbëve”, “dhëmb për dhëmb”, pa lëshuar asnjë centimetër në istikamin ku është vendosur kjo politikë inatçore dhe agresive.

Është fakt mëse i njohur se politika duhet të prodhojë ide, konsensus, iniciativë dhe veprim demokratik, konkurencë vlerash, platformash, ideshë dhe, në analizë të fundit, një standard të ri demokratik të vetë shoqërisë. Por, në këto njëzet e tre  vjet, për fat të keq, krahas këtyre vlerave që nuk kanë qenë në shkallën e duhur të shfaqjes dhe veprimit të tyre, politika ka prodhuar dhe urrejtje, përjashtim, ndasi, parcelizim e konflikte, që kanë mbajtur peng zhvillimin  dhe progresin e kësaj shoqërie.

Në strukturat e pushtetit vendor dhe qendror kjo politikë ka prodhuar kundërvënie, taraf nepotik e deri bajraktarizëm të fiseve e dyerve të ndryshme, duke e kthyer konkurencën në një start “lufte” për më të fortët. Ende pa nisur mirë fushatat elektorale, kur sapo fillojnë shpalimet e garës së kandidatëve në komuna e bashki, si dhe në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare, gjatë gjithë këtyre viteve është manifestuar kompleksi i dhunës dhe forcës, që ushqehet nga fanatikët, një realitet që frymëzohet e vihet në veprim nga një fantazi e sëmurë e një politike dritëshkurtër dhe inkoherente. Njëra palë e llogores politike ka vënë përballë palës tjetër një arsenal të tërë mjetesh e praktikash dhune, që nga fjalori i dhunshëm, deri te kërcënimet dhe dhuna fizike. Jo më pak agresive kanë qenë palët në zgjedhjet legjislative, ku ka ndodhur në disa fushta elektorale që palët politike, të egërsuara e të stresuara nga ethet e fitoreve apo humbjeve të supozuara, janë hedhur në sulm ndaj njëra tjetrës, pa llogaritur koston morale të këtyre akteve anakronike, gati mesjetare.

Ka pasur dhe vazhdon të ketë një tentativë të dëshpëruar dhe të gjithëkohëshme, për ta zhvendosur fushatën nga një fushatë për sovranin, në një fushatë politike, për më tepër në një fushatë të tensionuar politike, çfarë ka mbartur e mbart me vete dredhinë e shmnagies nga përgjegjësia e qeverisjes vendore apo kombëtare të një partie qoftë opozitare apo në pushtet, parti, individë përfaqësues të së cilave, kuptohet, para se të kërkojnë votën e qytetarëve duhet të tregojnë se çfarë kanë bërë gjatë mandatit qeverisës në njësitë vendore përkatëse dhe në zonat e mandatuara të legjislativit, së dyti, çfarë kanë ndërjmend të bëjnë në katër vitet e ardhshme për njësinë qeverisëse dhe banorët e saj.

Besnik Rrigaj nga Puka i përket një famijle tradicionale të djathtë, të persekutuar nga regjimi komunist. Besniku për njëzet e pesë vjet, që kur nisën proceset demokratike në Shqipëri, ka qenë komisioner i PD-së dhe ka mbrojtur me guxim e kurajo vlerat e diversitetit politik, si shprehje e demokracisë në veprim, por kjo nuk është parë nga kundërshtarët ekstremistë, militantët fanatikë, si vlerë e tij, por si një pengesë që ata të realizonin qëllimet e tyre dritëshkurtëra e konfliktuale partiake. Për këtë, Besniku disa herë ka pasur përplasje me klanet e militantëve të sëmurë, por pas zgjedhjeve të vitit 2013, këto përplasje u shtuan, bashkë me humbjen e vendit të tij të punës, presionet dhe kërcënimet kanë qenë dhe janë të hapura ndaj tij. Sapo fitoi e majta, brenda një kohe të shkurtër Besniku hiqet nga puna si zjarrfikës dhe sulmohet nga INUK-u qeveritar biznesi i tij, një lokal me kontratë shtetërore pranë spitalit të Pukës, të cilin ia prishin në kundërshtim me çdo ligj dhe të drejtë, duke i dëmtuar miliona lekë. Sikur të mos mjaftonin këto, disa herë është kërcënuar ai dhe familja e tij, verbalisht dhe fizikisht, duke tentuar ta terrorizojnë dhe dekurajojnë, ndërkohë që denoncimet e tij kanë rënë në vesh të shurdhër.

Një pjesë e tejndezur nga paradigmat folklorike dhe sindromike që tanimë është vërsulur me bomba e tritol, me hashash e kanabis, duket se është e interesuar që ta mbajë të ndezur situatën, duke tentuar të krijojë artificialisht dhe me çmim të rëndë psikozën e shthurjes. Pasi kanë traumatizuar çdo peizazh elektoral me zhurmënajën e zënieve, grindjeve, mërive, sherrnajave, vringëllimës së pisqollave, plagosjeve dhe tentativave për vrasje, këta “ustallarë” kërkojnë të gjejnë alibitë e humbjes, ndërkohë që pjesa tjetër kërkon të justifikojë tamburet e fitores. Politika pisqollë, me provokim të hapur, ka synuar gjatë gjithë kësaj kohe ta tensionojë situatën, me qëllim që të anashkalohet përgjegjësia e humbjes (për njërën palë) dhe ajo e mosefikasitetit të reformave në shkallën e duhur (për palën tjetër). Nuk janë një e dy, por disa raste që po vijnë duke u pasuar çdo ditë nga të tjerë, ku fanatikët e “djathtë” apo të “majtë” godasin, provokojnë, qëllojnë me armë, plagosin dhe kryejnë akte të tjera dhune ndaj rivalëve konkurentë dhe përkrahësve të tyre. Siç u vërtetua dhe në dy zgjedhjet e imponuara vendore në Dibër dhe Kolonjë, militantët e sëmurë partiakë kanë rrahur, plagosur, marrë peng e shantazhaur militantë të krahut tjetër politik dhe asnjëherë asksuh nuk ka mbajtur përgjegjësi ligjore e morale. Nuk do shumë mend dhe arsyetim për të kuptuar se përgjegjësitë penale janë indivdiuale për persona që manifestojnë gjuhën e urrejtjes, dhunës e të gjakderdhjes, por motivimi është nga lartë-poshtë, vjen duke u përshkallëzuar nga piramida në bazë. Kjo ndodh pasi lidershipi politik i dy partive kryesore në çdo prononcim publik, mediatik apo tribunal, nuk lënë rast pa kërcënuar politikën përballë, me një gjuhë që bie erë dhunë dhe terror politik.

Para kemi një fushatë elektorale që ka gjasa të jetë ndër më të egrat dhe më provokueset e deritanishme në Shqipëri. Kanabisi dhe bota e krimit, më të fuqishme se kurrë, po krijojnë psikoza terrori kolektiv. Shoqëria shqiptare dhe më së pari politika duhet të ndahet me çdo kusht nga kjo botë e errësirës dhe keqbërjes, një ndarje me ligj, embrioni i së cilës shfaqet tek ligji i dekriminalizimit, por që do të ishte i mangut dhe formal, pa një angazhim total të politikës për zbatimin e tij konkret, në zgjedhjet që kemi para të verës 2017.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora