E enjte, 28.03.2024, 08:48 PM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Blini i Grisë në veprat e Zeqir Lushajt

E premte, 02.12.2016, 09:23 PM


BLINI I GRISË, NË VEPRAT E ZEQIR LUSHAJT

Nga Adil FETAHU

Blini – konteksti botanik

Malet tona shqiptare kanë një biodiversitet të madh, me lloj-lloj drujsh, gjethëramëse e gjethëmbajtëse, frutore e jofrutore.  Blini (latinisht: “Tilia”), është një dru gjethëramës, mjaft i përhapur në malet tona. Përveç që është i përhapur natyrshëm në male, blini edhe mbillet e  kultivohet dhe është mjaft i përhapur edhe në parqe, buzë rrugëve dhe në oborret e shtëpive.  Rritet më shumë në tokë të butë , që është e mbrojtur (shtrojerë) nga erërat. Zakonisht ka trup të drejtë  e të gjatë, dhe mund të arrinë deri 25-30 metra lartësi, e mund të jetojë qindra vjet;  ka degë të hapura e gjethe të mëdha, gadi në formë të rrumbullakët. Blini çelë lulet në fillim të muajit qershor, dhe ato lule të çelura, ngjyrë të verdhë, mblidhen e terën për çaj ose bimë mjekuese.  Çaji nga lulet e blinit është mjaft i shijshëm, aromatik dhe i dobishëm për raste të ftohjes ose sëmurjeve të organeve të frymëmarrjes. Zeqir Lushaj, në një poezi të tij, të titulluar” “Doktor-Blini”, shkruan: “…Pak para se të flini,/Një çaj aromatik/,me emrin:/”Doktor Blini”!/ (Përmbledhja “Duhama e Valbonës”, fq.28). Edhe kokërrat e pjekura të lulës së blinit, edhe gjethet e njoma, shërbejnë si bimë mjekuese, po edhe thëngjilli nga druri i blinit përdoret në medicinë. Njihen ma se 40 lloje blini, që dallohen përkah karakteristikat botanike.

Ku nuk ka druj, ka erozion të tokës. Duke çmuar rëndësinë e drujve (frutorë ose jo), shumë emra fshatrash, mbiemra familjesh, emra objektesh (sidomos restorante), kanë emra pemësh e drunjësh, si: “Dardha”, “Molla”, “Qershia”, “Shega”, “Fiku”, “Rrushi”, “Blini”, “Shkoza”, “Frashëri”, “Dushku”, “Dafina”, etj.etj.

Çdo pemë (dru) frutore ose jo, zë një vend në mitologjinë, etnokulturën, historinë, traditën, zakonet, besimet dhe artet shqiptare. Secili dru që shtrinë krahët (degët) mbi tokë, e hieshon natyrën. Po, me drurin njeriu është i lidhur tërë jetën, prej lindjes deri në vdekje: prej djepit që e përkund, e deri në arkivol.  Kur lexojmë poezitë e Zeqir Lushajt, vërejmë se me çfarë dashurie e ndjenje  u “këndon”  maleve, krojeve, lumenjëve, natyrës së vendlindjes, drunjëve ndër të cilat edhe “Blinit të Grisë” apo “Lisit të Shkruar”, “Rrapit të Libohovës”, “Pishës-Flamur” të Llogarasë,  “Gështenjës së Bajram Currit”, nën hijet e të cilëve ka pushuar edhe vet. Duke lexuar vjershat e Lushajt,  nuk mund të mos i kujtojmë e krahasojmë me vargjet e kryepoetit të Rilindjes sonë kombëtare, Naim Frashëri, nga poema “Bagti e Bujqësi”: “O ju malet e Shqipërisë, e ju o lisat’ e gjatë/, Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër ment dit’ e natë…!”/.

Në këtë stil e frymë edhe Zeqir Lushaj iu “këndon”: vendlindjes (fshatit Gri), maleve, krojeve, lumenjëve, lisave, çobanëve, burrave të urtë, trimave të lirisë, heronjëve, rinisë, pleqërisë, poetëve, shkrimtarëve, përparimit, Kosovës, Çamërisë, gjithë gjeografisë dhe historisë kombëtare. Po t’i kthemi Blinit të Grisë, të cilin autori e përmend aq shumë dhe me aq dashuri e dhembje në poezitë e tij.

Blini i Grisë – figurë letrare në veprat e Zeqir Lushajt

Poetët e shkrimtarët, vargjet më të mira të tyre, qoftë në poezi a prozë, ua kanë kushtuar dashurisë, nënës, vendlindjes, atdheut. Kur ata janë larg në mërgim, dashuria për to është më e theksuar. Sepse, poeti e ka më vështirë se të tjerët të jetojë në mërgim, për shkak të ndjesisë, psikologjisë dhe nostalgjisë. Prandaj temat më të shpeshta të poezisë së tyre janë patriotike: për atdheun, vendlindjen, familjen, traditën, historinë.

Poeti e shkrimtari  tropojan, i cili tash jeton në Shëngjin, Zeqir Lushaj, në moshë të pjekur u detyrua të mërgojë dhe qëndroi një kohë bukur të gjatë (nja 14 vjet) në Amerikë, po kurrë nuk u lirua nga “gravitacioni” i atdheut dhe vendlinjës së tij. Thuajse e  gjithë poezia dhe proza e Tij,  e shtjelluar me tema e motive patriotike, mbeti e lidhur dhe iu kushtua atdheut, vendlindjes, njerëzve, natyrës së vendit të vet. Ato janë një kthim virtual i poetit vendlinjes së tij të dashur, derisa  sa bëri edhe kthimin real. Sepse, siç e thot në një poezi: “Më mir të jeshë i vogël/, Në djein Tënd, aty ku ke le/, Se…(ndoshta) edhe kollos/, Por… Njeri… pa Atdhe” (“Duhma e Valbonës”, fq.40). Në Hyrjen për këtë libër, autori jep këto vargje:

“Më gërryen vetmia,                                   Bjeshkët e vendlindjes

Ma shumë fati që                             (Realja u ba andërr)

Kaq larg na hupi.                             Andërr që kurrë nuk këputi.

Lushaj (edhe) në mërgim vjershëroi, këndoi, lavdëroi dhe nderoi vendlindjen e atdheun, me ndjenja që  nuk mund të shpjegohen me fjalë. Për mërzinë e tij që kishte emigruar, flasin edhe këto vargje:

“Në mrizin ku u rrita, tu Blini i Grisë,                Një ditë aty do më shihni shtrirë,

Lash shpirtin tim: “Më raftë pika”,                      Mos kujtoni se – kam vdekë:

Kur duhej të rrija, mora rrugat,               Jo more, bashkohem me shpirtin,

M’i plastë Zoti sytë, fluturova, ika!                      I bindur, ku e lash, kam për tag jetë”.

(“Duhama e Valbonës”, fq.14)

E tillë është edhe poezia e tij  (ta quajmë poema e Blinit), që  i kushtohet “Blinit të Grisë”, një dru blini madhështor afër kullës së vjetër të autorit, në fshatin e tij të lindjes – fshati Gri i Tropojës. Prej atij Blini ka ruajtur kujtime të  paharrueshme të fëminisë e rinisë së vet. Ai Bli dhe kulla e Sadik Selmanajt ishin si fanar në portet detare, ishin orientim e “ankorim” i shumë udhëtarëve e kalimtarëve, të cilët aty gjenin pushimin, bujtjen dhe darkën e drekën, bukë e kryp e zemër.  Blinin e Grisë e gjejmë në disa poezi, po edhe në prozën e Zeqir Lushajt. Para plot 30 vjetëve, sa duket me rastin e vdekjes së të atit, Sadik Selmani, kishte botuar poezinë “Blini i lëshon vendin Babait tim”. Poezia ka katër strofa, nga katër rreshta; strofa e katërt është refren i të parës:

“Babai im dhe Blini i Grisë                                               Kur e pau Blini i Grisë

Rreth një shekull bashkudhtarë,                         Se u plak Sadik Selmani,

I dhanë emër njëri-tjetrit,                                     Rrënjët i shkuli nga dheu

Në fortunë e në behar.                                           …Gati vorrin ia bani.

…Blinin nuk e rrëxoi era,

Jo, jo! Ai bëri vetflijim,

E pati për nder kollosi jetëgjatë

T’i lëshonte shtratin babait tim”.         (Po aty, fq.20)

Zeqir Lushaj ka një stil individual krijues. Ai e praktikon që disa shkrime të zgjedhura (qofshin ato prozë a poezi), t’i ribotojë prej një libri paraprak në librin tjetër të mëvonshëm, dhe këtë e bënë me qëllim të mbajtjes së unitetit kontinuel të veprimtarisë krijuese në tërësinë e saj. Kështu edhe poezia e cituar më sipër, e botuar në Përmbledhjen “Lisi i shkruar” (2009, fq.80), është ribotuar në Përmbledhjen “Duhama e Valbonës” (2016, fq.20).

Sa me dashamirësi flet për Blinin e Grisë, tregon gjithë poezia, dhe veçmas strofa e tretë, kur e quan “kollosi jetëgjatë”, të cilin nuk (mund) e rrëzoi era, por “bëri vetëflijim” për t’ia lëshuar shtratin Sadik Selmanit, me të cilin bashkëjetuan afro një shekull dhe i dhanë emër njëri-tjetrit. Dhe jo vetëm në këtë poezi, po edhe në shumë të tjera, autori flet me një dashamirësi e ndjesi të veçantë për atë Bli, sikur të ishte pjesëtarë i familjes së tij. Gjithmonë, emrin, mbiemrin dhe përemrin e Blinit të Grisë, e shkruan me germë të madhe.  Në një monolog nën hijen e Blinit të Grisë, autori thotë: -

“Këtu ndjehem mirë,

(edhe kur jam keq),

Siç ndjehet vet Blini,

Mes lëndinës – serbes.    (“Duhama e Valbonës”, fq.31).

Nën hijen e Blinit, burrat e fshatit e rrethinës, kanë  ndejë, pushuar e kuvenduar, kanë marrë edhe vendime të rëndësishme, sikur të ishte një parlament (gjithsesi më demokat,    burrëror dhe më i avancuar se parlementet e sotme të Shqipërisë e të Kosovës!), prandaj autori e ka dekoruar me një dekoratë të madhe. Në vjershën “Mrizi i Burrave”,  thotë:

“Ky Blini i Grisë

(gjigand),

Ku, unë, në fëmijëri,

Mrizoja gjanë,

E ka një dekoratë

(të madhe)

Mrizi i Burrave,

Burrat i kan’ pas’ thanë”.   (Po aty, fq..22).

Gjithçka në këtë jetë e ka fillimin, zhvillimin dhe fundin. Për fundin e Blinit të Grisë, autori thotë:

“Gjithçka u plakëka,

Edhe vigani shekullor,

Një ditë e puthi tokën,

Mbi lëndinë i mbylli sytë”.         (nga libri “Piedestali”, fq.198-199).

Sa kalimtarë e udhëtarë të lidhjes jetike midis Gjakovës e Shkodrës, kanë pushuar, kanë hëngër bukë e krypë, e kanë fjetë  te Blini i Grisë, të cilët janë pritë me zemër bujare, me buzëqeshje e me fjalët: “Hajde, bujrym”, të gjyshit e të babait të autorit. Shpirti i madh i autorit, ndien dhembje të madhe, kur “pas vdekjes” së Blinit të Grisë, po shkurtonte dru nga degët e Tij, dhe ja se me çfarë force letrare shprehet:

“Shkurtoja drutë e Blinit,

(Të shenjëta ishin degët e Tij),

Sikur të bëja (vet)autopsi)”.     (“Duhama e Valbonës”, fq.33)

Po boshllëkun që kishte lënë Blini Plak, një ditë (a pas disa vjetësh?), do ta zënte Blini i Ri, të cilin e mbolli Qazimi (kushëri i autorit). Rritën e Blinit të Ri autori e përkdhelë, si ta perkëdhelte një  fëmi, me fjalët:

“Po ecën drejtë, tufulak,

Në rrugën e t’ Parit,

Blinit Plak”.   (Po aty, fq.34)

Por, me qenë se  lagjën  e kanë lëshuar banorët, autori ndien dhimbje për Blini i Ri, që  po rritet jetim, dhe në emër të familjes Selmanaj, i kërkon falje:

“Për të gjithë Selmanët,

I kërkoj falje,

Jetim po rritet, në vetmi”. (Po aty, 34).

Blini i Grisë zë vend nderi e përhapet në  disa vepra të Zeqir Lushajt, sikur kishte zënë vend,  kishte përhapur degët dhe krijuar formacion të madh (kollos) në oborrin e kullës së vjetër të gjyshit të autorit.

Veprat e Zeqir Lushajt lexohen e rilexohen me ëndje e knaqësi. Lexuesit të vëmendshëm i bie në sy stili i veçantë i këtij autori. Në shumicën e poezive dhe të strofave, ka nga një fjalë apo një rresht, në kllapa, që i referohet vargut në vijim, për t’ia bërë lexuesit më të qartë. Vepra e Zeqir Lushajt, qoftë në poezi ose në prozë, nuk është vetëm vepër letrare; ajo është filozofi e jetës së vet autorit dhe popullit që i përket, me dimensione humane, më shumë reale se ideale. Me shkrimet e tij, Zeqir Lushaj është një zëdhënës ndjesëhollë për temat dhe motivet që i trajton. Vargu dhe fjalia e tij janë të ngjeshura me mendime të thella. Poezitë e Tij kanë një energji lirike dhe refeksion të identitetit të Tij prej malësori tropojan, dhe me përdorimin e lokalizmave, janë pasqyrë e lidhjes shpirtërore të autorit me vendlindjen e vet. Ka poezi me disa strofa, tre-katër e pesë rreshta, që mbajnë një rimë dhe ritëm të brendshëm. Figurat poetike i skalit për bukuri (“Blini i Ri po rritet tufulak”). Disa poezi, dhe shkrime në prozë janë dedikuese, të cilat ua kushton personave me emër e mbiemër të veçantë, nga jeta reale.

Duke përcjellë te lexuesit kollanën prej 6 librash, të botuara sivjet (2016): “Si n’kurbet, bre vëlla” (vjersha); “Zbehje e heroizmit” (shkrime publicistike); “Duhama e Valbonës” (Vjersha); “Piedestali” (Vjersha); “Rrokada …politike” (Vjersha) dhe “Sportit i mbeta borxh”(reporazhe, potrete-kujtime), në mbyllje të librit “Duhama e Valbonës” (faqe 173-175), ka një poezi bukur të gjatë, me titull: “Dhuratë (modeste)”, në strofën e fundit të së cilës shkruan:

“Gjithë Ai

(Kushdo qoftë Ai-Ajo)

Që i lexon këto libra,

E falënderoj (dhe)

Mbi 100 fish,

M’i ka pague”.

Dhe, unë e falënderoj  Zeqir Lushajn, njëqint herë, që ato libra, sapo kanë dalë prej shtypi, m’i ka dërguar dhuratë, nëpërmes shokut tonë të përbashkët, poetit e shkrimtarit gjakovar, Tahir Bezhani, dhe natyrisht të gjitha i kam lexua me shumë kënaqësi, sikur që i kam lexuar edhe librat që m’i dhuroi Tahiri të vetat.



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora