E premte, 19.04.2024, 09:47 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Kripa: Cila është dita e çlirimit?

E shtune, 26.11.2016, 09:17 PM


Cila është dita e çlirimit?

Nga Reshat Kripa

Në këto ditë nëntori dëgjojmë disa zëra korbash të zinj që çirren për të ashtuquajturën “ditë e çlirimit”  njëlloj si në vitet e errëta të sundimit të diktaturës komuniste. E di që ky shkrim do të ngjallë protestën e disa individëve që u ka mbetur ora qysh në vitin 1944, të indoktrinuar nga propaganda e servilëve të diktaturës së kuqe. Për këta individë as që do të denjoja të bëja një shkrim apo t’u ktheja një përgjigje. Qëllimi i shkrimit tim janë  disa të vetëquajtur historianë, disa personalitete të politikës dhe jetës shoqërore në vendin tonë që ende vazhdojnë avazin e vjetër dhe që, për fatin e keq të vendit tonë, i përkasin të majtës shqiptare që kurrë nuk mundi të reformohet pas shembjes së sistemit diktatorial. Por le të mos zgjatemi më me terma të përgjithshme dhe le të shtrohemi në rrugën e argumentave.

Cila ëshët dita e çlirimit? A ka patur çlirim? Personalisht mendoj se çlirim quhet shkëputje e prangave të një pushtuesi të huaj apo një diktatori të urryer, qoftë ky edhe një individ i kombit tënd. A ndodhi kjo? Absolutisht jo. Shqipëria kaloi nga një pushtim i huaj në një tirani të pësuar nga vetë shqiptarët. Në këto çaste më kujtohet një këngë që e këndonim dikur, kur ishim në burg, së bashku me disa luftëtarë të tjerë të lirisë dhe demokracisë:

Shqipëri e vogël, plot një milion,

Buzë Adriatikut edhe detit Jon,

Seç hoqi e ç’vuan mjaft nga të huajt,

Por dhe vetja jonë!

Kjo ishte e vërteta. Ne nuk vuanim nga të huajt se ata  ishin shporur nga vendi ynë por në vendin tonë ishte instaluar një regjim që ia kalonte  disa herë atij të pushtuesit. E pra ishin këta shqiptarë të atij shteti mizor që na rrëmbyen mua dhe mijra të tjerë,  të moshës 14-18 vjeçare, për të na përplasur në qelitë e errëta të ish-sigurimit famëzi të shtetit apo kampet e tmerrshme të punës së detyruar duke na mohuar të drejtën e studimit dhe të jetuarit. Ju mund të thoni se këto janë mllefe personale. Jo, zotërinj! Ju nuk besoj se e keni harruar atë kohë, apo bëni sikur e keni harruar, kur çirreshit dhe thërrisnit “kriminelët në litar” vetëm e vetëm pse ne luftonin “Për Liri, Për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”

Para se të hyja në burg historinë e Shqipërisë e njihja siç ma kishin mësuar në shkollën komuniste ku çdo komunist apo partizan ishe një “supermen” dhe çdo ballist apo zogist si Sali Protopapa i filmit “I teti në bronx”, apo ballistët e filmit tjetër “Kur zbardhte një ditë”. Por, fatmirësisht, hyra në burg. Them fatmirësisht sepse atje mësova kush ishte historia e vërtetë e këtij kombi. Këtë histori e mësova nga ata burra të rrallë që zor se do t’i vijnë më këtij vendi. E mësova nga ata burra që kishin studiuar në universitetet më në zë të botës perëndimore. E mësova nga të paharruarit Patër Mëshkalla, Gjon Shllaku, Kol Kurti, Xhevdet Kapshtica, Sami Bitincka, Isuf Hysenbegasi, Fatosh e Kudret Kokoshi, Abdurrahman Kreshpa, Meçan Hoxha, Haki Karapici e plot të tjerë. Këta burra më mësuan, ndërmjet të tjerave, se 29 nëntori 1944 është dita e zisë për kombin shqiptar.

Po, ajo nuk mund të jetë dita e çlirimit. Ajo është një ditë zije. Shqipëria, duke e marrë  në proporcion me numrin e popullsisë zë një nga vendet e para në botë mbi numrin e viktimave të shkaktuara nga sistemi komunist. Nëqoftëse do t’i referohemi shifrave zyrtare të shpallura nga Komisioni tre palësh i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Komitetit Shtetëror të të Përndjekurve Politikë dhe Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve  Politikë, rezultojnë  këto  dhëna:

1.   Të ekzekutuar                            6.023  persona

2.   Të vdekur në burg                                 1.065      

3.   Të burgosur                              34.135             (26.768 burra dhe 7.367 gra)

4.   Të sëmurë mendorë                    260      

5.   Të internuar deri në vitin 1954   59.517           

6.   Të vdekur në internim             9.000      

Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijëve të internuar nën katërmbëdhjetë vjeç, si dhe ata që janë internuar pas vitit 1954 dhe që nuk janë përfshirë në këto lista,  atëhere rezulton  se numri i përgjithshëm i  atyre    kanë  pësuar  direkt  persekutimin  i  kalon    260.000 personat. Duke marë parasysh  se gati 70% e tyre i përkasin periudhës deri në vitin 1954, kur popullsia e vendit nuk i kalonte të 1.000.000 banorët, rezulton se 20% e asaj popullsie është persekutuar direkt. Po t’i shtojmë kësaj edhe pjestarët e tjerë    familjeve të tyre, atëhere përqindja arrin përmasa rrënqethëse.

Çfarë solli ky “çlirim”? Gjyqe pa fund kundër ajkës së kombit shqiptar. Ekzekutime burrash të shquar. Internime nëpër kampe të tmerrshme ku vdekja ishte shpëtimi prej tyre. Ndarje të popullatës në përkrahës dhe armiq të regjimit, gjë që bëri që të parët të ishin kundërshtare të tërbuar të palës tjetër që, po të kishin mundësi, do t’i hanin të gjallë. Kjo ishte Shqipëria që solli “çlirimi” i 29 nëntorit. Në këto kushte a mund të quhet çlirim? Gjykojeni vetë të nderuar lexues.

Shpesh herë dëgjojmë historianë apo lider të partive të majta që thonë se duhen vlerësuar meritat e diktatorit Hoxha. Dua t’i pyes këta  zotërinjë:

Çfarë merite paska patur diktatori Hoxha?

Nuk e di se për çfarë merite flasin zotërinjtë në fjalë, por unë diktatorit i njoh vetëm vrasjet pas shpine deri edhe të shokëve të tij më të ngushtë. Përmend këtu Qemal Stafën që flitet se e çoi pikërisht ai në atë pritë. Përmend Mustafa Gjinishin, Hysni Xhindin, Fejzo Gjomemën, Ramize Gjebrenë dhe plot të tjerë të vrarë me urdhër të tij kur luftonin gjoja për liri. Këto vrasje dhe burgosje do të vazhdonin me një ritëm më të lartë pas marrjes së pushtetit. Le të përmendim Koçi Xoxen, Pandi Kriston, Bedri Spahiun, Liri Belishovën, Tuk Jakovën, Fadil Paçramin, Todi Lubonjën, Beqir Ballukun, Hito Çakon, Petrit Dumen dhe deri te Kadri Hazbiun dhe plot të tjerë me të cilët kishte qenë “shok armësh”.

Kjo është vetëm njera anë e medaljes. Po për izolimin totalitar të vendit tonë nga e gjithë bota, qoftë ajo perëndimore apo ajo lindore? Po për rënien deri në pragun e katastrofës të gjendjes ekonomike të vendit? Mos vallë të gjitha këto janë merita që duhet t’i vishen diktatorit? Përse ndodhin fenomene të tilla pikërisht në këto ditë? Mendoj se shkaku kryesor është shpërthimi i një ndjenje nacionaliste të popullit shqiptar. Është pikërisht kjo ndjenjë që i tërboi idhujt i diktaturës komuniste dhe ndaj shpërthyen si një kor i çakërdisur në mbrojtje të idealeve të tyre të përmbysura nga vetë populli shqiptar. Mos harroni! Është një kërkesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që i kërkoi Shqipërisë qysh në vitin 2010 të dënojë krimet e komunizmit. Dhe një gjë e tillë duhet, detyrimisht, të realizohet, në rast se duam, me të vërtetë të rreshtohemi në anën e kombeve demokratike të botës.

Si përfundim dua të them se kombi shqiptar ka vetëm një datë të shënuar të historisë së tij. Kjo datë është 28 nëntori 1912. Ajo është data e pavarësisë, është data e çlirimit kombëtar, është data që do të bashkojë kombin shqiptar në një të vetëm.



(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora