E premte, 19.04.2024, 11:12 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Flakë e zjarr

E merkure, 23.11.2016, 11:22 PM


Flakë e zjarr

Nga Elvi Sidheri

Kur në vitin tashmë të largët 2001, mes luftës (së pashpallur) civile në IRJ Maqedoni digjeshin pa mëshirë thuajse të gjitha shtëpitë e shqiptarëve autoktonë në Manastir, pronat e tyre shekullore, dyqanet e çmos tjetër që mbante akoma një gjurmë shqiptare në atë qytet kulture dhe konsullatash, një objekt mbeti gjithësesi pa u djegur me themel zjarr e flakë.

Bëhej fjalë pikërisht për ndërtesën ku më 22 nëntor të vitit 1908 patriotët, përparimtarët dhe rilindasit shqiptarë do të organizonin Kongresin e Manastirit, ku Gramenot, Topullët, Qirjazët, Gjergj Fishta e të tjerë, do të përzgjidhnin për gjuhën tonë të mirë, të ëmbël e të dëlirë (sipas maksimës madhore frashëriane) pikërisht alfabetin latin për të shqipëruar dhe shkruar gërmat dhe tingujt, zanoret e bashkëtingëlloret e shqipes sonë të lashtë.

E patën bërë këtë akt vendimtar përkundër mërisë së Portës së Lartë dhe orekseve ekspansioniste shqiptaro-mohues të Xhon Turqve mashtrues në Stamboll, përkundër ëndjes orientaliste DumBabiste të shumë shqipfolësve që zemra u rrihte arabisht, përkundër helenocentristëve apo spiunëve e mëkëmbësve të Beogradit ndër shqiptarë.

Sot, falë këtyre burrave e grave largpamës e vetëmohues, gëzojmë shkrimin kaq të bukur në gjuhën tonë mëmë, këto shkronja që Buzuku e Veqilharxhi u patën lodhur gjer në Venedik apo Allemanjë për të na i sjellë mes nesh, që t’i mësonim me buzë në gaz, që gjuhën tonë ta flisnim të lirë në Shqipërinë që falë gjuhës shqipe mban këtë emër krenar, në Kosovë, në viset e IRJ Maqedonisë të banuar nga shqiptarë, në Mal të Zi, Greqi , gjer në ngulime e shumta shqiptaro-arbëreshe në Itali e tjetërkund nëpër mërgatën e gjerë shqiptare kudo në botë.

Vlera e Kongresit të Manastirit është e papërshkrueshme me fjalë, aq sa mirëfilli mund të dilet në përfundimin aspak të tepërt se  vetë pavarësia e mëvonshme e shtetit shqiptar vështirë se kish për të ndodhur pa u hedhur më parë ky hap madhor komb-bashkues dhe ndriçues për mendjet e vegjëlisë së përhumbur shqiptare të fillim-shekullit të turbullt XX.

Jo më kot pikërisht gjuha shqipe pikësëpari, arsimi në gjuhën tonë dhe unifikimi i tentativave për një alfabet të unifikuar shqip të Kristoforidhit e shumë patriotëve të tjerë, qenë luftuar nga autoritetet turke dhe të gjithë fqinjët e tjerë mizorisht duke iu druajtur gërmave shqipe si djalli temjanit sa herë që shqiptarët e kërkonin këtë të drejtë legjitime me plot të drejtë.

Errësira gjuhësore dhe kulturore e shqiptarëve, ishte dhe mbetej synimi numër një për Portën e Lartë turke në rradhë të parë, dhe më pas i tërë shteteve fqinje dhe qëllimeve të tyre grabitqare ndaj tokave shqiptare nën pushtimin e tejzgjatur turk-osman.

Sot, pas kaq vitesh, godina e Kongresit të Manastirit ndodhet territorialisht në IRJ Maqedoni.

Fakti është që kjo ndërtesë mbetet në këmbë përkundër harresës thuajse komplete nga autoritetet shqiptare që bashkëqeverisin me partnerët e tyre maqedonas sllavë në qeverinë qëndrore në Shkup, por gjithaq edhe thuajse tërësisht e fshirë nga axhenda e objekteve të rëndësishme të vetë shtetit shqiptar.

Një turp i vërtetë.

Nëse ndërtesa e Kongresit të Manastirit është akoma në këmbë, kjo i detyrohet sipas të gjitha gjasave faktit se ajo përbën një objekt të rëndësisë së veçantë për historinë e patjetërsueshme të shtetit shqiptar faktikisht.

Të mos kish qenë për rëndësinë e saj të ndërlidhur pazgjidhshmërisht me trashëgiminë kaq jetike që ngërthen në vetvete ky objekt përkujtimor, pikësëpari për shtetin shqiptar gjatë këtyre 104 viteve ekzistencë të tij, sigurisht që afërmendsh të mund të imagjinohej kjo ngrehinë akoma në këmbë.

Serbët pushtues më parë, mbretëria jugosllave më pas dhe padyshim Tito dhe Jugosllavia federative e Maqedonia si republikë përbërëse e saj, do ta kishin fshirë nga faqja e dheut, rrënuar dhe ndoshta kishin edhe për t’i hedhur kripë sipër që në atë truall mos të mbinte më as bari (si Romakët me Kartagjenën pas shkatërrimit të saj total).

Edhe nëse Shtëpia e Kongresit të Manastirit, për fat i shpëtoi rrënimit gjatë periudhës jugosllave, atë do e kishin dërrmuar tërësisht huliganët e zakonshëm neofashistë antishqiptarë të Manastirit, para, gjatë dhe pas vitit 2001.

Por, për mrekulli, kjo gjë nuk ka ndodhur ndonjëherë.

Shtëpia e Kongresit të Manastirit është lënë në harresë, ajo nuk është rinovuar, muret dhe suvaja bashkë me kulmin e pullazin e saj po bien përtokë, në katin e saj të parë ndodhet një dyqan pllakash qeramike dhe nëse ndonjë shqiptar si turist endet nëpër Manastir në kërkim të kësaj godine, asnjë e dhënë nuk të shpie dot aty, pasi autoritetet sllave kanë bërë të pamundurën që kjo ndërtesë, ky “gjëmb në kurrizin e maqedonizmës antishqiptare”, të jetë thuajse krejt i padukshëm në Manastir.

Por, pavarësisht sulmeve të rregullta ndaj kësaj godine për çdo përvjetor të Kongresit të Alfabetit Shqip, pavarësisht dyerve të shqyera, zvastikave naziste në muret e saj, xhamave të thyera e çdo vandalizmi tjetër të zakonshëm, kjo ndërtesë kaq thelbësore për historinë tonë moderne si shqiptarë si popull, dhe si Shqipëri si shtet, vijon të mbetet në këmbë, stoike, kryelartë e kryeneçe, pak a shumë edhe si gjurma kryesore e karakterit të atyre patriotëve që e patën organizuar atë Kongres ndriçues për të ardhmen e shqiptarësisë sot e mot.

Në njëfarë mënyre, godina e Kongresit të Manastirit është qartësisht një “ekstraterritorialitet” i shtetit shqiptar në IRJ Maqedoni, sepse të mos ishte kështu, shovinistët sllavë vendas do kishin shkulur edhe gurin e fundit të themeleve të saj prej kohësh.

Vetë IRJ Maqedonia gëzon një lloj ekstraterritorialiteti të ngjashëm në Serbi, manastirin e Prohor Pçinjskit ku dikur qe përvijuar Maqedonia moderne si shtet dhe kombësia maqedonase mbi hirin e bullgarizmës perëndimore, gjuha dhe gjithçka që sllavët e Maqedonisë shijojnë sot pas 1945-ës.

Shtetarët dhe politikanët maqedonas vërshojnë çdo vit në Prohor Pçinjski për të kremtuar themelimin e shtetit, kombësisë dhe gjuhës së kombit të tyre të ri.

Për të mos përmendur esktraterritorialitetet fetare pafund të Serbisë në Kosovë, kisha e manastire, tyrben e Sulltanit pushtues Murat, praktikisht një ekstraterritorialitet turk po në Kosovë, varrezat greke në Shqipëri etj.

Nëse ka një rast kur patjetër shteti shqiptar do të duhej të ngrinte zërin gjëmueshëm, buçitshëm, sa të kërcisnin qiejt mbi qeverinë e Shkupit, është pikërisht ky.

Nuk është fundja gjë e komplikuar që t’i tërhiqen pakëz veshët një vendi dhe qeverie që i ka punët pisk në nivel të brendshëm (krizë politike dy vjeçare dhe zgjedhje vendimtare parlamentare në prag) dhe të jashtëm me tërë fqinjët.

Minimalisht pas këtij akti përdhosës të rradhës ndaj godinës së Kongresit të Manastirit, do ishte dashur të thirrej për shpjegime ambasadori IRJ maqedonas, të ishte bërë një ankesë formale zyrtare nga ministria jonë e jashtme etj.

Ose pak më thjesht, të kërcënoheshin fqinjët tanë jo me historira mesjetare, por me kthimin e emrit Liqenas për Pustecin.

Ose më thjesht, shteti shqiptar ta blinte këtë ndërtesë dhe të vendoste në Manastirin që njihet botërisht si ish qytet konsullatash, konsullatën e nderit të Shqipërisë, duke i dhënë përfundimisht një gjurmë të re shqiptare kësaj ndërtese dhe e shpëtuar atë nga rrënimi i ngadaltë përfundimtar, ashtu si edhe nga dhunimet e huliganëve sllavë.

Zgjidhje ka, nëse atë e kërkojmë vërtet.

Armikun nuk duhet ta kërkojmë ekskluzivisht vetëm në jug ndër fqinjët tanë, por të reagojmë njëlloj edhe kur qeveria turke ndërhyn në punët tona të brendshme fetare, kulturore ose historike, apo kur Shkupi zyrtar lejon të përdhoset godinën e Kongresit të Manastirit.

Mjafton që fyerja mos gëlltitet.



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora