E enjte, 25.04.2024, 09:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Pengu i Drita Pelingut:“S’më lanë të luaj filma kur isha e re”

E diele, 24.08.2008, 01:37 PM


Drita Pelingu ne fillimet e karrieres
Nga Zenepe Luka

Ajo i shpërfill vitet. Betejën me to e ka fituar. Në finesën që reflekton dhe në praninë e vazhdueshme në skenë. Drita Pelingu e ka të lidhur ngushtë jetën me teatrin. Kanë kaluar plot 62 vjet nga koha kur ajo guxoi të sfidonte. Konkurroi dhe ishte e vetmja femër aktore mes Kadri Roshit, Naim Frashërit, Lazër Filipit...Një brez që i dha emrin teatrit shqiptar. Vazhdon të “ushqehet” me ato emocione. Shtëpia e saj i ka lënë vendin një auditoriumi për të rinjtë. Në vitet e gjata të përvojës, ata i sjellin në kujtesë rininë e saj që për të ka edhe hidhërime apo pengje. Në këtë rrëfim të thjeshtë kujtimesh dhe ndjenjash, aktorja e njohur “shfleton” pak nga jeta e saj.

Skena është dashuria e përjetshme. Për të iu desh të sakrifikonte veten, familjen e ndonjëherë edhe të duronte përbuzjen. Por në fund e fitoi betejën. Aktorja Drita Pelingu ka lënë pak nga vetja në të 110 rolet që ka realizuar në teatër. I vjen keq që rininë e saj nuk e përjetësoi edhe në shiritat e filmit. I sfidon 80 vitet që ka mbi supe dhe vazhdon të punojë, të ngjitet në skenë ose të jetë afër saj...në auditor

Sfida e një vajze drejt artit

Rruga drejt teatrit do t’i kushtonte shumë paragjykime. Jo pa pasoja. E lindur në Vlorë më 3 dhjetor të vitit 1926, Drita Pelingu ishte e vetmja vajzë që konkuroi në dhjetor të vitit 1944 për aktore. Në janar të vitit 1945 hy në të parën shkollë të artit dramatik shqiptar duke thyer të gjitha normat e shoqërisë feudale. Ndërsa më 1946 është aktore e Teatrit Popullor. Krijimtaria e saj artistike përfshin tre fusha. Në karierën e shkëlqyer teatrale numëron rreth 110 role. Mbi 50 nga këto janë kryerole femërore të letërsisë botërore dhe letërsisë shqiptare për skenën. Një aktore me të dhëna të shkëlqyera dhe një shpirt të ndjeshëm prej artisteje ka tërhequr vëmëndjen e të gjithë regjisorëve shqiptarë apo të huaj. Role si Ana tek “Vajza e Veriut”, Natasha tek “Koha e rinisë së baballarëve”, Luiza Miler e Shilerit, Zoicika e “Karaxhale”, Miss Ford e Shekspirit, Gonorila tek “Mbreti Lir”, Gertruda tek “Hamleti” Budja tek “Hidheshin themelet”, etj, janë në Fondin e artë të Teatrit Kombëtar.

Filmi

E kujton paksa me dëshpërim që rininë e saj nuk e shfrytëzoi dot në kinematografi. I duhej të merrte leje të posaçme që të luante një rol e ndonjëherë ka përjetuar edhe refuzime. Megjithatë shënon 15 role në filma të tillë si Budja të “Kur hidheshin themelet”, halla tek “Njeriu me top”, Mukadesi tek “Radiostacioni”, sinjorina italiane tek “:Vajza me kordele të kuqe”, gruaja e gjeneralit tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, etj.

Çfarë janë 62 vjet në skenë për aktoren Drita Pelingu?

Është jeta ime. Kalova 60 vjetët dhe vazhdoj të jem në skenë, për të mos u ndarë kurrë prej saj.

Pas një përvoje kaq të gjatë, si i kujtoni fillesat tuaja në teatër?

Për hir të së vërtetës, hapi i parë është hedhur gjatë luftës. Kam qënë studente tek “Nëna Mbretëreshë” ku recitoja bukur. Të gjithë më thoshin:- Drita, ti do të bëhesh artiste. Në dhjetor të vitit 1944 pashë një lajmërim në një gazetë ku ftonin talente për të konkurruar për teatrin. Guxova dhe shkova duke mos pyetur për pasojën që do të më vinte nga familja dhe nga mentaliteti i kohës. U paraqita në konkurs përballë një komisioni me figura të shquara të artit si regjisori Sokrat Mio, Tefta Tashko, Andon Thano, etj. Kisha përgatitur vjershën për vrasjen e Qemal Stafës. E kisha lexuar në një revistë që dilte ilegalisht dhe e mësova menjëherë përmendësh. Çuditërisht edhe sot e mbaj mend. E recitoj rresht për rresht edhe pse nuk e kam lexuar qysh nga viti 1943. Fitova konkursin dhe isha e vetmja vajzë me djemtë e talentuar si Kadri Roshi, Naim Frashëri, Lazër Filipi. Ishin edhe dy vajza që erdhën nga jeta partizane, por u larguan. Mendoni se çfarë përmbysje ndodhi në familjen time, por triumfova. Në vitin 1946 fillova punën me pagë në teatër dhe siç më shihni edhe sot pas plot 60 vjetësh më gjeni këtu, në skenën e Teatrit Kombëtar. Sigurisht nuk hyra lehtë. Në shtëpinë tonë erdhi Zihni Sako, Besim Levonja dhe i luteshin babait që të më lejonte. Aty njoha edhe tim shoq, i cili duke qënë artist më kuptoi e dha mbështetjen.

Çfarë mbani mend nga roli juaj i parë?

Ishte roli i piktores tek drama “Portreti”. Pikturoja foton e kunatës, që ishte aktorja Liza Vorfi, e cila atëher u vlerësua për plastikën dhe zërin. Ky ishte një fillim i mbarë. Por..
 Unë kam qënë me shumë fat pasi kam interpretuar vetëm kryerole. Nuk ka regjisor që të mos e hiqte mënjanë rolin e parë për mua. Por fati lidhet edhe me faktin që kam pasur nderin që të kem partnerë artistë të mëdhenj si Kadri Roshi, Sandër Prosi, Loro Kovaçi, Gjon Karma, Violeta Manushi, Marie Logoreci, Margarita Xhepa. Ata ishin ndihmë dhe përvojë që ndikoi në karrierën time si aktore.

Kujt ia dedikoni “mjeshtërinë e aktorit”?

Unë kam punuar me regjisorë të mëdhenj si Pandi Stillu, Sokrat Mio, Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, Drita Agolli. Ata më kanë vlerësuar e më kanë dhënë role kryesore, por mësimet e para i kam marrë nga regjisori sovjetik Krickov, me të cilin bëmë një kurs dy vjeçar për mjeshtërinë e aktorit, plastikën etj. Këto i kam shfrytëzuar gjatë gjithë jetës në skenë.

Cilin do të konsideronit rol të veçantë?

Nuk jam në gjendje ta bëj këtë, por do të rrëfej emocionet e rolit të Zojcikës tek një pjesë e shkruar nga klasiku i madh rumun, Karaxhale ku intepretoja e vetme mes 22 meshkujsh. Njëra nga shfaqjet u ndoq edhe nga personeli i ambasadës Rumune dhe u vlerësua tepër. Një zonjë diplomate hoqi një trëndafil nga fustani i saj dhe e vendosi tek fustani im dekolde. Unë kam luajtur në të shumtën e rasteve rolin e dashnoreve dhe dekoldea nuk më është ndarë gjatë gjithë jetës në skenë. Pas shfaqjes do të shkonim në një koktej në ambasadën rumune. U veshëm e pispipillosëm dhe prisnim të niseshim. Prisja të isha në krye të listës, por për çudinë time e të gjithëve nuk isha as në fund. Madje nuk isha fare në listë, megjithëse kisha rolin kryesor dhe isha e vetmja femër. Natyrshëm u ndjeva e tronditur dhe më solli në vehte një dorë që më ra në sup. Ishte Kujtim Spahivogli që më tha:- mbaje vehten Drita. Ika me vrap dhe erdha në shtëpi. Rashë në gjoksin e babait që i tregova me lot në sy atë çka kishte ndodhur.

Cili ishte shkaku?

Probleme të kohës, pasoja nga familja ime. Babai ka qënë tregtar. Nuk dëshiroj ta kujtoj këtë pjesë të hidhur të jetës sime. Më e bukura është se unë gëzoj edhe pensionin e luftës pasi kam punuar në teknikën. Por duhet të paguaja...

Ju ka penguar në karrierën tuaj ky diferencim?

Karriera është arritur me punë. I vura gjoksin skenës, ndërsa ky diferencim nuk më ka dhënë vlerësimin e duhur dhe në kohën e duhur. Nuk shkruhej asnjëherë në shtyp për mua megjithëse interpretoja kryerole. Për të më bërë Artiste të Merituar ndërhyri Dritëro Agolli, i cili ishte kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve. Si për ironi të fatit, këtë vlerësim e mora pasi dola në pension.

Në këto 62 vjet në skenë, kujtoni ndonjë incident gjatë shfaqjeve?

Skena ka shumë të papritura. Do të kujtoj një rast që lidhet me aktoren e madhe, miken time Violeta Manushi. Do të jepnim shfaqjen “Gratë gazmore”, por ishte shumë ftohtë në skenë dhe s’mund të qeshet kur ngrin nga të ftohtit. I them Violetës:- pi pak raki se do të ngrohesh dhe nën efektin e alkoolit roli del më organik. -Jooo,- m’u përgjigj,- ç’është ajo fjalë. Unë kurrë nuk kam përdorur alkool. Më mirë duroj të ftohtit se sa të pi raki. Atëherë vendosa t’ia hedh në çaj. Gjatë interpretimit e dha efektin alkooli. Violeta nuk pushonte së qeshuri, paçka se i kishte dhënë pasojën edhe në mimikë. E sa historira ka skena që janë pjesë e bukur e karrierës.

Drita Pelingu në kinematografi. A jeni e kënaqur me këtë pjesë tuajën?

Problemet e biografisë sigurisht që sollën pasojën edhe në këtë fushë. Ndjehem e trishtuar që rinia ime nuk është pasqyruar në kinematografi. Gjithsej numëroj 15 role nëpër filma. Kam një rol episodik tek filmi “Tana”, ndërsa realisht në kinematografi hyra kur dola në pension. Kujtoj rolin e Budes tek filmi “Kur hidheshin themelet” me regjisor Viktor Gjikën, tek “Njeriu me Top”, etj. Në këtë film, u desh të merrej lejë në Komitetin e Partisë pasi fitova në kinoprovë. Sa shumë u lumturova kur më thanë se u aprovua.

Numëroni 30 vjet pedagoge e mjeshtrisë së aktorit. Kush janë talentet që keni nxjerrë nga duart tuaja?

Është e vërtetë që prej 30 vjetësh jap mësim dhe vazhdoj ende. Në vitin 1976 isha asistente regjisore. Shefi i katedrës Esat Oktrova kërkoi të jepja mësim për mjeshtrinë e aktorit në vitin e dytë. Them se në këto vite kam përcjellë përvojën, mjeshtërinë time si aktore në breza. Unë kur punoj e harroj vehten. Punën e kemi pasur në gjak në familje. Që kur dola në pension, deri më sot, shtëpinë e kam khyer në auditor. Kur punoj harroj moshën, harroj sëmundjen. Më flasin vajzat:- ruaj vehten, bëj kujdes për shëndetin, mos u lodh. Por asnjë nuk më pengon që t’u përcjell brezave të rinj që do të mbushin skenat mjeshtërinë e aktorit.
 Ju pyesni për emra aktorësh që kanë dalë nga duart e mia? Nuk jam në gjëndje të numëroj. Llogarisni 30 vjet me nga 30-40 studentë në vit. Bëjeni llogarinë vetë, por do të veçoja aktoret femra Luiza Xhuvanin, Edlira Diamantin... Por kam vënë edhe shumë shfaqje në skenë si “Shumë zhurmë për asgjë” e Shekspirit, “Gratë gazmore” etj...

Cila do të ishte këshilla juaj për aktorët e rinj?

Të punojnë. Nuk bëhet teatri pa pasion dhe punë. Është e pamundur të nxjerrësh rolin nëse nuk njeh jetën e përditshme, nëse nuk ke kulturën e duhur. Për fat të keq hyjnë në këtë fakultet studentë sa për të marrë një diplomë. Aty duhet të vërshojnë talentet që nuk i mungojnë Shqipërisë.

Të flasim për pjesën tjetër të jetës. Drita Pelingu si grua, nënë. Keni qënë e lumtur dhe a i keni përballuar detyrimet në familje?

Në punë njoha bashkëshortin tim Hysen Pelingun. Pasi ishte kthyer nga jeta partizane, përfundoi Konservatorin për kanto në Romë. Kam lindur dy vajza; njëra ka qënë violiniste në orkestrën e RTSH-së, tani ka dalë në pension, dhe e vogla është mjeke psikiatre. Hyseni ka qënë një njeri i mrekullueshëm. E them me plot gojë, jo nga nostalgjia se nuk është më, por unë ndoshta nuk e meritoja. Gjatë gjithë jetës ai manifestoi dashurinë bashkërtore, dashurinë prindërore, ishte zemërgjërë, njeri me vullnet dhe mbi të gjitha ishte një kollonë e rëndësishme ku unë mbështetasha për të bërë punën e vështirë të aktorit, për të thyer tabutë, por edhe për të përballuar vështirësitë e jetës. Ai ishte vetë artist. Im shoq ka marrë pjesë në operën e parë shqiptare “Rusallka” në rolin e Mullisit. Pastaj nuk duhet harruar se përveç të tjerash duhet të përballoja detyrimet si nënë, çka ju ka munguar vajzave të mia. I lija mes lodrave dhe i gjeja në gjumë në dysheme. Vdekja e tim shoqi më 1997 më krijoi boshllëk të madh, sado që rrethohem nga nipër e mbesa. Madje kam edhe një stërmbesë. Po kjo është jeta. 

Si janë ditët tuaja sot, pas kaq shumë viteve në skenën?

Punoj. Madje rolet më interesante janë vënë 5 vjetët e fundit. Punoj në skenë, me studentët në shtëpi. Unë jam shumë e kënaqur për dimensionin që më ka afruar teatri, por vazhdoj të punoj, jam shumë e okupuar. Kam miq ata të restorantit “London”,që më sjellin për të ngrënë në shtëpi. Unë vazhdoj luftën për të arritur qëllimin që kam pasur në jetë. Kur të mos jem më, të lë pas emrin e njeriut të mirë, të aktores së vërtetë. Kjo për të nderuar emrin tim, fëmijtë e mi, vendin tim, të cilit i kam falur gjithçka.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora