Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Vdekja e plakut ose currili i shiut!

| E shtune, 19.11.2016, 07:23 PM |


P  r  o  z  ë

Sejdi BERISHA:

VDEKJA E PLAKUT OSE CURRILI I SHIUT...!

Te këmbët i kishin mbetur vetëm çorapët e shqyera, të bëra copë-copë. Përreth tij nuk ishte askush përveç plakës thatake dhe fytyrë limon. Atij i kishte lindur një dëshirë që dita-ditës i bëhej më e madhe, por kurrë nuk i shihej asnjë shenjë malli. Për misterin e tij nuk ka ditur asnjë njeri, e që së fundi është duke e brejtur pamasë.

Në dhomë kundërmonte erë e rëndë sëmundjeje që të bënte vjellësh. Plaka i rrinte te koka e tij thatake që javët e fundit edhe berberi kishte rënë në hall për ta rruar, ngase i tëri kishte ngelur vetëm kockë e terur, asht e lëkurë. Në skajin e dhomës, përballë me shtratin e vjetër ku dergjej plaku, ishin të vendosura disa vegla të vjetra pune, një shtagë kërrutë ngjyrë të murrmë, që tregonte për vjetërsinë  e saj dhe të veglave të tjera, të cilat plaka me urdhrin e plakut i kishte sjellë nga çatia e vjetër, në mënyrë që ai t’i shikojë çdo ditë, sa herë ia kapë syri. Kjo, sepse e kishte rënduar mërzia. Sa herë që ballafaqohej me përplasjet e mendjes dhe të jetës, i skuqej fytyra, all i bëhej. I turbulloheshin sytë, por për habi, asnjëherë nuk i kishte treguar kujt për asgjë, por vetëm zihej në vete dhe kështu i jepte krah sëmundjes. Sikur asnjëherë nuk mendonte në vitet që i kishte kaluar, e që nuk ishin pak. Përkundrazi, kur i thoshte plaka që të mendonte në moshën e tij, ai hidhërohej. Askënd nuk duronte të ia përmendte moshën.

Ditët me shi e bënin nervoz dhe shpeshherë përlotej duke shikuar nga dritarja. Qetësia e dhomës i edhe më shumë i ndikonte të krijojë atmosferë të rëndë. Kur i nxjerrke duart përjashta që i kishte të mbuluara më batanije  dhe i prekte kockat që e tmerronin vetvetiu i shkonte buza në gaz, pastaj e hidhte jorganin anash dhe kërkonte nga plaka që t’i ndihmonte të ngrihej e të ulej galuc. Atëherë, i shikonte edhe këmbët që i kishin mbetur si dy kavall të gjatë.

Plaka e lodhur e shikonte me dhembje. Ngase edhe ajo, një pjesë të atij fati e ndante me të, sepse, tërë jetën e kishin kaluar së bashku. Edhe ajo, sikurse ai, kishte bërë ugar nëpër ara e kishte ujitur livadhet. Mu për këtë, plaku e kishte detyruar t’i sillte shtagën kërrutë, shatin e lopatën në këndin e djathtë të dhomës kundruall shtratit të vjetër, për t’i shikuar sa herë i kujtohej jeta e tij dhe e plakës së vetë.

Në ditën e premte e kishte detyruar plakën t’i sjelltë një pjatë me tëmbëloriz, një bukë pogaçe, ashtu siç ia përgatiste kur punonin në arat e gjata sipër fshatit. Frik i kishte shkuar mendja në djalërinë e tij, dhe e thirri plakën më një zë të turbulluar. Ajo, iu afrua dhe i tha duke përkëdhelur se menjëherë do të kthehet posa të përgatiste darkën.

Plaku shploi kokën, shikoi kah dritarja, nga e cila dukej qartë currili i shiut që rridhte pandërprerë nga ulluku i ndryshkur dhe i bërë lëmashk nga motet. Currili e ngushtonte dhe gjithnjë ia sillte një mërzi, por asnjëherë nuk tregonte. Madje, as plakës nuk i thoshte gjë. Nuk kishte dëshirë ta dijë askush shkrumbin e tij që mu tani në ditët e fundit të jetës ishte duke e munduar shumë.

Tok me atë shkrumb e kishte edhe një dëshirë, e cila gjithnjë e më shumë si kurthe në shpirtin e tij, si një lak që ia ngushtonte frymëmarrjen. Sytë i kishte bërë shigjetë drejt currilit të shiut, i cili krijonte një zhurmë monotone shiu, që edhe të shëndoshin e rëndon, si ndonjë zapari vere. Koka e tij ishte si ndonjë kafkë fantazme, apo si një gur i madh kripe, të cilin e kanë lëpirë delet dhe në të kanë krijuar zgrofullime të çrregullta.

*   *   *

Gjithnjë sytë i kishte në currilin që rridhte nga ulluku i vjetër. Pak i ishin turbulluar sytë. Dhimbjet sikur i kishte harruar. E bëri një buzëqeshje të zorshme, ngase  si duket ai curril i përkujtonte diçka. Pas pak u kthye për të shikuar këndin ku ishte shtaga kërrutë, shati së bashku me vegla të tjera. E thirri plakën. Askush nuk iu përgjigj. Plaka e tij përgatiste darkën. Vërejti se pranë tij nuk ishte askush, dhe tash më lirshëm sërish shikoi currilin, që ishte rritur nga shiu që binte edhe më shumë. Dhe iu dridh buza. Dy lot iu rrokullisen faqeve të thelluara si dy gurë të lartë. U shfry mirë, ngase nuk e diktonte plaka prej të cilës e fshihte shkrumbin që i rritej dita-ditës. Pandërprerë shikonte currilin. Në të shihte diçka që e shtynte të zhgrehej në vaje. Sërish u kthye kah këndi ku gjendej shtaga, e thirri plakën e cila posa kishte hyrë nga dera e vogël të dhomës.

-Plakë!

-Urdhëro... ç’të mirën ke?!

-Kurrgjë nuk kam. Nuk po më dhimbset aspak kjo jetë. Mjaft kam jetuar. Bile për së tepërmi kam..., ori plakë. A e di se çfarë kemi hequr. Ti, ende ke fuqi...

-Mos ashtu. Ka edhe më të vjetër dhe ende po jetojnë...

-Po, po, po... plakë. Vetëm mua më është bërë mjaft. Po e diktoj se gjymtyrët nuk po më punojnë si më parë. Ti e di edhe vetë..., shumë kemi shëtitur...

*   *   *

Jashtë binte shi konop. Dhe kjo kohë gjithnjë e bënte nervoz plakun e shtrirë. Sidomos shiu i vjeshtës. E shikoi currilin, pastaj edhe ullukun e vjetër, të cilin e kishte punuar mirë gjyshi i tij, e që tani është i mbushur plot myshk. U kthye kah plaka, mori thellë frymë dhe ia bëri me shenjë që t’ia ndizte një cigare. Nxori duart përjashta dhe pas pak i lidhi rreth qafe. Thekshëm e shikoi edhe shtagën kërrutë dhe iu mbushen sytë me lot.

-Plakë, ma sjell kërrutën...

-Ç’të duhet plak?! Tani ajo është vjetruar.

-E shoh se edhe ajo është moshuar, por, kam dëshirë ta kam në duart e mia. Ti e di plakë, unë kam shëtitur shumë me te!

Plaka i solli kërrutën të cilës në shumë vende i ishin krijuar bjezga e të çara të gjata, e në pjesën e poshtme edhe ishte kalbur. Plaku e shtrëngoi me duart e thata. Pakëz e largoi nga vetja për të pasur mundësi ta shikonte më mirë dhe më me ndijim. Sikur i ishte mbërthyer në te diçka. Edhe pse prajshëm shikonte një etje ia kishte tharë buzët e nxira.

-Plakë... a di se përse ta kërkova shtagën? Diçka jam mërzitur dhe desha të shëtis nëpër ato vende ku kam derdhur djersë. Unë kam për të jetuar edhe, por tani më ka ngushtuar një mall. Vështirë qenka... Aty ku kam kaluar ditët mia... Në pleqëri po të lidhka diçka që të bën t’i përkujtosh motet e jetës. Diçka është duke më kallur përbrenda. Plakë... me këtë kërrutë e kam shëtitur një botë të tërë e... unë do të vdes... E, po të tregoj se nuk kam dëshirë të vdes. Më ka kapluar një mall... dhe pikë!

I shikoi eshtrat e qitura të duarve, i picërroi sytë në kërrulin e shtagës dhe dihatja e thellë ia çrregulloi frymëmarrjen. Plaka u bë sikur nuk i kishte dëgjuar fjalët e tij. Por tani plakut i kishin dalë disa pulla djersësh në ballë, kurse gjoksi i bënte si rrëshiq. Sytë i kishte picërruar në shtagën e vjetër, kurse një buzëqeshje e përzier me lot ia përshkoi fytyrën thatake. Currili i shiut nuk pushonte se rrjedhuri nga ulluku i vjetër. Kurse atij gjithnjë i bëhej se në shtagën e tij është fshehur diçka! I bëhej se po shihte diç, që më vonë e nxori me mundim  të madh, duke e shikuar plakën e tij. Tash sikur shëtiste me shtagën kërrutë.... kah nuk i kishte shkuar mendja:

-Plakë... plakë, në këtë arë shumë dheun e kam rrotulluar! Ja, nën këtë hije sa herë kam ngrënë bukë. Atje poshtë, vijat i hapnim pjerrtas. Njëherë, kur bënte vapë e pata prerë gishtin e madh të këmbës. Me ty, plakë, atje poshtë, në anën e majtë afër shtyllës, gjithmonë e kemi grumbulluar fasulen. Në mbrëmje, me mushkën tonë kemi shkuar të gëzuar në shtëpi me dy a tre thasë me fasule. Atë kujtohet, plakë?!! Kemi qenë të gëzuar. Sa dheun e kemi rrotulluar në këtë arë. Në mezhdat e saj kemi pushuar si tani. Eh, qe sa kohë nuk e kam punuar... Ja, plakë, mushka jonë qenka lidhur për hunin e bardhë, siç e quanim ne. Qenka e ngarkuar me thasë. Sa lezetshëm po përtypet, mu sikurse atëherë kur e kishim ne. Po shikon kah ne! Plakë, a të shkoj e ta marr?!! Plakë, është e vjetër. Ajo gjithmonë na ka sjell bereqetet për të cilat i kemi derdhur kockat tona. Plakë, a po vëren se po bie shi? Nxito ta marrim mushkën! Plakë,... a mund të shkoj me këtë shtagën time kërrutë...-ishte ulur galuc dhe gjithnjë shikonte shtagën e tij të vjetër. Nga dritarja shihej currili i madh i shiut, që shpesh i përplaste pikat e shiut në xhamin e dritares e që lëshoheshin teposhtë si lotët nëpër faqe.

*   *   *

Përjashta mbretëronte atmosferë që plakun e bënte nervoz dhe sikur ia rëndonte sëmundjen. Për një moment e kishte harruar currilin dhe ullukun e vjetër. Por megjithatë, shiu që binte atë ditë, e bënte gjithnjë e më shumë nervoz e të lodhur. E kaplonte një mall, një dashuri, ose më mirë të thuhet një shkrumb që ende nuk ia kishte treguar as plakës. Sot, si asnjëherë më parë dukej më i zbehtë. Fryma e mundonte aq shumë sa që plaka ia dëgjonte gërrhamën edhe kur gjendej në oborrin e parrethuar të shtëpisë së vogël. Nuk e lëshonte shtagën kërrutë të bërë bjezgë-bjezgë. Thellë merrte frymë. Pasi i shikoi bjezgat që ishin formuar në shtagën e vjetër, edhe njëherë e thirri plakën. Me gisht tregues i numëroi brinjët e gjoksit, që qartë dalloheshin, dhe pa kontroll e shtrëngoi tubën e vogël të qimeve që i kishin mbetur në gjoks. Pastaj, përsëri e thirri plakën. Tani e diktoi se shiu binte më prajshëm. Psherëtiu duke i picërruar sytë diku larg, më larg se currili i shiut që rridhte nga ulluku i vjetër. I dukej se po rridhte diçka më shumë se currili i shiut, e që dëshironte ta shikonte dhe ta dëgjonte. Si kurrë ndonjëherë, në ballë sikur i reflektohej një pranverë plot lule.

Tash, gjithnjë shikonte më lartë se në currilin shiut. I dukej se është çdo gjë është duke e bërë si dikur...

-Në pranverë, plakë, e kam ujitur livadhin. A të kujtohet se si ishte bërë, i tëri ishte gjelbërim. Në bregun e verrishtës kullosnin qengjat. Shumë ka pas qitur krye bari i njomë. Shih, si janë drejtuar kah kupa e qiellit lulet plot gjallëri. Kur kam qenë i vogël, nga to thurnim kurorë me shokët e mi dhe i venim në kokë. Kënaqësi!... Këtu, në të hyrë,  te trina e madhe, pasi kositnim uleshim dhe hanim drekë me shumë shije. Më rritej balli. Ja, plakë, këtu, nën këtë arrë të madhe e bënim pushimin e vogël, pastaj më vonë, kur dielli e kalonte kupën e qiellit, pushonim nën hijen e atij verrit në mes të livadhit. Kurse,... ja, edhe tani po e ndjej një gurgullimë të ujit të ftohtë. A e vëren këtë lëndinë të vogël pranë lumit që lakadredhas kalon nëpër arën përballë livadhit, aty, të gjithë pushonim në mëngjes dhe në mbrëmje, duke tymosur nga një cigare. Në të vërtetë, nga freskia po më hapet kraharori.

Njëherë, kur kemi dashur të kthehemi në shtëpi, në të errësuar, aty e kam harruar kutinë me duhan. Nuk kam harruar, e kam pasur për merak, të cilën ma kishte dhuruar gjyshi në ditën e fundit të jetës së tij.

Plakë, një shkrumb po më mundon!... Qengjat nuk po i shoh më në livadhin ku kemi derdhur aq shumë djersë. Djersë të valë, që ka përcëlluar neve,... edhe tokën... Më ka marrë malli... Pak paska ndryshuar, apo mua po më duket ashtu, se mosha...?! Uji... po rrjedhë aq lezetshëm. Të kisha për t’i shikuar lulet si përpara! Po, po!... Bilbilat po i dëgjoj duke kënduar. Ata po më shpijnë të mendoj, të shoh para vetes mallin... atë të shpirtit. Shumë kam shëtitur me këtë shtagë. Shumë!...

Heshtas ndërpreu shikimin e gjatë kah currili i shiut. Në sy i ranë edhe çorapët e shqyera. Mori frymë thellë. As plaka nuk e diktoi se çfarë dëshiroi ai përderisa i tha që t’ia mbathë çorapët e shqyera. Më zë të këputur ia tërhoqi vërejtjen plakës që ta mbante në gjoks. E shkapërtheu xhaketën, i shikonte brinjët dhe frymëmarrja gjithnjë më shumë e mundonte. Megjithatë, qeshi si të kishte përjetuar diçka të mirë gjatë ndonjë ëndrre shumë të shkurtër. Edhe njëherë buzëqeshi duke drejtuar shikimin kah plaka, pastaj sërish i shikonte brinjët që i bënin si harmonikë. E shikoi edhe dorën e tij të hollë, provoi se a mund ta lëvizte. Kur pa se mundtë të lëvizte, nisi t’i numëronte brinjët e gjoksit, edhe pse, shikimin tani sërish e kishte drejtuar ka currili i shiut, që gjithnjë prajshëm rridhte nga ulluku i vjetër.

Plaka e kishte hetuar se ai tanimë nuk ishte në rregull. Në fytyrë ia shihte djersët e ftohta që i rridhnin pulla-pulla.

*   *   *

Ajo ndjeu një të dridhme trupi. Sytë iu turbulluan, kush e di së çfarë mendoi për plakun që pak më parë së bashku kishin tretur duke shëtitur me shtagën kërrutë të bërë bjezgë-bjezgë. Mirë e diktoi, se sa herë merrte frymë, i hapte edhe sytë. E kishte hetuar se edhe shiu e bënte nervoz plakun e përmalluar. E kishte kuptuar se më të vërtetë një shkrumb i madh do të mbetet në brendësinë e shpirtit të tij. Nuk kishte guxim as të pyeste,... tek e fundit nuk dinte as për çfarë të pyeste.

Plaku ishte mbështetur në gjoksin e saj dhe me frymëmarrjeje të rralluar shikonte drejtë currilit, por, për disa pëllëmbë më lartë. Djersët ia kishin kapluar vetëm ballin me hundë dhe skajet e mustakëve. Ishin djersë të ftohta... Plaka ishte strukur, nuk dinte se çfarë të bëjë në atë heshtje tmerruese. Kurse ai, gjithnjë shikonte sipër currilit të shiut, por zorshëm iu drejtua plakës:

-Plakë,... plakë...! Më ndihmo! Edhe atje po shkoj... Nuk kam dëshirë të vdes pa arritur gjer atje..., në atë maje! A po e sheh, atje dikur kam shkuar. Vetëm unë e di se si kam shkuar. Kam dëshirë edhe këtë herë të shkoj me këtë shtagën time të plakur mu sikurse unë! Ngadalë, plakë! Mbështillu mirë se po frynë erë e madhe. Mbështetu edhe ti në shtagën time. Plakë, po frynë... shi i madh është duke rënë...! A jemi gati, më trego,... a jemi diku afër?! Nuk po shoh! Atje kam dëshirë të mbërrij edhe njëherë. Në gjysmë të rrugës kemi mbërritur?!... Mbaju, plakë! Këtu njëherë më ka pas zënë një lëndë prej ahu. Kam qenë i alivanosur. Nuk kam ditur asgjë për vete. Kurse, atje lartë... të nisemi plakë, se po frynë... furtuna! Jam mbushur frymë. Të nxitojmë!... Plakë... diçka po ma shtrëngon fytin...! Toka po më sillet!... Ja, nuk po mundem të arrij edhe njëherë në atë maje mali. Rrethe meje e tërë bota po më sillet... Plakë! Ti, a po sheh diçka?!... Po më duket se ajo ara po më bie sipër! Edhe mezhdat e saj... Plakë, po më bie sipër edhe ai vendi ku e lidhnim mushkën tonë. Livadhi po më rrokulliset plot me lule, ... edhe qengjat... Lumi përbri me gurgullimën e ujit... Edhe bilbilat të cilët dikur me këngën e tyre ma kënaqnin shpirtin. Ja, edhe kutia me duhan, të cilën e kam pas humbur në atë lëndinën e vogël. Plakë, plaaakë, pl...aaa...kë..., bjeshkët po rrokullisen mbi mua! Po ecim edhe pak...!

Plakë, tërë dheu i tokës më ka rënë sipër. Edhe ara, livadhi, lumi,... mushka jonë...! Duhet të arrij në maje të malit se... plakë,... e kam një shkrumb të madh. Në atë maje më kanë... më...

Në gjoksin e plakës tani kishte pushuar trupi i plakut, i cili e kishte shtrënguar edhe kërrutën e vjetër. Në ballë kishte djersë të ftohta. Më të rrëshqitur të një pike djerse, të gjitha të tjerat u mblodhën në një, dhe u rrokullisen dhe ranë në bjezgën e madhe të shtagës kërrutë.

Në të errësuar të asaj dite, plaku e kishte lëshuar frymën e fundit duke përmendur një shkrumb. Kjo, ishte apo dukej një vdekje e qetë e plakut të shkrumbuar. Përjashta tani binte shi i prajshëm. Currili rrjedhke qetë nga ulluku i mykur dhe i vjetër. Atë natë, çdo gjë ishte e prajshme mu si vdekja e plakut. Çdo gjë kishte petkun e përmallimit... të shkrumbit...  Askush nuk e di se përse...!