E merkure, 24.04.2024, 12:39 AM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Astrit Dehari - kurban i demarkacionit

E merkure, 16.11.2016, 09:23 PM


ASTRIT DEHARI  - KURBAN I DEMARKACIONIT

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Shuarja e Astrit Deharit i kalon përmasat e një humbjeje familjare. Kosova dhe Shqiptaria mbarë vazhdon ta ndjejë këtë humbje, disi enigmë, të papritur. Për Famijen Dehari pesha e dhimbjes është e skajshme, duke kujtuar edhe tragjizmin e Arbnorit të tyre, dy vjet më parë. Pranë kësaj Familjeje janë bashkëpartiakët e Astritit, Vetëvendosja. Por, me mendje dhe zemër, aty janë shqiptarët e kudondodhur, në Atdhe dhe Mërgatë. Dhe, kjo pjesëmarrje kaq popullore, gjithësesi, do t`i shërbejë Familjes Dehari, për t`i përmbajtur emocionet - bjeshkë, të pirguara pamatshëm.

Demarkacioni, shënimi i vijës kufitare aktuale me Malin e Zi, është gjellë e thartuar e Hashim Thaçit, një kurdisje konspirative, në fshhtësi të çuditshme. Është një pazar i ndyrë, në këmbim të pushtetit të tij të përgjakur, është një përpjekje e ethshme, për ta shpëtuar lëkurën e tij, sepse krimet e organizatës terroriste- SHIK, krijesë kjo e LPK-së së tij, SHISH-it enverist dhe UDB-së jugosllave, tashmë, janë të faktuara me varret e 1.820 ushtarakëve, veprimtarëve të Ibrahim Rugovës, por edhe vrasjet brenda llojit, të LPK-së!

Astrit Dehari ishte një aktivist aktiv në mbrojtje të vijës kufitare, të shënuar më 1913. Dhe, ajo vijë kufitare, të cilën e la porosi -  amanet shtetbërësi i Kosovës, Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, sot, Hero i Kosovës, është natyrale, që përshkohet për maje-maleve: Qafë e Çakorrit, Kullë e Zhlepit, Malet e Moknave, Qafa e Dasmorëve. Përtej një shekulli, poshtë këtyre pikave kufitare, dëshmohet nga banorët zonalë, nuk ka shkelur këmbë insani, njeriu dhe as hajvanati, bagtishë të Malit të Zi apo të Serbisë, tashmë, shtete fqinjë.

Andaj, Astrit Dehari është martitr i kësaj toke; martir i kufirit të përcaktuar më 1913. Astrit Dehari është kurban i Demarkacionit. Dhe, shqiptarët duhet të betohen në kurbanizimin, flijimin e tij, në gjakun e tij, për të mos zbritur vija kufitare poshtë pikave të caktuara, poshtë shënimit të vijës kufitare të 1913-ës.

Kërrokama e korbave ndjell gjak, ndjell vdekje. Treshja e korbave: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa, gjetën një korb, hiç më pak të zi, shelegun e tyre, Murat Mehën. Një fytyrë cinike, që as nuk skuqet dhe as nuk zbehet, vetëm zgërdhihet kurvërisht. Për çudë, ishte i gatshëm, kojshi i Hashimit, i gjetur me porosi, për poshtërsi dhe tradhti.

Treshja kobzezë, me lakejtë  tyre, tellallë të pacipshëm, kundërshtinë e vijës kufitare aktuale të zyrtarit Meha, e lokalizoi vetëm me kundërshtinë e rugovasëve dhe të opozitës!?! Në fakt, kjo ishte dhe mbetet kundërshti gjithë-popullore. "Kauza e rrejshme politike po na lë pa liberalizim të vizave",- deklaron, madje serbez, Kryeministri Isa Mustafa! Një kërkesë gjithë-popullore, ta quajsh "kauzë të rrejshme politike", kjo nuk është, thjesht, lajthitje, mosdije, por, diçka shumë më serioze, më e rëndë. Është një obligim i marrë nga padroni Hashim apo edhe nga Hashima tjerë jashtë Kosovës?! Kryeministri duhet të sjell fakte për "rrejshmërinë e kauzës" ose duhet të shkojë ke psikiatri, para se të shkojë në burg, me akuzën kapitale.

Specialistët profesionalë shpërfaqen para opinionit publik raportin shkencor. Profesorët e lëmisë përkatëse: Shpëjtim Bulliqi dhe Florim Isufi, me referencat e tyre të qarta, me dokumentacione arkivore dhe shumësinë e hartave të kohës, dëshmuan vijën kufitare, të përcaktuar në vitin 1913. Ato përputheshin edhe me hartat ushtarake jugosllave të gjithë kësaj periudhe kohore,  njëshekullore. Me gjithëçka u dëshmua kufiri natyral, që përshkon maje-malet: Qafa e Çakorrit, Kulla e Zhlepit, Malet e Moknave, Qafa e Dasmorëve. Por, ata  u injoruan me mospëfillje nga kryezyrtarët pushtetarë! Madje, njëri syrësh u kërcënua me përjashtim nga LDK-ja. Deri këtu arriti krimi zyrtar - partiak!

Është shumë domëthënëse, shtetarët e Malit të Zi, së fundi, i bënë thirrje Bashkimit Evropian, të hiqet kushtëzimi i vizave me Demarkacionin, për shqiptarët e Kosovës. Sepse ata. malazezët, e dinë mirëfilli çfarë është e tyre, realisht, dhe nuk duan t´u lënë sherr e ngatërresa shtesë fëmijëve, brezave. Dhe, kur dëgjon deklarimet çjerrëse, deri në pëlcitje të b..., provokative e irrituese, të shtetarëve horrakë e askush të Kosovës tonë, të përtokur nga krimi politik vrastar e korrupsioni, hajnia zyrtare, hajde e mos ia hiq vetës, për çështje kaq vitale, jetësore, siç është toka stërgjyshore?!!

Do të mbahet mend profanizmi, për çështje kufitare, i një Kryeministri akademik, kur ai u thotë rugovasëve: "Ja, ju i keni tokat tuaja afër shtëpive, nuk po ua prekë askush. Pjesa tjetër nuk është e juaja, ajo i përket Malit të ZI!?!"

Dhe, njëri nga bashkëbiseduesit rugovas, i përgjigjet Kryeministrit: "Kufirin shtetëror e kisha 6 (gjashtë) kilometra larg shtëpisë time. Dhe, këto 6 kilometra lineare i kemi shfrytëzuar, si pasuri të Kosovës "denbabaden", brez pas brezi, gjithmonë. Tani kufiri shtetëror me Malin e Zi më është afruar 100 metra! Pula ime do ta shkel kufirin shtetëror çdo ditë. Kush përgjigjet për këtë shkelje të pulës time?!!"

Vallë, a e dinë Kryeministri i Kosovës se Podguri, nga Peja në Rakosh të Istogut, i ka sipër Bjeshkët e Thata, nga fshatrat, me ecje me këmbë, kufiri shtetëror është 4 (katër) orë, dhe në disa bjeshkë të tjera të Kosovës, edhe dyfishin e largësisë. Kjo hapësirë edhe pse nuk ka pronarë privat, ajo është pasuri e brezave shqiptarë, është tokë shtetërore e Kosovës tonë.

Treshja ndjellakeqe: Hashimi, Kadrija, Isa, nxënës besnikë të Stalinit të zi, për një vit radhazi, vazhdojnë ta injorojnë popullin, ta shantazhojnë, kërcënojnë dhe terrorizojnë popullin e Kosovës, me kartën e ratifikimit të kufirit me Malin e Zi, në vijën kufitare të Muratit të tyre. Ata sillën si padronë të Kosovës: mujëshorë, mendjemëdhenj, mospërfillës, prepotentë, cinikë e rrugaçërorë të neveritshëm: "Ose pranoni këtë vijë kufitare vullnetarisht, ose thëthasim Kuvendin, i kemi numrat, votat"! Dhe, shumë deputetë kukulla, të zgjedhur me sistemin absurd zgjedhor - Kosova me një zonë zgjedhore -, të paintegritet dhe servilë të shefave të tyre partiakë, shprehen të gatshëm për votim ose heshtin!!!

Hudhja e gazit në sallën e Parlamentit ka qenë një gjetje e mençur e opozitës. Sikur të asfikësoheshin, të shuheshin të gjithë aprovuesit të vijës aktuale kufitare dhe heshtakët deputetë, asnjë humbje nuk do ta kishte Kosova. Fundja, kujt i duhen servilët dhe lëpirësit ndaj shefave, me dyshime të bazuara, për pazare të pista, për falje apo shitje të tokave, të pasurive të brezave shqiptarë, ashtu siç bëri Hashim dallaverja, i cili i privatizoi, i shiti metrat e tokave me vezë, për t`i përshitur dostat e tij me lopë?! Ndërsa për thyerje e kallje të pasurive të popullit, Kosova nuk e ka atë luks, andaj duhet kursyer dhe ruajtur si sytë e ballit.

Studenti i shkëlqyer i mjekësisë, madje në prag të diplomimit, Astrit Dehari, tashmë, është shuar fizikisht. Pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë; pa paragjykuar vdekjen, si vrasje apo vetëvrasje, shkaku ka qenë provokimi i rëndë, madje deri në terrorizim, individual dhe kolektiv - si popull. Presidenti, Kryeparlamentari, Kryeministri, me megallomani gërditëse, ngulmues deri në poshtërsi, si lugetër, përgjatë ditës dhe në mbremje, në mediat e shkruara dhe vizive, shantazhonin dhe kërcënonin popullin e Kosovës me ratifikimin e Demarkacionit, në variantin aktual, fatal për Kosovën. Po të ishte dënuar tradhtia, me nënshkrimin fshehurazi të marrëveshjes kufitare nga Hashim dallaverja, Astrit Dehari do të ishte sot në auditorin e Universitetit.

Kemi përcjellur prononcimet e Drejtorit të Shërbimit Korrektues, Sokol Zogaj. Madje, jo vetëm tani, në rastin e Astritit, por edhe për vdekjen e një të droguari, më parë. Korrekt dhe i përgjegjshëm në shpjegimet e tij. Ndërsa, Drejtori i Policisë të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi dhe banda e tij e SHIK-ut, të njohur për krimet në burgun e "UÇK-së", në Kleçkë, nuk do të duhej të menagjonin burgun e Prizrenit.

Përhapja e lajmit dizinformativ, të rrejshëm, madje qëllimshëm, se "në duart e Astritit u gjetën medikamente", është në stilin e SHIK-ut, për të shpërndarë mjegullë, për të humbur gjurmët e krimit. Kështu ka vepruar SHIK-u kriminal i Hashimit dhe i Kadrisë, për të kamufluar vrasjet politike të ushtarakëve, kuadrove dhe të veprimtarëve të Ibrahim Rugovës. Për këto qëllime të errëta spekulative, ka funksionuar një agjensi e tërë dizinformative, e drejtuar dhe e kontrolluar nga "komandantët" dhe "çlirimtarët" e zëdhënësit falsifikator e rrenacak të "UÇK-së", Jakup Krasniqi. Edhe dhënia e filmimeve të paautorizuara, nga organi kompetent, të mjediseve të burgut, ku Astrit Dehari po shuhej fizikisht, nuk është rastësi. Përkundrazi, është shumë domëthënëse. Dhe, këtë mund ta bëjë vetëm SHIK-u vrastar, me agjentët e tij zyrtar brenda burgut të Prizrenit.

Krejt çka ka dëshmuar për bandën vrastare të SHIK-ut, në burgun rural të Kleçkës, kuadri i atij burgu, Agim Zogaj, është e vërtetë, ashtu siç janë të vërteta të gjitha denoncimet e SHIK-istit Nazim Bllaca, për mënyrën e funksionimit dhe krimet seriale të organizatës terroriste të SHIK-ut. Dëshmitari Agim Zogaj u vra, në rrethana enigmatike, por dëshmitë e lëna me gojë (intervistim-inçizim) dhe shkrim (ditar), janë të bollshme, për t´u besuar, madje për cilëndo gjykatë, vendore apo ndërkombëtare.

Kojshia i Hashimit, kuadri besnik i tij, Nexhmi Krasniqi, për opinionin shqiptar është bërë i njohur edhe në rastin e provokimit, ndalimit të deputetës të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Albana Vokshi, mbesa e Komandantit nacionalist të Podgurit, në Luftën e Dytë Botërore, Bajram Gashit, nga fshfati Uçë i Istogut, i vrarë nga bandat partizane. Provokimi dhe arrestimi i  i Albana Vokshit, me motër e shoqe, ishte porosi e shefave social-komunistë nga Tirana, në marrëveshje me veglën e tyre, Hashimin në Prishtinë. Krimi i pandëshkuar mund të përsëritet, natyrshëm. Andaj, eksponentët e inkriminuar, janë - pronto -, të gatshëm për krime të tjera serike.

Kushtet në qendrat ndëshkuese janë shumë më të mira, në raport me mundësitë ekonomike që ka sot Kosova jonë. Këto kushte nuk janë fare në shërbim të korrektimit, riedukimit, reflektimit, për fajet, tanimë, të bëra. I dënuari duhet t`i mbulojë me punë, shpenzimet që shteti bënë për atë. Për shembull: Në Amerikë të dënuarit punojnë, veç tjerash, edhe në plantacione, fusha bujqësore. Ata janë të lidhur me zinxhirë në trup, në grup dhe ashtu janë të detyruar të punojnë, ta realizojnë normën ditore. Dëgjueshmria ndaj personelit të burgut, është e krahasueshme me sjelljet bindëse të nxënësit ndaj mësuesit, si dikur në shkollat klasike apo mejtepet, kurset  fetare. Përjashtohet çfarëdo kundërshtie, përndryshe ndëshkimet janë të rënda.

Disiplina në burgjet e Kosovës nuk është në nivelin që t`i shërbejë riedukimit. Të burgosurit janë barrë e dyfishtë: e shtetit dhe e familjes. Lëshimet për qejfbërje janë skandaloze. Në veçanti, të privilegjuar janë të dënuarit, të cilët kanë bërë krime, për llogari të shefave të tyre pushtetarë e partiakë. Bilëz, këta të fundit, në disa raste, kanë organizuar edhe arratisjet nga burgu! Ilustrojmë me rastin e Bedri Krasniqit, kapoja i vrasjes të hetuesëve specialë: Sabahate Tolaj e Isuf Haklaj dhe i haraçit, në rastin konkret - kidnapimi i dhunshëm, për vjelje të haraçit të porositur, në shumën enorme prej 3 milionë euro, të pronarit të kompleksit bisnesor "Nora", Azem Morinës, nga Klina, si dhe ndoca të tjerëve. Të vrasish kuadro në krye të detyrës, të cilat në jurisprudencë, drejtësi, quhen "vrasje të cilësuara", plus rrëmbimit të egër, i fshehur në bjeshkë, të lidhur me zinxhirë, deri në rrezikim të jetës të njeriut, dhe të mos dënohësh, të paktën, me burg të përjetshëm, kjo ndodhë vetëm në Kosovën anarkike dhe shtet-hiçe! Dhe, kjo shpjegohet me faktin se krimineli ordinier, e ka mbrojtjen e kriminelëve politikë partiakë.

Kosova nuk ka një burg me në disiplinë të hekurt, si ai i Burrelit në Shqipëri, dikur. Dhe, mirë që nuk e ka, sepse një burg i tillë ka qenë kundër-njerëzor, madje për të gjitha kohërat. Të burgosurit gjithmonë vuanin nga uria dhe kjo ishte e rëndë. Vuanin nga etja dhe kjo ishte e tmerrshme. Vuanin nga mungesa e ajrit dhe kjo ishte torturë kulmore, sidomos gjatë stinës së verës, ku vapa fillonte në ora 9 (nëntë) të mengjesit, për t`u freskuar në orën 5 (pesë) të së nesërmes. Dhe, me radhë i afroheshim sportelit të mbyllur të derës, për të fituar nga ndonjë vrimë anësore, për ta lehtësuar frymëmarrjen. Kjo gjendje ishte, sidomos, në qelitë, birucat dyshe ose katërshe, siç ishim ne, burgaxhintë politikë nga Kosova, ku ishte vetëm një mini-dritare, për ndryshim nga dhomat e mëdha me dy, kinse, dritare!

Burgu i Burrelit, i vetmi burg me disiplinë - torturë në Shqipërinë e diktatorit Enver Hoxha, ku dajakosja bëhej me porosi nga qendra, Tirana, numëronte 70 deri 80 të burgosur, të destinuar për t`i lënë kockat në atë burg-varr, ose siç njihet në botë Burgu i Burrelit, "Burgu i Vdekjes" së ngadalshme. Ndonëse ishin të dënuar të përzgjedhur, për të mos dalur as të gjallë dhe as të vdekur që andej, ata ridënoheshin brenda burgut, në prag të përmbushjes të dënimit fillestar. Sllogani i përsëritur nga personeli i burgut: "Këtu i thonë Burrel, hyn e nuk del", nuk ishte një shaka, por realitet tragjik i kohës. Ishte i vetmi burg i botës, ku më shumë vdisnin, se sa liroheshin. Kufomat nuk u jipeshin familjeve. Na priste varri i përbashkët, ke qershia, në oborrin e pasmë të burgut.

Në burgun e Burrelit vuanin dënimin ish-sekretari i rinisë të "Ballit Kombëtar" të Korçës, Sami Dangëlia, i arrestuar në maj të vitit 1944; ish-kryetari i rinisë balliste të Tiranës, dr. Osman Kazazi, i arrestuar më 1945; shkodrani, profesor Pjetër Arbnori, i arrestuar në vitin 1960, e deri ke Fatos Lubonja e Spartak Ngjela me prindër, për të vazhduar me ministra e gjeneralë, të arrestuar, të dënuar dhe të ridënuar në vitet `70-a. Autori i këtij shkrimi ishte më i riu në moshë, në vitet `70-a, në Burgun e Burrelit.

Erërat e demokracisë të portarëve të Gdanskit polak, me heroin popullor Leh Valesa, të frymëzuar edhe nga Papa Vojtila, alias Papa Pavli i II-të, mik për zemër i Presidentit Rugova; shëmbja e Murit të Berlinit, për rrjedhojë, ribashkimin e dy Gjermanive, me Amerikën garantuese, në fillim të viteve `90-a, do t`i shpëtonte nga vdekja dhe do t`i lironte, madje me pafajësi të plotë, të burgosurit, të sakatosurit e Burgut të Burrelit dhe të burgjeve tjera politike në Shqipërinë bolshevike-fashizoide dhe gjetkë në Evropën Lindore.

Pra, e bëra këtë krahasim të burgjeve të Shqipërisë të djeshme, me ato të Kosovës të sotme, ose më qartë: të burgut të Burrelit me atë të Prizrenit, për të përjashtuar mundësinë e asfikësisë natyrale të Astrit Deharit, në kushtet e jetës, si i izoluar për hetime në mjediset e burgut në fjalë. Shkaqet e shuarjes fizike të Astrit Deharit, duhet kërkuar gjetkë. Asfikësim i dhunshëm, bllokim i frymëmarrjes, gjithësesi: vetanak apo nga të tjerët, mbetet çështje e hapur e një hetimi serioz dhe, tërësisht, larg përzierjes të politikës.

Famijles Dehari: prindërve, motrës, nusës me bebën e shumëpritur e, gjithësesi, ngushëlluese, për Familjen Dehari dhe shqiptarët, ndoshta, me emrin trashëgues, si dhe të gjithë farefisnisë së gjërë të Astrit Deharit, u shprehim ngushëllimet e dlira dhe, thellësisht, njerëzore.



(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora