E premte, 19.04.2024, 08:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi osmani: Prometeu i kryqëzuar

E merkure, 16.11.2016, 08:14 PM


Resmi osmani

PROMETEU I KRYQËZUAR

Në Skithinë e largët,në malin Kaukaz,ku s’shkelte këmbë njeriu dhe s’fluturonin as zogjtë e qiellit, në një shkëmb të zi e tërë thepa,midis humnerës ku rrapëllinte deti, dhe qiellit ku shkrepëtinin rrufetë e bubullinin gjëmimet, ishte kryqëzuar i lidhur me pranga titani hyjnor rebeli Promete ,me urdhër të Zeusit  kryezot, për të vuajtur dënimin e mëkatit të rëndë: kishte vjedhur zjarrin e shënjtë nga farka e hyut Efest  dhe ua bëri dhuratë njerëzve vdektarë, racën e të cilëve Zeusi e urrente.

1

E kështu ai qëndronte i prangosur nga kohë që s’mbaheshin mend.

Ditë dimri. Era vërshëllente, stuhia ulërinte dhe tërbohej.Qielli i nxirosur feksej nga shkrepëtimat e rrufeve. Deti i rrahur nga shuplakat e erës, lartësonte dallgët e shkumëzuara me rrokopujë. Zotat zemërakë e gërnjarë në Olimp  grindeshin dhe rrëfenin forcën dhe egërsinë e tyre.Por kjo s’ishte kurgje ndaj rroposjes se tij ne Tartar , ate dite kur ai i perplasi ne fytyr Hermesit  kumtar të Zeusit refuzimin e kerkeses së sunduesit mizor te Olimpit, per ti rrefyer te fshehten e fatit qe sunduesin e priste në të ardhmen dhe i tha mllefshëm:

”Më duket vetja më fisnik në pranga, në shkëmb mbërthyer, sesa të jem si ti lake besnik i Zeusit, tiranit, sunduesit  mizor.Te gjithë ju o hyj të qiellit, idhnak, hakmarrës e lajkatar, ju urrej! Të mirën që u bëra, ju ma shpërblyet me vuajtje poshtërsisht! Le të shkrepëtijë tirani mbi mua flakët e rrufeve, të trandë e ushtojë me gjëmimet e nëndheshme, le të pështjellë tokë e qiell së bashku, le t’i tundë e shkundë të gjitha. Kurrë nuk më përkul dot dhe të më bëjë të pendohem!”

Atbotë, Zeusi zemërak që shihte e dëgjonte gjithëçka, vendosi që kryekcyemin rebel, për t’i thyer krenarinë duke i shtuar vuajtjet,vendosi ta rroposte në tartar, në errësirën e mbretërisë së nëndheut. Tokën me rrëmet e trandi dhe drodhi. Hodhi në eter bubullimat me oshëtimë e gjëmime, gjuhët e flakëve të rrufeve gjarpëruan nëpër qiell. Shqota uluriu dhe vershëlleu me lemeri, u përleshën tokë e qiell. Ja ç’furtunë dërgoi kundër tij Zeusi, nga refuzimi i tërbuar, për ta ndëshkuar për ta thyer e përkulur. Dhe shkëmbi i zi, në gjirin e ftohtë  e varrosi trupin e tij e tok me të, në dheun e çarë u vidhis në thellësitë e humnerës së  skëterrës, mu në Tartar. Në ferr të zi, të vuante si trup i vdekur, ai që ishte një hyjnor i pavdekshëm.

Kaluan dit, muaj, vite, shekuj, Zeusi sado i pushtetshëm, por i frikësuar dhe përherë dyshues se mos hyjnorë të tjerë, fis e gjiri e rrëzonin nga froni qiellor, ashtu siç ai, si atvrasës përmbysi atin e tij Kronin  plak, kish nevojë të dinte profecinë që vetëm  Prometeu e dinte, sesi nga shfronësimi do të shpëtonte dhe sundimtar i hyjnive përjetë do të mbetej.

Nga Tartari e nxori, pa ia lehtësuar aspak vuajtjet, se i duhej, ia kishte nevojën të dinte prej tij të fshehtën që dit e natë e mundonte dhe  vetëm mendja e tij profetike mund t’ia parathoshte.  Prometeu, me trupin të dërrmuar e të rrëgjuar nga mundimet në Tartar, e pa sërish veten nga errësira e përjetshme në dritën e diellit por sërish të  mbërthyer ne shkembin e zi mbi humnerë, në tokën e largët të Skithisë në malet e shkreta të Kaukazit, të lidhur fort me prangat dhe zinxhirët mizore. Dhe vuajtjet s’kishin të sosur: nata me ngrica e acar, dita me zhegun përvëlues, e kamzhikonin  vrundujt e shiut dhe e rrihte shkulmi i erërave. Trup mpirë, u përpoq te shmpihej, por më kot. Efesti, shemtaraq e çalaman, burri brinjar i Aferditeës  së bukur, por mjeshter farkëtar i mbaruar, me urdher te atit, Zeusit, i prire nga Pushteti dhe Dhuna, sido titan e bir perëndish, hyjnor i pavdekshëm, e  kishte kryqzuar të mbërthyer me prangat e hekurta mizore: të dy këmbët, nje brez në bel dhe dy krahët e hapur. I kishte shtrënguar që ti hynin në mish dhe dhimbja të ishte prore gjersa të vinte pendesa. Një kryq i gjallë mbi shkëmbin e zi. Ç’vuajtje të tjera e prisnin vallë, ç’farë kishte shestuar mendja mizore e tiranit sundimtar, që askujt s’i besonte dhe përditë shihte e zbulonte armiq përbetime e tradhëti?

2

Kur nata u këmbye me ditën dhe dielli i zjarrtë u ngrit në nadir, Prometeu ndjeu rrahjen e flatrave dhe mbi të ra hija e zhgabës. E priste. Ia kishte parathënë Hermesi. Zhgaba, ishte qeni qiellor fluturak i Zeusit, e pangopur kurrë me gjak. Madhështore nga pamja, trupin në të përhinjtë murrashe, kokën të bardhë, sqepin si gremç, çaponjtë të verdhë e të mprehtë. U kap pas shkëmbit sa më mirë mundi.

“Erdha të kryej porosinë e tim’zoti”, foli ajo me zë njeriu.

“E dija dhe të prisja. Si shumë u vonove!”

“Vonoj ,por kurrë nuk mungoj dhe keqardhje asfare nuk ndjej”

“O qen qiellor i tiranit mizor, që s’nginjej kurrë me gjak, bëj çke për të bërë, me trupin tim të raskapitur, me pranga të lidhur”

“Ke mëkatuar dhe me vuajtje mëkatin ke për ta paguar”

Befas zhgaba gjak etur, i dha një goditje të fuqishme me sqep, në anën e djathtë, te harku i brinjëve,i shqiti një llokmë mish, nën zgavrën e hapur e të shqyer u duk mëlçia e rropullitë. Goditja e beftë ishte e dhimbshme, Prometeu klithi me një “oh” që i doli mga shpirti dhe jehona e saj u dëgjua deri në humbellat dhe shpellat e detit -oqean. Sytë iu errën dhe bota iu mjegullua. Gjaku që rrodhi nga plaga  shënoi ndoca tizga të kuqe mbi shkëmbin e zi. Zhgaba e kapi me çapojt e këmbëve llokmën e mishit, e shqeu në copa dhe e gëlltiti. Pastaj nisi t’i çukiste mëlçinë: ngadalë, si të donte të shijonte mizorinë mbi viktimën e saj. Po i shijonte. Edhe mishin, hyjnorët e kishin ndryshe: vinte më i ëmbël!

“Të dhembi? Por duro e ngushëllohu. Ju të lumnueshmit, edhe mund të vuani, por për ju vdekje s’ka. Prandaj bëj durim. Mëlçia prapë do përtërihet dhe unë prapë ushqimin e ditës të shijshëm e të sigurtë do ta kem, e kështu përherë.”

“Ah, ku ma gjen. Vdekjen sille tëhu. Ajo është fundi i udhës së rrugëtarit dhe mbarimi i vuajtjeve pafund. Është fati i njerëzve, vdektarëve, por jo i hyjnorëve të lumnueshëm”

“Do kthehem nesër, pas si nesër dhe pafundësisht, që të ushqehem me haje hyjnorësh,  sa ti të mos pendohesh. Në s’do të vuash, pendohu, kerkoi falje dhe thuaja kryezotit atë që të kërkon!

“Mos prisni që nga frika e Zeusit, do të qaj e duart lart do ngre për dorëzim e mëshirë, përpara atij sundimtari, që me dashjen e tij u bë armiku im i përbindshëm dhe do t’a lus të më më falë e të më heqë prangat mizore? Jo! Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Lirinë time nuk e paguaj me përulësi e skllavëri.Më mirë në vuajtje e në shkëmb i  kryqëzuar, sesa një skllav i lumtur”

“ Vuajtjet të bëjnë të flasësh si një i pamend e kryeneç, ty o hajdut i zjarrit të hyjnive, e që me të pasurove njerzit e vdekshëm, ata insekte ditëshkurtër,zjarrin-flakë tani zotërojnë. Krenaria jote të ka verbuar. Nga zot’i qiellit ti s’paske frikë dhe të vdekshmit ti pa mend i dashke! Kur i prangosur je kaq fodull e krenar, i lirë sikur të ishe, kushedi ku mendja jote  e shthurur do të kishte arrirë! Rri e vuaj mynxyrën tënde”

Zhgaba i tha këto dhe vrik fluturoi. E ndoqi me sy derisa ajo humbi në kaltërsi.

3

Nën ngrohtësinë e diellit të pasditës, nisi të kotej pastaj, me kokën anuar majtas, nisi të dremisë dhe humbi në fanepsjen e nje ndodhie të largët:

Kroni ishte gremisur në Tartar.Zoti i ri, festonte në Olimp. Shokëve Titanë, bashkluftëtarë u blatoi dhurata. Prometeut, të hijshëm e të hirshëm,që si ishte ndarë dhe i kishte siguruar fitoren, i premtoi për nuse një nimfë oqeanidë, njërën nga të tremijë motrat, bija të Oqeanit  dhe hyjnores Tefidë. Pallatet qiellore llapsnin e ndrinin nga llampadat, tryezat e mbushura plot, Ganimedi  shpërndante në kupat e arta ambroz, nektar dhe verë hyjnore  nga qilaret e Dionisit  që të ngazëllente shpirtin. Driadat  dhe Najadat ,me kurora trëndafilash, zambakësh e narcisesh, veshur me vello të mjegullta që u rrëfente gjithë hiret, vallzonin nën tingujt e ëmbël të lirave, fyejve, dajreve, çapareve dhe zamareve. Hyjnorët gëzonin, dielli dergonte dritë e ngrohtësi, zefiri freski. Nga larg u dëgjuan zilkat e kuajve fluturues që me koçinë e tërhequr, të atit Oqean, sillnin Hesionën  e bukur me shpurën e të motrave nimfa oqeanide. Ushtuan këngët dhe muzika. Motrën Hesiona , nusen shend e verë, e çuan të lahet, me vajra erëmira trupin ia lyen dhe  virgjëreshën, vajzë-valësh e përcollën të binte në shtrat me dhëndrrin, atë, që i blatoi një mal me dhurata. Atij i printe Erosi , çapkën e çamarok. Hesiona i kishte sytë të kaltër si deti, flokët të gjelbra si leshterikë, cipën e faqes të bardhë si shkuma e valëve, zërin si gurgullima e ujrave, shikimin me shkëlqimin dhe butësinë e sedefit të perlave.Ishte aq e brishtë, thuajse eterike,si një pezulli që qëndronte në erë, aq sa atij iu duk se do t’i thërmohej nëpër duar. Por sapo e preku, ajo u bë e mishtë, me ngjyrë të trëndafiltë dhe u bëzëqesh si lulja kur i bie rrezja e diellit. Goja e saj u çel si lule shege. Ju  dha e tëra dëshirueshëm dhe ai gëzoi  hiret e saj  femërore. U zhyt në misteret e asaj nimfe, si në një mrekulli të dalë nga shkuma e valëve të detit-oqean, i egzaltuar e në ekstazë.

Kur dolën nga gjerdeku, erdhën urimet, shpotitë dhe gërgasjet, u ngritën dolli. Hera ,e bukur, xheloze e zemërake, e sapo martuar me Zeusin, Afërdita që askush s’ja kalonte për bukuri, e martuar me Efestin shëmtaraq e topall dhe Athinaja  vergjine, e morën me vete nusen e re, paksa të drojtur e turpëruar, e çuan në odat e tyre t’i rrëfenin begatitë qiellore, kurse ai hyri për të gazmuar mes titanëve të tjerë që nisën të bëjnë hoka….

U ndermend dhe e pushtoi trishtimi.  Ishin të tjera kohë, kur festoheshin fitoret dhe kerkohej lumturia. Kur jeta kalohej me shpresa të ëmbla dhe me ngazëllime. Eh sa bukur ishte, kur veten ushqeje me ndjenja të pastra dhe guxim. Por gjërat ndryshuan. Zoti i ri i Olimpit, mizor e i pabesë zakonin e vjetër përmbysi dhe ligjin e bëri si ia desh mëndja e çartur dhe zemërgurësia.

Edhe tani, në Olimpin me pallate qiellore, pijnë nektar, ushqehen me ambroz , me palcë eshtrash, mish drenushe e shqerrkash dhe verë kuqaloshe. Për të askush veç Zeusit s’kujtohet. Ata festojnë, kurse trupi i tij ha vet-veten; per të shuar etjen lëpin piklat e shiut apo flokët e borës që i bien mbi buzë; ata flladiten nga zefiri, atë e rrahin shqotat; ata  flenë në shtrete puplorë, ai mbi shkëmbin e ftohtë, ata bëjnë dashuri e dëfrejnë me hyjnesha e nimfa apo me princesha bija mbretërish të vdekshëm, kurse ai me kujtimet e ëndërrta, ata bëjnë banja me ujë ermirë mes reve të avullta dhe lyhen me vajra e mirrë, atij i zhubroset thahet, dhe rrudhet e rrëgjohet  lëkura nga percëllimi i diellit verës dhe ngricave të netëve dimrore; ata dëfrehen me muzikë hyjnore, ai duhet të kënaqet me vershëllimat dhe tërbimin e stuhive. Ata janë të nderuar dhe galdojnë nga hareja, ai i dënuar dhe i poshtëruar. Një fat i zi e i kobshëm. Vaj medet për ty Promete!

E gjithë kjo ngaqë të vdekshmit njerëz, pa kushte e pakufi i donte. Sepse për tiranin zemërhekur, dashuria e të tjerëve, për ata që s’i pëlqejnë atij, kuptohet si urrejtje e rebelim dhe urrejtja e tij si dashuri e besnikëri!

Medet, medet, për ty o Promete!

4

I bënin sytë, apo ishte e vërtetë, ishte në ëndërr apo qe një zhgjëndërr?Në eter u duk një koçi me flatra që e tërhiqnin kuajt fluturues. Ishte e ëma, Klimena , nusja Hesiona dhe motrat e saj nimfat oqeanide.

“Nënë, Hesiona, jeni të vërteta apo hija juaj vjen të më trazojë mëndjen edhe kështu të çartur?”

“Promete, o bir, jemi ne që mos qofshim! Nënëzeza, më mirë të qe shterpëzuar ky bark që lindi djem. Me djem gjall dhe e padjem dhe nusja jote, nga fati e dënuar, vejushe me burrin gjall! Në mes të oqeanit,në pallatet dhe shpellat nënujore, pruri tek ne era atë thirrmë kobi që doli së thelli nga shpirti yt. E sa më shpejt, me koçinë fluturake erdhëm te ky shkëmb i nëmur e krejt i vetmuar. Shpirti na dhemb e zemra na ther, me lot të hidhur sytë tanë vajtojnë, sido që përmbi atë shkëmb, ti prapë si qëmoti na dukesh madhështor!”

Pastaj foli nusja, nimfa oqeanide, Hesiona:

“Diç kemi dëgjuar imzot, por edhe mirë se dimë shkakun e kësaj mynxyre. Për ç’faj Zeusi të dënoi kaq ashpër, e të poshtëroi kaq rëndë? Na i rrëfe po qe se nuk ndjen dhimbje”

“Më dhemb kur flas, më dhemb edhe kur hesht, por juve do u rrëfej, që të shihni e kuptoni sesi e katandisi Zeusi një shok e bashkluftëtar që e uli në fron,  e në vend të mirënjohjes, shihni si po më gjymton krejt pa mëshirë! E vërtetë, kam mëkatuar, se ndryshe nga Zeusi, mu dhimbsën dhe i desha njerëzit. E si të mos më vinte keq për ta? Si fëmijë nga mendja dikur qenë dhe i bera të mençur. Kishin sy por nuk shihnin, kishin veshë, asgjë s’dëgjonin, si hije ëndrrash të mjerë zvarriseshin nga njëri brez në tjetrin. Nën dhe, në shpella ku s’hynte dielli kurrë, dergjeshin si milingonat. Njerëzve u dhurova zjarrin, për dritë, ngrohje e gatim,për të farkëtuar metalet, e për ta tok me tokën, ujin dhe ajrin u bë elementi i katërt. U dhashë dituritë,shkronjat dhe numrat, u mësova zejet dhe mjeshtëritë, i çlirova nga frikërat dhe makthet, zbuta për ta kafshët e i vura në zgjedhë që punët t’ua lehtësoja, Për ta zbuta kuajt e i vura nën fre.Shpika lundrat që çajnë detet, e sa e sa të tjera. Dhe ata zbukuruan tokën, me punë e dituri, njerëzit u kthyen në perëndi të vdekshme, ndërsa perënditë në njerëz të pavdekshëm! Këtë se duroi dot Zeusi, por kurrë s’kam pritur një dënim të tillë, që të rri i kryqëzuar, i varur mbi këtë shkëmb të shkretë e të përvëluar, ku përcëllohem, thahem e rrëgjohem dit’ e natë.”

“Promete, bir, mirbërës i njerëzisë, parashikues i fatit të gjithsecilit, të përgjërohem gjej një mjet a mundësi për vete që të shpëtosh nga ky kob i madh”

“Nënë Klimena, o bijë hyjnorësh e nënë titanësh të pavdekshëm,s’ka mjerimi im as cak as kufi, pa u përmbysur pushteti tiranik i Zeusit”

“Shumë ujëra kanë rrjedhur, shumë gjëra kanë ngjarë, edhe Zeusi s’është më ai i pari e për të vdekshmit ka ndrruar sjellje. Rrëfeji të fshehtën e mistershme dhe ai nga prangat do të çlirojë!”

“Ah nënë, si guxon të nxjerrësh nga gardhi i dhëmbëve të tillë fjalë! Tirani mizor, që me ligj të egër e dorë të hekurt sundon Olimpin, nuk u mjaftua vetëm me mua. Edhe mbi gjithë ju, gjiri e fis me mua, derdhi zemërimin:Ty të mbylli në shpellat ujore të detit-oqean. Tim vëlla Atlasin, e degdisi atje në perëndimin e largët të dënuar që mbi supa përjetësisht të mbajë shtyllat e rënda që lidhin tokën e qiellin. Për inatin tim që vdektarët aq shumë I desha, mendja e tij djallëzore, bëri që të vuajë gjith njerëzinë: porositi Efestin të ngjizte një grua. Me tokë dhe ujë çalamani i dha formë një gruaje me bukuri të pashoqe, Athinaja i frymoi e i dha jetë, perënditë e tjera e mbushën me dhurata, prandaj e quajtën edhe Pandora . Hermesi e çoi si dhuratë te im vëlla, Epimeteu. E  kisha porositur fatziun, të mos pranonte dhurata nga Zeusi, por ai u ngashënjye dhe për nuse e mori Pandorën dhe ajo hapi kutinë e fatkeqësive: sëmundjet, urinë, varfërinë, urrejtjen dhe luftrat, thatësirën e përmbytjet e gjithë të zezat e tjera që për të mjerët njerëz, sollën vuajtje e mjerime. E si mund të pajtohem me të,Nënë?”

“Gjithë sa the bir, janë të vërteta. Por ti e sheh, në qiell sundon një zot i egër dhe i pamëshirshëm, një zot i tërfuqishëm që s’i jep hesap askujt. Në krah të tij është edhe gruaja,Hera, e bukur në pamje e zezë në shpirt,xheloze, hakmarrëse, sherrmadhe përndjekëse e grave që janë pre e epsheve të tiranit. Këshilltare e tij e mbrapshtë. Ai të ka në sy dhe gjithçka thua i dëgjon, e kjo më shumë ja shton zemërimin. Prandaj, lëre mënjanë krenarinë, përulu, kërko ndjesë që mëkatove, atë që kërkon të dijë rrëfeja, që ti bjerë zemërimi dhe veten nga kjo mynxyrë  shpëtoje.”

“Jo dhe jo! Nga zotat nuk pres  liri e shpëtim. Do më vijë nga një harkëtar, bir njeriu guximtar. Shpëtimtari im ka lindur e është burrëruar. Tashmë ikni se erdhi koha që do të vijë qeni fluturues i Zeusit, që gjellën e përditshme të shijojë! Tutem se të tillë pamje, zemra juaj s’do t’a durojë.”

5

Dita ishte gdhirë e bukur, me diell e kaltërsi. Ajri u drodh nga flatrat e një shpendi të bardhë. Pas pak, mbi shkemb fluturoi një patë, që I rrëfente udhën një njeriu. Ndërsa pas saj nga toka, hipur mbi pegasin, Prometeu vegoi që po vinte një njeri. Ai u afrua nën shkëmb. Ishte madhështor, shtatlartë, shpatullgjerë, fytyrën ia mbulonte mjekra krela-krela, flokët I derdheshin mbi shpatulla, nën lëkurë  që shkëlqente nga vaji, dukeshin si lëmshe muskujt e fuqishëm. Nga supi i varej harku i argjendtë dhe kukurja me shigjeta majëmprehta.Në dorën e djathtë mbante një çomage të hekurt.

“Përshëndetje o Promete me pranga i kryqëzuar!” Zëri i tij ishte i fortë, i thellë e kumbues.

“Shëndet paç , o luftëtar, që i ngjan Aresit , njeri apo hyjnor i pavdekshëm?”

“Herakli  është emri im. Jam bir i Alkmenës, lindur në Argos, brezi i gjashtë i Iojas . Më tepër mos kërko të dish. Kam ardhur nga kryqëzimi të të shpëtoj” Kështu tha Herakliu, heroi  i lavdishëm.

Ndërkohë, zhgaba gjakatare, zbriti me vërtik nga qielli. Herakliu mori shënjë dhe me shigjetë për vdekje e qëlloi, tej përtej e përshkoi dhe ajo u gremis në humnerën e thellë. Pastaj, me çomagen e hekurt e të rëndë, me gjith fuqinë, qëlloi shkëmbin pranë hallkve të karfosura: në duar,bel e këmbë. Shkëmbi u drodh, ushtoi e u thërrmua dhe Prometeu u çlirua.

Herakliu, mori një hallkë hekuri dhe një copëz shkëmb.

“Merri- i tha-farkëtari, të bëjë me të një unazë dhe në të të ngallmojë një copë nga shkëmbi, vëre në gisht që ta kesh  si kujtim të përjetshëm të dënimit tënd.”

Prometeu s’po i zinte besë vetes. U ul që trupi ti shmpihej. Kishte ardhur dita që të sosej udha e mundimeve.

“Eja, me mua në olimpin e perëndishëm, hip në vithe të Pegasit, lere pas këtë kujtim, dhe gjith mundimet e vuajtjet që hoqe mbi këtë shkëmb të nxirosur , që ti shkaktoi njeridashja jote”

“Ti je çlirimtari im dhe duhet të të bindesha, por duke të qënë mirnjohës e që të jam falnderues, po të them se nuk kthehem të jetoj në oborrin e tiranit zemërgur, ti perulem atij që aq të këqia u shkaktoi vëllezërve, familjes sime dhe gjithë njerëzisë.Te ai që u dërgoi Pandorën e mynxyrshme. Do të kthehem të jetoj te njerëzit. Vuajta për ta, dhe tek ata do të shkoj të gjej lirinë dhe lumturinë. Ende kanë nevojë për mua.Për Zeusin ata janë ca kandrra, por për mua  njerëzit janë Zota të vdekshëm, që dinë të duan e të falin, kurse Zotat njerëz të pavdekshëm, që hakmerren dhe urrejnë!

Më ço në Molosi,në bregun e detit Jon, që mori emrin e stërgjyshes tënde, Ijos, në Pelasgjinë me njerëz bujarë, që kanë në dheun e tyre në Thesproti, Dodonën e shenjtë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora