E premte, 29.03.2024, 02:10 PM (GMT)

Mendime

Eshref Ymeri: Një libër për prindërit e rinj

E diele, 13.11.2016, 09:10 AM


Një libër tavoline për prindërit e rinj

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” dhe Rotary Club Elbasan, më 07 nëntor 2016, ora 12:00, në sallën ovale, organizuan diskutimin e librit me titull “Për ty, për ju, për të gjithë shqiptarët” të autorit Sitki Cerekja.

Para disa muajsh, zotëria Sitki Cerekja pati mirësinë të ma dërgonte me internet për ta lexuar. Pasi u njoha me përmbajtjen e tij, shpreha disa mendime, të cilat, megjithëse janë botuar në hyrje të librit, tani, pas paraqitjes në publik, vendosa t’i ndaj me lexuesit në faqet e internetit.

Ky libër, të cilin zotëria Sitki Cerekja e vë në dorën e lexuesve pikërisht tani, pasi ka kaluar gati një çerek shekulli pas ndërrimit të sistemit politik në fillim të viteve ’90, është i një rëndësie të jashtëzakonshme për prindërit e rinj, para të cilëve qëndron një detyrë mjaf e vështirë: edukimi i fëmijëve, si pasardhës të brezave që zëvendësojnë njëri-tjetrin në ritualin e ndërrimit të tyre.

Procesi i edukimit të fëmijëve është i pandarë nga historia e njerëzimit. Mendimi pedagogjik për edukimin e tyre ka pasë lindur që kryeherazi dhe gjatë mijëvjeçarëve ka ardhur duke u zhvilluar në filozofinë e lashtësisë grekoromake dhe lindore. Për herë të parë, shkenca e edukimit të fëmijëve erdhi e u kristalizua në sistemin e dijeve filozofike aty nga fillimi i shek. XVII dhe roli kryesor në këtë fushë i takon filozofit anglez Bekon (Francis Bacon 1561-1626). Më pas ajo erdhi e u pasurua me kontributin shkencor që dha pedagogu çek Komenski  (Jan Amos Komenský - 1592-1670), themelues i pedagogjisë shkencore.

Libri lexohet me shumë kënaqësi. Ai duhet të shërbejë si një Përkujtesë jo vetën për prindërit e rinj, por edhe për mbarë shoqërinë. Madje duhet të shërbejë si një libër tavoline edhe për të gjithë ata që janë në prag të krijimit të familjes. Autori, me shumë profesionalizëm, ka vënë gishtin mbi një problem me rëndësi të jashtëzakonshme për edukimin e mbarë shoqërisë me vlerat më të shkëlqyera të përkujdesjes dhe të rritjes së fëmijëve, të këtyre pasardhësve të brezva që kalojnë nga njëri te tjetri në rrjedhën e jetës njerëzore.

Mendoj se gjëja e parë që autori ka parasysh në këtë libër, janë këshillat që u jepen  prindërve tërthorazi, të cilët duhet të jenë të vetëdijshëm plotësisht se fëmijët përbëjnë një pjesë të pandarë nga jeta e tyre e përditshme. Çdo fëmijë duhet trajtuar si një qenie shoqërore e pavarur, duke respektuar vetvetësinë (individualitetin) e tij, sepse gjatë kohës që ai është në zhvillim e sipër fizikisht dhe intelektualisht, fatin e ka të pandarë nga ai i prindërve të vet.

Në ecurinë e leximit të këtij libri, gjykuar nga parashtrimet që bën autori, çdo prind krijon bindjen e plotë se fëmijës, në procësin e komunikimit të përditshëm, i duhen edukuar tipare sa më të mira të karakterit. Ai duhet ndihmuar t’i çojë më tej prirjet e lindura për veprimtari, pavarësisht se prirje të tilla edhe mund të mos përputhen me ato të prindërve. Se nuk është e thënë që fëmija e një mjeku të bëhet domosdo mjek. Rëndësi ka që prindi, me shembullin e vet, të ngulitë të fëmija të tilla tipare të admirueshme, si atdhedashuria, çiltërsia, guximi, korrektesa, mirënjohja, ndershmëria, shpirti i sakrificës, vendosmëria, vullneti i patundur etj.

Nga të gjitha detyrat që zotëria Sitki Cerekja shtron para prindërve në procesin e edukimit të fëmijëve, lexuesi nxjerr një përfundim mjaft kuptimplotë:

Prindërit duhet të jetë jo vetëm “përgjegjësit (shefat)” e fëmijëve të vet, por ata, në të njëjtën kohë, duhet të jenë edhe organizatorë të shkëlqyer të jetës personale, sepse jashtë veprimtarisë së tyre, si qytetarë, jashtë ndjesisë së tyre, si individualitete, nuk mund të përfytyrohet dot roli i tyre si edukatorë të fëmijëve të vet.

Rrjedhimisht, prindi nuk duhet t’i lejojë vetes qëndrime të dyzuara në marrëdhëniet me fëmijën: ai gjithmonë duhet të jetë i hapur me të, t’i flasë me çiltërsinë më të madhe, në të kundërt, do ta dëmtojë rëndë edukimin e tij. Dhe po të qëllojë që prindi të vërejë se në sjelljen e fëmijës është shfaqur një tipar negativ, atëherë ai menjëherë duhet të kthejë kokën prapa dhe të rishikojë qëndrimin e vet, për të zbuluar se ku ka gabuar në misionin e tij si edukator. Se jo më kot qarkullon ajo shprehja e bukur në gjuhën shqipe, sipas së cilës “fëmijët janë pasqyrë e prindërve”.

Rreziku që i kanoset procesit të edukimit nga një qëndrim i dyzuar, me dy standarde, i prindërve në marrëdhëniet me fëmijën, më kujton një thënie të shkëlqyer të Rusoit (Jean-Jacques Rousseau - 1712-1778):

“Nëse dëshironi t’i jepni mend nxënësit tuaj, edukojeni që te jetë i fuqishm për të drejtuar. Stërviteni vazhdimisht trupin e tij, mësojeni të bëhet i shëndetshëm dhe energjik. Le të punojë, të veprojë, të vrapojë, të bërtasë. Le të jetë gjithmonë në lëvizje. Le të bëhet njeri fizikisht se së shpejti ai i tillë do të bëhet edhe mendërisht… Nëse kemi qejf ta shkelim këtë rregull, atëherë do të prodhojmë fruta të ardhura para kohe, të cilat nuk do të jenë as të pjekura, as të shijshme dhe shumë shpejt do të fillojnë të kalben. Për pasojë, do të kemi të bëjmë me shkencëtarë të rinj, por me fëmijë të plakur”.

Kur e përfundon së lexuari këtë libër, mund të vish në përfundimin se puna e prindit për edukimin e fëmijës është art, si puna e artistit, qoftë ky muzikant, piktor apo skulptor. Për këtë arsye, çdo prind duhet ta zotërojë mjeshtërisht këtë lloj arti, duke shkrirë në një të vetme rolin e tij, si baba dhe si edukator, si nënë apo si edukatore. Prandaj edukimi i fëmijëve duhet të kuptohet si një proces që kërkon përgjegjësi të lartë dhe duhet të jetë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së prindërve.

Nga leximi i këtij libri, nxirret edhe një përfundim tjetër mjaft domethënës: edukimi i fëmijëve është edhe një shkencë fort e vështirë për t’u përvetësuar, sepse kërkon vendosmëri, këmbëngulje me pikësynime të qarta nga ana e prindërve, të cilët duhet të përbllojnë një ngarkesë të madhe fizike, shpirtërore dhe mendore. Domosdo. Sepse edukimi shembullor i fëmijës krijon kushte për formimin e një mënyre të caktuar jetese, i zhvillon atij shprehitë e komunikimit, i nxit dëshirën për të lexuar dhe për të kuptuar magjinë e matematikës. Dhe kur fëmija të rritet dhe të dalë në jetë, do ta kuptojë se sa të dobishme kanë pasë qenë shprehitë që pati fituar gjatë edukimit prindëror dhe pavarësisht nga ndofarë ndikimesh negative të mjedisit ku ai ndodhet në jetën e pavarur, ato nuk do të mund ta ndryshojnë dot natyrën e karakterit të tij.

Shkrimtarja franceze Zhorzh Sand (George Sand - 1804-1876) thekson:

“Thelbin e karakterit tënd nuk mund ta ndyshosh dot, vetëm mund t’u japësh drejtim për mirë veçorive të ndryshme të karakterit, madje edhe të metave, pikërisht këtu qëndron e fshehta e madhe librore dhe detyra e madhe e edukimit”.

Rekomandimet e zotërisë Sitki Cerekja për krijimin dhe zhvillimin e fëmijës që në barkun e nënës, për ushqimin e shtatzanës dhe të njomëzakut të sapolindur, janë me të vërtetë “receta” prej specialisti në fushën e edukatës familjare.

Muzika, lodrat, përrallat, siç janë vënë në dukje me shumë të drejtë në këtë libër, luajnë një rol të pazëvendësueshëm në rritjen e fëmijëve, sepse ato u edukojnë atyre që në moshë të vogël shijen për të bukurën, u mësojnë shkathtësinë e heronjve të përrallave dhe u nxitin fantazinë krijuese.

Në mbyllje, e uroj nga zemra autorin e librit dhe e përshëndes për këtë kontribut të çmuar që ka dhënë në të mirë të shoqërisë mbarëshqiptare.

Kolumbus, Ohajo

22 korrik 2016



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora