E enjte, 25.04.2024, 10:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Vebi Klaiqi: Xha Murati

E diele, 13.11.2016, 10:13 AM


Tregim i shpërblyer në manifestimin letrar “Lulëkuqet e Prilli” Dardana 2016

Xha Murati

Nga Vebi Klaiqi

I kisha vetëm dhjetë vite në verën e të dyzet e nëntës kur oborri ynë ishte plot kuaj, grurë dhe kashtë. Në një qoshe të lamës ishte stogu me duaj gruri. Që në mëngjes fillonte rituali i fshirjes. Shtroheshin duajt, kuajt silleshin rreth mullarit, ndërsa babai në qoshe me shkop në dorë i priste për ti detyruar të vraponin sa më shpejtë. Më dhimbseshin të gjorët, e posaçërisht gjoku i cili ishte bërë i tërë qull nga djersët. Fillova ti ankohem nënës dhe ta lusja që ti thotë babait që së paku pak të pushojnë kafshët e gjora.

E ajo as që donte të dëgjonte për hallin tim.

-           A ke mend more ti? A e di që lumnajat janë? Buka e motmotit është në pyetje. Madje edhe këto vranësira në at anë të kodrës paralajmërojnë se së shpejti do të filloi shiu. Familjarët e mi kishin bindjen se sa herë që dalin vranësirat nga ajo anë e perëndimit sjellin shi. “Prishtinka” e mbaj mend se iu thoshin.

Kur u binda se nëna as që po dëgjon kërkesat e mia fillova prapë ti gëzohem premtimit të djeshëm të babait se pasi ta dorëzojmë grurin do të mi blejë patikat dhe se unë nuk do të shkoj më në shkollë me opinga llastiku dhe shokët nuk do të kenë arsye të më përqeshin si ditëve tjera. Fillova kinse angazhimin rreth lamës edhe unë. Të gjithë i gëzoheshin këtij rituali. Thoshin  se kjo verë të ketë qenë e bereqetshme dhe gëzoheshin pa masë kur vërenin se grumbulli me grurë po rritej nga çasti në çast.

Kur babai i nxori kuajt nga lama, erdhën gratë dhe me tërplota filluan ta ndajnë grurin nga kashta dhe byku.  Të gjitha punon si bletët dhe as një kokërr gruri nuk e lejonin të shmanget nga grumbulli. Babai me disa burra tjerë mbështillnin nga një cigare dhe bisedonin diçka me zë.

-           Po vijnë ata të hyqmetit o njeri!, e paralajmëroi nëna, me siguri që ti njoftoi që të jenë më të kujdesshëm në biseda, sepse atyre s, ju besohej.

-           Hej mozo ma keq për ne hej, psherëtiu babai, po kurrë s’ na u hoq gazepi! Po kurrë s’na u hoq syresh kjo farë e dreqit!

Ktheva kokën dhe vërejta se nga pusi në mal vinin disa qerre me kuaj, ndërsa po iu printe Murati dhe Keqa. Mbaj mend se iu thoshin njerëz të mëdhenj, ndërsa mua më brente kureshtja se përse iu thonë kështu. Ata dukeshin si gjithë fshatarët tjerë, me përjashtim që Murati mbante në kokë një kapelë me strehë, “partizankë” i thoshin, ndërsa Keqa kishte një fletore në dorë dhe kamxhikun në dorën tjetër. Me tu ofruar, burrat e shtëpisë ndërprenë bisedën dhe ngritën në këmbë për ti përshëndetur njerëzit e mëdhenj siç i pandehnin të posa ardhurit. Në këto çaste del nga oda me llullën në dorë gjyshi Rrahmani për t’iu dëshiruar mirëseardhje mysafirëve të pa ftuar. Përshëndetet me ta dhe i urdhëron disa nga gratë e pranishme që të sjellin nga kroi ujë të ftohtë dhe të fillojnë të përgatitin drekën, sepse mysafirët duan bukë thoshte ai.

Si sot e kam para sysh fytyrën e ngrysur të gjyshit i cili në moshë të thyer dhe me dymbëdhjetë plagë në trup përpiqej t’iu jetë pranë djemve për të mos shprehur ndonjë pakënaqësi ndaj të posa ardhurve të cilët si duket janë të pa dëshiruar.

-           E paska falë Zoti o Rrahma-o tha Murati. Po kemi marr pak thasë veç shkon Keqa e i merr në kooperativë.

-           Po more po, Zoti mendon për njerëzit e vet ia kthej gjyshi.

Në këto vite të vështira për shqiptarët, pushteti kishte vendosur ti grumbulloi tepricat e drithërave dhe prodhimet tjera bujqësore dhe ti dërgoi për vëllezërit rus. Gjatë zbatimit të këtij aksioni pushteti përdori metodat më barbare për ti dërmuar moralisht dhe fizikisht shqiptarët, në mënyrë që ti detyroi të shpërnguleshin me të madhe në Turqi e gjetiu.

Babai im Shyti, thënë të drejtën, shquhej me një krenari kombëtare, krahasuar me fshatarët tjerë. Ndoshta në formimin e tij patriotik kishte ndikuar gjyshi Rrahmani, i cili shpesh i fliste për luftën e cubave dhe pjesëmarrjen e tij në kë të luftë. Urrejtja e tij ndaj socializmit, si duket u shtua pas vrasjes së vëllait të tij Tahirit, nga forcat partizano-çetnike në Tivar. E mbaj mend si sot, kur babai, dimrit dilte nga oda dhe shkonte në drejtim të kroit në mal, apo më saktë te roga e kaçakut siç e quante ai. Unë tinëzisht i shkoja mbrapa, në mënyrë që të mos vërehej prania ime. Posa arrinte në vendin e duhur, ia fillonte këngës për Azem Bejtën e Bajram Begin. E mbaj mend kur te roga e kaçakut, fliste vet me vete:

-           E more Lot trimi!

-           Në ty e patëm një shpresë!

-           Në shokët tu: Ajetin, Sylën, Lamin, e ....!

-           Dora e tradhtisë iu dërgoi në përjetësi. Për të mos vdekur kurrë.  Ju jeni të popullit dhe shkuat për popullin. Populli kurrë s, do t’iu harroi dhe kënga për ju kurrë së të pushoi.

Posa e kryente këtë ritual të shpeshtë, kthehej i lehtësuar në odë dhe vazhdonte bisedën me gjyshin.

Babai kishte shpallur pak pushim për kuajt e dremitur dhe të djersitur. I shoqëroi të posa ardhurit nën hijen e qershisë. Gjyshi i lodhur u kthye në odë dhe kishte mbushur llullën me duhan. Dukej i rraskapitur. Fytyra iu kishte egërsuar. Kurrë se kisha parë në një gjendje të tillë. Përball tij qëndronte gjyshja, e cikla filloi me mallkimet e saja të shpeshta:

-           Zot o Zot, çka na bëmë të mallkuarit!

-           Hesht mori plakë, krejt do të jetë në rregull, klithi gjyshi!

-           Po çfarë rregulli ore. A s’po sheh që krejt do ta marrin.

-           Do të gjendemi disi, shyqyr që jemi të gjithë në numër.

-           Lufta kaloi dhe shpresonim për një jetë më të mirë. Po ky pushtet po tregohet si të tjerët, ndoshta edhe më i keq se ata para tij.

-           Madje, gjaku s, bëhet ujë plak-o, nuk jetohet kështu!

Posa kryen drekën, të cilën nëna e kishte përgatitur me mjaft kujdes, me shpresë se do të kalonin më lehtë nga këta lakoj të pa shpirt, u ngritën dhe iu qasën punës.

-           Familja juaj i ka borxh shtetit: njëzet teneqe grurë, dhjetë qengja dhe njëzet e pesë okë djathë.

Nga kumti i këtij lajmi, babai ishte i bindur se nuk do ti mbetej drithë as për tre muaj të vitit. Kjo nuk e brengoste fort, por hallin e kishte te djathi, sepse nuk kishin lopë qumështore dhe nuk kishin zënë djathë.

Punëtorët e kooperativës filluan ti mbushnin thasët me drithë. Murati kujdesej që drithi të jetë i pastër dhe murmuriste me zërin e tij tmerr:

-           Kujdes djem, s’luhet me shtet.

Keqa shënonte diçka në fletoren e tij dhe kujdesej mos po gabon në kryerje të detyrës.

Thasët e mbushur i ngarkuan në qerre, ndërsa nëna nxori nga torishta dhjetë qengjat e zgjedhur nga Murati.

Babai me fytyrën zjarr e luti Muratin që ta liroi nga obligimi I dorëzimit të djathit, sepse nuk kishte djathë. Por Murati me shpirtin e hekurt, mezi priste ta zë ngushtë babin dhe ti hakmerrej me ndonjërën nga metodat që vetëm ai i di.

-           Mos luaj me krye Shyto, ia kthej Murati. Ti si duket ende nuk po e kupton fuqinë e pushtetit dhe masat që ai ndërmerr ndaj sabotuesve.

-           Mirë pra, do ta blejë nesër në pazar djathin, iu përgjigj babai.

Kuajt tërhiqnin qerret e mbushura me grurë, ndërsa Murati dhe Keqa ia morën një kënge, në një gjuhë të cilën kurrë së arrita ta mësoja se çfarë ishte!

Me të arritur në kooperativë,  Murati i ngazëllyer shkoi te drejtori dhe i tha se Shyti si Shyti ma, edhe kësaj radhe e sabotoi urdhrin e pushtetit, nuk na e dha djathin që kishte obligim.

-           Mos ki dert Murato, klithi drejtori, ia bëjmë qarën kësaj pune. A ke ndonjë ide për masën që i flenë këtij  qafiri, pyeti drejtori.

-           Propozoi shoku drejtor që Shyti ta përcjell kopenë e derrave dhe qengjave deri në pikën grumbulluese në V...! Ishte i bindur se Shyti do ta refuzonte një urdhër të tillë dhe do të jetë ky një rast i mirë që pushteti ti hakmerrej dhe kështu të kënaq shpirtin e prishur të Muratit.

-           Me vend e ke, propozim i mirë, tha drejtori.

I thirri dy polic dhe Keqën dhe i urdhëroi të ia kumtojnë lajmin Shytit. Me të dëgjuar lajmin, Shyti ishte i bindur se kjo ishte dredhi e Muratit, i mllefosur nxori nga gardhi një hu dhe iu drejtua Keqës në mes të shpinës. Ai lëshoi një britmë të trishtë , ndërsa policët morën ikën në drejtim të kooperativës. Me të marr vesh lajmin, drejtori angazhon një qetë policësh për ta arrestuar babin.

Ata erdhën si era, e rrethuan shtëpinë dhe i kërkuan babait të dorëzohej. Ai i vetëdijshëm për pasojat e mundshme në rast refuzimi u dorëzua pa rezistencë. E dërguan në drejtim të Qarkut të V...

Atje e priti kryepolici, e mori në pyetje dhe babai i tregoi fill e për pe se si ishte puna. Për habi, ai kishte pak njerëzi dhe e liroi babin të pa fajshëm.

Për ta siguruar bukën për anëtarët e familjes, babai kishte shitur gjokun. Vitet kalonin njëra pas tjetrës me halle të shumta. Pushteti socialist shtrëngonte masat ndaj shqiptarëve, me të vetmin qëllim që të shpërnguleshin në numër sa  më të madh. Aksion pas aksioni, erdhi ai i grumbullimit të armëve. Fshatarët nuk kishin armë, por për t’iu ikur pasojave, ata që kishin para detyroheshin ti blejnë dhe ti dorëzonin.

Në dimrin famëkeq të këtij aksioni, fshatarët pësuan shumë tortura. B... i familjes sonë e pësoi më së keqi. Të nesërmen kur i kishin caktuar ta dërgoi armën, e gjetën të varur në degën e qershisë, duke lënë pas tre jetim dhe bashkëshorten.

Unë arrita moshën madhore dhe e kuptova se çfarë pushteti kishim përjetuar. Arrita të shpërngulem në Amerikë, ku fitova azilin politik dhe ku jetoi me familje.

Pas dhjetë vitesh qëndrimi në Amerikë, u ktheva te prindërit. Pak kishte ndryshuar gjendja. Banorët ndiheshin më të lirë. Kishte filluar emancipimi dhe frymohej më lehtë. Mora vesh se Murati kishte vdekur në vetmi të thellë, pa pasur njeri pranë vetit, ndërsa Keqa ishte ende gjallë. I pyeta disa shokë në kafiteri për Keqën.

-           Keqa si Keqa, klithnin ata dhe shpjegonin të këqiat që ua kishte bërë fqinjëve dhe të afërmeve të vet, për ti hy në hatër të ashtuquajturit pushtet popullor.

Ai ishte gjallë, por më mirë të ishte i vdekur. Si i çalë që ishte, bredhte prej dere në derë te punëdhënë[sit e tij, të cilët kënaqeshin kur e shihnin  në atë gjendje, i jepnin raki dhe ai gërvallej si i tërbuar pranë rrugës.

Natën zhdukej dika dhe nuk dukej më. Një Zot e di ku e zinte nata dhe ku do ta zbardh dita. Më erdhi keq dhe më shkoi mendja atje: se kështu do ti dënoi Zoti të gjithë ata që bëjnë gjëra të liga në këtë jetë!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora