E premte, 29.03.2024, 08:23 AM (GMT)

Kulturë

Vladimir Muça: Diversiteti dhe hapësirat lirike

E diele, 13.11.2016, 09:22 AM


Diversiteti  dhe  hapësirat  lirike

(Vëzhgime mbi librin " Nënë ti hije e kaltërt prej loti " e poetit shqiptaro- amerikan Luigj Çekaj, botim i entit botues "Marinaj Publishing", ShBA)

Nga Vladimir Muça

1.Polivalenca metaforike në simbolikën e sendeve dhe fenomeneve.

Sapo mbaron së lexuari librin e dytë me poezi, "Nënë, ti hije e kaltërt prej loti" të Luigj Çekajt, si një lëndinë me shumi lulesh, të shfaqen metaforat polivalente, me potencialin e dhimbjeve, dashurisë, dramacitetit liriko- social.

Në qenien tënde ndjen një bymim shpirtëror, çlirim nga një tejngopje ndjenjësore, një jetësim si në një baticë e zbaticë, ku herë le në steren e jetës gjallesa si në një shkretëtirë shoqërore ( larg dheut amë) dhe herë shpirtëra në brendësi të guackave të pajeta, rrjedhojë e një handikapi shoqëror, e herë gjendesh në kreshtën e shkumbëzuar të një dallge dashurore për familjen.

Ajo shkon e vjen në bregun e shpresës, herë e butë dhe hokatare, si eleganca e një pike loti, një dhimbje vrastare si çarja e një lisi prej një rrufeje.

Në këtë dramacitet liriko- shoqëror, produkti poetik në konceptin metaforik, merr funksionin e një sistemi protonik ndjenjash, të cilët nëpërmjet nënës, njerëzve të dashur e jo heronjve idolë, intercepton tek lexuesi dashurinë për jetën, vendin parësor që zen nëna dhe atdheu  si hyjnitete të pazëvendësueshme.

Polivalenca metaforike dhe simbolika e sendeve dhe fenomeneve, vjen në këtë vëlllim si një dukuri thelbësore. Autori, me mjeshtri artistike, duke e përdorur vargun si një lazër poetik, në kaleidoskopin ndjenjësor, arrin të interceptojë në planin filozofik, si sublimitet dytësor pas nënës, dashurinë për atdheun (Shqipërinë) duke i lënë në një mëdyshje nënën dhe dheun amë, si një sinonimë e patjetërsueshme e një shpirti, në trinitetin nënë- bir- atdhe.

Sa është dhimbja për atdheun e mbytur në absurdin e handikapit shoqëror, po aq e fortë është dhe dhimbja për humbjen e nënës.  Gjithçka paraqitet simbolikisht, e trishtuar, e dhimbshme, në një prevalim shpirtëror, si materie e tjetërsuar që vjen nga thellësia e subkoshiencës subkoshiencën e njerëzve si një kinematikë që nuk vdes kurrë në mendjen e njeriut!

Gjithçka e ngritur në art poetik, vjen në kontekstin e një origjinaliteti modern, autokton shqiptar, realizuar artistikisht, si shembuj të qartë të përqëndrimit të poetit në muzikalitetin e vargut, ritëm i brendshëm i natyralizuar,  si në një paralelizëm figurativ, i shndruar në model vargëzues.

Kjo është një cilësi e poezisë së Çekajt, ku shpaloset poetikisht substanca intelektuale e një perceptimi përtej subkoshiencës personale në gjithësinë shoqërore, ku në poezinë " Epitaf mbi varrin e Simon Marash Kol Mirit", autori thirrmon:

" Ikja  jote erdhi në ankthin e një shkrumbi

Me furinë e një rrënimi me madhështi alpine;

Mirësia jote Amerikën e ngriti të përlotur nga gjumi,

Amerikën që ndjeu një therrje me avionë pas shpine."

Gjithçka, në një dramacitet shoqëror i tejkalon, shkyen gjerdhet e subkoshiencës personale dhe individuale, duke u shpirtëzuar me shoqëroren, si një simbiozë e jetës dhe ëndrrave njerëzore.

2. Dramaciteti shoqëror dhe pasqyrimi poetik.

Siç vëzhgon dhe esteti prof. Gjekë Marinaj, në shumë poezi të Luigjit, ajo që të tërheq vëmendjen është se subjektiviteti ( jo temat) më i dashur i tij, është roli i njeriut në ambjentin natyral, biodiversiteti dhe frymëzimi njerëzor.

Poezitë me këto subjekte, poezi të tilla si "Mikut tim psikolog dr. Graigh  Kordich" nuk vinë thjesht me sharmin e distiktivitetit, siç janë kryesisht poezitë portrete, por dimensionet shoqërore në to i kapërcejnë kufijtë e individuales në saj të një sinqeriteti dhe të një bote metafizike brenda filozofisë poetikë.

Gjithçka vjen thellë subkoshiencës, si diçka thelbësore, absorbuar nga dinamizmi dhe erupsioni i vetvetes së poetit, si krijues, por edhe si njeri që bashkëjeton me personazhet e tij poetikë. Kjo sintetizohet bukur te poezia " Ajo vjeshtë e rëndë e vitit 2001", ku :

" Atë vjeshtë dhe mua më pushtoi keqas depresioni,

Pija raki ditën dhe mbrëmjeve rrija duke qarë...

Si të bëja ndryshe në grykë të gjithë atij varri,

Ku befas kishin dhënë shpirt mbi 2976 të vrarë..!"

Në brendësi të këtyre vargjeve, si në palimpseste për brezat e ardhmë, autori formulon artistikisht retron tronditëse për njeriun dhe ekzistencën e tij.

Ankthe, dilema dhe përsiatje filozofike ekzistencialiste dhe psikoanaliste, vinë të ngjeshura mes vargjeve, marrin shtysë nga ky depresion  shoqëror, në një regjistër të notave të larta të një thirrme shpirtërore, alternativ gjatë gjithë poezive, me një tharm dramaticiteti social.

Duke alternuar trillet poetike të vetës së tretë në vetë të parë, autori sjell në pah kredon krijuese si shërbesë e shoqërisë njerëzore, duke kërkuar me insistim ndreqjen e fizionomisë morale të njeriut, në ato nivele, sa që e ve lexuesin të meditojë për mirësi jashtë guackës së vet.

Në poezitë " Nënë ti hije e kaltërt prej loti", " Telefonata gjatë javës se pavarësisë", " Në mbrëmjen e 5 shtatorit të vitit 1997" , " Epitaf mbi varrin e Simon Marash Kol Mirit" , " Kur shtëpia mbetet vetëm", " Peisazh të vranët vjeshte, të para prej dritares të spitalit", krijimi i skemave intriguese, me impulse të forta shpirtërore të shoqërojnë në këndet më të errta të ndërgjegjes, të shpirtit, duke i bërë poezitë mesazhiere dhe shumë tronditëse.

3. E përveçmja si e përgjithshme prototipe

Arti magjik i poezisë, në atë periudhë të jetës të poetit ( nuk më pëlqen ta quaj depresion) përbën për mua kulminacion në mjeshtrinë poetike. Autori ka provuar me sukses, ka eksperimentuar, krijuar vargje, strofa, nga më të larmishmet, duke synuar perfeksion në konçentrat mendimi, konfiguracion, metaforizëm polivalent, duke hapur shtigje për shumë interpretime.

E kundërta që ndodh me shumë poetë që kalojnë handikapë të tillë njerëzorë e që degradojnë estetikisht, në këto poezi, krijuar në këtë periudhë të rëndë jetësore, unë shoh e vjel më shumë trimërim, stoicizëm, dëshirë për të jetuar, më shumë dashuri për nënën, gruan, të dashurit, vendlindjen.

Jo më kot Dr. Moikom Zeqo në një interpretim eseistik definon: “ Arti i vërtetë lind nga kufizimet dhe vdes nga liritë.”

Krijuar në këtë trysni psikqike, poezitë meditativo- filozofike, do të vinin si një tipologji në vëllimin poetik “Nënë ti hije e kaltërt prej loti”, ku trillet, sentencat poetike, të ushqyera me mbrujtje e thellësi mendimi, përvoja jetësore, do të vinin mpleksuar bukur me ato gjëra të zakonshme, të thjeshta,  si në poezitë : “ Poezisë”, “ Kushtuar mikut tim Gjon Dedvukaj”. “Shiu”, “ Shtegtim cigan”,  ku ndodhitë dhe ngjarjet të jetuara për ditë por në artin e madhe të poezisë marrin vlera antraktive, në gjallësi, duke bashkëjetuar si në “urtësi”.

Ajo që ka rëndësi për mua, është se poezia e Luigjit ka si maja, një frymë kombëtare. Poezia ka trashëguar gjithçka të mirë nga tradita, ekstraktet popullore kombëtare duke shpërfill estetikat perëndimore (amerikane) jo si shumë poetë emigrantë, të cilët kanë humbur atë pjesë të tharmit krijues që i dallonte nga poetët e vendeve ku ata kalojnë një jetë të dytë krijuese.

Shumë kush edhe mund të më kritikojë: se letërsia nuk është as shqiptare dhe as franceze apo amerikane, letërsia është letërsi… Sigurisht duke spekulluar në globalizmin letrar.

Unë s’jam dakort me këtë koncept. Kultura e të shkruarit, si çdo kulturë jep e merr tek njera tjetra, por aq sa ajo mban, pa deformuar fizionominë, karakterin e frymën kombëtare që ajo rrezaton.

Në kuadrin global, poeti i mirëfilltë, merr nga letërsia e jetës së dytë krijuese, klorofila që përbën ADN -në poetike mbetet po ajo, genet nuk ndryshojnë. Kjo është dhe veçoria thelbësore e poezisë të Luigj Çekajt, kjo bën dallimin nga poetët e tjerë shqiptaro- amerikanë.

Ai ka dijtë të ruaj të paprekur këtë  ADN nga mutacionet genetike letrare, të cilat po prevalojnë sot mes krijuesish, anë e kënd botës. Ai ka ruajtur frymën, klorofilën e poezisë së tij e cila nën rrezet e diellit të Nju Jorkut sintetizon një poezi  bio-shqiptare, ndonëse në një habitat të ri, mes rrymash e korentesh letrare.

Në refleksione flegmatike edhe mund ta radhisësh dhe Luigjin në sërën e këtyre poetëve paksa më gjakshprishur letrar; por unë ngulmoj se vetëm poezia” Në mbrëmjen e 5 shtatorit të vitit 1997” mjafton që me mesazhet, stili, estetikën, të kundërshtojë vëzhgimet psiko-analitike të Gjekë Marinajt. Kjo poezi jo vetëm që jep anamnezën e plotë, por me nënshtresa mesazhiere, jep njëkohësisht dhe psiko-terapinë e këtij depresioni aksidental.

Në këto kontekste poetike e mendimore uni tradeshent i poetit  njehsohet me unet e tjerë, të Terenc Çekajt, trupit të gruas, princeshës Dajana, nënë Terezës, ujërat e lumit Sena, tragjeditë e Anglisë pas vdekjes së D. Spenserit.

Luigji në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe më gjërë, dallohet si poet që ka ruajtur më shumë se shumëkush origjinalitetin kombëtar, frymën poetike shqiptare, duke i dhënë  trajtat e inovacioneve moderne.

Poezia shquhet për  detaje të frekëta dhe origjinale, shprehësi dhe pasuri artistike në trajtimin e temave të mprehta sociale, por edhe për sensibilitet të një lirizmi shumë dimensional në trinitetin bir-burrë- baba, si dhe temat e nacionalizmit shoqëror, të dashurisë e mallit për vendlindjen e cila i rrin jo vetëm në zemër dhe në shpirt, por dhe në vargje dhe në mendje si një gur pendimi.

4. Universi lirik si produkt i dramacitetit

Universi lirik në poezinë e Luigjit vjen si një reaksion i dramaciteteve të një jete e cila huazohet nga një substancë e kaluar kohore, në një substancë të re, shpirtërisht të përjetuar sepse:

“ Nëna ime ka aftësi të shohë dhe përsëvdekuri;

Të shohë barin kur mbin i thatë në kaos,

Gjethin kur çel i ri nga bulëzat e pemëve,

Si pendët e lëmuara të korbit të Edgar Poes.”

Ndryshe siç i ndodh shumë poetëve meskinë, të mbyllur në burgun e mërgimit si murgjit e Atosit se:

“ Por po të mos kisha sytë e saj (ndonëse të mbyllur)

Unë nuk do të shihja asgjë në këtë botë”,

sintetizon e përforcon mendimin tim estetik poeti në poezinë “Sytë e mbyllur të nënës”, ndonëse tragjizmat shoqërore në atdheun e dytë, e futën në tronditjen e thellë shpirtërore e mendore dhe  definon poetikisht në poezinë “Në kujtim të 11 shtatorit  2001” se:

“ Ai lum i pafajshëm  gjaku më preu dhe mua në kryq

Siç preu dikur poetët tanë skuadra e pushkatimit,”

Një lidhje interferuese e përjetimeve  të dikurëshme me ngjarje dhe fenomene të përjetuara në një të tashme, të cilën poeti e vuan shumë shpirtërisht sa që, nga laboratori krijues dhe stinët kryen handikapatin meteriologjik, në një tjetërsim.

“ Atë vjeshtë pemët i lëshuan gjethet parakohe,

Qielli u bë kafaz dhe brenda tij u kyçën shpresat.

Si qefin i grisur, hëna çdo natë mbulonte perdet,

Dhe njerëzve krejt si urave t’u tendosen “telat”.

“Atë vjeshtë dhe frutat u poqën me njolla të zeza,

Shirat sado ranë, gjakun dot s’e lanë.”

Përfshirë nga ky depresion i një universi të tërë, nuk kishte se si të rrinte mënjanë dhe poeti ynë, vorbullat e këtij universi depresiv do ta shugullonin në handikapët e tyre. Luigji këtë fenomen “artistik”, si një “mballomë artistike” nga estetika e Umberto Ekos, do e mbarte në subkoshiencën e vet, si një pjesë e pandarë e krijimit poetik. Personazhi poetik është goditur nga kjo rrufe depresiviteti e jo bërthama genetike e njeriut Luigj.

Nga vëzhgimet e mia më ngutet replika dhe me prof. Gjek Marinaj i cili thotë:  “ Po i    kësaj  rëndësie është dhe fakti se poezia e Çekajt nuk është e ndikuar nga asnjë zgjerim i imagjinatës tek poezia moderne shqipe, apo amerikane”, ndonëse më poshtë ai bën katarsis vëzhgimor: “ato i kalojnë kufijtë e ngushtë të personales dhe individuales.”

Siç duket, ndoshta pa dashje, Marinaj e ngatërron personazhin poetik me personazhin autor të librit, kur në kuadër të depresionit social, ai përbashkon në një un të vetëm këta dy personazhe.

Po t’i referohemi Jungut dhe Lakant në letrarizimin e ideve të Frojdit për dypersonalietin, do e analizonim ndryshe daulitetin personazh poetik dhe personazh  poet.

Duke e njohur mirë këtë koncept filozofik froidian, Luigji ka luajtur me unin e tij dhe unin e përgjithshjëm social. Nuk është “viktimizuar”, duke e vesh unin e tij me xhyben e depresionit të unit shoqëror, e përgjithëson atë duke na dhënë një prototip artistik i cili mban mbi supe e shpirt depresionin e unëve të tjerë.

Vetë poezia “Në mbrëmjen e 5 shtatorit të vitit 1997” jep mesazhe kundërshtie, në stil, në estetikë, në vëzhgime psiko- analitike të bëra nga prof. Gjek Marinaj. Vetëm kjo poezi ( si shumë të tjera ) jep anamnezën e plotë të fenomeneve dhe ngjarjeve, në substanca të ndryshme kohore, por njëkohësisht, në nënshtresa mendimore jep dhe psiko- terapinë e këtij depresioni.

5. Raporte ndërstilore

Poeti duke jetuar e përjetuar ngjarje dhe fenomene në një botë të re shoqërore dhe letrare, si çdo krijues, nuk ka mbet në qerthullin e vet krijues, por ka dhënë e marrë, duke përsosur botën krijuese.

Luigji ka marrë nga poezia bashkëkohore amerikane tharmin qytetar, metropolitian, thelbin e dramacitetit social ( se lirikë, poezia shqipe ka me bollëk). Shembull i një poezie sociale  të kulluar, sidomos në strukturë dhe në estetikë është poezia “Vjedhësit e prangave”, ku subjektivitetit vjen si paradigma mbi të cilën buron e gjithë fryma e dramacitetit poetik, ku e kaluara krijuese natyralizohet ( përshtatet) bukur në kontekste të reja kohore.

Ky subjektivitet është dhe amalgama e një definicioni estetik që autori ka marrë nga poezia amerikane. Kjo sipas mendimit tim edhe e ka dëmtuar disi sharmin poetik, siç ka ndodhur në poezitë “Në qytetin West Palm Beach”,  “E marta shtrigë”, “ Yjet”, “ Kitaristët e metrove”,  “Drama e gjyslykëve”, ku ballancat ndjenjë, frymë poetike, mesazh, mendim, janë ç’balancuar , nuk janë ruajtur raporte, në një të mesme artistike. Raportet e drejta, balancat ndërmjet ndjenjës që çliron një poezi te lexuesi, mendimeve e mesazheve që kërkon të japë autori në shërbim të shoqërisë, janë sa të brishta aq dhe përcaktuese të nivelit artistik në një poezi dhe të një vepre në tërësi.

Përshtatja ( natyralizimi) letraro – poetik me estetikën poetike amerikane bashkëkohore është një nga dukuritë, nga më të veçantat, që dallon poetin Luigj Çekaj nga shumë krijues të tjerë në diasporë, sidomos në atë shqiptaro – amerikane.

Luigji me ekselencë dhe me zgjuarsi inteligjente krijuese, ka ditur të marrë gjithçka të re  nga kjo prurje: frymën qytetare metropolitane, digresionin social të substancave të reja. Të tilla janë poezitë “Arlekinët e Nju Jorkut”, “ Asgjë nuk ka ndryshuar”, “Në qytetin West Palm Beach”, “ Një mëngjes në spital”, “ Shpirti i vjeshtës”.

Në këto poezi ku është arritur një barazpeshë ekselente e ndjenjës që përcjell poezia tek lexuesi dhe mesazhet që don të induktojë autori, poezia vjen në harmoni estetike dhe stilistike, ka sharm poetik, muzikalitet të brendshëm, vjen e ngrohtë, joshëse si tek poezitë”Shpirti i vjeshtës”, apo poezia “Poezisë” sepse:

“Sa herë të kam thirrur, të kam thirrur veç për ndihmë,

Dhe ti me ke ndihmuar të mbaj gjallë shpirtin në letër.

Kështu duke venë në fokusin e syrit tënd njeriun,

Të kam gjetur shumë më të rëndësishme se një tempull.”

Në poezi të tilla nevoitet shumë ekselencë poetike sespe risku i ç’deformimit poetik është tepër i lartë kur humb kjo ballancë. Në të tilla raste hasim dhe mpleksje artistike të social- poezisë dhe poezisë patriotike, sikundër ndodh në poezinë “Shpirtrat e shqiptarëve më duken si ata të purgatorëve”, një poezi tipike ndikuar nga poezia e sotme amerikane, ku sundon sharmi qytetar.

Siç duket poeti ynë ka mësuar nga estetika bashkëkohore e Wallas Stevens kur citon Christian Zervos që thotë: “ Shpërthimi i shpirtit të tij shkatërroi barierat që arti i vulosi mbi përfytërim. Poezia  ka ecur përpara me të gjithë mprehtësinë dhe enigmatikën, mënyrën e çuditshme që shoh tek jeta jo vetëm imazhe realiteti por që koncepton jetën si një mister që na mbështjell ngado.” ( Revista “Aleph” nr 15, 2004).

Luigji ka marrë thelbin e këtij aranzhimi ballafaques të fantazisë krijuese dhe përjetimit në një balancë perfekte në format artistik. Në konceptin filozofik, me një “dyluftim” autori përball shkakun dhe pasojën si dialektikë e mirëfilltë e zhvillimit njerëzor, ku nënvizohet dukshëm në poezitë “Në mbrëmjen e 5 shtatorit të vitit 1997”, “ Në kujtim të 11 shtatorit 2001”, “ Epitaf mbi varrin e Simon Marash Kol Mirit”, “ Ajo vjeshtë e rëndë e vitit 2001”, “ Një mëngjes në spital” , “Kur shtëpia mbetet vetëm”, “ E shkruar në një spital të Nju Jorkut”, ai depresion nuk është aspak individual por i përgjithshëm, botëror, ku u lëkundën balancet e subkoshiencës njerëzore.

Kjo, sipas vëzhgimeve të mia qëndron, aq më tepër që vetë autori, këtë replikë e ka të thurur artistikisht brenda poezisë “Maria Makaro Gonzales Rivivero”.

Me këtë dualitet të kundërtash, përplasje të së mirës dhe të keqes, autori realizon misionin e tij me gjuhën poetike. Poeti ngulmon të kontribuojë në realizimin e misionit të shkencës humane të letërsisë, si paraprijëse e zhillimeve historiko – shoqërore.

6.Pas-shkrimore

Vëllimi ”Nënë ti hije e kaltërt prej loti”, botuar me shumë kulturë nga shtëpia botuese “Marinaj publishing” në Shtetet  e Bashkuara të Amerikës   tregon se kemi të bëjmë me një poet jo të ratësishëm, por një krijues me një shpirt lirik, serioz e shumëplanesh.

Në shuminë  e tyre, këto lirika, vinë “ngopur” me emulsione figurative, metafora dhe simbole pikante, ku më të shumti poezitë vinë erupsive. Këto   krijime të ekzaltojnë dhe të fusin në mendime, të bëjnë pjesë të atij dramaciteti liriko-shoqëror. Vëllimi përfshihet nga një serë emotivesh subjektive; kjo i ka dhënë produktit hapësira shumëdimensionale, si në planin shoqëror e shpirtëror, duke hapur dritare meditimesh.

Në tërësinë e vlerave që mbartin, kjo përbën dhe tabanin, thelbin e shembujve poetikë.

Poeti i thur poezitë në mënyrë shumë origjinale, si poezi të një fryme çasti, përjeton çdo gjë në tension personal , si në kërkim të vetvetes, gjer në opsione të ngjyrimeve   metafizike; ndaj unë mendoj, ndoshta pa dashje, prof. Gjek Marinaj ka rënë “viktimë” e një interceptimi psiko-analitik.

Poeti   Luigj Çekaj në përshtatjen me poezinë bashkëkohore amerikane ka krijuar stilin, personalitetin e vet poetik.

Ai përjeton    këtë art-ngjizje në botën që e rrethon mjeshtrisht dhe plot art. Me fuqinë e artit poetik, në këto poezi, ai ndërthur mitet e origjinës etnike, kultin e vendlindjes, hyjnizimet e Malësisë të Madhe, si apotheoza shpirtërore, ndaj dhe fryma poetike, vjen si një tejskajshmëri horizontesh, duke kapërcyer kufijtë e substancës të kohës krono.

Kur lexova këto poezi të sinqerta, produkte të vetevetes qenësore të poetit Çekaj, me anatomi estetike të re, nga ata çka lexon  nga poetët shqiptaro-amerikanë, m’a ngrohin disi shpirtin, gjaku poetik shqiptar nuk është shprishur.

Me bindjen time, them se vëllimi poetik ”Nënë ti hije e kaltërt prej loti” ka poezi etalone, shumë të arrira, ka dhe  të lexueshme që me shumë kujdes do të ndjellnin më shumë kënaqësi.

Lexuesi me shijet e tij poetike mund të bindet se Luigj Çekaj është poet i frymës poetike, i qartë  në idetë e mesazhet që kërkon të përçojë tek lexuesi. Ai ngulmon në gjithçka që i del nga shpirti duke mos u larguar për asnjë çast nga terreni nga ku ka vrarë këmbët, ka grisur këmishën, panatllonat, në thepat e shkëmbinjve të Malësisë së Madhe, në ato vende të pashlyera në subkoshiencë, ku “vjel” lëndën e mban të zgjuar muzat.

Durrës, nëntor 2016         

Vladimir Muça

Shkrimtar   - kritik

E- mail: vladimirmuca@yahoo.com



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora