Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


A do të mund të jetojmë përgjithmonë në tokë?

| E diele, 24.08.2008, 03:03 PM |


Orjeta Zhupa

Ne nuk mund të jetojmë në tokë përgjithmonë. Edhe nëse i jepet zgjidhje ngrohjes globale dhe tymrave në atmosferë, përsëri toka është e rrezikuar çdo ditë nga të tjera kërcënime natyrore, që do të bëjnë jetën në tokë të pamundur me kalimin e viteve.
Na ndodh shpesh herë që të dëgjojmë për rënien e objekteve nga qielli në vende të ndryshme të tokës, si dhe në vendin tonë.

Në fakt ato nuk janë yje por meteorë, thërrmija gurësh të vogla, nga disa mm deri në disa cm, të cilët i janë afruar tokës dhe kanë hyrë në atmosferën e saj, por duke pasur një shpejtësi nga 10 -70km/sek ose 250,000 km/orë, ata digjen nga fërkimi i madh me atmosferën në lartësi nga 90 deri në 50 km mbi sipërfaqen e tokës. Në përgjithësi madhësia e tyre nuk i kalon disa cm si pasojë ata digjen plotësisht në ajër pa arritur në tokë, por ka dhe disa prej tyre me përmasa më të mëdha, të cilët arrijnë të përplasen në sipërfaqen e tokës duke shkaktuar dhe dëme materiale të niveleve të ndryshme.

Rreth dhjetë meteoritë të vegjël (deri një metër) godasin tokën çdo vit. Toka e shton masën e saj me rreth 100 ton në ditë nga rënia në të e meteoritëve.

Të gjithë e dimë që Toka nuk mbështetet në asnjë vend, por rrotullohet rreth Diellit në hapësirë së bashku me hënën me planetët dhe me një mori trupash të tjerë më të vegjël si asteroide meteoritë kometa me madhësi nga disa dhjetëra km deri tek thërrmijat e pluhurit, si dhe gaz.

Planetët dhe hënat e tyre e kanë të përcaktuar trajektoren që ndjekin. Kjo trajektore ka përafërsisht një formë rrethore rreth Diellit. Çdo planet ka një largësi të ndryshme nga Dielli dhe si rrjedhim asnjë planet nuk përplaset me njëri-tjetrin. Të gjithë këta trupa të sistemit diellor rrotullohen përafërsisht në një plan.

Tek asteroidët shihet një ndryshim në orbitën e tyre në lidhje me atë të planetëve. Ata kanë orbita eliptike. Si pasojë ata mund ti largohen dhe afrohen Diellit. Trajektorja e tyre shpesh herë pret trajektoren e planetëve, duke çuar shpesh herë në përplasjen e tyre. Gjatë rrotullimit të tyre rreth Diellit ata mund të përplasen dhe me asteroidët e tjerë. Nga përplasja e dy asteroideve me njëri-tjetrin ndryshohet trajektorja e tyre. Kështu asteroidet të cilët janë objekte të ngurta të formuara nga akulli, pluhuri e materiale të tjera shkëmborë me orbitat e tyre të çrregullta mbushin të gjithë hapësirën në të cilën lëvizin planetët së bashku me Tokën.

Përplasja e një asteroidi me tokën ka ndodhur gjatë gjithë historisë së Tokës që nga krijimi i saj, vazhdon në ditët tona dhe do të ndodhë dhe në të ardhmen. Kjo përplasje vjen duke u rralluar pasi shumica e gurëve janë përplasur me njëri tjetrin ose me trupat më të mëdhenj në fillimet e sistemit Diellor, por akoma dhe sot ka mbetur një numër shumë i madh prej tyre të cilët rrezikojnë seriozisht Tokën si dhe jetën në të.

Shekulli