E shtune, 20.04.2024, 11:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Vullnet Mato

E diele, 13.11.2016, 10:22 AM


VULLNET MATO

Poet dhe prozator, lindi në Sarandë në vitin 1937. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Mbaroi Liceun Artistik të Tiranës për pikturë dhe studimet e larta në Fakultetit Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës në degën gjuhë-letërsi shqipe. Filloi te shkruaj ne vitin 1965. U pranua anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në vitin 1970. Botoi publicistikë dhe letërsi artistike në disa organe të shtypit. Bëri disa skenarë filmash dokumentarë dhe kronika të TVSH. Mori pjesë në festivalet kombëtare të Radiotelevizionit shqiptar ku fitoi disa çmime për tekstet. Dy tregime të tij u botuan në frëngjisht. Disa cikle me poezi të tij u inskenuan të recituara nga aktorë të Tetarit Popullor. Më tej, punoi mësues në gjimnazin e Librazhdi. Me ndërrimin e sistemit u emërua shef në drejtorinë arsimore të këtij rrethi dhe u zgjodh kryetar i degës së  Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të këtij qyteti. Vitet e fundit jeton e punon në Tiranë me redaktimin e librave te autoreve të ndryshëm.

Romani i tij  “Lakmia” U nderua me çmim në konkursin e Ndërmarrjes Botuese “Gjon Buzuku” të Kosovës. I janë përkthyer jashtë shtetit tregime dhe poezi të ndryshme. Revista elektronike në të gjithë botën publikojnë herë pas here krijime te tij në poezi dhe prozë. Disa nga romanet e tij janë tërhequr nga bibliotekat e mëdha të shteteve të huaj. Ka faqe të veçantë në internet: http://krijimtariaime.webnode.com  Punoi disa kohë kryeredaktor i gazetës periodike “Domosdova” dhe më pas kryeredaktor i revistës “Obelisk”.

Është autor i vëllimeve poetike: “Tinguj malesh” (1969), “Krahët e erës” (1972), “Ninullat e hekurit” (1984), “Dritaret e prillit” (1994), vëllimit me poema “Katër plagë të Shqipërisë” (1999) poemës “Nënëmadhe Fterra” (2007),“Poezi të zgjedhura” (2010). Ka botuar vëllimet me tregime “E fshehta tronditëse”(1999) “Klithmat e mishit të bardhë” (2006). “Herbare njerezore” (2013), Romanet: “Ujësinor” (1976), “Era e kësaj kohe” (1984), “Lakmia” (2000), “Maturantët” (2002), “Damkosja e engjëjve” (2004),”Vajza e Kyçur”(2007) “Marrëzia e madhe” (2008), “Matura e paharruar”(2009).

Me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Këshilli i qarkut të Vlorës i dha titullin: “PERSONALITET I SHQUAR NË FUSHËN E LETËRSISË”.

 

POEZI

 

VILA IME PËRTEJ JETËS...

 

Vilën përtej jetës e ngrita me mjegullat, që mbesin,

në Udhën e Qumështit, te bishti i galaksisë tonë,

aty ku disa yje barinj, me shishe kometash, shesin,

qumështin e Arushës së Vogël, me këlyshë të vonë...

 

Vizitorët kozmonaut, që kalojnë pranë me raketa,

më kanë përgëzuar, me urime të befta në internet.

Madje një kozmologe e re, deshi për studimet e veta,

të provonte me mua shtatzëninë qiellore ultraviolet.

 

Por nuk pranova të bëja kalamaj jashtë martesës,

se mund të kërkonin trashëgim, prej kësaj pasurie,

siç u dhashë fëmijëve të Tokës, dhomat e banesës,

dhe hyra te bunkeri parafabrikat, lënë prej sime bije.

 

Vila ime e re, me shkallare harkore, stil venecian,

ka dritare transparente, prej oksigjeni të kaltër,

katër rrufepritëse, mbrojnë çatinë, në katër anët,

nga shkarkimet e zjarrta, me pickimet si gjarpër.

 

Paguaj rregullisht me këste, siguracionet kozmike,

për ta ruajtur nga rreziqet, dhjetë vitet e ardhshëm.

Ndonëse gruaja shqetësohet dhe bëhet nevrike,

që s’kemi bërë ende në dhoma mobilim të rehatshëm.

 

Hamë tërshërë, derdhur nga kuajt asteroid të galaksisë,

mos shtojmë peshë, për të rënduar vilën mjegullore,

se mund të na bjerë nga gjëmimet e bombave të Sirisë,

të mbetemi sërish pa strehim, si në kushtet tokësore.

 

Megjithatë, jam i vendosur të mbijetoj edhe në qiell,

me qindarkat nga shitja e fantazive, pa kërkuar hua.

Sigurisht, duhet kohë të mbledh paratë, duke kursyer,

por shpresoj, telebingoja e Ufove, të më bjerë mua!...

 

 

DASHURIA TOKËSORE

 

Dashuria është vet perëndia,

por ne nuk e shohim me sy,

se ajo na shfaqet te ndjesia,

brenda vetes tek çdo njeri;

 

Është gjaku, i lindur prej gjakut,

të kuqëlojë gjer në përjetësi,

djaloshi rritur në sup të plakut,

të çoj stafetën në pafundësi;

 

Dashuria është fara e mbirjes,

në tokën pjellore, ku jep ushqim.

Dashuria është fokus i dritëhijes,

që u jep, syve tanë qartësim.

 

Dashuria është fuqi graviteti,

ku toka pluskon pezull në qiell,

është uji që ngrihet nga deti,

të blerojnë gjethet nën diell.

 

Dashuria është ajo energji,

që gjeneron lëvizjen jetësore,

shumëfishon kudo veç mirësi,

dhe shkatërron urrejtjen mizore.

 

Dashuria gjinore është flakërim,

drejt syve të spikatur për bukuri,

është shpirti që kërkon binjakëzim,

diku larg, tek një tjetër njeri.

 

Dashuria është grua e bukur

dhe burrë energjik, po aq i pashëm.

Dashuria është eksploziv i strukur,

ndizet me fitil të ngadalshëm.

 

Dashuria i jep inercinë zemrës,

të trokojë me revan, pa pushuar,

mashkulli të strehoj në gjoks femrën,

të bëhen trup e shpirt, të njësuar.

 

Dashuria është përkushtimi,

për fatkeqin njeri, të sëmurë,

është shpresa jonë dhe durimi,

për të mos vdekur kurrë.

 

Dashuria ka flatra të shpejta,

për të fluturuar, pa u ndalur,

udhëve të gjata, të përpjeta,

ku e pret njeriu i dashur;

 

Dashuria shpesh artikulon fjalë,

më të ëmbla se vet ëmbëlsia,

nga të gjitha lulet me nektar,

të deh me aroma, si magjia.

 

Dashuria e vërtetë nuk blihet,

as me florinjtë e bosëve të pasur,

vlera e saj, as nuk shitet,

por i falet personit më të dashur;

 

Dashuria është kuptimi që ka jeta,

në prehër të globit, ku na përkund.

Dashuria është fryma, më e shtrenjta,

që ushqen qelizat tona gjithkund.

 

Dashuria në glob, është kryetruri,

njerëzimin në çdo skaj komandon.

Dashuria është Everest prej guri,

që edhe pas vdekjes mbijeton...

 

Dashuria është nëna e jetës,

ajo gjithë kontinentet ripopullon.

Dashuria i jep shpejtësi raketës,

të arrijë distancat yjore që synon.

 

Pas kaq shekujsh heshtje qiellore,

krijesat femra dhe meshkuj, në Tokë,

me dritën e dashurisë tokësore,

në shtatë qiej plot yje, ndrisin më fort.

 

 

MONOLOGU I EMIGRANTIT

 

Më ka shpirti dallgë deti,

më rri mendja te vatani.

Të huajt me gjuhë kurbeti,

më shohin me sy kallkani.

 

Kur dëgjoj flet shqip dikush,

ndjej sikur një bilbil gjyzar,

cicëron mes zogjve në gajush

dhe i zgjat dorën, pa e parë...

 

Çdo zakon e gjellë shqiptare,

më ngjall në mendje një kujtim,

borziloku i saksisë në dritare,

më sjell aromën e vendit tim.

 

Vjen një tingull në elektron

dhe bëhem befas tjetër njeri.

Zëri i shqipes që këndon,

më drithëron zemrën në gji.

 

O, ç’më rri mendja, ç’më rri,

te trojet që nuk i harroj dot;

tek e ndershmja varfëri,

që më bleron kujtime plot.

 

Kujtoj nuset me dasmorë,

dyert e hapura nëpër fis,

kopshtet me rrush e mollë,

moshën e artë të rinisë...

 

Shikoj me lot fotografitë,

njerëzit e një gjaku që lash,

po mallin s’ma heqin nga sytë

letrat e ngjyera me imazh...

 

Jam tani në mes dy detesh,

me këtë dreq emri “emigrant”.

Bëj t’ia shkul nofkën vetes,

të jem prapë shqipo në vatan.

 

Por tek i bukuri atdheu im,

ka harbutë zyrash e kusarë,

që të lënë përjetë në mjerim,

duarthatë dhe zorrëtharë...

 

Eh, të kishte dhe vendi im,

ca të mira, si këto në kurbet,

më mbinin krahë për fluturim

dhe malli im shuhej përjetë...

 

 

KISHA TE BUZËT NJË GJINKALLLË

 

Kur shtatë vjeçët e parë sapo lashë,

më solli babai një harmonikë goje.

Ma dha dhuratën ardhur nga jashtë

dhe më porositi: po e humbe, harroje!

 

O, ç’mrekulli dukej në sytë e mi,

ajo lodër muzikore tepër e rrallë,

përhapte tinguj me aq ëmbëlsi,

sikur kisha te buzët një gjinkallë...

 

Çunat e lagjes më rrethonin në heshtje,

me sytë e tyre ziliqar të ndezur.

Të gjithë më pyesnin me kureshtje:

Ku e gjete, vëllajo, ku e ke vjedhur?...

 

As gjetur e kam, as vjedhur, u thoja,

se tjetër si kjo nuk gjendet gjëkundi.

E ruaj si sytë, dhe s’e lëshoj nga goja,

se mos ma vjedhin, se mos më humbi!

 

Natën e mbaja të flinim së bashku

dhe shpesh prej saj, më dilte gjumi.

Dorën nën jastëk, futja padashur,

qenka këtu, thosha, lum unë i lumi!...

 

Por teksa i fryja i dehur nga gëzimi,

me sytë në qiell, ku më ndiqnin zogjtë,

rrëshqita te një kanal me ujë mulliri,

gjinkalla fluturoi, si e trembur me shkop...

 

Kërkova harmonikën nga rrjedha, te lumi,

por ishte zhdukur, sikur shkoi në det...

Oh, më humbi, o i mjeri unë, më humbi!...

Dhe truri më fluturoi qiellit përpjetë…

 

E qava të dashurën e buzëve gjinkallë,

aq sa më duket sikur e qaj edhe sot,

kur te buzët humba dhëmb’ e dhëmballë,

por humbjen e atij gëzimi, s’e harroj dot...

 

 

VELLOJA E BARDHË E NUSËRISË

 

Ndoshta nuseve u veshin vello të bardhë,

t‘u zbardhet durimi qysh ditën e fillimit,

që pas mundimeve, me dëshirë në darkë

të ngrenë flamurin e bardhë të dorëzimit...

 

Më pas velloja i kthehet butikut nusëror,

dhe nuses i mbetet fotografia e dasmës,

ta kujtojë sa herë merr fshesën në dorë,

dhe nis të lajë pjatat e vaktit të mëpasëm.

 

Veç ikja në punë, i zgjidh prangat e çlirimit

nga skllavëria me disa skllavopronarë,

se pas burrit, i shtohen dhe fëmijët e gjirit,

që ua duron robërimin me qejf të paparë.

 

Pastaj kur pronarët bëhen një kor i plotë

dhe zënë të këndojnë himnin e trishtimit,

ajo zë kokën me duar dhe e lan me lot,

atë vello të bardhë, mjegullnajë të robërimit.

 

Ndodh pronari kryesor vellon e harron

dhe argëtohet diku te një nuse pa vello.

Ajo në shtëpinë e streseve veten kafshon,

duke përbuzur burrin donzhuan, apo otello.

 

Dhe velloja e bardhë e dasmës së shenjtë,

shndërrohet befas në napë të zezë pis,

hedhur supeve gjatë funeralit të shpejtë,

për varrimin përfundimtar të dashurisë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora