Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Let the Trump begin

| E premte, 11.11.2016, 10:37 PM |


Let the Trump begin

Nga Elvi Sidheri

Të mësuar siç jemi, të jetojmë në një botë mirëmenduesish, politikisht korrektësh, pafytyrësie politike dhe jo vetëm, atëherë nuk tingëllon aspak e habitshme që sot të shikojmë përrenj (se “lum” është fjalë tejet e madhe dhe fort e fisme për të cilësuar këta njerëz) njerëzish që mësyjnë rrugët e Nju Jorkut dhe disa qyteteve të tjera amerikane, apo edhe studiot historikisht “majtshëm” të njëanshme politikisht, të televizioneve të zhgënjyera, tronditura, syhapërdara të gjithë planetit tokë, përshfshirë në këtë mes edhe vetë Shqipërinë tonë të vogël.

Gjëra që ndodhin miq, Donald Trump fitoi, në SHBA, pikërisht për shkak të faktit se ky vend përbën ende (falë Zotit) bastionin e fundit dhe të parë njëkohësisht të demokracisë në botë, në momentin kur presidenti cilidoqoftë ai, zgjidhet në këtë post, loja mbaron dhe detyrat e tij kushtetuese, ashtu si edhe opozita (very fierce) ndaj tij fillon.

Pikë!

Kjo është demokracia “the American way” pra.

Pa “jo”, pa “ku i dihet”, pa “ndoshta”, pa “po sikur”, pa votë popullore, pa Gjykata Supreme në shumicën e rasteve (përjashtimi që bën rregullin, si në kontestin e rrallë Gore-Bush, ku i pari mori në qafë madhështinë e paprecedentë të trashëgimisë së ish presidentit, mikut të shqiptarëve Bill Klinton, duke humbur një garë praktikisht të fituar pa nisur akoma, u shpërblye me një Nobel siç rëndom akademia nordike dhuron pamasë ndaj eksponentëve majtistë anembanë botës, kurse i dyti, mbuloi një mandat presidencial të dyfishtë, duke ngadhënjyer ndaj no globalizmit masiv, ekstremit të majtë rrugëve të Siatëllit apo Xhenovas në flakë, sulmeve të 11 shtatorit dhe njëanshmërisë të skajshme majtiste të 90% të shtypit botëror).

Në SHBA, presidenti zgjidhet dhe loja rinis nga e para qysh në çastin e bërjes së ditur të triumfit të tij elektoral.

Ndaj dhe, protestat e menjëhershme të ithtarëve anti-Trump, shpesh edhe të dhunshme gjithaq, nuk bëjnë gjë tjetër veçse konfirmojnë atë që thuajse me siguri ka për të qenë prirja dhe qëndrimi kundrejt tij gjatë (së paku) këtij katër vjeçari mandati të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Do të ketë paragjykime me tonelata, fyerje pakufi (ndaj tij dhe familjes së tij, përfshirë edhe fëmijët minorenë të manjatit të pasur), dyshime për inteligjencën dhe aftësitë e tij qeverisëse në krye të superfuqisë së vetme botërore, kundërshti pa sens, njëanshmëri globale mediatike, gënjeshtra, mashtrime, montime e kushedi se çfarë më tepër.

Por, askush nuk ka përse të habitet, sepse bota funksionon kështu, ngaherë, në epokën moderne në të cilën jetojmë.

I majti kur vjen në pushtet, automatikisht, “deux ex machina”, merr, gëzon dhe shijon papërfytyrueshëm mbështetjen globale të shtypit gjerë e gjatë, pa vetëpërmbajtje ose edhe mëdyshje gjithmonë të mirëbazuara kundrejt gjasave të tij ose saj për të (mirëqeverisur) eventualisht.

I majti/e majta përbën laikisht, të dërguarin e Zotit apo Mëmës Natyrë, apo qoftë edhe të vetë shpirtit Darvinian, për ta qeverisur në mënyrën më të përkryer, të barabartë, pa racizma, paragjykime, pa ndarje gjinish apo përçmime, gjindjen votonjëse njerëzore, kudoqoftë dhe kurdoqoftë.

Ndërsa, kur në pushtet vjen qoftë edhe ndonjë parti, njeri apo lëvizje e qendrës së djathtë, e jo më personazhe kundërthënës dhe me karizmë e personalitet tepër egocentrik dhe fuqi tepër të spikatur për t’u folur drejtpërdrejtë masave, njerëzve të thjeshtë përtej barrierave informative, përtej mediave mendjemëdhaja të establishmentit, përtej qëndrimit të Twitter apo Fabebook kundër tij, atëherë qëndrimi automatikisht bëhet armiqësor, tallës, shpotitës, fyes, vënës në lojë, dyshues ndaj intelektit dhe integritetit jo vetëm moral, por edhe njerëzor të “armikut” të ri që shfaqet rrezikshëm në horizont, për “djathtistin” e rradhës që rrezikon të trazojë ujërat e makinerisë promovuese dhe mbarështuese të së majtës në nivel planetar.

Kjo pra është edhe arsyeja përse plasën dhe nuk përthahen ende lotët dhe të qarat me dënesë në syçkat e anchorman-ëve dhe anchorwoman-ve nëpër studiot e gjigantëve majtistë mendiatikë amerikanë, francezë, italianë, gjermanë e qoftë edhe shqiptarë jo rrallë fundja.

Prandaj njerëzit protestojnë rrugëve të Amerikës, pa e ditur edhe vetëm tamam përse?!

“Not my president” dashka të thotë çfarë pikërisht?

Domethënë kjo vallë se meqënëse ti o mik amerikan i nderuar, i bardhë, me ngjyrë, hispanik, aziatik qofsh, nuk e paskërke votuar Donald Trump-in (me të drejtën tënde ligjore dhe hyjnore) dhe pavarësisht faktit se shumica nuk e kanë menduar këtë punë si ti, gjithësesi vota e tyre nuk vlen fare, ndërsa e ytja po? Vota e majtë paskësh më tepër peshë specifike vallë?

Fatkeqësisht, kjo është mënyra sesi shumëkush në establishmentin e majtë e këndvështron idenë e demokracisë elektorale...

Nëse votoj unë (i majti ) për dikë, vota ima vlen, ajo shpërfaq një inteligjencë dhe botëkuptim thuajse të perëndishëm, mënjanë që padyshim të shenjtë dhe thelbësisht të drejtë dhe të patundshëm.

Kurse, nëse unë (i djathti) votoj për dikë, atëherë vota ima shndërrohet menjëherë në një votë të përçmueshme, në një shfaqje racizmi, mizogjenie, fobie ndaj dikujt apo fesë së tij, në një vepër të nëpërkëmbshme, që kurrësesi nuk mund të respektohet apo të merret seriozisht.

Kështu shpjegohen reagimet në kufijtë e histerisë që shpërthyen pas fitores së Donald Trump ndaj zonjës Klinton këto ditë, pikërisht nga ata njerëz që përmes universit paralel ku i pati kredhur dhe dergjur shurdhueshëm establishmenti mediatik-hollivudian (dhe lobet e shumta që e vënë atë në lëvizje), nuk patën arritur dot të kuptonin se flluska e sapunit në të cilën ndryheshin sondazhet e tyre vetë-qejfbërëse, kish për të plasur të martën e 8 nëntorit 2016.

Nuk fitohen pra zgjedhjet, aq më tepër në SHBA, për shkak se shumica dërrmuese e mediave të shkruara, online apo vizive që hanë bukë majtas, të thonë ty o popull se duhet të ndodhë kështu, se u dashka të fitojë patjetër X apo Y kandidat/e.

As se Madonna (megjithë respektin për muzikën e saj), vetëofrohet të vërë gojën në punë (jo për të kënduar, por për ca shërbime të tjera më joshëse) nëse nuk votoni Trump-in, as se Miley Cyrus prapanicë-zbathur qan me dënesë livestream në Youtube, as se Lady Gaga kërcënon me emigrim në Kanada, as se kështu mendon De Niro apo Oliver Stone, dhe mbi të gjitha as se kështu vjen dita që të fandaksurit e llojit të konspiracionistëve gjenetikisht të modifikuar si puna e pseudo-regjisorit Michael Moore-it, do të bëjnë filmin e tyre të rradhës plot hamendje e dyshime apokaliptike, pasi patën mbetur thatë me materiale frymëzonjëse për 8 vite me rradhë, në mungesë të George W. Bushit.

I kujtojmë akoma të gjithë kërcënimet qesharake të Michael Douglas (dy herë me rradhë, në 2000 dhe 2004) se bashkë me gruan e tij të bukur Catherinë Zeta Jones do të mërgonin përjetësisht jashtë Amerikës në rast se fitonte dhe rifitonte (siç përpikmërisht bëri në fakt) George W. Bush.

Mesa di unë të paktën, as ata e askush tjetër nga Hollivudi, nuk ia futën vrapit dhe ikën nga SHBA gjatë 8 viteve të presidencës Bush.

Ashtu si edhe ndonjë eksponent i rrallë që haptas guxon të shpallet si republikan (Clint Eastwood, Arnold Schwarzenegger etj), nuk u largua nga SHBA nën administratën Obama këto 8 vitet e fundit.

Zgjedhjet në demokracinë amerikanë fitohen përmes mesazheve të qarta, piketimit, identifikimit dhe shënjestrimit të problemeve reale që e mundojnë popullin dhe masën votonjëse kryesisht.

Ka më pas edhe sulme shpesh banale ndaj kundërshtarit, shkelje të së ashtuquajturës etikë gjatë fjalimeve etj.

Por janë pikërisht problemet reale, gjetja dhe ofrimi i zgjidhjes përkatëse për to, që të sigurojnë fitoren.

Këtë bëri edhe Donald Trump, ndoshta duke përzgjedhur shpesh fjalë të vrazhda, ndonjëherë duke bërë ndonjë gafë apo edhe fyer ndokënd.

Por, si një person i ardhur nga jashtë establishmentit, jo vetëm demokrat e mediatik, por edhe sa i përket partisë së tij mëmë republikane, Trump-it iu desh të qe më pak i sofistikuar, më i drejtpërdrejtë dhe shumë pak i prirur kundrej finesës në fjalimet  e tij.

Gjenialiteti i Partisë Republikane, sidoqë të botëkuptohet kjo fushatë zgjedhore, qëndron në pranimin me hir apo pahir, të kandidaturës së Donald Trump-it, si mundësinë e vetme për ngadhënjim final, ndryshe nga Partia Demokratike, që shpresën e paraqitur nga Bernie Sanders, e fiku sërish me hir apo pahir, duke mos e lejuar popullin e majtë në Amerikë, të gjente një kanalizim të fuqisë së vet votuese.

Dueli Trump-Sanders do të kishte qenë në kufijtë e legjendës, tërësisht anti-konformist, jashtë ndikimit të establishmentit mediatik, financiar dhe lobeve pafund, si dhe krejtësisht rinovues për sistemin amerikan dhe botëror njëkohësisht.

Kështu pra fitohen zgjedhjet në demokracinë më të zhvilluar dhe të përkryer në planet.

Jo me dëngla mediatike, as me poza triumfaliste apo me sondazhe krejtësisht jashtë realitetit.

Por vetëm me punë, përkushtim, përmes mesazheve të duhura dhe përcaktimit të prioriteteve madhore që kuptohen dhe përthithen nga votuesit potencialë.

Gjithçka tjetër, është më pas relative.

Padyshim që respekti i neve si shqiptarë ndaj zonjës Klinton, mbetet i pakufishëm, për një grua, një politikane që siç flitet prej kohësh, krahas zonjës Blair, patën qenë shtytëset më të fuqishme të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë.

Zonja Klinton dhe fjalimi i saj emocionues para parlametit shqiptar në fund të vitit 2012, do të kujtohen si një ngjarje e papërsëritshme.

Por, nuk jemi ne që përcaktojmë presidentin amerikan, as pushtetin në Uashington apo Shtëpinë e Bardhë megjithatë.

Neve mundemi vetëm të shpresojmë se Trump ? ashtu si edhe presidentë të tjerë krejt paturpësisht të paragjykuar jo vetëm nga establishmenti mediatik amerikan, por edhe nga shumë nostalgjikë shqiptarë të shokut Enver që kritikonte Hrushovin në Moskë, denonconte shokët jugosllavë tjetërkund dhe u jepte mend kinezëve pas paqëtimit të tyre me amerikanët ? do të jetë përsëri (“nel nostro piccolo”, për aq sa ne vlejmë në politikën e jashtë amerikane) në krahun tonë.

Ashtu si George W. Bush, që edhe në Shqipëri përflitej si gjasme injorant në politikën e jashtë, dhe i cili pavarësisht 11 shtatorit dhe përballjes globale me Al Kaedën, gjeti kohë të na ftonte dhe antarësonte në NATO dhe të shpallte nga Tirana pavarësinë e Kosovës gjatë vizitës së tij historike në kryeqytetin tonë.

Të mos harrojmë edhe presidentin Reagan, një ish aktor thellësisht të shpotitur dhe paragjykuar para zgjedhjes si president në vitin 1980, i cili tërthorazi, me dërrmën që i dha bllokut komunist dhe Ariut Ruso-Sovjetik, na çliroi nga gjëma moniste.

Prandaj pra, do bënim mirë të mos e fusnim fort gojën në punë së koti, por të prisnim dhe uronim që zoti Trump të jetë në nivelin e karizmës së tij.

Congratulations Mr. President