E premte, 19.04.2024, 04:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Shqiptarët nuk duhet të presin

E enjte, 10.11.2016, 10:40 PM


SHQIPTARËT NUK DUHET TË PRESIN

Botohet në 4 vjetorin e vdekjes së Autorit të shkrimit.

Nga Daniel Gazulli

Gjendja

E njohin të gjithë: Shteti i së drejtës asht vetëm një iluzion, ose diçka që duen ta besojnë ata që janë të lidhun me të. Shteti i së drejtës nuk asht një rrugë ma shumë, një shkollë e re, apo një zgjanim porti.

Koncepti i demokracisë tek na ka ato përmasa e atë substancë sa ban pjesë në mendësinë e atyne që e shtypen demokracinë për 45 vjet. Jashtë kësaj mendësie je i përjashtuem nga qeverisja e vendit.

Tek na askush nuk mendon për shtet, po për pushtet. Prej tij rrjedhin të mirat materiale nëpërmjet korrupsionit dhe të gjitha formave të imagjinueshme e të paimagjinueshme të krimit në një rend pseododemokratik.

Zgjedhjet janë të drejta vetëm po i fitova unë. Në rast të kundërt do të përmbysim gjithçka. E për të realizue këte njihet vetëm një mjet: dhuna. Por po i fitova zgjedhjet, atëherë edhe ligji jam unë. Kushtetuta, Kodet (penal, civil, administrativ) janë në tagrin e interpretimit prej meje.

Prej këtu rrrjedhin të gjitha format e dhunëshme: nga ato të gurëve, të zjarrit, të plumbave.

Pra, gjendja asht ajo që jetuem me 21 janar në formë të konkretizueme: një opozitë që kërkon gjak që të marrë pushtetin, një pozitë që ban gjak për të mbajtë pushtetin.

Asht, në fund të fundit, shfaqje e koncentrueme e dështimit të eksperiemntimit të demokracisë postkomuniste me elementë dhe mendësi bolshevike.

Shkaktarët

Asht metastaza e Bllokut që sundon Shqipninë prej 20 vjetësh, djathtas e majtas. Djathtas e majtas janë dy koncepte fiktive në vendin tonë. Të ricikluemit e diktaturës, protagonistë të djeshëm apo bijtë e tyne, janë metastaza kanceroze e demokracisë shqiptare në të gjithë harkun e skenës politike shqiptare.

Ata kanë në dorë shtetin, pushtetin, ekonominë, drejtësinë, mjetet e dhunës, mediat e dhunës, gjithçka që u shërben për të kënaqë babzinë e tyne prej lubishë. E për të realizue këte nuk ndalen para asgjaje.

Për fat të keq populli ynë ka ende instinktin e turmës.

Disa shkojnë mbas qerres kriminale të së djathtës, disa mbas qerres kriminale të së majtës. Individi, si në kohë të diktaturës, nuk ka personalitet. Ai asht degdisë në një shërbëtor i bindun i botës së krimit.

Shkaqet

Thirrjet patetike për demokraci, për mbrojtje të ligjit, për zgjedhje të lira e të ndershme, për luftë kundër korrupsionit, për hirarki vlerash, janë vetëm pluhun që u hidhet syve njerëzve të thjeshtë, atyne, që në fund të fundit, vuejnë këte masakër institucionale. Ndamja në “të mirë” dhe në “të këqijë” asht ose naivitet, ose marrja e një ane të krimit shtetnor.

Jemi në efektin shkak-pasojë.

Riciklimi i të të njejtëve njerëz, si thotë populli, “i mirë për të gjitha stinët” (çka nuk asht e mundun), ka ba që sot të sundojnë njerëz pa moral, pa ideale kombtare, pa edukatë qytetare e demokratike, pa personalitet, pa kulturë. Këto qenje të trajtueshme lehtësisht nga kasta ma e naltë e shtetit, kënaqen me disa mijra euro të vjedhuna nga tenderat, nga doganat, nga trafiqet etj., dhe bajnë, pa i vra ndërgjegja, lojën e kupolës që vjedh miliona, që nëpërmbëkambë interesat e popullit, që nëpërmbëkambë ligjin, që nëpërmbëkambë të drejtat elementare të individit.

Rrugëdalja

Nuk ka vend për shumë teori.

Populli Shqiptar, ose ndërgjegjësohet dhe distancohet njëherë e përgjithmonë nga metastaza e diktaturës, e flakë ate si subjekt dhe objekt të krimit shtetnor, ose nuk ka të ardhme.

Për këte duhet:

– Një formacion i ri politik kryekëput jashtë çdo qelize të politikës së sotme;

– Njerëz të rijë, mundësisht të formuem në shkollat Përendimore.

Nuk do të përjashtohej edhe një rrugë e tretë, por që aktualisht më duket e pamundun: Pastrimi i të gjitha formacioneve politike nga metastaza e Bllokut. Nuk shoh tek asnjena parti e sotme në Shqipni forca të tilla që të mund të largojnë njëherë e mirë metastazen famëkeqe e kriminale që na la mbrapa Blloku, pse, si duket, ata kanë arrijtë t’i kriminalizojnë edhe ata individë që nuk vijnë nga çerdhja e diktaturës, nëpërmjet  joshjes me përfitime nga bota e krimit.

Nëse do të vazhdojmë të ankohemi, ndërkohë që asht e ngutshme të veprohet për një rrugëzgjidhje përfundimtare, e ardhmja jonë do të jetë e komprementueme edhe për 20 vjet të tjera, në mos edhe ma gjatë...



(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora