E marte, 19.03.2024, 06:34 AM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Kriminaliteti tek të miturit

E enjte, 10.11.2016, 10:00 PM


Kriminaliteti tek të miturit

Nga Entela Binjaku

Kriminaliteti tek të miturit është një dukuri për të cilën shoqëria tregon pak vëmendje duke e konsideruar si cështje që i takon familjeve të të miturve, shërbimeve të rendit apo institucioneve të riedukimit. Nisur nga ideja se faktorët që ndikojnë tek kjo dukuri janë ngushtësisht  shoqërorë, vëmendja duhet përqëndruar  tek agjencitë shoqërizuese dhe konkretisht tek  familja, media, grupet e bashkëmoshatarëve,  shkolla etj.

Faktorëve të mësipërm shpesh ju bashkohen edhe ata ekonomikë, pra të mitur që për shkak të kushteve të vështira ekonomike ndërsa detyrohen të  punojnë cdo lloj pune, bien  pre e abuzimit dhe shfrytëzimit prej më të rriturve duke u orientuar  drejt sjelljeve kriminale.

Edhe pse agjencitë shoqërizuese kanë për detyrë edukimin shpesh ato nuk arrijnë të kryejnë detyrat e tyre duke u shndërruar vetveten në vatrën ku kriminaliteti “hedh hapat e parë”.

Familja është ajo qelizë e shoqërisë brenda së cilës njeriu rritet dhe edukohet. Por “ana e errët e familjes” fsheh  prindër që komunikojnë ashpër, të mitur që jetojnë mes konfliktesh, ku ushtrohet dhunë emocionale,  psikologjike apo fizike për pasojat e së cilës nuk mendohet, për mungesë të  mbështetjes emocionale dhe psikologjike, për fëmijë që ndjehen të vetmuar apo jashtë  vëmendjes prindërore etj. Familjet me një prind janë ato që përballen me vështirësi të mëdha ekonomike dhe shpesh ndodh që të miturit i “dalin krah” familjes, punojnë të sigurojnë mbijetesën duke rritur rreziqet për të qenë pre e krimit.

Shkolla është agjencia tjetër me rëndësi në edukimin e një mituri, por shpesh ky mjedis që duhet  të jetë i ngrohtë, mikpritës, nxitës dhe frymëzues  për dije mund të jetë i atillë që në vend të aftësojë të miturit për jetën, mund të ndikojë në braktisjen e saj.

Kur i mituri nuk e ndjen veten pjesë të grupit, kur në shkollë nuk merr vëmendjen apo mbështetjen e nevojshme, kur është pre e stigmës apo ndjehet i mënjanuar, ai mund ta braktisë  atë lirisht dhe të priret ndaj aktiviteteve jashtëshkollore. Me braktisjen e saj vendin e aktiviteteve që mund të kryente në shkollë, e zënë të tjera që nuk i përkasin botës së fëmijës. Me  hyrjen në adoleshencë, braktisja mund të shoqërohet me njehsimin me grupet e kundërkulturave,  duke rritur rrezikun për sjellje kriminale. Impulsiviteti i moshës në kushtet e daljes nga korniza edukuese shkollore, mund të rrisë prirjen për sjellje kriminale.

Të miturit janë shndërruar në një problem të vërtetë për statistikat e rendit,  kur është fjala për shitjen apo shpërndarjen e substancave të ndaluara.  Përdorimi i substancave narkotike, i alkoolit nga ana a tyre mund të shkaktojë probleme me sjelljen në komunitet, duke rritur sjelljet agresive dhe thyerjen e normave ligjore.

Media me modelet që përcjell, me përlavdërimin e sjelljeve agresive apo të të “fortëve”, që edhe thyejnë rregullat e nuk ndëshkohen, mund të ndikojë në nxitjen e sjelljeve impulsive apo të dhunshme nga ana e të miturve.

Në 26 vitet e fundit të miturit që kanë rezultuar pjesë e statistikave të  rendit apo prokurorisë, kanë plotësuar me historitë e tyre  tablonë  e  jetës shoqërore shqiptare. Ndër veprat që kryejnë të miturit  kryesojnë veprat penale të vjedhjes, plagosje e rende me dashje, plagosje e lehte, vepra të turpshme, etj.

Po të hedhim një vështrim në statistikat e viteve të fundit, nga të dhënat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës (2012-2016)    vitin 2012 rezultojnë 255 të mitur  te ndaluar per vepra te ndryshme penale,  për  vitin 2013 rezultojne 235, për vitin 2014 nga kjo drejtori raportohet se  jane 178 te ndaluar të mitur në konflikt me ligjin.  Ndërkohë per vitin 2015 jane 251 te arrestuar ose te ndaluar, dhe  deri në muajin shtator të këtij viti (2016) kjo njësi e rendit raporton se janë 153 të mitur të ndaluar. Statistikat flasin edhe për të mitur dëshmitarë, të dhunuar apo viktima të dhunës.  Në radhët e historive të tyre jetësore kryesojnë femijë te abuzuar fizikisht dhe psikologjikisht ne familje.  Të miturit autorë shpesh paraqësin sjellje të lidhura me post-trauma    fëmijërisë që kërkojnë rehabilitimin e tyre nga shërbime mbështetëse psiko-sociale.

Për kriminalitetin e të miturve edhe Prokuroria e Përgjitshme raporton shifra në rritje. Kjo situatë duhet konsideruar në kushtet kur koeficienti i kriminalitetit në vendin tone në  vitin 2012 ishte 784.për 100.000 banorë dhe  në vitin 2013 ishte 992.

Nga raportet e kësaj prokurorie për veprën penale të parashikuar nga neni 100 i Kodit Penal “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, në vitin 2013, ka një rritje prej 52 % në krahasim me vitin 2012.  Në lidhje me moshën e të pandehurve vihet re se 97 % e tyre janë meshkuj (434 të tillë, nga të cilët 14 të mitur) dhe vetëm 3 % janë femra (11 femra ndër të cilat nuk rezultojnë të mitura).

Lidhur me: “Krime kundër jetës të kryera me dashje” nga të dhënat statistikore rezulton se gjatë në vitin 2012 në total kanë qenë 412 të pandehur të regjistruar, ndërsa gjatë vitit 2013 në total janë 1112 të pandehur të regjistruar.  Pra, në këtë tregues vihet re një rritje prej 169 %. Gjithashtu, rezulton se 58 të pandehur janë minorenë (14-18 vjeç).

Po ndërsa policia e shtetit forcon seksionet e shërbimeve për të mitur, prokuroria kërkon ashpërsimin e politikës penale dhe masave të dënimit për të pandehurit e veprave penale në dëm të të miturve, aktorët e tjerë të lidhur me këtë dukuri kanë nevojë të ndërgjegjësohen për rolin e madh që kanë në drejtim të një shoqërie me sa më pak kriminelë.

Që të kemi rezultate konkrete nevojitet një punë e përbashkët nga Policia e Shtetit, Ministria e Arsimit dhe Sporteve, organizmat e shoqërisë civile që punojnë për ndërgjegjësimin e qytetarëve për të denoncuar raste të tilla, si dhe personat me prirje  kriminale,etj.

Shtrirja e shërbimeve sociale në komunitet sipas përvojave ndërkombëtare, do t’u vinte në ndihmë mjaft familjeve, ngritja e arsimit në një stad tjetër  me mësues që njohin aspektet pedagogjike të punës,   aktivizimi i shërbimit psikologjik në shkolla i një profili tjetër larg aktualit ku psikologun në rastin më të mirë fëmijët “e kanë parë  në koridoret e shkollës”, me programe mediatike që nxisin dhe frymëzojnë botën e të miturve, do të ndihmonte mjaft në  kontributin shoqërore në drejtim të reduktimit të kësaj dukurie, që i takon jo vetëm aktorëve të lidhur drejtëpërdrejtë, por të ardhmes së një shoqërie mbarë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora