Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xharra: Shqiptarët e Maqedonisë, brenga e madhe

| E merkure, 09.11.2016, 06:47 PM |


Shqiptarët e Maqedonisë, brenga e madhe mbarëkombëtare

Nga Fahri Xharra

Sot, shqiptarët e Maqedonisë janë ndoshta populli i vetëm në botë, që akoma nuk e ka plotësisht të qartë se cilën shteg duhet të zgjedhë në udhëkryqin e të ardhmes së tij. Një gjë ama është e qartë. Populli shqiptar nuk mund të vazhdojë të injorojë të vërtetat historike. Nuk mund të injorojë pasojat e gjenocidit osmano-islamik. Këto pasoja i ka vuajtur dhe vazhdon t’i vuajë me të njëjtin intensitet edhe në ditët e sotme.

Populli shqiptar  i Maqedonisë nuk duhet të lejojë përsëritjen e cikleve historike të skllavërimit dhe shkatërrimit të tij. Është derdhur shumë gjak për një të ardhme më të mirë, dhe jo për një të ardhme të mbuluar nga pluhuri toksik i shkretëtirave arabe. Ky pluhur toksik e ka helmatisur thellësinë e qenies tonë si komb, duke na ka lënë vendnumëro prej 6 shekujsh, siç ka mbetur vendnumëro çdo vend tjetër që ka kaluar një stuhi të tillë historike.

Si pasojë e sundimit osmano-islamik, sot trojet shqiptare në Maqedoni nuk janë vetëm të prapambetura, por janë të ndara edhe fizikisht prej më shumë se një shekulli. Dhe jo vetëm të ndara fizikisht por edhe shpirtërisht. Nuk mund të ketë harmoni shpirti i një kombi kur një pjesë e këtij shpirti vlon nga dëshira për t’iu bashkuar botës së qytetëruar ndërsa një pjesë tjetër zhgërryhet në nostalgjinë osmano-islamike që është armiku kryesor i botës së qytetëruar dhe zhvillimit psikologjik e shpirtëror të njeriut. Në gjendjen ku ndodhet sot populli shqiptar, çfarë kuptimi ka të festosh festën e pavarësisë kur një pjesë e konsiderueshme e kombit nuk e ka fituar akoma lirinë?

Ç’kuptim ka të festosh festën e flamurit kur ngado që të hedhësh sytë, simbolet e skllavërisë osmano-islamike janë të dukshme, dhe shpesh ndihesh sikur nuk je në tokë shqiptare por në ndonjë shkretëtirë të humbur, ku çuditërisht njerëzit flasin shqip? Ku ekziston kjo “tolerancë shembullore” midis komuniteteve fetare, kur fuqia e ulërimës arabisht nëpër minaret e xhamive rritet qëllimisht për t’u dëgjuar sa më larg që të jetë e mundur? Ku ekziston kjo “tolerancë” kur çdo ditë botohen libra e artikuj që sulmojnë e hedhin baltë mbi çdo figurë tonë kombëtare? Ç’domethënie ka kjo e ashtuquajtur “tolerancë” kur kryetari shqipfolës i bashkësisë islame, i thur lavde publikisht kasapëve që kanë bërë masakrat më të tmerrshme ndaj popullit shqiptar, vetëm sepse këto kriminelë dhe vrasës kanë qenë myslimanë? A mund të na thoni dot se cili mund të jetë toleruesi dhe cili jo-toleruesi në këtë “oqean të mirëkuptimit” ndërfetar?

Apo mos vallë jemi një komb “i përmbytur” kaq shumë nga “oqeani i mirëkuptimit ndërfetar” saqë këto “gjëra” tepër të “vogla” e të “parëndësishme’ nuk na krijojnë shqetësim? Janë pyetje që secili nga ne duhet t’ia bëjë vetes me gjakftohtësi, duke u treguar të paktën i sinqertë me veten e tij.

Shqiptarët  e Maqedonisë e kanë sot më të nevojshme se kurrë të rifreskojnë kujtesën e tyre historike, për të kuptuar se cila është rruga që duhet të ndjekin. Nuk mund të bëhesh pjesë e botës së qytetëruar duke mbajtur veshur rrobën e anti-qytetërimit. Për t’u bërë pjesë e botës së lirë e të zhvilluar, populli shqiptar duhet domosdoshmërisht që të flakë rrobën e kalbur të trashëgimisë së dhunshme osmano-islamike që e mban veshur prej 6 shekujsh. Dhe kjo rrobë e kalbur anti-kombëtare nuk flaket dot duke valëvitur flamujt kombëtarë e duke festuar përvjetorët e “pavarësisë.” Ajo flaket vetëm me rizgjimin e ndërgjegjes kombëtare, e cila fle “e strukur” prej shumë shekujsh nën zhgunin e rëndë të fatalizmit osmano-islamik.

Gjakovë, 07.11.16