E premte, 19.04.2024, 10:33 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Le të hapen dosjet!

E merkure, 09.11.2016, 07:40 PM


Le të hapen dosjet!

Nga Reshat Kripa

Këto ditë një miku im më dha një poezi që sapo e kishte shkruar. E lexoj:

“Le të hapen dosjet, gjithë po thërrasin,

Kush e kush më shumë, korbat po kërrasin,

Korbat e pabesë, korbat shpirt të zi,

Thua të  jenë engjëj, apo faqezinj?”

Lexoj dhe para syve më dalin këta “shakaxhinj të përparimit”, siç i quante Noli, që në një kor të përbashkët po këlthasin për hapjen e dosjeve të regjimit komunist.  Por nuk e dimë nëse këto monstra kanë vuajtur nga pasojat e këtyre dosjeve apo, ndoshta, janë nga zbatuesit e dikurshëm? Sepse në këtë botë absurde ku jetojmë më tepër ndihen zërat e korbave të dikurshëm se sa viktimave të tyre.

Kjo është Shqipëria jonë sot.  Një vend ku nuk merret vesh se kush ishte paditësi dhe kush i padituri, kush ishte krimineli dhe kush viktima. Pothuajse të gjithë hiqen “të paditur” dhe “viktima”. E pra, janë pikërisht lakejtë e komunizmit ata që sjellin këtë kaos ku ndodhet vendi.

Le të hapen pra dosjet! Le të hapen dhe të publikohen të gjitha dosjet e sistemit totalitar. Është e drejta e qytetarëve të mësojnë mbi gjithçka që ka lidhje me to. Le të hapen dosjet për të mos lejuar që vendet në parlamentin shqiptar, qeverinë, sistemin e drejtësisë dhe administratën shtetërore dhe vendore të zihen nga të korruptuarit e sistemit të përmbysur. Kështu do të kemi një parlament të pastër, një qeveri të pastër, një drejtësi të pastër, një administratë të pastër, një shtet të pastër. Në rast se sot flitet për një shtet të korruptuar, kjo vjen edhe si rezultat se në të bëjnë pjesë edhe të korruptuarit me dosje që sjellin frymën korruptive të sistemit që i degradoi deri në atë gjendje.

Le të hapen dosjet që të mos kemi më në krye  njerëz që ruajnë në ndërgjegje gjynahet e kohës së përmbysur.

Le të hapen dosjet që të mos kemi më gazetarë, analistë, komentatorë e të tjerë që me artikujt, analizat dhe komentet e tyre shtrembërojnë në mënyrë flagrante të vërtetat e këtij kombi..

Le të hapen dosjet që të mos kemi më mësues e këshilltarë gjynahqarë që helmojnë ndërgjegjen e fëmijve tanë apo të mbarë popullit.

Le të hapen dosjet që të mos kemi më “të përndjekur politik” që natë e ditë i dëgjon të dërdëllisin për heroizmat e tyre.

Le të hapen dosjet të gjitha dhe të përlyerit të hiqen nga detyrat shtetërore që mbajnë. Këtu nuk bëhet më fjalë për ndëshkim, pasi tani është shumë vonë për këtë. Një gjë e tillë duhej të ishte bërë shumë vite më parë, kur ishin gjallë një pjesë e mirë e fajtorëve të katastrofës së kaluar. Le të merren me çfardo aktiviteti privat, por të mos kërkojnë të bëjnë karrierë duke spekulluar me detyrat që mbajnë.

Vetëm atëherë do të kemi një Shqipëri të pastër, një Shqipëri dinjitoze. Vetëm atëherë do ta meritojmë të jemi vend anëtar i Bashkimit Europian, të jemi të barabartë me kombet e tjerë.

Jemi i vetmi vend i Europës Lindore që nuk i kemi hapur. Jemi me shumë vonesë, por një fjalë e urtë thotë: “Më mirë vonë, se kurrë!” Mos u mundoni të kopjoni modelin gjerman. çek apo të ndonjë vendi tjetër pasi asnjë prej atyre vendeve nuk mund te krahasohet me krimet e kryera ne Shqipëri. Shqipëria ka një specifikë të veçantë në lidhje me vendet e tjera të lindjes. Ajo ishte vendi që pësoi genocidin më të egër në krahasim me vendet e tjera të lindjes.

Dua të theksoj gjithashtu edhe një çështje tjetër mjaft  të rëndësishme. Mos ky ligj i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë do të përdoret për të bërë presione politike mbi palën kundërshtare ose individë të ndryshëm? A do të jetë një proces i ndershëm dhe i hapur? Duhet që komisioni që do të ngrihet për verifikimin e dosjeve të jetë shumë i kujdesshëm. Më lejoni t’ju sjell një shembull.

Para disa vitesh kur diskutohej ligji i dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë në zyrën e shoqatës paraqitet  gazetarja  e një medie të përditëshme. Midis të tjerave ajo më pyet:

Cili është neni më i kontestueshëm i këtij ligji?

Dhe unë i përgjigjem:

Neni         i     kontestueshëm    është    neni   6,  sipas    c ilit  nuk  përfitojnë

dëmshpërblim  ish-anëtarët e byrosë politike, ish-punonjësit  e Sigurimit të Shtetit, ish-prokurorët, ish-gjykatësit, pra të gjithë ata që kanë qenë pjesë e nomenklaturës së diktaturës komuniste. Ndërmjet tyre kanë futur edhe ish bashkëpuntorët e sigurimit. Te kjo e fundit ne kemi shumë rezerva, sepse duhet të kujtojmë gjithnjë se çfarë presioni është ushtruar mbi ata persona. Duhet të kemi parasysh torturat që kanë kaluar në hetuesi, duke filluar nga ato fizike deri tek torturat psikologjike. Ka patur raste kur i kanë përdhunuar vajzën apo gruan në sytë e tyre, thjeshtë për t’i detyruar të bashkëpunojnë. Atëherë ne shtrojmë pyetjen se a është e drejtë që këta njerëz  të mos marrin dëmshpërblimin?

Nuk  kishte  kaluar më shumë se një  javë,  kur   erdhi  një  letër  pa  autor  dhe  pa

adresën e dërguesit.   Ishte    një   letër  e  shkurtër,  vetëm  një  faqe fletoreje. Midis të tjerave

autori i saj shkruante:

 

“Edukata, kultura dhe veçanërisht humanizmi i një bashkëvuajtësi, mund të shfaqte një largpamësi të thellë dhe një ndjenjë të paarritshme për ata fatkeq të nenit mbi të drejtat e përfitimit të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë. Jam edhe unë një nga ata fatkeqë të këtij neni. Jam intelektual dhe në një ose tjetër rrethanë gabova dhe pas dhjetë vjet burg po vuaj persekutimin e atyre dhjetë vjetëve dhe më tepër të atij neni, sepse nuk kam çfarë t’u them fëmijëve    mi  përse  nuk  e  përfitoj  dëmshpërblimin.  Është  e  tmerrshme   dhe  nuk  di  si  t’u shpjegohem juve dhe fëmijëve të mi. Dëshiroj që para jush të mbetem një bashkëvuajtës anonim. “

 

U preka tepër. Përmbajtja e asaj letre më zgjoi disa kujtime të tjera, të harruara.  Ata një pjesë nuk janë më, kanë ndërruar jetë dhe ndoshta kanë bërë mirë për të mos dëgjuar se si  kërkojnë t’i diskreditojnë. Të tjerët që janë ende gjallë shohin punën e tyre dhe nuk kërkojnë të bëhen as deputetë, as këshilltarë ose kryetar bashkie dhe komune. As qeveritarë ose punonjës të rangjeve të larta të administratës shtetërore. As prokurorë ose gjykatës. As kryetarë partish politike ose shoqatash të ndryshme dhe as drejtues të mediave. Në  rast  se  duhej pastruar, e para duhej të ishte politika që duhej të jepte shembullin. Duhej të ishin të pastra parlamenti, qeveria, organet e drejtësisë, të zgjedhurit vendorë, administrata shtetërore, mediat e shkruara dhe ato vizive. Le t’u hapen atyre më parë dosjet. Mos vallë trembeni për përmasat që mund të marrë largimi i tyre?                                                                                          Para   syve      dilnin   disa  raste    tilla    ishin detyruar të nënshkruanin një deklaratë të tillë. Më kujtohej heroi i romanit tim, inxhinier Agroni, që përfaqësonte një peronazh të njohur timin, në kohën kur ishim së bashku në burg. A mund të ndëshkoheshin tani për këtë vepër? Më parë duheshin ndëshkuar ata që i detyruan të nënshkruajnë. Lërini      qetë  këta  gjynahqarë    u  detyruan forcërisht për të bërë një veprim të tillë. Dhe hipokrizia qëndron në atë që sot, këta qyqarë, do t’i rigjykojnë përsëri po ata punonjës të Sigurimit të Shtetit dhe komiteteve të partisë ose bijtë e tyre. A mund të ketë moral një veprim i tillë? Ky do ishte në kundërshtim edhe me konventat ndërkombëtare mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të nënshkruara edhe nga shteti ynë.   Dua t’i drejtohem Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit ministrave përkatës, deputetëve, organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediave të shkruara dhe vizive, opinionit publik në përgjithësi  dhe t’u them:

- Kujtoni rrugën nëpër të  cilën  kanë  kaluar  këta fatkeq! Mos ua lëndoni më plagët e tyre që ende nuk janë tharë! Mos i detyroni të turpërohen para fëmijëve, të afërmve dhe miqve të tyre!  Kujdes për  ata që janë  rrëzuar! Në rast se keni vendosur të bëni një gjë të tillë, atëhere hapuani më parë atyre që i detyruan të bëjnë një veprim të tillë! Hapuani  atyre që duan të ngjisin shkallët e karrierës, atyre që janë në majat e larta të politikës dhe shtetit shqiptar!  Ndaj mendohuni mirë para se të vendosni!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora