Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Punë të mbarë mësues Dani

| E hene, 07.11.2016, 09:07 PM |


IN MEMORIAN

PUNË TË MBARË MËSUES DANI

EDHE NË ATË JETË

NGA KALOSH ÇELIKU

Jeta vazhdon, qoftë Verë, apo Dimër. Ne, e kemi dashur edhe Vjeshtën me dardha turke e gorrice te Jasakët e Tikeve, ama mbi të gjitha e kemi dashur Pranverën. Dimrin e Madh. Vite me borë ato, kur me strajcat e kanapit plot libra, herët në mëngjes ende pa lindur dielli dilnim nga porta dhe ktheheshim me natë në shtëpi. Kohë, kur në pritë na dilte sistemi komunist, por edhe Natyra me shi e borë.

Zoti e shikonte punën e vet në xhami. Hoxha i Çelëvjollcës nuk na joshte me ilahi e as nuk na detyronte t’i falim të pesë “vaktet” në ditë. Kurrë, nuk përziheshte në punë të shkollës shqiptare. Përmëtepër, ai nuk na kërcnoheshte me Xhehnem e as me Xhehnet. “Xhuma për xhuma”, komunikonte me ne në gjuhën shqipe. “Qerbelanë” e Naim Frashërit e mbante nën sjetull. Kësulën e bardhë të Bajram Currit mbështjellur me “çefin” në vend të “çallmës” turke, në kokë. Aspak, nuk i gjasonte hoxhës të sotshëm të Filip Papajanit me një kësulë leckë “partall”  të bardhë, ose të zezë: “Njeri i sotshëm me tru të moçëm”. Shumica, thonin: edhe se, është hoxhë rumunie. Byrek kishte hëngër me Asdrenin në Bukuresht. Përçudi, vetë Asdreni në atë kohë bashkë me Hoxhën kishin ardhë edhe si mysafirë në Kërçovë me një thes plot me abetare ngarkuar në shpinë.

Përroni i Garanës, që vjeshtë e dimër tërbohej dhe zbriste nga mali me egërsi, na sulej si shkollarë. Rrugën na e priste Verë e Dimër. Urën na e rrëmbente me vete me gjithë dërrasa si një anije pa udhëtarë mes dallgëve. Edhe, ato pak libra, që na mbetën nga “Shqipëria e Madhe”, të ministrit arsimit të asaj kohe (Ernest Koliqi), na i rrëmbenin nga duart dhe na rrasnin në burg si “nacionalistë e irredentistë shqiptar”.

Megjithatë, ne pasardhësit e Rilindasëve Shqiptarë, perësëri gjenim ndonjë libër për ta lexuar kokë më kokë nën hijen e Lisit midis Livadhit. Ishin Librat e këndimit të asaj kohe plot poezi të Rilindasëve tanë Shqiptar me shokë: Naimi, Çajupi, Gjergj Fishta, Asdreni, Vaso Pashë Shkodrani, Ndre Mjeda, Filip Shiroka, Hil Mosi, Ali Asllani e Prej Shkëndisë. Pseudonim letrar i asaj kohe, që edhe sot e kësaj dite nuk e di se, kush ishte autori i atyre poezive të zjarrta artistike mes faqeve të Librit të këndimit.

Dorën në zemër, vërtet më ka marrë malli për mësuesit e Ernest Koliqit, e jo këto të sotshmit të Ministrisë Arsimit e partive politike, që kurrë nuk kanë kapur ditar në dorë. E sot emërohen drejtorë shkolle e ministra të arsimit pa fije turpi. Mësuesë të politizuar deri në palcë me trumbetime partiake dhe me pak aftësi arsimore - edukative, plot patetikë patriotike - arsimore. Partizanë, që ditarin e arsimit e kanë shndërruar në libreza partiake. Kryetarë të komunave shqiptare, që ato pak mjete materiale në disponim, mirë do të ishte  t’i shpenzonin për lektyra shkollore e revista për fëmijë.

Aftësi “heroike” kanë më shumë për propogandë partiake, sesa për mbajtjen e orës së mësimit në klasë para nxënësve. Mezi presin 28 Nëntorin, që të zgjohen nga gjumi dimëror dhe para këmbëve të Kalit të Skënderbeut me flamurin kombëtar kuqezi krahëve t’i detyrojnë fëmijët të lexojnë poezi patetike për Atdhun. Festën multikulturore të“qebapit” dhe çajin e rusit, në Bit-Pazar. E, vetë si sulltanë të sotshëm strehohen në restorantet përreth në Çarshi të Bit - Pazarit Shkupit me rrugaçët “kuqezi”, kokë më kokë për kafe festive: (parulla “nacionaliste” përballë “Ilindenit”) komunist.

Punemadhe, që fëmijët dridhen nga i ftohti i Dimrit Madhi, së paku ta kishin krahëve gunën e ogiçit të Çobanit Sharrit (Farizit). Askushi nuk mendon për të nesërmen, që shumica e këtyre fëmijëve do të përfundojnë në spital. Flamurit mund t’i këndohet edhe në shkollë pa eufori patetike. Vetëmse, në shkollë nuk janë partizanët e partive politike, që t’u duartrokisin mësuesve “patriotë”. “Pishtarëve” të arsimit, që patriotizmin e shohin në rrugë, e jo në klasë: sesi, mbahet ora e mësimit, në çfarë gjendje i kanë shkollat, tekstet shkollore. Dhe, a kanë revista për fëmijë dhe lektyra shkollore?! Edhe, seç ma kujtuan kohën e “artë” komuniste të shokut Tito. Atëherë, kur dorë më dorë ia dorëzonim shtafetën shokut Tito për ditëlindje, i mbillnim pisha malet e shkruanim parulla politike kodrave. Po, cili mësues i artit figurativ, sot hynë në klasë me poezinë e Çajupit: Sulltani, përveç Mësues Danit?! Dorën në zemër. Askushi.

 

Jam sulltan, mbret i vërtetë,
shok të tjerë s’kam në jetë;
gjakëtor e zemërderr,
nga frika me bëjnë nder!
Dola nga fund’ i Azisë
si rrebesh’ i perëndisë:
Vrava, preva e shkretova,
botën me gjak e mbulova!’)
Kur zotova Anadollë,
erdha mora dhe Stambollë,
njerezit i shkova në thikë,
dhe, kush mbeti, rron me frikë!...

………………………………
Egërsirë si ariu,
me fytyrë si njeriu,
më dërgoi perëndia,
që të vuaj’ njerëzia!

…………………………….
Prisha, vrava, preva, hera!
Bëra, po ç’nukë kam bërë?
Prisha botënë të tërë!
Mysliman’ e të krishterë
Kam dërguar n’atë jetë,
më tepër se ç’vdiqnë vetë!
Jam i zoti, rroj me pallë,
s’dua te shoh njerëz të gjallë!
Nat’ e ditë gjak kërkoj,
pa pirë gjak s’munt të rroj!
Dhe tani q’u bëshë plak,
nukë munt të fryhem gjak!
Ata që kam nënë zgjedhë,
të mundije tok t’i mbledhë,
me dorë time t’i vrasë,
të pijë gjakn’ e rajasë!
Pse s’u be nga perëndia
me një kokë njerëzia,
që ta presë menjëherë,
të mos mbeteshin të tjerë!
………………………….
Qajnë! Po kush nukë qa?
Qajnë burra, qajnë gra,
qajnë maletë për pyje,
qajnë fushatë për lule!...
Kudo shkela u tha bari,
ç’la pushka e dogji zjarri!...
……………………………
Me punëra që kam bërë,
më duken armiq të tërë,
mysliman’ e të krishterë;
sa dhe trimat shqipëtarë
zun’ e më punojnë varrë!
…………………………….
Keshë kombn’ e Shqipërisë,
direk i gjithë Turqisë;
pse s’më priti sa të vdesë
pa të më dil i pabesë!
Me Shqipëri të leftonem,
kam frikë mos turpëronem;
kam frikë nga Skënderbeu
mos dalë prapë nga dheu!...

Fat i yni ishte ky historik, që kishim në ballë ato mësuesë të rritur me poezitë e Rilindasëve Shqiptar. Mësuesit e sotshëm, u lindën në sistemin komunist me poezinë e Koço Racinit: Duhanvjelësit dhe porositë e shokut Tito. Librat e këndimit, ku në ballë të klasës i priste fotografia e shokut Tito. Revistat për fëmijë, ku nateditë i këndohej shokut Tito dhe “vëllazërim-bashkimit” të sistemit komunist jugosllav.

Shqiptarët e vegjël, që nga bangat shkollore përgaditeshin për duhanvjelës, e jo për mësuesë, shkrimtarë, mjekë, inxhinierë e shkencëtarë. Ose, siç e ka thënë moti që në kohën komuniste poeti i madh Esad Mekuli: O vëlla, me sharrë në krah. Drutë e sulltanëve të Beogradit duhej t’i sharronte shqiptari për Dimër. E, vetë, gjatë gjithë Dimërit Madh strukej nën qilimin me këmbë arushe. Përçudi, askujt nuk i ka shkuar në mend asaj kohe se, ai i cili sharron drutë e sulltanëve për Dimër, një ditë do ta sharrojë edhe vetë Sulltanin këmbekokë. Zjarrin ta ndezi me flakë në oxhak, tymi t’i shkojë mbi çati plotë xixa për qielli mes yjeve.

Dhe, ajo ditë erdhi me struken krahëve. Tregimin e Pemës me fruta të atyre librave të këndimit që e kishim asaj kohe mes atyre faqeve mbi bangë: Mbollën të tjerët hëngra unë… Dhe, tash mbjellë unë, të hanë të tjerët. Petjetër, dha fruta.

Mësuesi im i atëhershën i artit figurativ, Ramadan Ramadani - Ballazhi, i cili në atë kohë të egër hynte në klasë me vjershën e Çajupit: Sulltani, sot në historinë artistike shqiptare arsimore po lë gjurmë edhe më të thella, përveçse si mësues edhe si piktor. Përderisa, dikur vargjet e Çajupit e dridhnin klasën, sot brusha e tij shkundi nga pluhuri historinë edhe përtej varrit.

Ngjarjet historike shqiptare, Ditën e sotshme po përjetësohen edhe në pëlhurë. Shpirt marrin t’i bëjnë ballë Ditës Nesërme me Kalë të bardhë nëpër botë.

Punë të mbarë mësues Dani, edhe në atë jetë!...

Hapja e ekspozitës figurative “Ballkanika” e piktorit të madh kërçovar: Ramadan Ramadani - Ballazhi (2014), në Kërçovë.