Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Vepër me peshë historike

| E diele, 06.11.2016, 10:58 AM |


Nga promovimi i Monografisë “Peja nëpër vite e shekuj” të autorit, Reshat Nurboja

Sejdi BERISHA:

VEPËR ME PESHË HISTORIKE DHE KULTURORE, KU TANI MUND TË MËSOHET PËR PEJËN DHE PËR VLERAT E PËRGJITHSHME KOMBËTARE DHE JO VETËM KOMBËTARE...!

(Reshat NURBOJA: MONOGRAFIA “PEJA NËPËR VITE E SHEKUJ”, botoi “Lidhja Qytetare e Kosovës” – 2016)

Në sallën e Teatrit të Pejës, “Istref Begolli”, në praninë e afro pesëqind dashamirëve të fjalës së shkruar dhe qytetarëve të tjerë, u promovua Monografia “Peja nëpër e vite e shekuj” e autorit, Reshat Nurboja. E vogël ishte salla për t’i zënë gjithë atë numër të qytetarëve të cilët ditën e premte kishin kthyer në ambientet e Teatrit të Pejës “Istref Begolli”.

Hapjen e këtij manifestimi jo vetëm letrar por edhe kulturor, e bëri kori i nxënësve të Shkollës së Muzikës “Halit Kasapolli” në Pejë e nën drejtimin e profesorit dhe kompozitorit shumë të talentuar, z. Memli Kelmendi. Pastaj, përkitazi me librin foli shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha dhe prof. Dr. Bashkim Rrahmani.

Këtë eveniment të rrallë letrar dhe kulturor e bëri edhe më madhështor "Okteti" i qytetit, kantautori Xhevat Kelmendi, prezantimi me këngët e tyre, finalistet e "Voice of Albania", Mjellma Berisha dhe Albina Kelmendi, artistët e njohur të këngës, Fatmir Bajraktari dhe Vëllaznim Sinani-Caki.

Ndërsa, moderimi i kësaj ngjarjeje letrare-kulturore nga znj.  Për këtë, znj. Xhenet Syka, i dha kulmin e performansës së mbrëmjes.

______________

Përkitazi me librin, foli shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA, i cili para se të fliste për Monografinë “Peja nëpër vite e shekuj” të autorit, Reshat Nurboja, ai sallës përplot dashamirë të librit dhe kulturës iu drejtua:

Përshëndetje të gjithëve.

Sa është kënaqësi, sa është madhështi e krenari të jemi kështu së bashku, në një manifestim ku promovojmë diçka me peshë, që vlerat tona i bën më të qëndrueshme, që historinë e bën më të ndritshme dhe pjesë të secilit qytetar.

Kjo është mirë, mburrje, dritë jete, por është edhe përgjegjësi, që për çdo punë dhe për çdo të arritur të jemi unikë dhe vetëm unikë, sepse, kjo është ajo rruga që edhe sot njeriut tonë i nevojitet më shumë se asnjëherë më parë.

Para se t’i them disa fjalë për Monografinë, “Peja nëpër vite e shekuj” të autorit Reshat Nurboja, dua t’u them se unë kam pas thënë, kam thënë, them dhe gjithmonë do them, se Peja nëpër damarët e trupit tim, qarkullon mu sikurse gjaku. Ajo, përjetësisht është pjesë e mendjes, trupit dhe e shpirtit tim, siç është edhe e juaja, besoj. Andaj, dua tua prezantoj disa vargje kushtuar Pejës, e që kujtoj se sadopak përputhen edhe me manifestimin e sontëm. Kjo poezi është mirëpritur e pëlqyer me qindra e qindra njerëz gjithandej botës ku jetojnë shqiptarët, e posaçërisht, pejanët.

 

Poezia titullohet, “Nëse ndonjëherë kthehesh në Pejë”:

 

Të lutëm

Nëse do

Ndonjëherë të më takosh

Kthe në Pejë

Po të shkosh atje

Do hasesh

Frymën dhe hijen time

Do lagesh me lotin tim

Mos harro

Në Pejë të shkosh

Edhe pse s’do të jam

Do të ke shumë mall

Për shtëpinë e gjyshit

Për gjuhën e nënës

Të lutem

Kthe në Pejë

Në Shatërvan

Pi ujë të freskët

Dhe shfletoje historinë e qytetit

Atë do ta gjesh

Ditë e natë

Në Çarshinë e Gjatë

Të lutëm

Kthe në Pejë

Kapeshnica ka ndryshuar

Edhe Jarina

Edhe Kakariçi

Edhe Karagaçi

Edhe Puhovci

Kthe në Pejë

Për ta kujtuar historinë

Për ta kënduar këngën

Sa do të përmallohesh

Duke shëtitur

Ndoshta pa njohur asnjë rrugë

 

Ndërkaq, duke folur për librin, ai në mes tjerash vuri në dukje se: Në këtë vepër-dokument e dëshmi, e cila këto ditë doli nga shtypi, autori, opinionit dhe lexuesve ua ka sjellë një rrumbullakim të vlerave historike, historiografike, kulturore, arsimore, shkencore, ekonomike dhe shoqërore që nga kohërat më të vjetra. Ai, në këtë libër ka shtruar e përjetësuar një materie e një material të rrallë dhe përmbajtjesor, si dëshmi të rrallë, që kësaj qendre komunale me rëndësi të veçantë i ka munguar deri me tash, e cila dëshmi reflekton rrugëtimin historik dhe shkencor e kulturor të Pejës nëpër vite e shekuj, nëpër periudha të ndryshme kohore.

Shprushje dhe begatim i shkencës dhe i historisë

Sejdi Berisha, në vazhdim theksoi se Monografia “Peja nëpër vite e shekuj” e Reshat Nurbojës, pa hy tani në analiza të thella, i ngjanë një stralli mbase një drite që zbardhë e përshkon të kaluarën e këtij qyteti, të këtij vendbanimi, i cili, padyshim se tash ka një peshë të re të veçantisë por edhe të rrugëtimit historik, ekonomik, kulturor, politik dhe arsimor e shkencor.

Këto veçanti, autori i ka vënë në piedestal përmes literaturës së shumtë, përmes shënimeve nga më të lashtat e deri në ditët e sotme. Andaj, ky dokument-histori, tani, në mos asgjë tjetër, sot do të shërbejë edhe si shprushje dhe plotësim i diturisë, i shkencës dhe i historisë, me dëshmi e dokumente për zhvillimin e përgjithshëm të kësaj qendre komunale me bagazh të madh historik, e cila, deri me tash ka qenë një dëshmi kohe e shkapërderdhur nëpër shkrime e dokumente, shumë prej të cilave edhe atëbotë janë shkruar sipas aktualitetit shoqëror dhe politik.

Vepër e cila sikur historinë e Pejës dhe më gjerë e sjellë në shuplakë dore...

Andaj, tha në mes tjerash, Sejdi Berisha, kjo vepër, në të cilën janë prezantuar shumë dëshmi, dokumente dhe foto nga më të vjetrat, pothuaj se detalisht janë përjetësuar ngjarje historike, kulturore, ekonomike, arsimore dhe shkencore, të cilat sikur historinë e Pejës e sjellin në shuplakë dore tek secili lexues dhe tek i tërë opinioni i gjerë.

Janë përjetësuar emra e emra të fushave të ndryshme, të cilët tash, lashtësinë, të kaluarën historike, të djeshmen dhe të sotmen e kësaj ane e kanë bërë shumë më me peshë, por edhe më me vërtetësi për heqjen e dilemave, për rrugëtimin e Pejës dhe të banorëve të saj.

Pra, Monografia “Peja nëpër vite e shekuj” e Reshat Nurbojës, tani është thesar që i ngjanë një stacioni prej nga secili mund të orientohet, dhe nga këtu për të mësuar e ditur për vlerat tona të përgjithshme kombëtare dhe jo vetëm kombëtare, vuri në spikamë, shkrimtarit dhe publicisti, Sejdi Berisha, në fund të fjalës së tij përkitazi me Monografinë “Peja nëpër vite e shekuj” të autorit, Reshat Nurboja.