E enjte, 25.04.2024, 09:22 AM (GMT+1)

Editorial

Bajram Kabashi: Ku mund të na shpie fshehja dhe ndrydhja e ndjenjave e bindjeve fetare e njerëzore, Qemal Morina?!

E shtune, 23.08.2008, 08:00 PM


KU MUND TË NA SHPIE FSHEHJA DHE NDRYDHJA E NDJENJAVE  E BINDJEVE  FETARE E NJERËZORE, QEMAL MORINA?!

Disa fjalë e mendime për një reagim të çuditshëm  të mr. Qemal Morinës, prodekan në  Fakultetin për Studime Islame në Prishtinë, të bërë në të përditshmën Express, më 14.08.2008

Nga Bajram Kabashi

Afro tre dhjetëvjetsha të kaluar në profesionin e gazetarisë e publicistikës në Kosovë,- në mënyrë aktive atje, e pasive qëkur jam në mërgim në Norvegji, pothuaj që s'më ka ndodhur,  sikurse kësaj rradhe, që të vihem para një dileme se a duhet t'i përgjigjem dikujt apo jo, të përgjigjem për diçka që njeriu nuk ka nevojë të përgjigjet e as të shprehet e sqarojë publikisht pos nëse në një a mënyrën tjetër është i detyruar, pra i pyetur nga dikush për të dhënë sqarime. 

Eshtë plotësisht e vërtetë se une me gruan e vajzën time, sikurse dhe familjet Mehaj e Maksutaj nga komuna e Burimit (ish-Istogut), jemi pagëzuar në Kishën Katolike të Zallkuqit (Zllakuqanit), në fund të korrikut dhe në fillim të muajit gusht. Por,ne, nuk kemi ndërruar fe, s'jemi konvertuar nga islami në katolicizëm, siç dëshiron të na paraqes Qemal Morina me kokëfortësi të çuditshme në një reagim të çuditshëm, aty-këtu jologjik dhe pa ndonjë pedagogji, kulturë kombëtare e respekt njerëzor  dhe për fatin e keq të tij si pedagog me emër e post të nderuar në një fakultet të nderuar,- siç është Fakulteti për Studime Islame në Prishtinë, me shpjegimet e tij jointelektuale ai e përdhos, fyen e keqinterpreton,- me qëllim a pa qëllim kjo nuk është aq me rëndësi, historinë e vuajtur të të parëve tanë, të gjyshërve e stërgjyshërve që për shkak të lirive të mëdha që i kanë gëzuar nën pushtime(!), u është dashur të lënë e marrin fe e ndërrojnë kombësi në mënyrë vullnetare!?...

Qemal Morina nuk e kupton apo nuk do ta kuptojë se në Kosovë e në trojet shqiptare në përgjithësi, pra gjithkund ku mundi të ruhej gjuha shqipe e populli nuk u greqizu, maqedonizu,serbizu, malazezizu e boshnjakizu, përpos atyre shqiptarëve që vazhduan ta praktikojnë besimin islam ishin edhe shqiptarët që e ruajtën besimin ortodoks e katolik e në këtë kontekst ishte dhe është edhe pjesa më e madhe e popullit tone që mund t'i quajmë indiferentët fetar, laramanët apo kriptokatolikët. Pra shpjeguar me gjuhën psikologjike këta janë ata që s'kanë lënë diçka me ëndje dhe s'kanë dashur të marrin diçka pa ëndje, kundër vullnetit të tyre, në kundërshtim me gjuhën e zemrës, ndjenjat e ndjesitë e tyre shpirtërore. Une dhe të pagëzuarit e tjerë me atë rast jemi ndër këta të fundit. Kur e kemi ndërmarrë vendimin tone për t'u pagëzuar, pra për ta përfunduar një dilemë e ngarkesë të panevojshme shpirtërore, as që kemi menduar  e paragjykuar se a do të na përkrah a mohoj në qëllimin tone Qemal Morina , Krist Kristaj i supozuar apo prapambeturie haxhiqamile e katundeve tona…        

Bjeshka nuk ka ardhur tek ne, por ne shkuam tek ajo, pra ne e lypëm e gjetëm në Kishën Katolike të Zallkuqit, priftin e zgjuar Don Pren Kola, të cilit z.Qemal Morina mëkot i bije në qafë. Atë ne nuk e njihnim më pare andaj të kishim lutur që t'i heqësh nga koka yte ato "teoritë konspirative" për ca interesa të Serbisë etj, etj. Ato janë fryt i një gjykimi destruktiv e mënyre negative të të menduarit. As paraqitja ime në të përditshmën Koha Ditore, nuk ka të bëjë aspak me mënyrën siç keqinterpreton ti këtë çështje. Une asnjëherë, as dje, as sot, as nesër  nuk kam folur e as kam zemër të flas ndonjë fjalë të keqe ndaj ndonjë besimi, pra as ndaj besimit islam. Ajo që kam folur e do të flas lidhet në fushën e keqinterpretimit e keqpërdorimit të fesë për qëllime e efekte politike, asaj ortodokse në rastin e Shqipërisë ku Anastasios Janullatos i Greqisë padrejtësisht e udhëheq KOASHin, duke dashur të krijoj në rradhë të parë indiferencën e besimtarëve ordodoksë shqiptarë  ndaj kombit në frymën e shumë e shumë grekomëdhenjve, sikurse edhe të Titoni Venizellosit kur kanë dashur ta aneksojnë Korçën shqiptare,(Venizellos:"Korçarët janë shqiptarë, por kanë ndërgjegje greke!"), si hap të parë e si hapa të tjerë dashurinë për grekët e Greqinë,etj, etj; ndërsa pas luftës nacional-çlirimtare të UÇKsë  e deri sot e edhe më tej do të shkruajë e mendoj për pasojat e islamizmit politik në Kosovë. Kjo që po ndodhë në Kosovë i dashuri Qemal Morina i ka kaluar suazat  e veprimtarisë normale fetare. Ndikimi nga jashtë, sidomos nga Lindja e Mesme, për ç'gjë përgjegjësinë kryesore e bartë Bashkësia Islame e Kosovës, ka bërë që feja islame në Kosovë të cilën e praktikojnë një masë e konsiderueshme e popullit, të shkëputet nga tradita islame vendëse. Këtë une e kuptojë si një përpjekje perfide për ta goditur integritetin e kombit dhe harmoninë e domosdoshme brendakombëtare. I nderuari Qemal Morina flet për njëfarë "harmonie fetare" e kombëtare në stilin "ne i kemi lejuar" etj, etj.  Une e pyes z.Qemal Morina se kush qenkit "Ju"? A je ti shqiptar apo mysliman në rradhë të parë, Qemal Morina?

Me shprehje të tilla e fyen parasëgjithash Bashkësinë Islame të Kosovës sikurse edhe vet Fakultetin për Studime Islame në Prishtinë sepse para popullit shqiptar flet në stilin joshqiptar "ne kemi lejuar",etj. Kujtoj se ndaj paraqitjes së tillë do të ishte dashur të reagonte para meje Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Instituti Historik i Kosovës, Instituti Albanologjik i Kosovës, Ministria për Arsim e Kosovës, etj, etj, sepse përmes një fjalori të tillë jonjerëzor e fyen historinë kombëtare, përhap urrejtje ndërfetare me një fjalë ndihmon të lind një e keqe që s'është e njohur në historinë e këtij trolli: racizmin brendakombëtar! Nëna Tereze nuk duhet nga shumëfetaria  shqiptare se ajo është katolike, por se njihet e vlerësohet nga e gjithë bota e qytetëruar për vepër humane në favor të njerëzimit; Papa Albani nuk është e thënë të pranohet për shkak se ai ishte papa i parë shqiptar në rradhë të parë, porse vepra e tij e jashtëzakonshme e ka nderuar historinë e kulturën e kombit, Abdyl Frashëri, Haxhi Zeka, Gjergj Fishta e deri tek Adem Jashari, nuk njihen, duhen e nderohen nga kombi se i kanë takuar kësaj a asaj feje, por se kanë bërë vepra të jashtëzakonshme në favor të ndërtimit kombëtar, kulturës shqiptare dhe Atdheut!

Prandaj, "zemërgjerësisë" tënde i themi: Falemnderit! Nuk je as ti e as njerëzit si ti ata që mund t'ua japin e t'ua marrin të drejtat të tjerëve …

Këto të drejta na i garanton edhe Kushtetuta e tashme e Kosovës të cilën ti duhet ta lexosh dhe interpretosh ashtu siç duhet, se me gjithë të metat që mund t'i ketë si pasojë e ndikimit të Planit Ahtisari,- pra me gjithë faktin se ajo nuk është Kushtetutë çfarë do të duhej ta kishte një popull sovran, megjithatë ajo është Kushtetuta e vendit tënd e jo Sheriati! Qoftë si Bashkësi Islame e Kosovës a qoftë si Fakultet për Studime Islame, Juve u takon që ta interpretoni dhe respektoni Ligjin për Mbrojtje nga Ndotja Akustike, që me atë a emërtim tjetër duhet të ekzistojë në atë kushtetutë. Feja islame, sikurse cilado fe tjetër pa përjashtim, duhet të ekzistojë për vete e jo për të tjerët; besimtari duhet t'i lutet Zotit apo Allahut për vete e jo për të tjerët. Dehja e askujt nuk është dehja a mahnitja ime! Nuk ka nevojë e madje është e ndaluar me ligjin e cekur që duhet ta përmbajë Kushtetuta e Kosovës, që përmes altoparlantizmit të bëhet zhurmë tejet shurdhuese fetare, në rastin konkret zhurmë dhe propagandë e palejuar islame. Nëse vazhdohet kështu pra nëse nuk respektohet ligji në mënyrë strikte për të gjithë ata që e shkelin atë, atëherë kjo jo vetëm që është torturë por edhe padrejtësi historike ndaj jetës kombëtare shqiptare. Dukuria e tillë quhet islamizim i dhunshëm, vërshim dhe mbytje e jetës kombëtare…

Qemal Morina,

Nëse nuk jemi kuptuar atëherë mund t'a vazhdojmë debatin, por së pari të kisha lutur që as ti e as të tjerët që u "tronditën" nga akti ynë njerëzor, -që është fryt i dëshirave e synimeve tona të pafshehura, të mos përhapni të pavërteta e disponime negative të të tjerëve ndaj nesh. Të them kështu se për herë të parë në jetën time pas pagëzimit pata dhe patëm mundësi ta shihnim e përjetonim injorimin e përpjekjen e organizuar(!) të disa "turqve" të jetës sonë për të na futur në getot e imagjinatës së tyre. Gjëra të tilla nuk guxojnë të ndodhin në Kosovën shqiptare. Për herë të parë e pashë dhe e pamë se katoliku i imagjinatës së tyre nuk bëka të jetë pjesë e "tyre"! Ky antishqiptarizëm i pavetëdijshëm, apo kjo ndërgjegje "turke", duhet të luftohet që në start. Kjo është mungesë flagrante emancipimi shoqërore e kombëtar andaj me këtë çështje pashtyshëm duhet të merret politika e Kosovës, Ministria për Arsim dhe ajo për Kulturë e Kosovës.Përkundër faktit se ndërsymjet e tilla mund të lënë pasoja mes vëllezërish, pikëpamjet e bindjet tona për pagëzimin tonë në katolicizëm nuk ndryshojnë se ato kanë qenë paraprakisht të mendura. Nuk e dijmë ende se kush qëndron pas një tendence për të na leçitur e parë në sytë e disa syleshëve e primitivëve  si "të tjerë", si "katalik", si "katalikt e Zllakuqanit" etj e marrëzira të tjera, por e themi hapur se jemi krenar që në kushtet e rrethanat e lirisë që ka ardhur të përcaktohemi lirisht për çkado e mos t'i ndrydhim ndjenjat e bindjet tona fetare e njerëzore. Edhe ti duhet të jeshë i lumtur për këtë vendim tonin ashtu sikurse edhe për ndjenjën e kënaqësisë e të triumfit që e paske parë e hetuar tek vëllai yt, prifti Don Pren Kola.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora