Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bashkim Saliasi: Ndëshkimi

| E hene, 31.10.2016, 12:30 PM |


Ndëshkimi

dhe disiplina pozitive në raportet mësues-nxënës

Nga Bashkim Saliasi

Për të edukuar sjelljen e fëmijës në mënyrë pozitive, na duhet të zbulojmë mjedisin e tij të plotë ku  ai jeton e mëson, si dhe faktorët që mund të ndikojnë  në sjelljen e tij në nivel personal, familjar dhe komunitar.

Nëse mësuesi ndien kënaqësi nga profesioni i vet, ai duhet të përpiqet t’a zbukurojë jo vetëm jetën e tij, por edhe jetën e të tjerëve, sepse gëzimi i tij varet nga gëzimi nxënësve që mëson dhe edukon gjatë viteve të ushtrimit të profesionit.

Drejtimi efektiv i orës së mësimit është aftësia më e rëndësishme dhe më e vështirë jo vetëm për mësuesit e rinj, por edhe për mësuesit me më shumë eksperiencë. Natyra e rregullave në klasë dhe e rutinës, si dhe mënyra sesi përpilohen ato, ndryshon në varësi të kulturës dhe profesionalizmit të mësuesit.

Mësuesit i del për detyrë të organizojë lidhje të ngushta me prindërit, udhëheqësit komunar dhe organizatat vendore për të identifikuar dhe zgjidhur çdo situatë të vështirë me të cilën fëmijët përballen e reflektohen në sjelljen e tyre.

Ende sot vazhdon të përdoret ndëshkimi fizik

Kjo ndodh sepse shumë mësues nuk e kuptojnë ende se ndëshkimi ndryshon nga disiplina pozitive e cila shfrytëzohet për t`u mësuar fëmijëve sjellje të reja, korrekte pa patur frikë se do ndëshkohen.

Përvoja tregon se ndëshkimi fizik i shkakton fëmijës ndjenjën e turpit, të ankthit, agresivitetin, ndjenjën e fajit, mungesën e pavarësisë dhe kujdesit për të tjerët, duke u bërë problem për mësuesit, kujdestarët dhe fëmijët e tjerë.

Për të ndërtuar raporte pozitive me fëmijët dhe të arrijmë rezultate të mira në mësime, mësuesit i del si detyrë të gjejë rrugët që të gjithë fëmijët të mësojnë së bashku.

Format e ndëshkimit fizik dhe emocional ushtrojnë trysni, dhunë dhe shkelin të drejtat më elementare të fëmijëve. Rrahja e fëmijës, goditja me shqelm, shkulja e flokëve, ushtrimet e rënda fizike etj shkaktojnë dëmtime e dhimbje fizike, por po aq edhe dhimbje të pashërueshme psikologjike.

Ndëshkimi fizikë i pengon fëmijët të bëjnë pyetje, ai u mbyt atyre iniciativën dhe shpirtin krijues. Fëmijët e ndëshkuar ndihen të dëshpëruar,  kanë gjendje të lartë depressive, janë të prirë për hakmarrje, shfaqen tepër agresiv, zemërohen dhe reflektojnë gjendje të rënda kaotike sjelljeje dhe shpirtërore.

Këta fëmijë priren të lënë shkollën apo të dalin në rrugë, të përdorin ose të shesin cigare e drogë, ose të merren me veprimtari të tjera jashtë moralit të shoqërisë apo të paligjshme. Ndëshkimi fizik shkakton zemërim dhe armiqësi, i cili bëhet shkak për të prishur raportet e mira dhe të mirëbesimit mes mësuesit dhe nxënësit apo midis shokëve të vet.

Lind pyetja: Ç’është disiplina pozitive?

Përvoja na mëson se disiplina është një proces i  të mësuarit të një personi që t’u bindet rregullave, e cila nënkupton zhvillimin e sjelljes së fëmijëve për vetëkontroll ose besim, që të jenë në harmoni me veten e tyre dhe të shkojnë mirë me të tjerët.

Disiplina pozitive është mënyra më e mirë për të shmangur sjelljet jo të mira nëpërmjet sjelljeve pozitive shpërblyese. Disiplina është vetëkontroll, i ndihmon dhe përgatit fëmijët të mësojnë të kontrollojnë veten e tyre, duke përmirësuar vazhdimisht sjelljen dhe qëndrimin ndaj jetës dhe procesit të të mësuarit.

Ata kanë nevojë të mësojnë, të kuptojnë dhe respektojnë rregullat e shoqërisë dhe të reagojnë ndaj metodave pozitive, diskutimeve dhe shpërblimit, sesa ndaj ndëshkimit fizik. Fëmijët ndryshojnë vazhdimisht dhe zhvillohen duke u rritur.

Po, cilat janë disa nga parimet e disiplinës:

Respektimi i dinjitetit të fëmijës.

Zhvillimi i qëndrimeve personale, vetëdisiplinimi dhe karakteri.

Gjallërimi sa më shumë i pjesëmarrjes së fëmijëve

Respektimi i zhvillimit të kërkesave të fëmijës dhe cilësia e jetës.

Respektimi i motivimit të fëmijës dhe botëkuptimi i tij.

Garancia e barazisë dhe drejtësisë.

Nxitja e ndjenjës së solidaritetit.

Thelbi i disiplinës së mirë është zbulimi dhe evidentimi i nxënësit, kur bënë vepra të mira, atëherë ai ka nevojë t`i vihen në dukje veprimet dhe sjelljet e mira, deri edhe të lëvdohet menjëherë. Përdorimi i disiplinës pozitive bënë që mësuesit  të besojnë  në aftësitë e nxënësit dhe të përcjellin tek ata respekt dhe dashuri.

Cilat janë raportet mësues nxënës?

Mësuesit që përdorin disiplinën pozitive i respektojnë, edukojnë dhe i mbështesin nxënësit e tyre, duke ndërtuar marrëdhënie pozitive  mbi bazën e të kuptuarit dhe mirëkuptimit,duke bërë që nxënësit të kenë besim te mësuesit, të vlerësojnë qëndrimet e tyre.

Kur mësuesit ndërtojnë marrëdhënie të mira me nxënësit ata përpiqen t`i imitojnë dhe,në kësi rastesh ata  shkojnë mjaftë mirë,mes tyre krijohet një klimë besimi dhe mirëkuptimi, ata e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin.

Fëmijët mësojnë dhe sillen edhe të ndikuar nga faktorët e trashëgimisë, nga mjedisi ku jetojnë,  por edhe nga nevojat e tyre personale e psikologjike.

Objektivi kryesor i sjelljes së nxënësit është të plotësojë nevojën e përkatësisë. Pra ata kanë nevojë të ndjejnë veten e tyre të aftë për të përmbushur detyrat, të komunikojnë me sukses me shokët dhe mësuesit dhe të kuptojnë se kontributi i tyre në grup është i rëndësishëm.

Për të plotësuar këto kërkesa nxënësit kanë nevojë në cilësinë e marrëdhënieve mësues-nxënës bazuar në mirëbesim dhe respekt reciprok, nxitjen e klimës  së suksesit në klasë për të vlerësuar kontributin e punimit në grup.

Një objekt i rëndësishëm i mësuesit është të tregojë vëmendje, për të cilën nxënësit kanë nevojë, që të zhvillojnë vetëvlerësimin e shëndetshëm.

Disa nga veprimet e disiplinës

Tregoni interes kur nxënësit sillen mirë, lëvdoni kur nuk e kërkojnë dhe nuk sillen keq.

Injoroni sjelljen jo të mirë.

Mësojini ta kërkojnë vëmendjen.

Jepuni një shikim indiferent, por mos flisni.

Qëndroni më shumë afër sesa larg tyre.

Drejtohuni me emër nxënësit.

Bëni gjëra të befasishme.

Tërhiqjani vëmendjen nxënësit, duke bërë pyetje të drejtpërdrejta.

Parimi i përgjithshëm për të reaguar ndaj nxënësit që kërkojnë vëmendje është:

-Kurrë mos u kushto vëmendje kur e kërkojnë dhe në rastet e sjelljes së mirë. Ndihmojini nxënësit të motivohen vetë. Kushtohuni vëmendje kur ata nuk e presin. Kapini në çaste kur ata tregohen “të mirë”. Si përfundim, kur nxënësit ndihen të paaftë, mësuesit i del përpara një detyrë e vështirë që të rivendosi tek ata besimin në vetvete dhe t`i inkurajojë duke i lavdëruar qoftë edhe për arritjen më të vogël...