Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bashkim Saliasi: Faleminderit miku ynë Viron Kona!

| E diele, 30.10.2016, 12:55 PM |


Faleminderit miku ynë Viron Kona!

(Reportazh nga shkolla “Vëllazërimi” Babrru-Kodër, Tiranë)

Nga Bashkim Saliasi

1.

Kur me shkrimtarin Viron Kona mbërritëm në shkollën Babrru-Kodër, na pritën buzagaz  mësuesit Caush Kullafi dhe Floresha Bilo. Ndërsa përshëndetej përzemërsisht me shkrimtarin, Caushi tha: Sivjet, shkolla mbush 50 vjet nga dita e krijimit, por është hera e parë që kemi një shkrimtar mes nesh... Në oborr, edukatoret e kopshtit Marie Ndoka dhe Engjëllushe Ballgjini zhvillonin orën e edukimit fizik, teksa vogëlushët kryenin ushtrimet që udhëzonin edukatoret dhe shihnin me bisht të syrit shkrimtarin që afrohej buzagaz. Befas drejt tij u derdhën si zogj disa nga fëmijët. Me zërat e tyre fëmijëror, kush e kush më parë, ata i uruan shkrimtarit mirëseardhjen në shkollën e tyre...U duk që kjo pritje e emocionoi Viron Konën, veçanërisht kur ai pa të shkruara dhe të vizatuara në bluzat e bardha të atyre vogëlushëve tituj e disa prej librave të tij. Fëmijët prezantoheshin: Laura, “Eh, more Bubulino”!  Ergita,” Pëllumbat”! Erisa, “Ujkonja”! Olsi,  “Bubulinoja çamarrok”! Klaudio, “Pyesni Bubulinon”! Amelja,  “Bubulino dhe Dardi”! Alesja,  “Drithërimat e yjeve”... Pastaj: ”Papagalli Cate”, ”Delfini i dy deteve”, ”Kolipoci, ngrënësi i qershive”...

Në hyrje të klasës, mësues e nxënës u uruan mirëseardhjen shkrimtarit, drejtoreshës së shkollës znj. Merita Prenga, kryetares së Bordit Dëshira Xhana, zëvendësdrejtorëve Irena Pali dhe  Bashkim Saliasi, si dhe prindërve të pranishëm në atë veprimtari.

Pas Himnit të Flamurit, i erdhi radha shkrimtarit, i cili me emocionin e natyrshëm për atë pritje aq të ngrohtë dhe miqësore, shprehu gëzimin dhe falënderimet e tij.

”-Ju,-nisi ai,-i doni librat dhe kjo më gëzon shumë, por gëzon shumë edhe mësuesit dhe prindërit tuaj. Detyra juaj tani është të mësoni dhe të bëheni të ditur, të bëheni fëmijë të sjellshëm dhe të edukuar, kurse nesër të jeni qytetarë të nderuar të atdheut...-Sot, unë ndodhem përpara një provimi, ku komisioni i vlerësimit jeni ju të dashur fëmijë? Ju vërtetë keni emocionin e takimit me një shkrimtar, por, këtu, më i emocionuari nga të gjithë jam unë. Lutem më bëni pyetje dhe, pas përgjigjeve, jeni juve që do të më vlerësoni, do të më vinin notën si mua ashtu dhe librave që kam shkruar...Si thoni?

Kështu, ky njeri tepër modest, autor i një bibliotekë të tërë me rreth 40 libra të krijuar, fliste dhe bashkëbisedonte aq lirshëm dhe çiltërsisht me lexuesit e tij të vegjël, që e shihnin në dritë të syrit sikur t`ia përpinin fjalët dhe mendimet, teksa në vështrimet e  ëmbla dhe të pafajshme shprehej dashuria për jetën, shfaqej imagjinata e tyre e bardhë, ku ata shkruanin çdo ditë jetën dhe të ardhmen...-Tani, ju lutem, më bëni sa më shumë pyetje, ashtu siç i keni, siç ia thoni ato njëri-tjetrit, zëreni se unë jam njëri nga ju...

Astrit Dervishi: -Libri që unë lexova, “Kolipoçi, ngrënësi i qershive” më pëlqeu shumë. Mund të më thoni ç’farë ju frymëzoi që ta shkruani këtë libër?

-Edhe unë kam qenë i vogël dhe doemos që më pëlqenin frutat: mollët,  qershitë, ftonjtë, kumbullat, dardhat, rrushi, pjeshkat, por më shumë nga të gjitha  më pëlqenin qershitë. Veçse, në lagjen tonë, pemë qershie kishte vetëm një komshi, i cili e kishte shtëpinë fare pranë shtëpisë sime. Unë, ngaqë i doja shumë, sytë më shkonin herë-herë si padashur tek kokrrat e qershive të pjekura dhe flakë të kuqe të komshiut. Ato sikur ma bënin me sy: më kërkonin pranë, apo, më shumë i kërkoja unë? Dhe, aty...si t`jua them... gabova...kalova gardhin me kallama, zgjata duart te pema dhe, në fillim këputa një kokërr dyshe, pastaj dhe një tjetër, më tej “oreksi vjen duke ngrënë”, mbusha duart dhe nisa të haja pa u ndalur e tërë qejf...Papritmas...dikush më kapi për veshësh dhe...

Ja, kështu nisin kujtimet, nisin tregimet, zhvillohen ngjarje që më kanë ndodhur mua kur isha i vogël, ju ndodhin juve, kanë ndodhur me fëmijë të tjerë...Por, dikush duhet t`i tregojë ato, edhe për t`u argëtuar, por edhe për t`u edukuar, në mënyrë që atë gabim që e bënë dikush, që e bëra unë duke u futur pa  lejë në kopshtin e fqinjit për një grusht qershi, të mos e përsëritja më... S`ka përse futemi pa lejë në kopshtin e tjetrit. Kur jemi pranë pemës së madhe të qershisë dhe ato na tundojnë, na tërheqin me një forcë që nuk e ndalim dot tek vetja, sepse na hahen aq shumë, atëherë mund t`i drejtohemi pronarit  me fjalët magjike...Cilat janë këto fjalë magjike?-pyet shkrimtari. Dhe, nxënësit, përgjigjen:

-Të lutem...! Ju lutem...!

-Të gjithë, edhe të rriturit kanë qenë fëmijë, edhe ata kanë ëndërruar të bëhen dikush në jetë, edhe juve sot ëndërroni,keni ëndrrat dhe dëshirat tuaja...Me siguri, nga  ju do të dalin edhe shkrimtarë, piktorë, muzikantë, mësues, bujq e punëtorë, specialistë të fushave të ndryshme, shkencëtarë, deputetë, politikanë...Të gjitha profesionet kanë rëndësi, por në radhë të parë, duhet të jeni njerëz të mirë, të ditur...

Biseda rrëmbente vetë shkrimtarin, rrëmbente neve dëgjuesit, por akoma më shumë lexuesit e vegjël, që vijonin me pyetje pa fund:

-Cili nga librat tuaj ju pëlqen më shumë?

-Të gjitha më pëlqejnë sepse i kam shkruar me shumë dashuri, por juve çfarë mendoni? Çfarë ju pëlqen juve apo do t`ju pëlqente më shumë, kjo ka më shumë rëndësi...

-Cilën vepër ke shkruar më shpejt?

-Atë që e kam pasur më shumë për zemër, ajo që më ka lënë më shumë mbresë,që më ka lënë pa gjumë, ajo për të cilën jam munduar apo kam vuajtur... Për shembull, librin “Drithërimat e yjeve”  e kam përjetuar fund e krye, sepse kam qenë edhe vetë në emigracion, si shumë njerëz që ju njihni, prindër apo të afërm tuaj... Dhe, dëgjoni, sapo ju vjen mendimi, hidheni në letër, mos thoni “oh, tani do të luaj, s`kam kohë, do të filloj ta shkruaj nesër!” Jo, duhet të filloni ta shkruani pa humbur kohë.. se, mendimi është si zogu që ke në dorë, po e lëshove ai fluturon...Sigurisht, me këtë nuk dua t`ju them që të kapni zogj...! (Të gjithë qeshim)

-Pse Bubulinoja ju ka frymëzuar më shumë nga personazhet e tjerë?

-Sepse tek ai personazh dhe tek ai libër ka copëza nga jeta ime dhe e fëmijëve të mi, nga jeta juaj, sepse atje ka ngjarje të jetuara, të vërteta,që kanë ndodhur apo mund të ndodhin. Fëmijët duhet të lexojnë të vërtetat e jetës, ato që ndjejnë dhe përjetojnë dhe, jo fabula e ngjarje të sajuara apo moralizime. Në libra ata duhet të shohin sesi gjallëron jeta e tyre, e shoqeve dhe e shokëve, por edhe si do ta dëshironin ata jetën, të sotmen dhe të ardhmen...Këto shkrimtari i shpreh nëpërmjet imagjinatës së tij krijuese, nëpërmjet fantazisë së tij, ai i përpunon në laboratorin e tij krijues, ashtu si bujku u shërben bimëve që ato të rriten të shëndetshme...

-Miardela Dokushi: -Sa ka ndikuar qyteti i Vlorës në krijimtarinë tuaj?

-Ka ndikuar shumë, por më shumë lagjja “Skelë” ku jam rritur, bregu i detit, shokët e mi të vegjël, por edhe bukuria dhe egërsia e dallgëve, erërat e fuqishme dhe stuhitë, ngjarjet që atje kanë ndodhur në vite...Fëmijët kanë shumë fantazi, e shohin gjithçka me imagjinatën e  tyre. Për shembull në breg të detit ku ne luanim  ndodhej një vapor i mbytur që gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore. Ne hipnim tek ai vapor i ndryshkur dhe luanim role të ndryshme, dikush kapiteni, dikush marinar, dikush timonier...Në fëmijëri ngjarjet, ndodhitë, sendet, të  gjitha, kanë forcë tërheqëse, si një magnet...Por, po aq tërheqëse kanë qenë edhe llojet e peshqve që ne i dinim një për një, por, sidomos, delfinët, që lundrojnë aq bukur mbi dallgë...Na tërhiqte shumë edhe lundrimi me varka, me anije, hipja në vaporë deri edhe lundrimi me nëndetëse...

-Ke lundruar edhe me nëndetëse?

-Po, një tregim të veçantë me këtë temë, kam botuar në librin “Nëndetësja”, që e keni në bibliotekë. Shumë ngjarje, shumë histori ka secili, por shkrimtari i shkruan ato, kompozitori i nxitur apo frymëzuar prej tyre krijon muzikë, këngëtari i këndon...Po piktori? Ai i pikturon me ngjyra. Po skulptori? Ai gdhend në gurë, i derdh në bronz...Mendoj se isha me fat që e kisha shtëpinë në breg të detit, por, kudo mund të jesh me fat, fati nuk vjen vet, fati shkon tek ai që e kërkon. Je me fat në qoftë se je i vëmendshëm dhe dëshiron t`i përjetësosh dhe t`i shkruash gjërat. Pse, pak ngjarje të bukura ndodhin mes njerëzve që jetojnë e punojnë në fshat e qytet? Në lugina dhe në male? Ka shumë episode e  ngjarje emocionuese mes jush, mes shoqeve e shokëve, në shkollë, në shtëpi, në rrugë, në oborrin ku luani... Kudo, jeta  zien, gjallëron... Ai që është i vëmendshëm, i kërkon dhe i shkruan. Fabulat dhe motivet e tregimeve, të vjershave i kemi fare pranë, s`kemi përse i sajojmë artificialisht...Po i sajuam, ato nuk duken shumë tërheqëse. P.sh, edhe juve, besoj, por edhe ne të rriturve, na pëlqen më shumë një tufë me lule të freskëta e plotë aromë të mbledhura në kopshtet e shtëpive se sa një tufë lulesh artificiale të përgatitura në punishte,apo jo? Juve shkruani vjersha, bëni punë me shkrim, përpiqeni të krijoni thënie të bukura, një tregim, një poezi, një këngë, një vizatim...Aty, nga të voglat, nisin dhe gjërat e mëdha, veçse duhet pasion, dëshirë, vullnet, dashuri, por edhe këmbëngulje e madhe,  vendosmëri...

-Çfarë është krijimtaria, talent apo punë?

-Edhe talent, edhe punë, të dyja bashkë, madje, më shumë punë...Mund të jesh i talentuar,por po ishe dembel nuk nxjerr gjë në dritë...Dembelët nuk e zhvillojnë dhe nuk e çojnë dot deri në fund talentin e tyre, punën e nisur e lënë në mes të rrugës. Në qoftë se nuk e ndjen veten shkrimtar, ti mund të bëhesh një piktor, një muzikant, por ti mund të bëhesh edhe një punëtor i mirë, një bujk, një biznesmen, një mjek, një agronom... Jeta është e gjerë, ka llojshmëri pasionesh, e pra, le të zgjedhim atë që na përshtatet dhe t`i futemi punës...Sigurisht, tani ju keni shkollën,ajo është detyra juaj, çojeni gjer në fund duke mësuar sa më mirë.

Olsi Lica: -Përse nuk u bëtë mjek, por shkrimtar dhe mësues?

-Letërsia më ka pëlqyer më shumë, më ka tërhequr si magnet dhe, unë, zgjodha profesionin e bukur dhe fisnik të mësuesit. Sigurisht edhe mjek do të më pëlqente...

Ergita Suli: -Nga u erdhi frymëzimi për emrat e personazheve Bubulino dhe Dardi, të cilët zënë vend të rëndësishëm në librat tuaj?

-Emrat e personazheve i kam gjetur midis jush, por akoma më shumë se emrat, aty kam gjetur tipat, portretet, karakteret, episodet, ngjarjet...Kur krijova Bubulinon, një ditë thashë me vete: Pse, vetëm do të shkoj Bubulinoja në planetin Mars? Atëherë vendosa që bashkë me të të ishte edhe Dardi. Pse Dardi? - do të pyesni ju. Por, a mund të më thoni, kujt fisi ilir i përkasin shqiptarët që sot banojnë në Kosovë? Ata i përkasin fisit ilir të dardanëve. Pra, kështu, Bubulinoja dhe Dardi, të dy fëmijë shqiptarë, e bëjnë librin edhe më të plotë...Unë mendoj se nuk është emri më i rëndësishmi, por përmbajtja dhe portretizimi i personazhit, sa tërheqës është ai për lexuesin, çfarë shpreh e përfaqëson ai, të tërheq ty si lexues, të bën përshtypje, të mbetet në mendje diçka prej tij? Letërsia ka shumë personazhe, edhe ajo për fëmijë: Borëbardha, Pinoku, Pipi Çorapegjata, Nils Holgersoni ose Gishtoja, Cufoja dhe Bubi kaçurrel, Fatbardh Pikaloshi...

-Edhe Bubulinoja,-tha dikush nga nxënësit.

-Po,faleminderit,edhe Bubulinoja...

Ledjon Daci: -Meqë jemi te Bubulinoja, a  simbolizon ai  fëmijërinë tuaj?

-Bubulinos është nga pak tek të gjithë fëmijët, sepse janë të shumtë fëmijët çapkën, disi të prapë në fillim, por, që, nëpërmjet shkollës, familjes dhe shoqërisë e gjejnë rrugën e vërtetë të jetës, rrugën e  dijes dhe të kulturës, të shkencës dhe të artit, ata mësojnë të bëhen të vlefshëm për familjen, për jetën dhe shkencën, për shoqërinë...

Kledis Gjeci pyet:-Pse drejtoresha jonë Merita Prenga ju quan ju Babai i Bubulinos?

-Vite më parë, kur drejtoresha juaj punonte mësuese, unë kam zhvilluar disa takime me nxënës të shkollës tuaj, mbase me motra dhe vëllezër tuaj,  që sot janë të rritur... Drejtoreshë Merita, ngaqë e  pëlqeu personazhin e Bubulinos, më quajti mua në mënyrë të figurshme “Babai i Bubulinos”.Pas saj më quajtën kështu edhe të tjerë. Që nga  ajo kohë, mua më ka mbetur ky “emër” i ri, për mua shumë i pëlqyer, i bukur, domethënës.

-Është përkthyer libri i Bubulinos në ndonjë gjuhë të huaj?

-Po, dy vëllimet e para të Bubulinos janë përkthyer në gjuhën suedeze.

-Po ndonjë libër tjetër, është përkthyer në suedisht?

-Po përfundon edhe përkthimi i librit “Zonja nga Borasi”. Është një libër me tregime me motive suedeze dhe shqiptare. E dini ju ku është Suedia?

–Po, ndodhet në veri të Europës. Kemi dëgjuar se atje bënë shumë ftohtë.

-Po bënë shumë ftohtë, temperatura në Veri shkon deri minus 25 gradë. Në veri ndodhet edhe qyteti i Kirunës, një qytet me shumë minerale. Nga ai qytet do të niset drejt planetit Mars Bubulinoja me ekspeditën e tij. Atje, NASA ka ndërtuar një qendër radioteleskopësh të fuqishëm prej nga shkencëtarët vrojtojnë qiellin dhe hapësirën e pafund kozmike. Por, në Kiruna janë ndërtuar edhe hotele prej akulli, atje kullotin drerët si bagëtitë tek ne.

-Ka arinj të bardhë në Veri të Suedisë?

-Po, ka arinj të bardhë.

-Po pinguinë, ka?

-Jo, pinguinët gjenden në Polin e  Jugut...

-Çfarë ka më shumë në Suedi?

-Ka shumë pyje dhe, pafundësisht liqene, janë mbi 90 mijë liqene. Ka njerëz shumë të mirë dhe punëtorë...Bubulinoja ka shumë  shokë e miq  atje...

Armineo Koldashi: -E pëlqejnë fëmijët suedezë Bubulinon?

-Kam zhvilluar shumë takime letrare me lexuesit e vegjël suedezë. Në një takim si ky juaji, ata më thanë se Bubulinoja u ngjan edhe atyre. Edhe ne, thanë ata, duam të udhëtojmë në kozmos me anije kozmike, të shkojmë në Hënë dhe në Mars, të zbulojmë jetë në planetë të tjerë, të ndihmojmë të rriturit për shpëtimin e planetit nga ngrohja globale...Por, ne, tha njëri prej tyre, përpara se të nisemi për në planetin Mars me Bubulinon, do t`u marrim një herë lejë prindërve...

Alesja Ametllrari:-Si ju duk vetja kur botuat librin e parë?

-Më i lumturi në botë.

Glediana Oka:-Sa vjeç ke nisur të shkruash libra?

-Të shkruarit e një libri, të një vjershë apo tregimi vjen natyrshëm, ashtu siç mbinë fara e hedhur nga bujku në tokë, kur gjen tokën e përshtatshme, lagështirën e  duhur, plehërimin etj, ajo rritet e shëndetshme gjersa forcon trungun, nxjerr gjethet, lulet, kokrrat, pra, prodhimin. Kështu është edhe krijimtaria, veçse ashtu si bima që, të rritet e shëndetshme, edhe krijimtaria kërkon punë dhe durim, kërkon që të punosh pa u lodhur, të mendosh dhe të veprosh...Poetët e njohur e kanë filluar librin e parë me një vjershë, shkrimtarët me një skicë apo tregim, piktorët me një vizatim apo akuarel ...Kurse mosha? Ajo mund të jetë sa e juaja, pakëz më të rritur...Secili ka prirjet dhe veçoritë e tij...Unë e kam nisur kur isha në fillore, më pëlqente të thurja vjersha, por ato ishin shumë të dobëta, saqë nuk guxoja t`ua lexoja shokëve, i mbaja për vete..Kështu edhe tregime të shkurtra...Edhe sot i kam disa prej tyre. Gjithsesi ashtu nisin gjërat. Keni parë frutat në pemë, në fillim dalin lulet, pastaj kokrrat e vogla, të papjekura, pastaj ato piqen...Ato kanë kohën dhe rrugën e tyre, ashtu dhe krijimtaria. Por siç thuhet në një shprehje të vjetër: “Rruga, sado e gjatë, ka hapin e parë...” Edhe ju nuk rriteni në një ditë, por çdo ditë, javë, muaj, vit... Edhe shkallët i kaloni një e nga një dhe jo nga dy, nga tre apo të gjitha bashkë...

Griselda Gjana:-Cili është libri i parë që ke shkruar?

-Titullohet “Etje që shuhet”...

-Çfarë mbani mend nga botimi i tij?

-Shumë gjëra. Së pari, më mbeti peng diçka. Atëherë unë punoja në Vlorë dhe rastisi që, erdhi Dritero Agolli. Ai kishte sjellë edhe librin tim të porsa botuar. Për fatin tim të keq, unë nuk u ndodha atë ditë në qytet, por me shërbim larg qytetit, kështu që nuk e pata atë mundësi ta merrja librin tim të parë nga dora e shkrimtarit tonë të shquar...Erdha në Tiranë pas disa ditësh. I mora pesë kopjet e para të librave dhe isha i gëzuar, si unë, askush tjetër. Dikush, një i njohur më ndali:

-Shumë i gëzuar qenke! - më tha.

-Po, - u përgjigja dhe i tregova librat, - E shikon, më doli libri im  i parë, libër me  tregime, libër...

Ai më ndërpreu.

-Urime! Urime! - më tha, por, a e di një gjë?

-Çfarë?

-Vetëm në këta pak minuta që ne po bisedojmë, në botë janë botuar e shtypur miliona e miliona libra, kështu që, edhe ti mos u mburr shumë...

Mbeta i stepur dhe gëzimin sikur ma rrëmbeu dikush...Ecja i menduar, tashmë jo më me gëzimin që kisha më parë. Thosha me vete, “nuk duhet të mburrem, sepse rruga e krijimtarisë është e gjatë dhe e vështirë, vetëm me një libër nuk mund të quhem shkrimtar apo, siç i themi ne...”Vetëm me një lule...

-Nuk vjen behari, - përsëritën të tërë nxënësit lexues.

-Megjithatë ai libër është shumë i shtrenjtë për mua...

-Me shkrimtarin Dritero Agollin ke ndonjë kujtim?

-Po, kam shumë kujtime. Kam edhe një fotografi ku ai më ka nxjerrë me aparatin e tij me ngjyra. E ruaj atë fotografi dhe autografin e tij si një kujtim të shtrenjtë.

-Po me Ismail Kadarenë, ke kujtime?

-Kam edhe kujtime, edhe libra me autografe, kam zhvilluar disa takime e biseda me të. Ka qenë i çmuar veçanërisht takimi kur Ismail Kadarenë e thirrëm në gjimnazin “Ismail Qemali” për një bisedë letrare, si kjo që po zhvillojmë bashkë...Edhe unë, edhe nxënësit kemi fotografi të asaj dite me shkrimtarin tonë të madh...

Jesmina Gjana:-Ç’farë këshille do t’u jepje krijuesve të vegjël që ju kanë si model frymëzimi?

- Të mësoni, të lexoni, të dëgjoni shumë, të shëtisni shumë dhe... të mos e shpenzoni kohën kot...

Xhesika Lala: -Çfarë do të kërkoje nga ne si mësues dhe si shkrimtar?

-Të bëheni sa më të ditur, të ndiqni këshillat e mësuesve dhe të prindërve, të përdorni fjalët magjike “Më fal”! “Të lutem”! “Faleminderit!” “Të respektoni të rriturit, rregullat e qarkullimit kur ecni në rrugë...”.E di që i dini, por shpesh herë gjërat nuk bëhen jo se nuk i dimë, por sepse na mungon vullneti për t`i zbatuar. Për shembull, e dimë që duhet mësuar mësimi, por kjo kërkon vullnet, kërkon përkushtim më të madh, apo jo?

Ada Kovaçi: -Je grindur ndonjëherë me bashkëshorten se ja ke mbushur shtëpinë me letra?

-Disa herë...Nuk jam edhe unë pa të meta...

-Çfarë të metash të tjerash ke?

-Për shembull duhet të lexojë më shumë...

-Si, edhe ju duhet të lexoni dhe të mësoni më shumë, ju që keni shkruar tërë ato libra..?!!.

-Po, dijet nuk kanë fund. Ato fitohen duke lexuar sa më shumë, duke shëtitur shumë, duke folur pak dhe duke dëgjuar shumë, prandaj njeriu ka “një gojë, dy sy dhe dy vesh”.

Stejsi Gjyla: -Mbi kokën tuaj, në tabelë është shkruar një thënie: “Mund t’a përkëdhelësh veten, por jeta dhe shoqëria nuk të përkëdhelin”, a ka lidhje me personazhin Bubulino?

-Kjo është një thënia e imja e shkëputur nga një intervistë. Më vjen mirë që e keni vënë këtu, më duket e gjetur, e bukur. Është një shprehje që nuk ka lidhje me Bubulinon. Lidhet me ata që mendojnë se, duke bërë diçka, kanë bërë gjithçka, kurse, dija dhe bota janë të pafundme, askush nuk mund t`i bëjë të tëra, të gjithë vëmë nga një grimcë rëre në “godinën” e jetës, ditë pas dite, vit pas viti, brez pas brezi, ...Kështu, le të gjejmë pozicionin tonë dhe të vëmë edhe ne grimcën tonë, ta ndihmojmë dhe ta zhvillojmë jetën...

-Ju jeni dhe mësues, po te bënim zhurmë të gjithë ne tani, si do të veproje?

Shkrimtari qeshi me te madhe dhe thotë:

-Edhe unë, ashtu si ju, do të bëja... zhurmë... Pastaj, ai hesht dhe shton:-Kur ndodh për shembull që, në orën e pestë apo të gjashtë,  klasa duket e përgjumur, mësuesi papritmas tregon një ngjarje për të qeshur...Klasa gjallërohet, mësuesi vijon normalisht mësimin...Por, po qe se klasa bënë zhurmë gjithë orës, atëherë mësuesi duhet të shikojë veten...

-C`është për ju një pëllëmbë në klasë ndaj një nxënësi që bën zhurmë?

-Një pëllëmbë është dhunë. E palejueshme, për këdo. Një fjalë dhe një këshillë e mençur bënë më shumë efekt sesa një shpullë...

Laura Sinanaj: Në internet gjen shumë faqe me informacione për jetën dhe krijimtarinë tuaj. Si ndjeheni nga ky fakt?

-Ndihem i emocionuar dhe mobilizohem të krijoj edhe më shumë gjëra të bukura...

Arta Gjuni: - Si  ndjeheni kur intervistoheni nga të  vegjlit?

-Mbaj mend kur isha drejtor i gjimnazit “Ismail Qemali” këtu në Tiranë. Meqenëse  shumë nga klasat nxirrnin gazetat e tyre, më bënin shumë intervista. Nuk mërzitesha. Një herë, një gazetar i ri më pyeti:-Çfarë të pëlqen më shumë: të jesh drejtor i shkollës siç je tani apo shkrimtar i madh? Unë iu përgjigja:-Më pëlqen edhe drejtor, edhe shkrimtar, por, do të më pëlqente akoma më shumë sikur të isha edhe një herë sa ju.

Klaudio Gjoni: -Cili është libri juaj më i mirë?

-Mendoj se nuk e kam shkruar akoma.

-Si u ndjetë kur “Bubulinoja” fitoi çmimin e parë nga organizata ndërkombëtare e fëmijëve në Tiranë, UNICEF-i?

-Më i lumturi i botës. Por akoma më i lumtur ndihem në takimet me juve, shokët dhe miqtë e Bubulinos. Ju faleminderit shumë që më ftuat, nuk do ta harrojë këtë takim dhe këtë bisedë me ju.

Mbyllje e artikullit

Në vazhdim të veprimtarisë, u ndoq me gaz dhe interesim interpretimi i pjesës “Bubulinoja është kureshtar apo llafazan?” nga libri “Eh, more Bubulino!” E luajtën nxënësit e klasë së IV. Pas një pauze të vogël, nxënësja  Ada Kovaçi, recitoi disa vargje kushtuar shkrimtarit Viron Kona.

Në fjalën e tij përmbyllëse mësues Caushi u shpreh:

-Ndihem shumë i lumtur sepse, pas kaq vitesh që punoj pranë kësaj shkolle, erdhi një shkrimtar kaq i dashur dhe i preferuar për  të gjithë ne. Unë, fëmijët, të gjithë, u kënaqëm, faleminderit!

Bashkim Saliasi: Dua të them edhe unë dy fjalë, por emocioni që më fali nxënësja Ada Kovaçi me vargjet që unë kam shkruar për mikun tim të mrekullueshëm Viron Kona më dhanë një kënaqësi që adrenalina ime në këto moment është shumë e lartë. E falënderoj Adën për interpretimin e bukur që realizoi.

Njihem me shkrimtarin Viron Kona që në vitin 2005. Ishte një ditë maj. Kisha organizuar të gjitha orët e ekskursioneve dhe se si më lindi ideja të shkruaj një artikull ku pasqyroja gjithë rrugën e ndjekur për realizimin e këtyre orëve.

Trokita në derën e redaksisë së gazetës “Mësuesi” në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Vironin e gjeta të zhytur në punën e tij. Ngriti paksa kokën dhe me atë buzëqeshjen e tij të ëmbël më ftoi të ulesha përball në karrigen e koleges, që për atë moment nuk ndodhej në zyrë.

-Mos u mërzit, vetëm  një minutë sa ta mbaroj mendimin, - tha.

Gjithë përzemërsi u ngrit në këmbë, më takoi duke u prezantuar:

-Unë jam Viron Kona, njëri nga redaktorët e  gazetës “Mësuesi”...

I tregova arsyen e vizitës dhe artikullin. Ai e pa artikullin me një vështrim të shpejt dhe e regjistroi në kompjuter.

-Tani do dalim të pimë një kafe, si thua? - Nuk e kundërshtova. Ndërsa pinim kafe biseduam për shkollën, për hallet e kohës, për artikujt, për gazetën ku unë do të isha gjithnjë i mirëpritur.

-Vura re që përpiqesh të shkruash jetën e shkollës, m`u duk që artikulli yt ka gjallëri dhe jetë...Ende nuk e kam parë me vëmendje, por këto më ranë në sy me shikimin e parë. Do ta redaktojmë dhe do ta planifikojmë për botim...

U ndamë dhe, pas dy ditësh artikulli im u botua në gazetën “Mësuesi”. Shkrimi m`u duk po ai, veçse i redaktuar bukur, diku një fjalë më shumë, diku hequr diçka, si ai bahçevani që krasit me kujdes...Kishte më shumë ajër, më shumë hapësirë, mesazhi dilte më i plotë....

Kështu nisi miqësia, me punë dhe, në punë u forcua më tej. U bëmë miq, madje një artikull kushtuar Viron Konës e kam titulluar “Miku që më gjendet pranë”. Jam shumë i kënaqur që e ftuam Vironin në shkollën tonë..

Irena Pali, zëvendësdrejtoreshë e shkollës, midis të tjerash iu drejtua shkrimtarit: -Faleminderit i nderuar shkrimtar! Ashtu si në librat për fëmijë ke përshkruar mjeshtërisht botën e tyre, edhe gjatë kësaj bisede të ngrohtë, me intelektin e një artisti iu përshtate aq bukur moshës së këtyre fëmijëve, veçorive të tyre psikologjike...

Merita Prenga, drejtoreshë e shkollës: E falënderoi shkrimtarin, mikun e nderuar dhe të respektuar z Viron Kona për pranin e tij në këtë takim. Sa herë e kemi ftuar, Vironi ka qenë i gatshëm dhe ka ardhur gjithnjë buzagaz mes nxënësve dhe mësuesve të shkollës sonë. Bashkëbisedat e tij mbahen mend dhe komentohen mes nesh për natyrshmërinë, çiltërsinë dhe kulturën, e, veçanërisht për shprehjen e nivelit të lartë artistik e  letrar, duke u dhënë nxënësve mesazhe të bukura krijuese...Qysh atëherë e pagëzova me emrin “Babai i Bubulinos”, me emrin e personazhit që e duam shumë jo vetëm ne, por edhe fëmijët në shkolla të tjera të Shqipërisë,  na vjen mirë se e duan edhe fëmijët e vendeve të botës, veçanërisht të Suedisë ku janë përkthyer vëllimet e para të Bubulinos...Kam  lexuar të gjithë serinë e Bubulinos dhe jam entuziazmuar, kam parë vetveten në ato ngjarje dhe personazhe, fëmijët e shkollës, gjallërinë dhe energjitë e tyre... Prezenca para tre muajve e katër shkrimtarëve nga Suedia, që erdhën në shkollën tonë të shoqëruar nga shkrimtari Viron Kona, prania e drejtoreshës së ZA Kamëz, z Ermioni Çekani, e nën/drejtorëve Bashkim Saliasi e Irena Pali, e  mësuesve Afrim Hurdha, Caush Kullufi, Emirian Cubaj, Saimir Kabili, Elda Nela, Mirela Kulla, Mimoza Haxhia etj, ia shtuan më shumë bukurinë takimit me miqtë që vizituan shkollën tonë.

Në faqen e shkollës në Facebook, drejtore Merita Prenga shkruan: ”Sot dukemi përpara jush shumë të rritur!” Ishte zëri pëshpëritës i nxënësve të shkollës "Vëllazërimi" kl. III, IV pas takimit tepër emocionues me mjeshtrin e përdorimit të fjalës artistike, mjeshtër në ndërtimin e hapësirës fantastike, punëtor të gdhendjes së ëndrrave e kureshtive të botës fëmijërore,  “Babai i Bubulinos”, të nderuarin mësuesin, publicistin, drejtorin, shkrimtarin Viron Kona. Çiltërsia, modestia, thjeshtësia, dituria u ul këmbëkryq sot në mesin tonë... Faleminderit miku ynë Viron Kona!