Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtarin e mirënjohur Pëllumb Vrinca

| E enjte, 27.10.2016, 09:01 PM |


INTERVISTË ME KËNGËTARIN E MIRËNJOHUR PËLLUMB VRINCA

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Thjeshtësia, sinqeriteti dhe, në rastin tonë, kur kemi të bëjmë me një këngëtar, talenti, shfaqin një peisazh të botës së një shqiptari të mirë. Për këngëtarin tonë e djeshmja nuk ka qenë e lehtë, por pasioni ka triumfuar mbi çdo vështirësi.

Vrinca u rrit me dashuri për këngën dhe sot Pëllumbi Këngëtar  fluturon krenarisht në mbarë trojet shqiptare.

GM: Do e fillojmë intervistën tonë tek e zakonshmja. Do të kthehemi në kohë, tek fëmijëria juaj...

PV: Përshëndetje dhe ju faleminderit për ftesën!

Unë jam dukagjinas nga fshati Plan ndonëse prej vitesh jetojmë në Shkodër krejt si fis, por kujtimet e femijërisë më çojnë gjithmonë aty ku kam lindur dhe jetuar deri në moshën 15 vjeçare.

Aty prej nga vij unë në vitet e komunizmit ka pasur shtëpi kulture dhe aktivitete kulturore dhe artistike të cilat nuk i kam përjetuar pasi jam më i ri, dhe brezi im aty nuk kishte asnjë mundësi për të triumfuar apo për t'ju dhënë jetë prirjeve të veta.

Atje ku kam lindur kujtoj me shumë respekt njerëzit fisnikë e bujarë të rrallë, të cilët i karakterizon harmonia ndaj njëri-tjetrit dhe dashamirësia e pastër pa asnjë interes.

Për mua një pasuri shumë e madhe ka qenë një çifteli e vogël, por as që e mendoja që një ditë do të kem një album. Fillimisht thoja sikur një këngë të realizoj në studio do të ishte një mrekulli.

Që ta përshkruaj fëmijërinë time dhe rrugëtimin drejt artit, nuk mjafton një intervistë pasi vërtetë asgjë në këtë jetë nuk arrihet lehtë por falenderoj zotin për gjithçka!

GM: Kur filluat të këndoni dhe cili ishte hapi më i rëndësishëm drejt asaj që keni arritur sot?

PV: Po kjo nuk ka një datë të saktë pasi këngëtari lind dhe i sukseseshëm bëhet me kohën. Unë kam kënduar gjithmonë në atë mënyren time pasi vet natyrshëm më vinte të këndoja kudo. Pra, muzika rritej me mua.

GM: Ju kujtohet kënga e parë si këngëtar profesionist?

PV: Paraqitja e parë me një këngë pastaj direkt me një album ka qënë

kënga me titull ‘Telefoni”, një këngë që i përket vitit 2005. Në atë kohë ishte shumë temë sociale dhe pikërisht ajo ishte kënga që më dha si te thuash fillimin, sepse u mirëprit nga publiku.

Në tetor të vitit 2005 kam prezentuar albumin tim të parë me titull “Shoqja ime”.

GM: Kënga juaj i ka kapërcyer tashmë kufijtë e Shqipërisë Shtetërore...

PV: Po, kënga ime është mirëpritur në të gjitha trojet shqiptare dhe për këtë falenderoj Zotin dhe publikun mbarëshqiptar pasi pa një publik kaq të mirë nuk do të kisha arritur deri këtu, pa harruar edhe të gjithë ata me të cilët kam bashkëpunuar dhe vazhdoj të bashkëpunoj!

GM: Mbase shumë këngë i ke në zemër, por një nga dashuritë mbetet e veçantë. Kënga e preferuar nga repertori yt...?

PV: Këngët janë në një farë mënyre si gishtat e dorës  dhe të gjitha janë me shumë rëndësi. Në repertorin tim jam munduar që gjithmonë të sjell këngë me kuptim dhe tema që kanë arsye për t'u trajtuar, por këtu mund të përmend disa nga hitet siç janë  këngët “Telefoni”, “Nuse e hueja”, “Qaj për ty”,  “Tradhëtare”, “Dashuria është virus” etj...


GM: ''Kurrë s’i ndan shqiptarët kufini'' është titulli i këngës që e këndoni me këngëtaren simpatike Maria Lajçaj, një ''romancë patriotike'' që është dëgjuar e vlerësuar shumë. Si u bë i mundur ky duet?

PV: Këtë këngë e dua shumë edhe ideja e kësaj këngë ka qenë e imja.

Para se të realizohej kjo këngë unë isha në një koncert në Plavë e Guci. Pasi mbaroi koncerti po bisedonim me shqiptarët atje dhe ndërkohë që po flisnim kishte gjithçka që na bashkon, traditat, kultura e njëjtë dhe spontanisht thashë që ne asgjë nuk na ndan dhe se kufiri mes nesh është kot... dhe prej aty lindi ideja që të realizoj një këngë të tillë me temë dhe titull “Kurrë s'i ndan shqiptarët kufini”.

GM: Shumë nga tekstet e këngëve tuaja kanë të njëjtin autor, Fran Kodrën...

PV: Fran Kodra është edhe njeriu i parë që më ka mbështetur fort në karrierën time. Kam bashkëpunuar më të pasi është një njohës shumë i mirë i muzikës në pergjithesi dhe shfrytëzoj rastin ta falenderoj për mbështetjen!

GM: Në cilat vende jashtë Shqipërisë keni qënë pranë emigrantëve me këngën tuaj?

PV: Me këngët e mia kam marrë pjesë në disa vende si Greqi, Itali, Zvicër, Gjermani dhe së shpejti pres të vizitoj Amerikën.

GM: Aktorët e humorit, Gac Kodrina dhe Qazim Çela janë të pranishëm në dy nga këngët e juaja...

PV: Po, kam patur nderin të bashkëpunoj me Gacin dhe Qazimin të cilët tashmë janë edhe miqtë e mi dhe do të ketë edhe bashkëpunime të tjera në të ardhmen.

Ata janë pjesë e shumë aktiviteteve ku jam unë  sidomos në dasma pasi me praninë dhe humorin e tyre i japin atmosferë mjedisit kudo që janë.

GM: Nuk është e lehtë të këndosh ''live'' për disa orë. Ndonjë sekret për të qënë në formë gjatë koncerteve apo dasmave...

PV: Larg duhanit e alkolit, e sekreti më i madh normalisht janë cilësitë që t'i jep zoti dhe mbi të gjitha zëri.

GM: Për muzikantin e talentuar Sef Bajrami çdo të shtonit...

PV: Përveçëse një muzikant i talentuar, Sefa është edhe një njeri me vlera i cili edhe për punën ka respektin maksimal dhe njerëzit e tillë i dua. Në art, pa dashur të gjykoj, në shumë raste është e vështirë të gjesh edhe artistin edhe njeriun.  Ai është njeri edhe artist  dhe jam me fat që e kam mik dhe koleg.

GM: Kisha fatin të shikoja një nga dasmat në të cilën interpretimi juaj ishte i jashtëzakonshëm. Jeni shumë i kërkuar edhe për të kënduar në ditë të veçanta për njerëzit, kryesisht për dasma. Një përshtypje të përgjithëshme ...

PV: Të falenderoj shumë për përshtypjen dhe një falenderim i veçantë shkon për të gjithë ata që për ditën më të bukur më kanë zgjedhur mua dhe grupin tim muzikor. Punën e konsideroj të shenjtë dhe dasmave ju jap një rëndësi maksimale pasi këngëtari atë ditë ka një rol shumë të rëndësishëm në menaxhimin dhe mbarëvajtjen e dasmës, ku është me shumë rëndësi  mbajtja e atmosferës dhe realizimi i çdo detaji në mënyrë që dasma të marrë ngjyrat e veta në kohën e duhur. Për suksesin tim në këtë aspekt nuk mund të lë pa përmendur edhe krahun tim të djathtë, muzikantin tim Sefo Bajrami.


GM: “Sofrën e Prizrenit që i thërret Shkodrës” nuk e lëni askund pa e shtruar...

PV: Po, zakonisht kjo këngë është pjesë e pa ndarë pasi, sic thashë edhe më lart, me rëndësi është që në një dasëm apo mbrëmje muzikore me qenë i kompletuar repertori. Kështu që folklori është pjesë e pa ndarë, në veçanti këngët patriotike pasi i duan të gjithë.

GM: Koncerti më mbresëlënës cili do të ishte? Ç'ndjesi të jep spektatori...

PV: Të gjithë e kanë të veçanten e vet dhe meritojnë respekt maksimal. Nuk mund të veçoj diçka pasi kudo ku kam qenë ja kam kaluar mirë dhe për këtë nga zemra falenderoj të gjithë ata që më duan dhe më kanë mbështetur gjatë gjithë karrierës time të deritashme!

GM: Disa zëra të paharrueshëm të këngës shqiptare...

PV: Po, po përmend disa: Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Vace Zela, Marie Kraja, Qamili i Vogël etj. Ka plot dhe  për fat të keq institucionet që kanë autoritet dhe detyrë t'i kujtojnë i harrojnë shumë prej tyre.

GM: ''Të këndojë kush të dojë'' e ''të dëgjojë kush të dojë''. Mirë është kështu muzika shqiptare apo duhet ndryshuar diçka?

PV: Për fat të keq në këte aspekt po punohet shumë keq sa që brezave po ju serviret një muzikë pa dinjitet dhe identitet pasi televizionet janë kthyer në një mundësi  për t'u reklamuar kushdo që paguan e jo ata që dinë apo vlejnë.

Nuk dua të gjykoj apo të paragjykoj këngëtarët e rinj, pasi unë jam që një artist duhet të respektojë atë që gjen dhe atë që vjen, por në ekranët tona po shfaqen njerëz që mund të jenë shumë të mirë për profesione të tjera por jo për të kënduar, pasi shumë nuk kanë asnjë element që ka lidhje me këngën, dhe kur për disa vite serviret kjo lloj muzike është në dëmin e kulturës sonë pasi mediat kanë pushtetin e tyre dhe ka fëmijë që rriten me këtë tip muzike dhe ju duket normale që ta trashëgojnë këte gjë e cila nuk është e mirë.

GM: Në shqiptarët dëgjojmë shumë muzikë të huaj dhe e kam fjalën për muzikën ballkanike dhe orientale, ndërkohë të huajt duket që nuk kanë aq kohë sa të dëgjojnë muzikën tonë. Jemi naivë apo... muzikë-dashës të mëdhenj(!)?

PV: Unë mendoj nga që kemi qenë 45 vite të izoluar ka ndikuar shumë që në mos të njohim muzikën e vendeve të tjera dhe për shqiptarët kjo ishte diçka e re. Disa motive apo tinguj populli shqiptar nuk ka pasë rast t'i dëgjojë në atë formë apo trajtim.

Muzika në Shqipëri ishte e kontrolluar nga sistemi edhe nuk mund të dilje prej korrnizës. Edhe emigrimi i popullit tonë në shumë raste ka sjellë muzikën e vendit ku kanë emigruar shqiptarët. Jemi shteti i fundit i dalë nga komunizmi dhe natyrisht do të jemi të fundit që të kuptojmë se arti vendas është ai që duhet ta ruajmë dhe ta kultivojmë, pastaj këtu ka një problem shumë serjoz se nuk ka të drejta të autorit që respektohen siç duhet.

Fakti që televizionet, siç e thashë më lart, transmetojnë gjithçka, ka bërë që të zgjedhin rrugën më të lehtë  dhe shumë këngëtarë të marrin këngë të huaja.

E thënë me fjalë të varfëra, t'i vjelin ato dhe të paraqiten, gjë e cila është shumë e gabuar dhe jo e moralshme.

GM: Cilët janë këngëtarët e preferuar, shqiptarë dhe të huaj?

PV:  I respektoj dhe i vlerësoj ata këngëtarë që kanë repertorin dhe identitetin e tyre dhe që ofrojnë vlera e jo anti-vlera.

GM: Ju këndoni plot pasion për të: dashurinë...

PV: Dashuria është arma më e mirë që duhet ta ketë çdo njeri.

Unë i këndoj dashurisë pasi është gjëja me sublime që zoti ja dha njeriut.

Këtu flas për dashurinë në përgjithësi, për punën, për jetën.

Ai që dashuron është artist pa marrë parasysh se çfarë profesioni ka.

Uroj që në çdo familje shqiptare të mbizoterojë dashuria.

GM: Sapo jeni martuar. Ndoshta është pak herët për një pyetje të tillë, megjithatë ku është dallimi mes i pa dhe i martuar...

PV: Unë si natyrë jam njeri familjar pasi jam rritur me një frymë të tillë, por nga beqar i martuar ka një dallim të madh. Një ndjenjë përgjegjësie të madhe, pastaj varet se çfarë fati ka njeriu. Unë në këtë aspekt falenderoj zotin por jam pak xheloz sepse prindërit e mi duan më shumë nusen se mua.

Mendoj se po nuk krijove familje s'ke bërë asgjë në jetë. Familja është jeta, të paktën në kendvështrimin tim.

GM: ''Shqipëria në tranzicion'' është një shprehje shumë e njohur tek ne, të cilën kemi më shumë se dy dekada që e dëgjojmë, por para se ta dëgjojmë e përjetojmë në shtëpitë e rrugët tona, e përjetojmë në çdo metër të atdheut tonë. Që është punuar keq nga politikanët tanë s'ka asnjë dyshim, megjithatë nga ju do doja një mesazh për politikanët tanë të sotëm dhe të nësërm...

PV: A ka politikanë Shqipëria!? Unë për shumicën e politikanëve shqiptarë kam mendim shumë negativ sepse kanë mbajtur peng një vend. Janë shumë gjëra elementare që munden me qenë të rregulluara pa pasur nevojë për investime në lek, por në vullnet dhe dashuri për vendin e tyre.

Bota e ka çelësin e sekretit për gjithçka, ndërsa ne jemi  pa fat në këtë aspekt.

Na duhen politikanë patriotë, njerëz të ri në politikë sepse Shqipëria ka plot djem e vajza që kanë kapacitete për të drejtuar,  jo një por disa shtete,  por nuk ju jepet shansi.

GM: Ju keni emigruar më parë. Kush ishte Pëllumb Vrinca emigrant dhe arsyeja e kthimit...

PV: Pëllumb Vrinca emigrant ishte një njeri që punoi shumë për të arritur dicka, bëri çdo punë që i doli përpara dhe e respektoi punën, pasi besoi se ai që e respekton punën respekton edhe vetveten.

Ndërkohë që punoja në Itali, kthehesha në Shqipëri për të realizuar albumet muzikore, me shumë mund e sakrificë sepse kisha pak kohë në dispozicion.

Dhe u ktheva përfundimisht pasi doja të isha edhe afër prindërve të mi,  por edhe  duhej të isha sa më pranë publikut përndryshe nuk mundesha ta menaxhoja karrieren ashtu siç duhet. Me pak fjalë ky ishte edhe objektivi im që të kthehesha.

GM: Një botë në shkallën dëshirore cila do të ishte?

PV: Ka shumë gjëra por një gja që e dua fort është një botë pa luftë ku femijëve të gjithë botës tju jepej mundësia që të arrijnë atë që kanë prirje dhe kapacitet.

GM: Çfarë do të veçonit nga Dukagjini dhe Shkodra?

PV: Dukagjini për mua është emri ma i bukur në botë pasi është vendlindja ime dhe ka shumë gjana që me lidhin me të. Shkodra është qyteti që dua më shumë.  Shkodrës i ka dhënë Zoti gjithçka, detin, drinin, bunën, liqenin, Dukagjinin, Malësinë. Një mrekulli e natyrës.

GM: Kohën larg muzikës si e kaloni?

PV: Pak me shoqëri dhe më shumë me familje.

GM: Një ëndërr që ende nuk është realizuar...?

PV: Shqipëria e bashkuar me të gjitha trojet etnike.

GM: Një mesazh për kolegët këngëtarë...

PV: Të jenë vetvetja, të punojnë shumë edhe mos të abuzojnë me atë që Zoti jua dhuroi, mos të vjedhin këngët por të kenë repertorin e tyre.

GM: Dhe një mesazh për dëgjuesit e këngës tënde dhe lexuesit e Zemra Shqiptare...

PV: Artëdashësve të mij ju them faleminderit me gjithë zemër për mbështetjen, ju më bëni që ta dua profesionin tim çdo ditë e më shumë, çdo sekond që më kushtoni  më mbush me përgjëgjesi që të sjell tek ju më të mirën e mundeshme.

Lexuesve të “Zemra Shqiptare” ju uroj çdo të mirë në jetën tuaj,  jo vetëm juve por të gjithë shqiptarëve kudo që janë, pa harruar të falenderoj ty Gëzim dhe stafin tuaj për intervistën dhe ju uroj suksese në gjithçka!