Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Xharra: Vërtetë jemi të varfër por jo edhe aq sa të shesim Valbonën!

| E enjte, 27.10.2016, 01:43 PM |


Lugina e Valbones duke filluar qe nga Gryka e Shtrenjtit dhe deri tek Kollata dhe (maja e thate) Rrethi i bardhe

Foto Enriketa Halilaj

Vërtetë jemi të varfër por jo edhe aq sa të shesim Valbonën !

Nga Fahri Xharra

“Parqet kombëtare janë deklaruar të mbrojtura për të ruajtur zonat e tyre kulturore dhe proceset ekologjike; fakti që Valbona është caktuar në një prej kategorive më të larta të mbrojtjes (niveli i mbrojtjes II në Bashkimin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës), tregon se sa i rëndësishëm është ky ekosistem”- Petra Remeta menaxhere programi e ujit të ëmbël pranë WWF Adria.

Të pasurohesh në kurriz të trashëgimisë natyrore që zoti na e ka falë është krim. Eshtë krim , e krim shumë i rëndë . Të nxjerrësh ca lek  duke e shkatërruar Grykën e Valbonës është marrëzi ,  masakër  dhe krim.  Kujt po i pengon natyra e virgjër shqiptare ? Kush e do,  që të mbytet jeta  natyrore e kësaj ane e skalitur me miliona vjet? Sa poshtërsi  !

“Lugina e Valbonës shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare, në Rrethin e Tropojës. Lugina e Valbonës ka statusin e Parkut Kombëtar dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh.

Natyra e këtij parku është e pasur me llojllojshmëri të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm. Në pjesën e brendshme të Parkut ka mjaft shpella interesante, nga të cilat dallohet Shpella e Dragobisë. Ka një klimë malore me dimër të ashpër, me reshje të dendura shiu e bore, me temperatura të ulëta dhe periudhë të gjatë me ngrica dhe erëra. Reshjet në Valbonë i kalojnë 2082 milimetra, ndërsa lartësia maksimale e dëborës shkon deri në 224 centimetra me mesatare 94 centimetra. Burimet e saj gjenden në rrëzë të shpatit lindor e qafës me të njëjtin emër, ku ushqehet me burime karstike në lartësinë 1450 m. Nën ujëvarën e pragut të Valbonës, ujërat e këtyre burimeve zhduken nën zhavorre deri në hyrje të Rragamit. Nga ky fshat deri në atë të Valbonës (Selimaj) është 7 kilometra. Sipërfaqja e ujit mungon gjatë verës për shkak të natyrës karstike. Në sektorin e poshtëm, ndanë kalimit në pellgun e Tropojës, Valbona merr degët e rëndësishme, që janë lumi i Gashit (në Shoshan) dhe atë të Bushtricës (Bujan), që e pasurojnë atë më tej. Prurja në Dragobi dhe Gri është respektivisht 12.2 m kub në sek dhe 33.3 metra kub në sekondë. Prurjet maksimale janë në maj dhe lidhen me shkrirjen e borës, kurse prurjet minimale janë 3.7 metra kub në sekondë dhe 11 metra kub në sekondë. Prurjet janë më të mëdha në vjeshtë.

Tokat e murrme pyjore shtrihen mes lartësive 500-1200 metra; tokat e kadifenjta shtrihen në shpatin e majtë të kësaj lugine nga Mbaskollata dhe deri në Shoshan në lartësinë 400-900 metra.”

“Është një grup prej 12 profesorësh nga më të mirët në Shqipëri që e kanë bërë këtë studim dhe këtë unë do ta zbatoj në terren. Hidrocentrali në 80 për qind të vet është ndërtuar në bazë të gjurmës ekzistuese, për të ruajtur ambientin është bërë një devijim shumë i vogël. Gjithashtu është bërë me leje nga organet kompetente. Më e bukura, thonë se unë do të ndërpres lumin. Vetëm 40 metër, një pjesë e vogël e ujit dhe kthehet përsëri në lumë”, thotë Bucpapaj.

Qenkan mbledhur grupi prej 12 profesorësh për një grusht parash , dhe ata na qenkan nga më të mirët e Shqipërisë për të shkatërruar :  “Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Kjo luginë ndodhet në pjesën më veriore të vendit në lindje të masivit malor të Alpeve që përfshihet nga rrethi i Tropojës. Lugina e Valbonës nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 kilometra. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës,madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit. “

Emri më i vjetër dhe më i njohur i kësaj krahine ka qenë:”Malësia e Gjakovës”, e cila historikisht ka pasur lidhje të ngushta gjaku, ekonomike e kulturore me Rrafshit të Dukagjinit, veçanërisht me qytetin e Gjakovës  cili deri në vitin 1913 ishte qendra më e rëndësishme zejtare-tregtare e saj. Si krahinë gjeo-etnografike edhe sot ky rreth ruan emrin Malësia e Gjakovës.

Mos na e prishni Luginën e Valbonës , do të ju dënojë e ardhmja ! Mos na e shkatërroni se do t`iu hakmerren parat e zeza që i lakmoni ! Mos , edhe bota është kundër jush !

Gjakovë,25.10.16