Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Gjergj Fishta e ka vendin në Kosovë

| E enjte, 27.10.2016, 03:36 PM |


Gjergj Fishta e ka vendin në Kosovë

Asnjë poet shqiptar në territoret etnike nuk është kënduar më shumë se sa Gjergj Fishta, atëherë kur përpiqeshim të çlirohemi nga Serbia. Asnjë poet tjetër nuk i ka frymëzuar brezat e shqiptarëve në 60 vjetshin e fundit për të kërkuar liri e bashkim më shumë se Homeri i shqiptarëve. Gjergj Fishta ishte simbol i shqiptarësisë së pastër dhe poeti që vuajti aq shumë kur u shkëputë gjysma e Shqipërisë nga trungu.

Nga Gani MEHMETAJ

Gjergj Fishta e ka vendin në Kosovë. Aty e gjeti vlerësimin, aty e shtriu ndikimin. Asnjë përbërje qeveritare shqiptare nuk ia lëshoi reflektorët, që ta ndriçonte e ta kujtonte ashtu si meritonte poeti e frymëzuesi i luftës së shqiptarëve në territoret etnike për liri e pavarësi; përjetësuesi më i madh i luftës së shqiptarëve për pavarësinë e Shqipërisë.

Gjergj Fishta u bë frymëzim për shqiptarët e robëruar, u bë fanar orientues. Vargjet e tij lexoheshin fshehurazi në vitet e pesëdhjeta e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, lexoheshin e frymëzonin kur nisi rezistenca e organizuar kundër pushtuesit serbe pas vitit 1990.

"Lahuta e Malacis" e kënduar e recituar nga Çun Lajqi u shpërnda me një tirazh që nuk ishte parë e dëgjuar deri atëherë. S'kishte familje në Kosovë e në Maqedoni që nuk i dëgjonte trimëritë e Oso Kukës e burrave të malësisë. S’kishte familje që nuk e kërkonte një ekzemplar të librit.

Gjergj Fishta është në themelet e pavarësisë së Kosovës, është frumëzim për bashkim kombëtar, ishte frymëzuesi i shqiptarëve për liri, barazi e bashkim kombëtar në Maqedoni, ishte frymëzim i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Më kujtohet se si e lexonim Lahutën e Malcis, më kujtohet se si e shpërndanim tutje pasi e kishim lexuar tërë natën më dritën e zbehtë, fshehtas edhe nga prindërit. Po të te kapnin policët serbë të ndëshkonin si të ta zinin një arsenal armësh, të torturonin që të tregoje kush e lexoi para teje, prej kujt e more etj.

Lahutarët e Rrafshit të Dukagjinit vargjet e Fishtës i këndonin më mall e emocione pa e ditur shkrim-këndimin. Fishta u bë popullor si asnjë poet tjetër. Këndonin dhe qanin për bëmat e Oso Kukës, për trimëritë e malësorëve që luftonin si një për tokën e të parëve. Brezat e vjetër në rininë time e kujtonin Lamin e Ozdrizmit, që kur e këndonte Oso Kukën e Fishtës, burrat më mustaqe qanin si fëmijë.

Por nipat e Enverit nuk ia falen vargjet e Lahutës, nuk ia falin shqiptarësinë, ndërsa e kapin mesazhin e Fishtës për ta: “mos u mashtroni, ju bijë bastardë, që e harruat dhe e përdhoset historinë, i vratë atdhetarët, mikun e bëtë armik, armikun mik, shitet komb fe e atdhe”.

Gjergj Fishta ishte fanar për prindërit tonë, u bë fanar edhe për neve kur ishim gjimnazist, u bë fanar për shqiptarët e robëruar. Gjergj Fishta nuk ka asnjë peshë e kuptim për shqiptarët që duan t'ia hanë kokën njëri-tjetrit, ndërsa u bënë miq më të gjithë armiqtë tanë.

Gjergj Fishtës duhet t'i ngrihet shtatore në qendër të Prishtinës, kryeqytetin e dytë shqiptarë, mu afër Hotel Grandit, aty ku është amfiteatri i vogël i hapur, ndërsa kohë pas kohe po në shkallët e këtij amfiteatri do t'i këndonte bëmat e malësorëve ndonjë aktor i tipit të Çunit a Lamit të Ozdrimit.

Nuk dua as të bëjë përpjekje t'ua arsyetoj komunarëve apo shtetarëve tanë më të lartë pse duhet ta ketë një shtatore madhështore Gjergj Fishta në Prishtinë, sepse Gjergj Fishta është aq i madh, sa që çdo përpjekje e tillë do të dukej e vogël. Mund të gjenden fonde publike, por edhe fonde private që do ta mbështesnin pa rezerva ngritjen e shtatores së njërit ndër kolosët më të mëdhenj që i patëm.

S'ka shqiptar në Kosovë, Maqedoni, apo në Luginën e Preshevës që do ta kundërshtonte një shtatore të tillë. Por dikush duhet të merr nismën, një tjetër të bëjë projektin ideor, i treti të lokalizoj hapësirën. As shtatorja e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut nuk do të ngrihej në qendër të Prishtinës sikur të mos fillonte nga Mark Krasniqi më mbështetjen e Ibrahim Rugovës dhe tumirën e shqiptarëve.