Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Arti, pasaporta më e mirë e një kombi

| E marte, 25.10.2016, 05:52 AM |


Arti, pasaporta më e mirë e një kombi

Shkruan Florim Zeqa

Takimi i së shtunës i 22 tetorit, i komunitetit shqiptar në San Vendemiano (Trevizo-Itali), organizuar nën patronatin e veprimtarit Selim Musaj, enkas për mikëpritjen e artistit të madh shqiptar, mjeshtrit të vallëzimit, koreografit Deli Metaliaj nga Dragobia-Tropojë, ishte befasia më e këndshme e këtij viti për mërgimtarët shqiptar.

Ideja për organizimi e kësaj mbrëmje kulturore ishte e veprimtarit dhe mjeshtrit të vallëzimit Arif Musaj, i cili në bashkëpunim me veprimtarin nga Lecco, Ndue Pal Qokaj, na e sollën maestron e vallëzimit shqip në Trevizo.

Mbrëmjen artistike e hapi veprimtari dhe kryetari i nderit i UNIKOMB-it, zoti Selim Musaj, i cli fillimisht përshendeti të gjithë të pranishmit, në veqanti duke i uruar mirëseardhje në mesin tonë artistit të madh nga Tropoja, koreografit Deli Metaliaj.

Me një fjalë të shkurtër rasti u paraqit edhe mysafiri i nderit, koreografi Deli Metaliaj, i cili pas falenderimeve për pritjen vëllazërore, ndër të tjera u shpreh; "Arti është pasaporta më e mirë e një kombi".

Më pas me një fjalë përshendetëse u paraqit edhe veprimtari nga Lecco, Ndue Pal Qokaj, i cili bëri thirrje për unifikim të mërgatës, për nevojen e organizimeve të përbashkëta të festave kombëtare, siq është festa e flamurit dhe pavarësisë së dy shteteve shqiptare.

Në fakt qëllimi i vizitës së koreografit të njohur në mbarë trojet shqiptare, të madhit Deli Metaliaj ishte hapja e shkollave të vallëzimit edhe në Diasporë.

Mirëpo, në Lecco dhe Trevizo, nuk kishte ndonjë punë të madhe për maestron e vallëzimit, koreografin Deli Metalia, ngase grupi i valleve "Shqiponjat", ishte befasia më e këndshme që kishte hasur deri më tani në mërgatën shqiptare.

Grup i valleve "Shqiponjat" udhëhiqet në mënyrë briliante nga treshja artistike, respektivisht nga çifti Arif e Fatmira Musaj nga Santa Lucia di Piave dhe Drita Gegaj nga Lecco.

Ka një kohë të gjatë që grupi i valleve "Shqiponjat" është duke përformuar me sukses në skenë, nëpër aktivitet që organizon mërgata e jonë. Si rezultat i përformancës së shkëlqyer, grupi i valleve "Shqiponjat" do të konkurojnë me 28 tetor në Rovereto të Trentos në mesin e 28 vendeve të botës.

Nga biseda e shkurtër me koreografin Deli Metaliaj, i lindur me 30 prill të vitit 1954, arrita të shkëpus disa nga momentet më të rendësishme nga jeta dhe veprimtaria e bujshme artistike e tij.

Atë në moshën 6 vjeqare për herë të parë në skenë e kishte nxjerrë këngëtarja e madhe shqiptare Fatime Sokoli, për t'u ngritur shtatë vite më pas në majat e skenës shqiptare.

Në vitin 1967 shpallet "Laureat" në festivalin kombëtar, i dekoruar nga dramaturgu i njohur Kolë Jakova,...për t'i kaluar kështu përmasat kombëtare në festivalin ballkanik të Ohrit me 1974, duke u shpërblyer me vendin e parë si vallëtari më i mirë në Ballkan.

Ndërsa në vitin 1980, prezanton në Plavë e Guci të Malit ë Zi, ku siq shprehet artisti, nipi i Vuthajve,...përmes vallëzimit, e kishte shprehur e gjithë dashurinë e tij për dajët e tij, të cilët nuk kishte arritur t'i njohë asnjëherë më parë.

Nga takimet që i kishin lënë mbresa të pashlyera koreografit Deli Metaliaj, ishte edhe ai i vitit 2000, në festivalin muzikor të mbajtur në Junik-Kosovë, me ç'rast kishte realizuar ëndrrën e kahmotshme që kishte për Kosovën, duke ndihmuar në organizimin e grupeve të vallëzimit gjithandej Kosovës dhe trojeve shqiptare.

Rrëfimin e tij të shkurtër koreografi Deli Metaliaj e përfundoi me këto fjalë; " I kam vizituar shumë vende të botës, isha edhe në Amerikën e largët, por shpirti nuk më flen më mirë se të shkëmbi i Dragobisë, aty kam lindur, aty dua të vdes".

Me të filluar programi artistik i kësaj mbrëmje të bukur shqiptare, u bindëm me vlerat e larta artistike të koreografit Deli Metaliaj, i cili edhe pse në moshën 63 vjeqare, aq lehtësisht dhe me mjeshtri të rrallë përformoi me talentin e tij, sa që valltarët e rinjë e kishin të pamundur t'i përcjellnin hapat e artistit të madh shqiptar.

Kjo mbrëmje e paharruar me artistin e madh shqiptar u shoqërua me një darkë familjare me ushqime tradicionale shqiptare.

Në këtë mbrëmje festive, prezent ishin një numër i madhë i familjeve shqiptare, veprimtar dhe aktivist të devotshëm të çështjes kombëtare, si; Ndue Pal Qokaj, Drita Gegaj (të ardhur nga Lecco), Agim Mullosmani, Mejdi Bislimi, Florim Zeqa, Brahim Muzlia, Tahir Musaj e shumë të tjerë.

Me valle të bukura shqipe me motive nga të gjitha trevat shqiptare u vazhdua deri në orët e vona të mbrëmjes.

24.10.2016