E shtune, 20.04.2024, 06:48 AM (GMT+1)

Speciale

Zbuloni Çabejn përkthyes

E diele, 10.08.2008, 04:12 PM


Admirina Peçi

Është një tjetër faqe e prizmit të gjeniut të shqipes, Eqrem Çabej, të cilën shqiptarët nuk e njohin e që duhet zbuluar. Siç thotë studiues  ja dhe gjuhëtarja Ledi Shamku-Shkreli, ajo faqe “vlen të nxirret fort dritë”. Bëhet fjalë për Çabejn përkthyes. Ne nisemi sot nga një fakt, një vepër e lënë në daktiloshkrim në arkivin e tij familjar. Një vepër që mbart në vetvete shumë kuriozitet dhe vlera. Titullohet “Studime përmbi etimologjinë e shqipes dhe përmbi formimin e fjalëve në këtë gjuhë” dhe është vepra e parë për shqipen e albanologut Norbet Jokl. Daton në vitin 1911. Kjo vepër u pasua nga të tjera studime të rëndësishme në fushë të shqipes të Prof.Joklit, por si vepra e parë e tij për shqipen, ajo na përcjell veç të tjerash edhe hapat e parë të pasionit për gjuhën dhe kulturën tonë të këtij albanologu. Eqrem Çabej e përktheu këtë vepër me mendimin që të vijohej me të gjitha veprat e tjera të kësaj natyre, që ai i konsideronte si gurët e themelit për studimin e shqipes. Por përkthimi i tij mbeti në daktiloshkrim në arkivin e tij dhe vetëm pas kaq vitesh do të shohë dritën e botimit. Studiuesja Ledi Shamku –Shkreli, thotë se vepra tash është gati për botim dhe do të jetë pjesë e gjerdanit albanologjik “Exipere”. Në këtë intervistë, ajo na zbulon dhe shumë për një fakt kurioz, një gjurmë në daktiloshkrim që e ka çuar studiuesen deri tek vepra origjinale e Joklit, që ruhej mes pluhurit të kohës deri më sot.
 

Po bëni gati për botim një vepër, e cila na e shpërfaq Eqrem Çabejn në një kontekst krejt të panjohur. Ç’është kjo vepër?


 Thamë para do kohësh se Çabej nuk është një shkulmë drite, por një spektër drite. E pikërisht se është i tillë, faqet e këtij prizmi kanë nevojë të ndriçohen në plotninë e vet. Njohim Çabejn etimolog e historian gjuhe. Ata që kanë sy të lexojnë, veshë të dëgjojnë dhe mendjehapësi të ndëlgojnë (kuptojnë = intelligere) munden me njoftë edhe Çabejn ortograf. E po ashtu dëshmitë e shkruara na kanë dhënë mundësinë të njohim edhe Çabejn didakt e hartues tekstesh. Një tjetër faqe e prizmit të këtij gjeniu të shqipes vlen të nxirret fort dritë: Çabej përkthyes. Thënë kështu ngjan disi e vakët dhe e pakët. Por, më shumë se sa një përkthim është fjala për një mision vazhdimësie. Mision të cilin Çabej e barti mbi shpinë qysh se u shfaq e derisa u largua nesh. Në arkivën familjare të tij gjendet një daktiloshkrim “Studime përmbi etimologjinë e shqipes dhe përmbi formimin e fjalëve në këtë gjuhë”. Kjo në fakt është vepra e parë për shqipen e albanologut Norbet Jokl; daton vjetin 1911. Titulli origjinal është “Studien zur alb. Etimologie und Wortbildung”. Kjo vepër u pasua nga të tjera studime të rëndësishme në fushë të shqipes, të cilat gjenden bibliotekave, të papërkthyera. Pra pa iu dorëzuar atyre që iu duhen më fort studiuesve të saj. Hamendim (dhe besojmë që kemi të drejtë ta mendojmë ksisoj) se Çabej ngulmonte fort faktin se këto vepra duheshin shqipëruar, të gjitha pa përjashtim. Vakumi që kish dija mbi shqipen duhej plotësuar së pari me gurët e themelit e mandej duhej naltuar ngrehina mbi to. Kjo bindje krejt e drejtë e tij me siguri e ka shtyrë të gjejë një xhep kohe mes morisë së punëve të panumërta që kishte në dorë, t’u rrëmbejë do kohë “Mesharit”, “Studimeve etimologjike”, “Studimeve mbi gramatikën dhe fonetikën historike” e t’ia kushtojë përkthimit. Merret vesh qartë kumti shkencor i vazhdimësisë që kërkon të përçojë Çabej.
 

Pse zgjedh pikërisht Joklin?


 Një përgjigje e flakëpërflaktë kishte me thënë: për shkak të lidhjes shpirtërore që ai pat me këtë albanolog. Kaq kishte me qenë shumë pak, përveçse e pasaktë. Gjej rastin të kujtoj këtu se në vjeshtë të ’72-shit Universiteti i Insbrukut, nën drejtimin e albanologut të mirënjohur Hermann Oelberg kremtoi 100 vjetorin e lindjes së Norbert Joklit. Ky kremt qe një ngjarje tejet e rëndësishme për Albanologjinë në vetvete, pasi morën pjesë albanologë nga të katër anët e globit. Delegacioni nga Shqipëria numëronte mbi 20 pjesmarrës dhe ai nga Kosova mbi 30 të tillë, dhe nuk është e rastit që Oelberg zgjodhi që fjalën e hapjes në këtë konferencë përkujtimore ta mbante pikërisht Çabej. Ata që e kanë lexuar këtë kumtesë e njohin mirë vlerën e saj dhe me siguri munden ta rrokin thelbin e asaj që ngulmoi të përçonte Çabej në ato fjalë. Thelbi i asaj kumtese shpjegon dhe misionin e këtij përkthimi.
 

Cili është ky thelb?


 Gjithë duke iu referuar At Justin Rrotës nxjerrim në pah atë çka ai e quan “triada albanologjike”. Kulmet e këtij trekëndëshi sipas J. Rrotës janë Meyer, Pedersen dhe Jokl. I pari kish përcaktuar vendin historik dhe gjeografik të shqipes, qoshkun e saj mes simotrave indoevropiane a për ta thënë këtë fakt me një strofë të Mjedës, Gustav Meyeri “T’difton motrat, t’difton fisin\ Nëpër shekuj fluturim\T’çon njatje ku luftnat krisin\ Ku â kap’ Roma e Iliri shqim”.
 I dyti, pra Pederseni përsosi e çoi më tej përfundimet e Meyerit. I treti, Jokli, përveç punës së tij të paçmuar në fushë të etimologjisë së shqipes, pati shansin historik t’i jepte vijimësi kësaj triade, pikërisht duke kontribuar edhe në formimin e Çabejt. Ky i fundit e pati gjithnjë të qartë peshën e kësaj dorëzanie.
 

Ç’marrëdhënie kanë institucionet tona të albanologjisë me këtë triadë?


 Për dekada me radhë fjalori 118-vjeçar i Meyerit i pari dhe i vetmi fjalor etimologjik i shqipes mbeti në terrinë. Meyeri u cilësua si “borgjez” dhe Çabej që i referohej atij vijimisht, si “i përulur ndaj shkencës borgjeze”. Ky fjalor u përkthye në shqip pra iu kthye studiuesve të shqipes vetëm këtë vit, dhe gjithsesi falë një iniciative private. Akademia e Kosovës pra gjithsesi jo ajo e Shqipërisë ndërmori botimin e Pedersenit. Jokli, ky kulm i tretë i triadës pret ende të përshfaqet për të parën herë në shqip. Kjo është rëndësia e vërtetë e këtij përkthimi, e cila më fort se me ringritjen e dijes lidhet me ringritjen e vetdijes tonë shkencore. Me atë vetdije që i lidh fijet aty ku i la Çabej, pra të gurët e themelit, larg leskrave ideologjike, që kurrgjë të përbashkët s’kanë me shkencën. Ringritja e kësaj vetdije ka shtyrë me siguri gjeniun e shqipes, Çabej ta shtrydhë kohën e vet dhe ta kryejë këtë përkthim, i cili me siguri do të ish pasuar nga të tjera shqipërime po prej tij, po të mos kish fryrë ai murlan shkretues ideologjik.
 

Kur do të bjerë në duart e lexuesve ky përkthim i Çabejt?


 Shqipërimi i Çabejt do të botohet shumë shpejt si pjesë e gjerdanit albanologjik “Exipere” pikërisht në shërbim të dijes e të vetdijes njiherit. Dhe uroj që, tash që “murlani” ka sosë, institutet e albanologjisë t’i shkojnë pas fillit të këtij misioni të vazhdimësisë duke i shqipëruar shpejt e me kritere të gjitha veprat e rëndësishme të kësaj shkence. Kemi vërtet shumë nevojë. Sikundër kemi nevojë dhe detyrë t’i rrokim të plota këto shkulma drite, pjesë tejet e rëndësishme e të cilave është drita që vijon të vijë nga Çabej.
 

Ku gjendet sot ky libër i Joklit, që Çabej na e ka lënë të përkthyer?


 Ja një kërshëri e vogël, por jo e parëndësishme që hedh dritë mbi natyrën e këtij studiuesi dhe mbi qetësinë e tij shpirtërore që buronte nga bindja se kohë të tjera me siguri kishin me ardhë, kohë kur Jokli e të tjerë nuk do të ndryheshin më sirtareve: në përfundim të përkthimit Çabej shënon me dorë, me një skrupulltësi të admirueshme: “Origjinali gjendet në Bibliotekën Kombëtare, 80 B 80”. Nevoja për ta plotësuar këtë daktiloshkrim me shenjat diakritike, duke e gatitur për botim na çoi të kërkonim aty ku shenjonte përkthyesi. Vërtet, libri gjendej aty. Të tilla mendje a më saktë të tilla vetdije, vijojnë me na ndih edhe pa qenë më mes nesh. Vijojnë me na ndih si për kumte të mëdha ashtu edhe për nevoja të vogla kësodore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora