E premte, 19.04.2024, 03:32 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Shelgu garroq para shtëpisë

E shtune, 22.10.2016, 09:29 AM


SHELGU GARROQ

PARA SHTËPISË

(25 % -shi i shqiptarëve në IRJ të Maqedonisë)

NGA KALOSH ÇELIKU

Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar në Maqedoni, vite me radhë reagon ashpër ndaj sakatimit dhe diskriminimit të Kulturës dhe Letësisë Shqiptare në IRJ të Maqedonisë. Edhe pse, reagimet e saj të përvjetshme, edhe sot e kësaj dite hasin në vesh të shurdhët. Përmëkeq, edhe tek Partitë Politike Shqiptare në pushtet, e gjoja atyre në “opozitën” shqiptare me trutë dhe këmbët në legen. Shkaku, se: vite me radhë, ne shqiptarëve na ngatërrohen nëpër këmbë “patriotë kuqezi” të arratisur nëpër parti politike të “vëllezërve” të Njerkës. Vullneti dhe dëshira e tyre është se, në cilën hale do të përfundojnë bythekrye në gjiriz pas Shtëpisë. Individëve të këtij soji, nuk duhet zgjatur dorën për shpëtim nga hurdha ku kanë rënë si “patriotë shqiptar”. I mbyturi, po ia zgjete dorën për shpëtim, të tërheq me vete në fund të hurdhës. Njerëzorja, këtij të “mbyturi” politik, që sipas popullit vetëm tri herë delë mbi sipërfaqe të ujit, nuk duhet zgjatur dorën për shpëtim, por duhet rënë në kokë me grushtë të fundoset në hurdhën e Lumit Malor!

Përgjigje, e autorit të këtij shkrimi publicistik: Pashterkuqet, dalin në ballë vite me radhë t’i prinë popullit shqiptar duke propaganduar arsim dhe kulturë shqiptare nëpër Bit-Pazar. Kokën në Tetovë, e bythën në Shkup. Hidhen e përdridhen me kulturë të improvisuar të “vëllazëeim-bashkimit” si “Arusha me dajre”, në Trojet Etnike Shqiptare. Fatkeqësisht, larg janë Rilindasëve Shqiptar me shekuj.

Herë pas here, Ministrisë Kulturës në IRJ të Maqedonisë, Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar në Shkup, u ka propozuar nga dy - tri emra për anëtarë komisioni: shkrimtarë e doktorë shkence të letërsisë me një bagazh kulturor e letrar mbarëkombëtar, ndërkombëtar e botëror. Përsëri, ato kasapë kulturor me mëngët e përveshura deri në bërryla dhe thikat në dorë, pas shpine me përkrahjen e partive politike shqiptare, i kanë rënë çiftelisë me dy tela: haj - haaj- haaaj, gishtat me kajmak. I kanë përcjellur partizanët e tyre me muzika si dikur gjatë ndryshimeve demokratike: PPD -ja Harushën e Malit me djare në luftë kundër fotografisë Skënderbeut, në një “komedi” të shkruar enkas për heroin kombëtar, fatkeqësisht nga një autor shqiptar. “Komedi” e cila asaj kohe edhe u luajtë në skenën e Dramës Shiptare, në Shkup. Kohë ajo, kur shumë drama të autorëve shqiptar të publikuara në opinion, edhe sot e kësaj dite nuk mund të vijnë në shprehje edhe pse, janë me tema aktuale shoqërore edhe mbi “vlerat e arrira artistike” të atyre teksteve të arnuara dhunshëm në struken shqiptare arnë përmbi arnë.

Porosia e kundërshtarit politik i “vëllait madh historik - strategjik”, u përcollë në popull: Arushën e Malit duhet zbritur nga Kali i bardhë me një këmbë të thyer, shkaku “çmendurisë” shqiptare, se: e nxorri publikisht në stadiumin e Tunbatunit shpatën namëmadhe dhe u shpalli “luftë vëllavrasëse” edhe Skënderbeut, kryeheroit legjendar shqiptar. Gjokut me një këmbë të thyeme, tashti e ka radhën t’i hipë Kokëshëllunga e Katundit Madh (“kryeqendrës të kulturës shqiptare”).

Programi kulturor vjetor i shpallur nga Ministria e Kulturës në IRJ të Maqedonisë për vitin 2016, vazhdon me avazin e viteve të kaluar pa kritere shkencore e rregulla kulturore - artistike. Kohë, kur themelet e një shoqërie demokratike e shteti janë si themele, padyshim: arsimi dhe kultura. Individë të papërgjeshëm të emëruar nga partitë politike në pushtet dhe Minsitria e Kulturës në IRJ të Maqedonisë, qofshin si ministra shqiptar, sekretarë shtetëror apo anëtarë jurie të komisioneve vlerësuese, jo vetëm që nuk kanë “haber” nga Kultura dhe Letërsia Shqiptare, por në shtëpi nuk kanë furrik pule (një voe), as edhe një libër në gjuhën shqipe. E, në anën tjetër kokë më kokë si gjela deti para maxhatores, marrin guximin të ulen në një tavolinë me anëtarët e jurisë “maqedonase” me një bagazh gjoja të pasur “letrar-artistik”. Njëqind kilometra larg dy anëtarëve tjerë me të cilët janë ulur ballë për ballë të vendosin kritere dhe vlera artistike për Kulturën dhe Letërsinë shqiptare në një tavolinë të “vëllazërim-bashkimit”?! Pavetëdije, se: fare nuk e njohin kulturën dhe letërsinë shqipe, e ku më atë “maqedonase” e botërore. Nuk e kemi këtu fjalën për Gjuhën Shqipe, shtegun e vetëm për të hyrë në Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare - botërore, matanë kufinjëve politik shqiptaro - shqiptar.

“Vëllezërit” e Njerkës, në mungesë të Don Kishotëve Shqiptar, janë histori më vete: e marrin guximin “luftarak” me këto Sanço Panço shqiptar ta arnojnë arnë përmbi arnë edhe sot e kësaj dite Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare të shitur për pak para: një manifestim kulturor, një botim libri nga “Letërsia maqedonase”, një çmim shtetëror për t’i përcjellur këto kalorës të arratisur partiak me pensione shtetërore mes varreve. Mjerisht, kur shumë personalite shqiptar kanë përfunduar nëpër burgje të Goli Otokut, pa vende pune, poste politke e çmime shtetërore.

Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar është themeluar në vitim 1992 dhe është themelues i disa manifestimeve kulturore tradicionalale ndërkombetare: Ditët e Naimit (Tetovë, 1997), Takime nën Rrap (Shkup, 1997) dhe Ditët e Humorit dhe Satirës: XHA DERALLA (Kërçovë, 1998). Dhe, që deri më sot ka botuar mbi 70 tituj të librave me poezi, prozë, revistën letrare STILI 97 (59 numra), dhe një Antologjie letrare të poetëve pjesmarrës në Manifestimin Tradicional Kulturor Ndërkombëtar: TAKIME NËN RAP.

Përçudi, ende është hambari i këtyre lakuriqëve të Natës Shqiptare, strukur nëpër hatullat e Ministrisë të Kulturës dhe shtetit të “përbashkët të vëllazërim-bashkimit”?! Ditën të strehuar nëpër çatitë e Shtëpisë Publike, e natën i sulen nga pusia Kulturës dhe Letërësisë Shqiptare me metodat neokomuniste më të fëlliqura politike të “vëllazërim-bashkimit” të papara deri më sot si Polici - letrare.

Tinëzisht, me vite përpiqen t’i shuajnë të vetmit Manifestime Kulturore Tradicionale Ndërkombëtare: Takime nën Rrap XXI dhe Ditët e Humorit dhe Satirës: XHA DERALLA (07)?! Manifestime të këtij karaketeri kulturor, që nuk i ka sot  as vetë pala “maqedonase”. Revistën letrare STILI 97, që erdhi me një zë të ri në Letërsinë Shqiptare të kësaj ane, i menduar dhe realizuar si tribunë e shkrimtarëve shqiptar, por edhe krijuesve dhe artistëve në përgjithësi mbarëkombëtar.

STILI 97 në koncepcionin e vet inkoporon letërsinë, kulturën dhe artin, me përcjelljen e rregulltë të aktiviteteve të LSHSHM -së, përmes krijimtarisë, recensioneve, vështrimeve, tregimeve e të ngjashme. STILI 97, që deri më tani ka dalë 59 numra (2016), e në radhë të parë është revistë për letërsi dhe në të deri në Ditën e Sotshme, edhe në periudhën e ardhshme, vend qëndror do t’u jepet këtyre përmbajtjeve shqiptare-botërore: kontribute tematike, prezentimi i botimeve (libra, revista, gazeta etj.). Prezentimin e letërsisë botërore, informimin me rrjedhat bashkëkohore tek ne dhe në botë, me theks të veçantë në risitë, kreavitetin dhe aktualen. Revistë letrare, që përherë është e hapur edhe për tema filozofike si dhe për artin, filmin, teatrin etj. përmes teksteve eseistike dhe kritikave e shënimeve përkatëse.

Revista letrare STILI 97 deri më tani, disa numra ua ka përkushtuar fytyrave më të ndritura të letërsisë shqiptare: Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Asdreni, Lasgush Poradeci, Fan Noli, Frederik Rreshpja, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Pano Taçi, Teki Dërvishi, Mirko Gashi, Hida Halimi, Flora Brovina, Anton Pashku, Sadudin Gjura, Mehmedali Hoxha, Abdylazis Islami, Murat Isaku, Nexhat Pustina, Fadil Bekteshi etj. E shi, pa fije turpi për çdo vjet, askushi krekoset para kamerave televizive si gjeli majë plehu se, e ka arritur 25 %, -in?! Vërtetë, për mua është çmenduri patologjike - politike shqiptare. Edhe atë, kur publikisht, “vëllezërit” e propagandojnë, se: buxheti kulturor nuk ndahet në proporcione nacionale, por rebublikane.

Mirë them unë, pajtohem edhe me këtë demagogji politike që shqiptarët i ndjek me vite hap pas hapi. Atëherë, pse shqiptarëve ua hudhni një asht në rrugë të mbyten mes veti si qentë andacak në emër të “vëllazërim-bashkimit”, e ju ta rrëmbeni mishin e Viçit të palëpi në grazhd të Luanit e pulës të Dhelpërës dinake?! Pasuri të përbashkët, që nuk e meritoni si “vëllezër” në shtetin e “përbashkët”.

Problemi kryesor, sot nuk qëndron te 25 % -shi i “arritur” nga partizanët e partive politike shqiptare, por te keriteret, rregullat, vlerat e arrira artistike. Gërshërët dhe arshini me të cilin e masin kulturën dhe letërsinë shqiptare. Autorët e përkrahur në këto plan - programe. Shtëpitë botuese, shoqatat e varura e të “pavarura” joqeveritare. Dukuri politike me vite e “vëllazërim-bashkimit”, që haptas bie në sy si cung shelgu i kalbur mes Livadhi para Shtëpisë. Politizimi deri në palcë dhe coptimi i Kulturës dhe Letërsisë Shqiptare nëpër vendbanime lokale e katunde, sa herë që ndonjë anëtar komisioni vjen nga Nëna Parti ose Katundi i tyre. Edhe atë, Katundi që sot për sot i ka mbi 100 shkrimtarë. E, të mos flasim për “kryeqendrën” e kulturës shqiptare.

Padashtas, ma kujtojnë, humoristin e madh shqiptar, Niko Nikolla gjatë një Akademie Përkujtimore për Mehmedali Hoxhën (1997), të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar, në Strugë, kur tha: Nuk jemi popull shqiptar, por popull shkrimtar. Thënje me vend historike, sot gati të gjithë shqiptarët pretendojnë të bëhen shkencëtarë e shkrimtarë. Edhe, atë: kohë, kur sot kemi nevojë më së shumti për bujqër, barinj e tollumbaxhinj ta pushtojmë me “bakllava turke” mu si dikur Ish Jugosllavinë komuniste. Përditë, shkruajnë e botojnë libra. Kohë kjo, kur sot nuk kemi lexues, në bibliotekë. Përmëkeq, librat e sojit tyre neokomunist përkrahen me të madhe edhe nga Ministria e Kulturës, si partizanë të partive politike. Haptas, refuzohen autorë të mirënjohur shqiptar si: Sadudin Gjura, Mehmedali Hoxha, Nexhat Pustina, Vahit Nasufi, Fadil Curri, Remzi Salihu, Flora Sela - Kastrati, Besnik Lena, Rexhep Bajrami, Kujtime Kica etj. Antologjia e poetëve pejsmarrës: TAKIME NËN RRAP (1979 - 2016).

Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptar në Shkup, moti kohë lakuriqët e natës e kanë pasur dhe e kanë ende halë në sy, jo si konkurecë kulturore e artistike, por si shoqatë paralele e shkrimtarëve shqiptar, në IRJ të Maqedonisë. Nateditë me metoda policore përpiqen që ta heshtin, shkaku, se: deri më sot nuk e shtiu për një përdorim në xhep, asnjë parti politike shqiptare, por as edhe e “vëllezërve” të Njerkës. Përinatë, e heshtën SHGB “ASDRENI” duke e fshirë dhunshëm pa asnjëfarë paralejmërimi nga Regjistri Qëndror dhe duke ia mbyllë llogarinë rrjedhëse në bankë. E plaçkitën SHGB “ASDRENI”, në Shkup “vëllezërit” e Njerkës me rreth 65.000 den. në bankë. Dhe, 650.000 (gjashtëqindepesëdhjetë mijë den.) për vitin 2016 me programe kulturore.

Sytë nuk ju shohin matanë derës në lëmë, jo nga ashkëla politike, po nga Shelgu Garroq te pragu i  derës, para Shtëpisë: kultura dhe letërsia “maqedonase”, shoqatat e tyre të shkrimtarëve të varura e të “pavarurra” qevritare e joqevritare, sesi: përkrahen me programe, manifestime e revista letrare. E, shqiptarët, gjithë jetën kakarisin si ajo pula  e Rexhep Hoxhës tek vjersha e  Librit Këndimit tra më tra duke çuditur katundin me 25 % -shin se, e ka bërë një voe, e tjetër hiç. Hë për hë, kur sot shqiptarët në IRJ të Maqedonisë janë popull shumicë me rreth mbi 50 % të banorëve në shtetin e “përbashkët”.

Tekefundit, sot nëse nuk dimë të udhëheqim politikë madhore shqiptare, koha është: së paku të bëjmë Arsim, Kulturë dhe Letërsi shqiptare!...



(Vota: 27 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora