Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Homazh për Xhevdet Kaloshin

| E merkure, 12.10.2016, 08:08 PM |


Homazh për Xhevdet Kaloshin

Nga Reshat Kripa

Ike i nderuar Xhevdet! Ike dhe na le vetëm në rrugën tonë. Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të thoja këto dy fjalë për ty. Nuk besoja, se deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për fjalën tënde. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Në këto çaste para syve më del shprehja e filozofit të shquar Niçe që thoshte:

Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku…

Dhe ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj. Bijtë e një familjeje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira.  Po, Xhevdet i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse    venat  e tua rridhte gjak Kaloshi, nje fis i dëgjuar i krahinës së Dibrës qw i dhuroi atdheut gjakun e shumw bijve tw vetw dhe midis tyre gjakun e “Nderit tw Kombit” tw paharruarit birit twnd Bujar Kaloshi.

Ishe fare i ri kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Çfarë të të kujtoj më parë i dashur mik, Tepelenën e tmerrshme apo Savrën dhe Gradishtën por ti qëndrove si  një copë graniti që u shkëput nga mali dhe u vendos mbi dy kambë të drejta e të forta si landa e pyllit”, siç shkruante Migjeni i madh.            Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. U lidhe me shoqatën e të përndjekurve politikë pasi asaj i përkisje plotësisht. Por u lidhe, së bashku me gjithë familjen tënde, edhe me Partinë Demokratike duke i qëndruar pranë asaj deri në çastet e fundit të jetës tënde. Këto  nuk do t’i harrojmë kurrë për tërë këta vite që na kanë mbetur për të jetuar. Ti i përkisje asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Doje të jetoje i lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën tënde. Doje të jetoje në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq të atdheut,  jetoje në një epokë të gabuar. Jetoje në atë epokë kur nuk mund të shprehje dot ato që ëndërroje, ato që të buronin nga zemra e madhe.

Të nderuar familjarë. Më lejoni t’ju sjell ngushëllimet e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë.  Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë. Xhevdeti ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur, por edhe ne nuk  humbëm pak. Ne humbëm mikun tonë më të mirë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes mikun tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

Qoftë i lehtë dheu që do t’ i  bjerë përsipër!