Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fazli Maloku: Dielli Lind dhe perëndon në Shqipëri

| E shtune, 08.10.2016, 03:15 PM |


“Dielli Lind dhe perëndon në Shqipëri“

Pjesë nga Veprimtaria Ilegale e Kadri Manit në mesvitët e tetëdhjeta

Nga Fazli Maloku

Lëvizja Revolucionare për çlirimin e të gjitha krahinave  shqiptare nga  Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Nënën Shqipëri nën drejtimin e profesor Kadri Halimit daton nga viti 1957. Kjo Lëvizje merr edhe bekimin nga shteti amë Shqipëria. Dëshmi për këtë, takimi Qerim Uka – Enver Hoxha, më 2 janar 1963.

( prof. Muhame Pirraku, libri: Kauza e UÇK-së , fq 252). Hoxha, i cili për kohën ishte shteti vet, Çeshtjen e Kosovës para Qerimit e quajti plagë e dhëmbshme për çdo shqiptar, “ e cila do të sherohet vetëm kur kjo çeshtje të zgjidhet drejt, në bazë të aspiratave të kosovarëve”. ( po aty- fq 252) Të gjitha Organizatat dhe Grupet Ilegale që vepruan më vonë realisht kishin të njejtën Platformë Politike si vazhdimësi e asaj nga viti 1957. Në nenin 1 të Statutit , të aprovuar në mars të vitit 1964  nga Lëvizja Revolucionare për Bashkimin  e Shqiptarëve, drejtuar nga Adem Demaçi, midis tjerash saktësohej: “ Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është çlirimi i krahinave shqiptare t’aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyne krahinave me nanën e vet Shqipninë”. Kjo kërkesë do të bëhet kërkesë politike jetësore e rinisë shkollore,  studentore,  intelektuale dhe e masës  së gjerë shqiptare në Përgjithësi.  Kjo ide u forcua dhe mbërtheu gjithë shqiptarët në trojet e pushtuara nga Jugosllavia, veqanërisht Brezi shqiptar i ’68-tës, i cili u krijua në bankat e shkollave të mesme në qytetet e Kosovës dhe në fakultetet e Prishtinës e gjetkë në Jugosllavi nga kapërcyelli i viteve ’60. Deviza politike e shoqërore e këtij brezi mund të përmblidhet me një fjali : Dielli lind dhe perëndon në Shqipëri! “ Këtë koncept të të menduarit politik e sollën në Kosovë veprimtarët e Lëvizjes Irrendintiste Shqiptare të fillimviteve ’50 : Qerim Ukë Ozdrimi, Hysen Thaçi, Skënder Kosova, Aziz Zhilivoda, Ajet Haxhiu, Bajram Rexha, Shaban Braha, Dervish Shaqa, Sali Shatri e të tjerë, por e fuqizuan mesazhet politike të përcjella në etër, fillimisht përmes Radio Tiranës, Radio Kukësit dhe më vonë përmes Televizionit   Shqiptar”. ( po aty, fq 250-251)

Në vazhdimësi, e  gjitha sa u tha më lartë, në mesvitet e ’80, do të formohet Partia e Luftës e Kosovës nga shokët: Kadri Osmani, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, si dhe treshja tjetër në Mërgim,  pikërisht në trevjetorin e Kryengritjes Popullore të vitit 1981. ( Shqipëria Etnike Nr.3/2010 (1) Po në këtë vit Kadri Osmani dhe Rexhep Mala vetëm sa kishin dalë nga burgu. Partia e Luftës e Kosovës kishte strukturat drejtuese : SHOM ( Shtabi Operativ Madhor, ShOSH (Shtabi Operativ Shkencor), ShOQ ( Shtabi Operativ Qarkor), SHOR (Shtabi Operativ Rajonal ... Në të gjitha këto shtabe ishin detajuar në hollësi detyrat dhe rroli i tyre. Këto Shtabe do të udhëhiqnin Njësitët Guerile, në çdo qytet, në çdo rrugë, në çdo fshat të Kosovës. Fillimisht do të punohej në Treshe me një udhëheqës ndërlidhës, e pas verifikimit në praktikë, do të punon në Nëntëshe apo Njëmbëdhetëshe, të cilat me kalimin e kohës do të ngriteshin në Togje, Skuadra, Brigada...Bile ishin caktuar edhe gradat që nga tetari deri te Majori. Kurse Adem Demaçit iu kishte dhënë grada Marshall.

Kishta tri javë që kisha dëgjuar për lirimin e Kadri Osmanit-Manit. Nga frika se po e dëmtojmë siç e dëmtuam bacë Adem Demaçin, viti 1975, kur u arrestua për të tretën herë vetëm pse shkonin shumë qytetarë në vizitë, pa bërë as një aktivitet politik, edhe ne nga ky mësim nuk shkuam te Kadriu. Ishte ditë e martë, ditë tregu në Prishtinë, në hyrje të Tregut të Gjelbërt, krejt rastësisht u takova me z.Kadri. Dhe çfarë të sheh syri?! Z. Kadri kishte dalë nga burgu tepër shëndetlig, i zbehtë, krijoje përshtypjen se nuk kishte pikë gjaku në trupin e tij! Vetëm shikimi i kishte mbetur po ai i mëparshmi. Sytë plot shkëndija lirie. U qafëm si dy miq që njiheshim që nga 1966-ta. Ashtu dorë për dore u futëm tregut. Do të llafosim më tha,  por është rreziku që më përcjellin “hijenat” e UDB-ës. Unë i propozove të shkojmë në çajtorën e Fetah Penuhës, e cila njihej vetëm për të këçija! Isha i sigurtë se gjithkund mund ta mendonin udbashët e zagarët e tyre se mund të hynte Kadriu, por jo edhe në këtë çajtore të matrapazëve e belagjinjve. Në pyetjen time se a do ta pushosh këtë shpirt apo do të futesh përsëri në aktivitete? Përgjigja ishte e prerë: “ Skemi kohë për pushime. Duhet të punojmë! Problemi qëndron, në ate se a do të kemi njerëz të cilët e kanë guximin dhe vullnetin me punu? Ç’është e vërteta, pas shumë arrestimeve në dy vitet e fundit, UDB-ëja ua kishte shtirë qytetarëve frikën në palcë,  për të mos thënë se i kishte bërë të frikshëm të flasin me vetën e vet! Unë shpreha gadishmërinë qëtë angazhohesha maksimalisht, kuptohet nëse përmbushi kriterët e juaja. Kadriu e mirëpriti gadishmërinë time  dhe takimin e radhës e lam në shtëpinë time. Në familjen time Kadriu paraqitej me nofkën “Katrani”, ndërsa unë në familjen e tij njihesha me nofkën “ Mësuesi”. Në takimin në shtëpinë time biseduam rreth dy orë. Më shpjegoi në dataje punën konspirative dhe formën e angazhimit të bashkëpunëtorëve apo formimin e celulave në Dyshe. Kriteret ishin tepër të ashpra, dhe Kadriu nuk falte askënd që thente rregullat e punës dhe të konspiracionit. Po jap një detaj. Për të angazhuar një bashkëpuntëor, duhej të bëje një listë me jo më pak se 100 emra të familjes së gjerë, shokë të punës apo të rrethit ku jetoje. Nga njëqind emra duhej të eliminoheshin 99-të prej tyre dhe të përzgjidhej më i miri! Më atë do të lidheshe. Kështu duhej të punonte secili. Secili do ta përzdhidhte emrin konspirativ. Caktoheshin vendtakimet dhe koha. Në vendtakimin e parë duhej pritur jo më shumë se 5minuta, në takimin rezervë, vetëm 3 min. Unë i propozova z. Kadri edhe dy shokë të cilët kishin treguar gadishmëri të na bashkangjitën: Sokol Durakun, i cili në atë kohë punonte në Rezervat Krahinore, dhe Ramush Jashari, i cili punonte, Referent i shtesave fëminore, që të dy në Prishtinë. Meqë u bëm katër, Kadriu propozoi që ta ndajmë qytetin e Prishtinës në Dyshe, si dy grisha molle, pjesa jugore dhe pjesa veriore e Prishtinës. Z.Kadri përzgjodhi Ramush Jasharin, mua më mbeti Sokol Duraku. Brenda një kohe relativisht të shkurtër unë formova “dy celula” në Prishtinë. Njëra në lagjën time, Kodra e Trimave-ish Vranjevci dhe e dyta në lagjën Ulpiana. Të tretën e formava në fshatin Magurë të Lypjanit. (njëri nga kjo Dyshe ishte Minator, tjetri polic po aty në Magurë). Celula e katërt në Besianë-ish Podjevë për fat të keq më dështoi. Për të gjitha këto aktivitete duhej raportuar gojarisht,secili eprorit të vet,  nga se shkrimet ishin rreptësisht të ndaluara. Se deri ku zgjëruan rrjetën Kadriu me Ramushin nuk e kuptova kurrë. Në atë kohë nuk guxoje të bësh pyetje të tilla. Unë për çdo gjë i raportoja Kadriut. Një gjë dihet. Në afatin gjashtëmujor, Partia e Luftës e Kosovës, nën drejtimin e Kadri Manit me shokë shtriu rrjetën e celulave po thuaj në gjithë teritorin e Kosovës, dhe flitej – analizohej vetëm me hartë. Ishin bërë gjashtë muaj punë aktive në teren. Një mbrëmje shkova në shtëpinë e Kadriut për të raportuar për punën e bërë. Në koridorin e shtëpisë me priste Kadriu plot zell e elan. Sytë i shkëlqenin nga gëzimi për punën që bëhej në gjithë teritorin e Kosovës. Më përqafoi ngrohtësisht dhe më uroi: “Urime se shokët të kanë pranuar në Parti”! U zura në befasi, dhe si në shaka i thash.

Po, a nuk paskem qenë deri sonte në Parti?! Jo, më tha. Për secilin duhet gjashtë muaj punë verifikuese.

Këto ishin rregullat e Partisë.

Fundi i vitit 1983. Kadriu kaloi ilegalisht kufirin Kosovë-Shqipëri, në rrugë për Tiranë. Qëllimi dihej. Të takohej me Enver Hoxhën, t’ia shpjegonte deri ku ka arritur organizimi, të kërkohej këshilla dhe e vetmja kërkesë që do të duhej ta përmbushte Shqipëria- furnizimi me armatim. Të tjerat i bëjmë vet. Në atë kohë Kadriu kishte besim vetëm te Enveri. Ky takim i tij me Enverin nuk u realizu. Kadriu shpjegon: “ Insistimi im për takim me Enverin nuk u realizu. Arsyetimi  ishte: Shëndeti i dobët i Enverit. Alternativa e fundit ishte takimi me Nexhmije Hoxhën, pasi të tjerët i refuzova, bile edhe Ramiz Alinë. Nexhmija më priti burrërisht. Më dëgjoi me plot vëmendje dhe pa ndërhyrje. Kur mbarova foli: Shoku Kadri, ne ju njohim mirë dhe gjithë kësaj që ju that është e besueshme për ne. Enveri nuk është mirë me shëndet. Gjendja e Shqipërisë krahasuar me Jugosllavinë, në arenën ndërkombëtare me miq e aleat shkon në favor të Jugosllavisë. Në se ju do të filloni një kryengritje të armatosur kundër Jugosllavisë do të ishte një vetvrasje jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë. Na duhet të presim kohën tonë. Dhe ajo doemos do vijë! Ju mjafton ta mbani frymën atdhetare, revolucionare me masat e gjëra. Kështu me pak fjalë mbyllet takimi Kadri-Nexhmije. Kadriu u kthye shumë i dëshpruar. Na sugjeroi se këtu e tutje duhet të llagarisim në forcat tona. Nga Shqipëria do të kemi pak ndihma dhe ata nuk na mbështesin në nisjen tonë! Me gjithatë, ne vazhduam të punojmë në teren, por edhe duke mos u ngutur ta marrim ndonj hap të rrezikshëm . Sigurimi i armatimit dhe mbështetja nga shteti amë mbetën sfida për të ardhmën. Fillimi i vitit ’84 për të gjithë ne ishta tepër fatal. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, në një luftë të pabarabart 1më100, do vritën nga njësitet speciale të Udb-ës Jugosllave. Luftuan si dy drangoj. Ranë në altarin e lirisë duke kënduar: “Dal nga dal po vjen behari”... z. Kadri Mani, i cili ishte me ta u zu i gjallë dhe u prangos, për të tretën herë. UDB-ja , kësaj radhe goditi mu në kokë. Megjithatë, falë konspiracionit të pa imagjinueshëm të cilin e zbatoi atdhetari e militanti me shumë përvojë, sypatremburi, z. Kadri Mani, ne shokët e tij mbetëm të pazbuluar nga UDB-ja. Në gjykimin e fundit, nga gjykata serbiane do të dënohet me 15 vite burg të rëndë. Kështu dënimi i tij do të arrijë në 27 vite burg! Z. Kadri Mani, i dha Shqipërisë dhe Shqiptarisë gjithëçka: Rininë, shëndetin, jetën e lente peng, dhe asnjëherë nuk kërkoi asgjë për kompenzim. Në këtë katërvjetor,  pa prezencën fizike të bacë Kadriut, ndjejmë dhëmbëshuri, ndjejmë boshllek, por edhe ndjehemi tepër krenarë që patëm një mik, shok, vëlla, njëri ndër vigajt e Çeshtjes Kombëtare ende të pazgjidhur.

Lavdi për jetë e mot veprës së bacë Kadri Osmanit- Manit!

Në zemrat tona, do të mbeteni,  deri në frymën e fundit të jetës sonë!

Prishtinë, 6 tetor 2016