E marte, 19.03.2024, 02:40 AM (GMT)

Sport » Sporti

Bajramaj fiton medalje bronzi për Gjermaninë

E premte, 22.08.2008, 07:03 PM


Futbollistja kosovare ka shënuar 2 golat përballë Japonisë

Nëse shqiptarët që ishin pjesë e delegacionit kuqezi nuk kanë lënë gjurmë në Lojërat Olimpike, kjo nuk mund të thuhet për një sportiste krejt të veçantë. Bëhet fjalë për kosovaren Fatmire Bajramaj, që me Kombëtaren gjermane të futbollit për femra fitoi medaljen e bronzit në Pekin 2008. Ajo ishte protagoniste absolute në fitoren 2-0, që Gjermania arriti në finalen për vendin e tretë kundër Japonisë. Edhe pse u fut në lojë si zëvendësuese, 20-vjeçarja ka shënuar të dy golat e këtij takimi (në minutat 69 dhe 87).

Loja - Bajramaj u aktivizua në minutën e 59-të dhe nuk iu desh shumë kohë që të ingranohej në lojë. Vetëm dhjetë minuta më vonë, ajo devijoi me kokë drejt rrjetës një top të grushtuar nga portierja japoneze, Miho Fukumoto, pas goditjes së Kerstin Garfriks. Edhe pse në pozicion shumë të prirët me portën, mesfushorja e lindur në fshatin Gjorakovc, ka treguar teknikë të lartë. Goli i saj ndryshoi rrjedhën e lojës, pasi deri në ato momente Gjermania vuante presingun e kundërshtareve, madje aziatiket regjistruan disa raste të mira për shënim. Tre minuta përpara fërshëllimës finale të ndeshjes, Bajramaj vulosi rezultatin final në 2-0: ajo i shpëtoi bukur mbulimit të mbrojtëseve dhe përshëndeti rrjetën për herë të dytë. Rëndësia e saj për skuadrën është konfirmuar edhe në finalen e Botërorit 2007 me Brazilin: ajo u aktivizua si zëvendësuese në 10 minutat e fundit të ndeshjes dhe fitoi goditjen e këndit, nga ku erdhi goli i fitores për Gjermaninë.

Emocionet - Të shënosh në një ndeshje kaq të rëndësishme nuk është pak. Megjithatë, të aktivizohesh në moshën 20-vjeçare, si zëvendësuese me Kombëtaren gjermane (edhe pse është përfaqësuesja e femrave) dhe të ndryshosh rrjedhën e finales për vendin e tretë në Olimpiadë, është e jashtëzakonshme. Fatmire Bajramaj ka qenë tejet e lumtur pas ndeshjes, duke e cilësuar këtë arritje si maksimumin e karrierës së saj. Edhe pse ka ende shumë rrugë për të bërë. "Nuk di se si ta përshkruaj këtë ndjenjë", ishin fjalët e saj të para. "Dy gola në një ndeshje të tillë është maksimumi për këdo. Kjo është pika kulmore e karrierës sime dhe jam shumë e kënaqur për medaljen e bronzit në Pekin 2008". Vlerësime për futbollisten kosovare erdhën edhe nga trajnerja e Kombëtares, Silvia Neid: "Ajo (Bajramaj) është një futbolliste me shumë fantazi dhe jep gjithçka në fushën e lojës. Dy golat që vajza shënoi në këtë ndeshje ishin shumë të rëndësishëm për ne. Jam e lumtur që arritëm të fitonim bronzin dhe të rrisnim arritjet e Kombëtares gjermane".

Finalja - Medalja e artë e futbollit për femra në Pekin u fitua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mposhtën 1-0 në finale Brazilin. Goli u realizua nga Karli Loid, në minutën e gjashtë të kohës shtesë, dhe u siguroi vajzave amerikane medaljen e dytë të artë në Lojërat Olimpike. Ndërkohë, për Gjermaninë që vinte në këtë eveniment si kampione e botës në fuqi, kjo ishte medalja e tretë radhazi e bronzit: pasi mposhtën Brazilin në vitin 2000 dhe Suedinë në vitin 2004. Femrat gjermane nuk kanë fituar medalje vetëm në vitin 1996, ku futbolli i femrave u përfshi për herë të parë mes disiplinave olimpike.

Karriera

Kush është Fatmire Bajramaj

Fatmire "Lira" Bajramaj ka lindur më 1 prill 1988, në provincën kosovare të Gjurakovcit dhe është rritur në qytetin e Pejës. Kur ishte vetëm 4 vjeçe, familja e saj emigroi në Gjermani, ku kultivoi dëshirën për të luajtur futboll. Hobi i saj i pazakontë për vajzat shqiptare e detyroi që të stërvitej në akademinë e të rinjve të Giesenkirshenit pa dijeninë e të atit. Në vitin 2003, kur debutoi me kombëtaren U-15 të Gjermanisë ra menjëherë në sy për kualitetin teknik, aftësi që i mundësuan edhe transferimin nga Mynshengladbah te Duisburg. Pasi luajti edhe në Evropianin U-19 (Gjermania arriti në gjysmëfinale), më 20 tetor të vitit 2005 debutoi me përfaqësuesen "A" të femrave, përballë Skocisë. Në verën e vitit 2006, fitoi titullin evropian me U-19, ndërsa në janar të 2007 u aktivizua në turneun "Katër Kombet" në Kinë. Ishte pjesë e Gjermanisë "A" edhe në Botërorin 2007, ku kjo kombëtare u shpall kampione për herë të tretë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora