E enjte, 25.04.2024, 11:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Dhimitër Nica: Mjalti i një femre

E merkure, 05.10.2016, 06:39 PM


Cikël poetik nga Dhimitër Nica

 

MJALTI I NJË FEMRE

 

Po më hedh mjaltin e zemrës,

thellë në shpirt e mbi një plagë,

rrjedh pikë-pikë nga zgjoi i femrës

lëngu i jetës plot me vlagë…

 

Sado që të jem i hekurt,

balsam në shpirt kthehet ky lëng,

zbut të gjallë e ngjallë të vdekur,

të bën të urtë, të kthen në qengj…

 

Burra të sertë nëpër beteja,

koka shteti me tru e mend,

i kthehen në qingja kur do femra,

i bën të urtë, ky mjaltë e lëng…

 

Balsam shpirti e mjaltë zemre,

shërojnë botën në çdo anë,

komandë bën shpirti i një femre

dhe jo mbretër e sulltanë…

 

 

DASHURIA

 

Kur ti ndodhesh pranë meje në krevat,

zemra dhe trupi më ngjizin lumturinë!

Të gjitha mrekullitë po më vijnë dhuratë,

trupat japin e marrin me dëshirë!

 

Ah, sikur kjo natë,

të mos kishte të gdhirë!

 

 

ËNDËRR MES VALËSH...

 

Nuk e di ç'më ndodhi mbrëmë,

nuk mbaj mend asgjë me fjalë,

flokët e saj të ngjyer në hënë,

rreth qafës sime u bën shall.

 

Atë që ndjeva mbrëmë në ëndërr,

prapë ma dashka ënda sonte,

ngatërruar duart poshtë nga këmbët,

e flokë të verdhë ngado me onde.

 

Lëkura e bardhë si mish pjepri,

sytë e nxehtë rridhnin qiri,

e dogjën shpirtin tim të mjerin,

e bën trupin lastar të ri...

 

 

M’u prish mendja fare mua,

njomishtja e hollë me synë ulli,

s'qenka e thënë që ta kesh grua

e të ndjesh kaq shumë në dashuri...

 

 

RICIKLIM...

 

Më pëlqen kur e hedh si pa dashje,

dorën ledhatare mbi vijëzimet e tua!...

Drithërohesh si një pemë magjistare,

kur i prek një mollë, një shegë a ftua!

 

Më pëlqen kur shkarkojmë te njëri-tjetri,

vetëtimat e rënkimet qiellore!

Në vend të ngjajmë me pemët e dimrit,

ne gurgullojmë e riçelim prore...

 

Pastaj shkarkimet rifillojnë nga e para...

 

 

NË NJË PLANET TJETËR

 

Turni i parë ishte mikpritja ime

dhe dalja pastaj në një lokal jashtë.

Gotat me verë të kuqe e përqafime

dhe brenda verës gjaku im, që nxirrte afsh...

 

Gishtat e hollë, të brishtë për tastjerë,

më ngjanin me një sqep të gjatë pelikani,

ngrinim gotat plot me dashuri dhe verë

pinte trupi yt, i kërkonte shpirti dhe xhani.

 

Kaluam disa orë në tavernën jashtë,

gjersa gjërat përreth na ndillnin gjumin.

Ti pije verë dhe unë kulloja afsh,

pastaj the: "-do ta dirigjoj unë turnin!"

 

Dhe mbështetur komplet në krahun tim,

më shumë të mbaja unë, se ecje vetë,

si s'ndjeva lodhje dhe aspak trishtim,

me ty në krahë, po shkoja në tjetër planet...

 

Dhe vërtet turni yt qe planeti tjetër,

më ngrite në zenit, deri në çmendje!

Sikur t'më thoshje ta mbyllja aty jetën,

do ta bëja pa zhurmë e me shumë ëndje!

VETËM NJË DITË.

 

Ashtu qe shkruar e qe thënë,

ajo e dashuroi vetëm një ditë,

ndoshta ia la zemrën gjysëm të ngrënë,

ndoshta e dashuroi si vetë perënditë.

 

Dhe nuk i tha kurrë se vetëm sot,

se vetëm sot mund të ishte e tij!

Nuk deshte, apo s’arriti t’ia thoshe dot,

apo nuk donte t’i shuante thëngjijtë…

 

Dhe ai bëri dashuri marrëzisht,

marrëzisht si kurrë ndonjëherë në jetë!

Dhe ajo e la të lirë tërësisht,

t’i zbulote labirinthet e saj të nxehtë…

 

Asaj ndoshta i kishin bërë shenjë perënditë,

ta digjte në zjarrin e saj, vetëm një ditë!

 

 

MË PËLQEJNË ATO BALLKONE!

 

Më pëlqejnë ato ballkone

e them aty ta ngre folenë,

mund të rroj me lule bore,

por më mirë jam me menekshenë...

 

Preferenca është e jotja,

unë rri pa fjalë e nuk bëj zë,

mes dy mollëve shumë të ngrohta

i puth ëmbël, të rriten më...

 

Në mes mollëve jam krye Adam,

në këtë ballkon dhuratë nga Zoti,

çdo princ e mbret zili se kam

qenkam me fat, se luan as topi...

 

Në ballkon unë kam folenë,

midis dy mollëve shumë të ngrohta,

mbushur me lule dhe polen

aty ku fillon e mbaron bota...

 

 

MOLLA

 

Adami e kafshoi mollën atë natë,

(nuk duroi dot, hapi punë ky i uruar!)

Në fakt sot është dhe quhet mëkat,

po ta lësh mollën çdo ditë pa kafshuar...

 

 

DRENUSHJA E VOGËL

 

Ç'më bëre kështu moj lanete,

moj vajzë e vogël, pëllumbeshë,

më ndeze zjarre e tërmete,

po kërcen zemra njëlloj si peshkë.

 

Ca gjëra te unë kishin vdekur,

ishin thellë në gjumin dimëror,

u fute ti një gonxhe e porsa çelur,

m'i zgjove njëherësh në kraharor...

 

Solle rrebeshin, erdhi furtuna,

shpërtheu krateri,u ngrit vullkani,

m'u dogj shpirti,m'u ndez lëkura,

u ndez trupi yt, mori flakë fustani!

 

Na hape mjaft punë moj lanete,

drenushe e vogël,pëllumbeshë,

si doja kaq vonë këto "peshqeshe"

në dimrin e thellë, më lerë të qetë...

 

Thëngjijë të ndezur më djegin ende,

s'i shuajnë dot retë plot suferinë,

unë që kisha shkelur në kaq shtete

te trupi yt gjeta shërim...

 

Të mendoja ndyshe me salltanete,

s'më vinte mendja në fshatin tim,

të kërkova në sa e sa qytete,

të gjeta në bjeshkë, përmbi lëndinë.

 

 

PUTHJE

 

Vjosa puth tej e tej brigjet,

dielli puth herët majën e malit,

hëna puth yjet e pastaj fshihet...

Ti me magjinë tënde,

puth e ndez hiret e djalit!

 

 

MERAK...

 

U ngrita pa pritur në mesnatë!

Qetësi rrënqethëse...

E vetmja zhurmë,

frymëmarrja jote, tik-tak !

 

 

ERA LUANTE ME PARFUMIN TËND

 

Ti erdhe. Unë ika,

duke m'u ngatërruar këmbët,

nëpër këmbë.

Guri që vura në zemër ishte i rëndë...

 

U bëra pishmënd!

I ktheva majat nga thembrat...

Aty era,

luante me parfumin tënd...

 

 

BOTA IME

 

Unë nuk bindem nga sytë e bukur,

as nga flokët e verdhë ngjyer në hënë,

sapo thitha mjaltin nga cepat e buzëve,

thashë... kjo qenka bota ime e tërë!

 

Shënim: Ky cikël poetik u shkëput për lexuesin e poezisë lirike nga libri " Nesër do të jemi më të mirë " botuar në Prishtinë 2016.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora