E premte, 29.03.2024, 01:21 PM (GMT)

Kulturë

Sejdi Berisha: Hartë e madhe shpirtërore dhe historike

E merkure, 05.10.2016, 07:22 PM


Nga Takimet e Dhjeta Ndërkombëtare Letrare “Trirema e Poezisë Joniane” në Sarandë

Sejdi BERISHA

“TRIREMA E POEZISË JONIANE”, SI HARTË E MADHE SHPIRTËRORE DHE HISTORIKE

Se takimet dhe manifestimet kulturore dhe letrare, forcojnë hallka bashkëpunimi, ndërtojnë ura miqësie dhe afirmojnë vlerat shpirtërore, kulturore dhe letrare, më së miri ka dëshmuar dhe dëshmon edhe Manifestimi Ndërkombëtar Letrar “Trirema e Poezisë Joniane” në Sarandë, që sivjet u mbajt me 30 shtator dhe 1 e 2 tetor 2016 në, e që ishte edicioni i dhjetë me radhë.

Në këtë manifestim letrar, i cili u organizua nga Klubi i Krijuesve Jonianë e i mbështetur nga Bashkia e Sarandës, morën pjesë afro pesëdhjetë poetë e poetesha na Shqipëria, Kosova, Italia, Spanja, Greqia, Maqedonia dhe nga Maroku, tri ditë radhazi, këtu në Sarandën turistike, të vlerave historike dhe kulturore, fjala poetike u “derdh” dhe u shpërnda gjithandej mendjes, zemrës e shpirtit, gjithandej ajrit, detit dhe bukurive të Sarandës, Butrintit, dhe zuri vend edhe në ambientet dhe atelietë e dy galerive të artit, asaj private “Veno” dhe të Galerisë së qytetit “Art Saranda”.

Kështu reflektoi pesha dhe mesazhi i fjalës poetike joniane, e cila tani e dhjetë vite afirmoi fjalën e shkruar, zërin e poetit dhe vlerat kulturore, mbase historike jo vetëm shqiptare, por edhe të atyre vendeve prej nga kishin ardhur krijuesit  e fjalës së shpirtit. Gjithashtu, u këmbyen përvoja e mendime me peshë për letërsinë, për jetën dhe për shumë fusha të tjera që e bëjnë rrugëtimin e përgjithshëm, e të cilat ndikojnë edhe në afirmimin e njeriut e me njeriun, të kombit me kombin, të popullit me popujt...

________________

Rruga e Kombit dhe tryeza e mendjes për historinë...

Kishte afro një muaj që kur kishim marrë ftesën për të marrë pjesë në Manifestimin Ndërkombëtar Letrar “Trirema e Poezisë Joniane”, dhe tash kishim “hallin” se si të sigurohemi për udhëtim deri në Sarandë, pasi që në këtë kohë frikohemi se do të këtë problem me autobusë, pasi që kishte “ikur” sezoni turistik. Por edhe këtë e zgjodhëm unë, Prend Buzhala dhe krijuesja, Naime Beqiraj, duke iu falënderuar nipit tim, z. Hasan Hulaj, i cili tani e sa vite na zgjidhë kështu këtë problem duke na siguruar udhëtimin me makinën e tij, e që tani pothuaj se edhe ai është bërë pjesë e këtij manifestimi letrar. Por, për këtë më duhet ta falënderoj edhe krijuesin nga Saranda, z. Agim Mato, i cili është edhe kryetar i Klubit të Krijuesve Jonianë, i cili pa hezitim na mundëson edhe prezencën e nipit tim në akomodim dhe në të gjitha aspektet tjera.

Madhështia e qytetit të Sarandës

Dhe, herët në mëngjesin e së premtes nisemi nga Peja, ku na bashkohet Naimja, kurse në Klinë e kishim caktuar që të na bashkohej edhe Prend Buzhala. U “kompletuam” që të katërt dhe iu “turrem” autostradës “Ibrahim Rugova” e më vonë edhe Autostradës së Kombit. E theksova këtë me qëllim, sepse, sa herë që kaloj nëpër këto madhështi, secilën herë më rritet zemra, më shtohet ymri, më ngacmohet zemra e merr dallgë edhe krenaria, edhe dhembja, edhe malli për historinë e kombit tim, për tokën e shqiponjave. Dhe, çfarë nuk më sillet vërdallë në kokë, që shpeshherë ma xiglojnë nervin e shpirtit për të shtruar gjithçka në tryezën e mendjes sime ndoshta të çuditshme!

Ecim e ecim tutje, duke biseduar mirë e rrast për letërsinë, për kulturën, por edhe nga pak e “prekim” historinë, ku nuk mund të anashkalohen edhe shumë gjëra e gabime të njeriut tonë, dikur, dje mbase edhe sot! Tash, kur arritëm, apo kur iu afruam Milotit, prej nga duhet të kthejmë në autostradën për në Durrës, ndalemi për tu freskuar me nga një kafe dhe për ta “harruar” pakëz bisedën që na “nxehte” shpirtin. Duke pirë kafenë, aty “lëshojnë” dhjetëra autobusë, me të cilët ia kishin mësyrë bregdetit shqiptar në këtë vikend të fillim tetorit.

Agim Mato, Kryetar i Klubit të Krijuesve Jonianë duke e hapur manifestimin

Një numër të madh të tyre i njihja dhe “vërshuan” duke më përshëndetur, sepse shumë ishin nga qyteti i Pejës. Më njihnin edhe të tjerët nga qytetet e tjera të Kosovës. Edhe këtu, më besoni, m’u bë zemra mal, sa që po të më pyeste dikush se pse, nga “sikleti” dhe mburrja shpirtërore, nuk do të dija t’ua them asnjë fjalë!

Pas pak, sërish ia mbathim “këmbëve” të makinës së nipit tim, Hasanit, dhe unë, të them të drejtën, asnjërit prej bashkudhëtarëve të mi nuk ua thosha, por kisha dëshirë të “nxitojmë” që të arrijmë me kohë në qytetin e Sarandës. Këtë ata nuk e dinin, për atë edhe nuk e “ngushtonin” mendjen.

Poetët me kujdes përcjellin manifestimin letrar

Rruga na “afron” gjithnjë e më shumë tek madhështitë e Durrësit, dhe për këtë arsye dot nuk shmangej edhe mendimi dhe komentimet për madhështinë e këtij qyteti nëpër shekuj, nëpër periudha historike, nëpër furtuna, të cilave edhe ky qytet, edhe i tërë populli, kurrë nuk iu përkul, edhe pse qëndresa dhe vuajtjet, historinë e bëjnë jo vetëm madhështore por edhe shumë interesante dhe karakteristike për ta studiuar përherë dhe pa fund deri në zbardhjen dhe prarimin e përgjithmonshëm të saj, të cilën, na kanë bërë me damka, por që kësaj dukurie, gjithnjë i kemi “kontribuar” edhe ne!

Dreka ne Kavajë dhe “kapela” e Ismail Qemalit...!

Por, ta lëmë këtë “llaf”. Që të katërt, kishim dëshirë që të kthejmë në Kavajë, kurse poetja, Naime Beqiraj na sugjeroi që edhe të drekojmë aty, te Restauranti “@Gazi Kavajë”. Ashtu edhe vepruam. Ishte një restaurant pak më në thellësi të qytetit, por me të vërtetë specifik dhe më specialitet peshku, mu ashtu siç na shpjegonte Naimja, e cila këtu me mikeshat dhe miqtë kishte kthyer shpesh.

Agim Mato dhe Timo Mërkuri, dy figurat kryesore që i japin shpirt punës së Klubit të Krijuesve Jonianë

Na u deshtë që të presim për pak kohë, sepse, restuaranti fillonte punën nga ora dymbëdhjetë të ditës. Por, neve na mundësuan që të hynim brenda dhe preferuam që të drekojmë jo brenda restaurantit por në oborr, ku ishin të vendosura disa tavolina jo fortë të mira, por për neve krijonin ambient të ngrohtë. Mos të harroj të theksoj edhe këtë, se nga Peja isha nisur me shpresën se diku do të mund ta blej një qeleshe, apo fes, të ngjashëm sikur atë të cilin e kishte bartur Ismail Qemali, sepse, nipi im është duke përgatitur rolin e këtij burri në ditën e 28 Nëntorit, e që është një vogëlush tej mase kurioz dhe i shkëlqyeshëm, i cili tash vijon mësimet në klasën e tretë të fillores. Dhe, për ta përmbyllur këtë, askund nuk mund e gjeta as në Kavajë dhe as në Sarandë.

Nga promovimi i Antologjisë “Na bashkon një det”

Kënga për bjeshkët e Dukagjinit dhe policia rrugore te Saranda...!

Tash, ftillohemi drejt Gjirokastrës. Edhe ky rrugëtim provokonte për gjithçka, edhe pse pak më ndryshe nga pjesa e mesme e posaçërisht ajo e veriut të atdheut. Sikur sa ora arritëm në rrugën e cila përbri Gjirokastrës shpinte tash për në Sarandë. Në këtë pjesë të rrugës, hasëm në shumë tabela treguese, të cilat na mësonin për shumë vendbanime dhe fshatra, e që këtu, në këto tabela hasim edhe gjuhën greqishte. Duke i përcjellë këto vendbanime e këto fshatra, sikur shpejtë arritëm edhe tek vendi ku tregonte edhe rrugën për në Lazarat. Edhe këtë, e komentuam, sepse, nuk mund të kalonim mbi këtë temë karakteristike, mbase edhe bukur të “nxehtë”...!

Përbrenda makinës, thuaj se çdo gjë kishte erë letërsie, por shpeshherë, këtë na bënte më me peshë edhe kënga “Pak shëtita ku u rrita”, të cilën e këndonte këngëtari i mirënjohur, Rifat Berisha, me të cilën na kishte “provokuar” nipi im

Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA, në shenjë respekti duke e dhuruar për Bashkinë e Sarandës, Monografinë “Peja nëpër vite e shekuj” të autorit, Reshat Nurboja

Hasani. Sikur atë CD e kishte marrë nergut për qejfin tonë, e më së shumti për merakun e Naime Beqirajt. Zëri i tij na përcillte mesazhet për bjeshkët e Rrafshit të Dukagjinit dhe jo vetëm të kësaj pjese të Kosovës. Kolegia jonë kërkonte që zëri i radios ta “shpërthente” plafonin e makinës! Kjo ndodhi andej edhe këndej-në të kthyer në Kosovë.

Por dua të theksoj edhe një gjë. Pak pa e lënë territorin e Gjirokastrës, policia rrugore na ndaloi, dhe pasi na përshëndeti, shoferit, në këtë rast nipit tim Hasanit, ia kërkoi dokumentet dhe i tha se pasagjerët që ishin ulur prapa në makinë, nuk ishin të lidhur dhe për këtë duhet paguar gjobë. Polici, pasi hoqi dorë nga dënimi, shoferit ia ktheu dokumentet por me fjalët përcjellëse: “ju kosovarët sivjet jeni hapur bukur shumë...”! Të gjithëve, kjo shprehje na befasoi, kurse mua, edhe pse nuk ua thash bashkudhëtarëve të mi, shumë edhe më hidhëroi...! Por nuk ia vlen për ta komentuar...

Një foto e përbashkët për kujtim e krijuesve pjesëmarrës në manifestimin letrar “Trirema e Poezisë Joniane” me rastin e vizitës në Butrintin e lashtë

Madhështia e qytetit, gjurmët e rrënjët e trungut dhe bashkimi i shpirtrave krijues ...!

“Katrrisemi” maleve tash drejt për në Sarandë. Kalojmë përbri madhështisë së tokës shqiptare, përbri “Syrit të Kaltër”, një bukurie të paparë të ujit të kthjelltë edhe me ngjyrë kaltër por karakteristike. Për të mos e zgjatur, arritëm në Sarandë, në qytetin e dashur, në qytetin e turizmit, të madhështisë historike, në qytetin të cilin e rrethojnë lashtësitë, që janë gjurmët e gjurmëve të rrënjëve dhe të trungut të popullit të këtij dheu e të kësaj toke! Në qytetin e vlerave shpirtërore dhe kulturore. Dhe, pasi edhe vitin e kaluar kishim qenë të akomoduar në të njëjtin vend, makina sikur drejtohet vetë deri tek Resot “Bougainville Bay”. Zbritëm poshtë te parkingu i makinave. Dhe aty, nuk vonoi dhe sikur menjëherë u bashkuan shpirtrat krijues, por jo vetëm nga vendi e trojet shqiptare, por edhe nga Italia, Spanja, Greqia, Maqedonia dhe nga Maroku.

Në Butrint, çdo foto ka peshë të shumëfishtë kujtimi

Tash, çdo gjë frymonte me kulturën, me letërsinë me vargun. Pas akomodimit, në sallën e “Bougainville Bay” tubohen poetët dhe poeteshat. Hapjen në mënyrë solemne e bën një burrë me shtat të vogël por me shpirt të madh, është ky Agim Mato, një krijues i kalibrit të veçantë por edhe kryetar i Klubit të Krijuesve Jonianë, një promotor i vlerave krijuese të këtij qyteti. Por, aty diku pranë, takova

Vizitorët duhej të pritnin për hyrë dhe për t’i vizituar bukuritë dhe madhështitë e Butrintit

edhe krijuesin, z. Timo Mërkurin, i cili është dora e djathë e Klubit, e Kryetarit Agim Mato, e që i japë gjallëri dhe frymë specifike manifestimit.

Në mbrëmjen e parë, krijimet e tyre i lexojnë disa nga pjesëmarrësit e Manifestimit Ndërkombëtar Letrar “Trirema e Poezisë Joniane”. Nuk prezantohen të gjithë me vargjet e tyre, sepse edhe në mbrëmjen e dytë letrare duhet të shijohet dhe përjetohet ndijimi shpirtëror dhe mesazhi i vargut jonian! Dua të them se prezantimin e poezive të poetëve, padyshim se e ngriti edhe më lartë deklamimi dhe interpretimit i vargjeve nga regjisori dhe aktori i mirëfilltë, z. Vangjel Agora.

Fjala dhe zëri poetik “futet” në Butrint dhe në galeritë e artit...!

Dita e dytë shoqërohet dhe begatohet me vizitën e vendbanimit të lashtë, madhështor dhe historik, Butrintit, i cili që në orët e hershme të mëngjesit ishte vërshuar me qindra turistë nga shumë vende, si nga Polonia, Franca, Anglia, Italia, Greqia, Hungaria, por këtë ditë kishin vërshuar edhe qindra qytetarë nga shumë qytete të Kosovës, disa prej të cilëve edhe nga qyteti i Pejës, me shumë prej të cilëve u përshëndeta, dhe dua t’ua them të vërtetën, mu bë zemra mal...

Në atë kohë kur dola nga Parku Nacional i Burtintit, në parkingun e madh të autobusëve dhe veturave, i numërova hiq më pak se njëzetë e gjashtë autobusë...

Kthehemi në Sarandë, por tash fjala dhe zëri poetik “futet” edhe te galeritë: Galerinë private “Veno” dhe tek Kompleksi Muzeal- Galerinë “Art Saranda”. Tash aty, vargu dhe piktura shoqërohen, bëhen një, dhe kështu mesazhi i tyre sikur bëhet formulë e jetës së lumtur, e dashurisë dhe jo e inateve dhe jonjerëzores...!

 

Performansë e shkëlqyeshme e recitimit dhe e muzikës nga nxënësit e Gjimnazit “Hasan Tahsini” Sarandë

“Na bashkon një det”, simbol dhe mesazh i fuqisë krijuese për njerëzoren...!

Afrohet koha kur në mbrëmje do të promovohet libri-antologjia me poetë italianë dhe shqiptarë të jugut “Na bashkon një det”, ky libër me një simbolikë të qëndrueshme mbase edhe me mesazh të kjartë të fuqisë krijuese për njerëzoren. Promovimi u bë në ambientet e hotelit prestigjioz “Butrinti”, kur për veprën folën, psikologu dhe krijuesi Bardhyl Maliqi dhe krijuesi, Anton N. Berisha.

Këtë mbrëmje libri, e madhështoi edhe programi i të rinjve të Gjimnazit “Hasan Tahsini” të Sarandës, të cilët krijuesve mysafirë ua prezantuan një performansë të shkëlqyeshme të recitimit dhe të muzikës. Për këtë, nuk ka dilemë, se, meritore ishte edhe krijuesja, Irena Gjoni. Dhe, prej kësaj “dasme” letrare dhe kulturore, sërish kalojmë tek salla e ngrohtë te “Bougainville Bay”, ku u prezantuan edhe krijuesit tjerë, pjesëmarrës të “Trirema e Poezisë Joniane”. Andaj, këtë manifestim letrar jubilar të “Trirema e Poezisë Joniane” e madhështoi fryma poetike e Daniele Giancane, Enrico Bagnato, Anna Santoliquido dhe Antonio Schirone nga Italia, e Gustavo Vega dhe Tonnia Pasola nga Spanja, pastaj Dalila Hiaoni nga Maroku, Olivera Droçevska nga Maqedonia.

 

Krijuesi dhe anëtari i Kryesisë së Klubit të Krijuesve Jonianë, Timo Merkuri duke shpallur fituesit e Kurorës së artë me degë ulliri

Kurse nga Shqipëria me poezitë e tyre u prezantuan: Petrit Ruka, Riza Braholli, Zimo Krutaj, Pandeli Koçi, Sadik Bejko, Kolec Traboini, Lumo Kolleshi, Beatriçe Balliçi, Agim Bajrami, Iliriana Sulkuqi, Xhelal Tosku, Qazim Muska, Piro Loli,Ana Kove, Vasil Klironomi, dhe Sami Velçani. Ndërsa nga Kosova, me krijimtaritë e tyre u prezantuan: Anton N. Berisha, Sabit Rrustemi, Nexhat Rexha, Sejdi Berisha, Prend Buzhala, Naime Beqiraj, Ibrahim Kadriu dhe Adem Gashi. Nga Maqedonia: Adem Abdullahu, Lulzim Haziri dhe Sermet Sulejmani. Ndërsa, nga Kulbi i krijuesve jonianë: Andriana Dhrami, Agim Mato, Andrea Zarballa, Bardhyl Maliqi, Dashamir Malo, Lediona Braho, Irena Gjoni, Hekuran Halili, Timo Merkuri, Vangjel Zafirati, Odise Gremo, Natasha Xhelili, Zaho Vasili, Pajtim Çaushi dhe Spiro Thomari.

Në mbarim të këtij manifestimi, Kryesia e Klubit të Krijuesve Jonianë vendosi që marë në vlerësim krijimtarinë e secilit krijues dhe shkallën e bashkëpunimit të tij me Klubin e Krijuesve Jonianë, vendosi që Kurorën e Artë me degë ulliri t’ua ndajë krijuesve: Anton N. Berisha, Daniele Giancane dhe Fatmir Terziut.

Dhe në fund të këtij shkrimi nuk do përdori asnjë thënie, asnjë mendim as timin dhe as të ndonjë shkrimtari apo mendimtari, por dua të them thjeshtë, se vetëm fjala që del nga zemra e shpirti e madhështon jetën, e fisnikëron mendjen dhe njeriun për t’i bërë lapidar vetëm njerëzores, e kësaj peshe janë manifestimet letrare dhe kulturore, siç është “Trirema e Poezisë Joniane” në Sarandë, në jug të atdheut...!



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora