E shtune, 20.04.2024, 04:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Hamit Taka: Princesha e qytetit

E hene, 03.10.2016, 05:03 PM


PINJOLLJA E BAJRAKTARIT OSE PRINCESHA E QYTETIT

Tregim nga Hamit Taka

Pas dy muaj mungese u ktheva në qytetin ku punoja. Të mitë kishin tri ditë që ndodheshin në shkollë. Pandehja se vetëm ata dhe një Zot e dinte sa shumë më prisnin, por nuk qe tamam ashtu. Shefi i seksionit, që ndodhej atje, për të kqyrur gjëndjen e shkollës, kishte një pamje shpërfillëse, më foli me fodullëk dhe ma preu shkurt, duke më dërguar te drejtori. Në korridor ndodhej Prena, pastruesja e shkollës, e cila ishte e mbytur në punë dhe më foli kalimthi. Drejtorin e gjeta me mësuese Marjolën, e cila, çuditërisht, sa më pa, në vend që të më mirëserdhte, më pyeti vetëm pse u vonova dhe i dha kokës lart me kryeneçësi, sikur midis nesh të kishte ndodhur diç që ajo nuk do t’ma falte kurrë dhe u largua sakaq, pa pritur t’i ktheja përgjigje, bile pa i kërkuar leje drejtorit. Kuptohet se e bëri enkas, ndërkohë duhej të bisedonim dhe kishim përse. Madje m’u bë sikur edhe drejtori më vështronte me një vrasje ndërgjegjeje.

Nuk prisja buqeta me lule, por një pritje aq të akullt nuk kisha si ta imagjinoja.

Oresti, shoku im nga Gjirokastra, si për t’i sfiduar kolegët, më futi krahun dhe u nisëm drejt lokalit të Jovan gollobordasit. Ne, profesorët e gjimnazit, e quanim kafe “Jovani”, sepse atje pinim zakonisht kafen e pushimit të gjatë, ndërsa emri zyrtar ishte “Drini”.

Te shkallët e jashtme të shkollës, një godinë trekatëshe, takuam Vilajetin, e bija e vetë drejtorit, edhe ajo mësuese letërsie në gjimnazin tonë. Ishte i dukshëm malli në sytë e saj, porse nuk dukej fare e lumtur. Sido që përpiqesha të bëhesha i pandjeshëm, e kisha të vështirë shfaqjen e pëllumbit me pëllumbeshën. Duke dashur të na linte vetëm, Oresti më bëri me dijeni se pritej të vinte zvendesministri i Arsimit me një drejtor drejtorie, një farë Jaupi dhe do të organizohej një drekë në hotel-turizmin e qytetit, zakone mikpritëse shqiptare.

- Hë ç’kemi, si i kalove pushimet, pulëbardhë? - kështu e quaja unë atë. Ajo më shpjegoi fije e për pe si i kishte kaluar pushimet dhe se e kishte marrë malli për shokët e mirë, domethënë për mua. Gjithashtu edhe unë i fola për veten time, sigurisht pa harruar t’i tregoja se sa shpesh e kisha kujtuar.

- Po ekipi? – domethënë dora jonë. – Drejtorin si e kam me shëndet?

- Imatë është mirë, me ca strese të punës, siç e di vet ti, po hajt mo! Ekipi është ai që ishte. Kemi vetëm ndryshime cilësore.

- E ndjeva, - i thashë. Ishte i dukshëm sikleti i saj nga përgjigja ime, domethënë ajo diç dinte më tepër se unë. Për ta kapërcyer bezdinë që krijuan fjalët e mia, e pyeta sërish:

- Çfarë ndryshime, përshëmbëll, se s’më durohet?

Bëri përpjekje të sforcuara për të treguar një farë delikatese.

-Ah, po, thashë se ishit të informuar, kolegia jonë është fejuar.

-E di, - ia ktheva si i pa interesuar, pa ditur asgjë, pasi gjithë ajo ngutje nuk kishte si t’i vinte veçse nga fejesa e rivales së saj, Luljetës.

- Ne e festuam, - më shpjegoi, me demek, se nuk më pritën mua.

U vetëpërmbajta, nuk shpreha ndonjë shenjë habie dhe kjo e çmishëroi më tepër.

- Nuk je kureshtar ta dish se me kë është fejuar kolegia? –më tha pas pak. - E di, - iu përgjigja, për të mos e zgjatur më atë bisedë.

Mori frymë e çliruar dhe më futi krahun. Ishte hera e parë që ndodhte një intimitet i tillë mes nesh. Pas pak ia hoqa krahun, “Bën shumë vapë sot, nuk e prisja këtë zagushi në qytetin tënd të freskët”, i thashë.

Kjo ose s’di asgjë, ose situata është shumë e ndërlikuar, mendova.

U mbështet në shpinëzën e karriges dhe befas shpuri buzën në gas. S’di sepse, veçse ky gas m’u duk i zymtë dhe ogurzi, paçka se tani e kuptoj që ai ishte pastër dhe i sinqertë. Isha me nerva të acaruara dhe papritmas më lindi dyshimi se mos kisha rënë në ndonjë grackë të kurdisur me dinakëri praj saj dhe Marjolës.

Nuk ishte e thënë ta pija një kafe i qetë, nga të papriturat që më rezervonte dita e parë e punës pas pushimeve verore. Pa mbritur ende kafet, ia behu sekretari i organizatës bazë në shkollë, një zdrukthtar, që punonte si mësues i punës me dru në një shkollë tetëvjeçare, shoku Tarik. Se ky njeri kurrë s’më shihte ndonjëherë drejt në sy; se edhe ia kishte ënda, por sa herë që e provonte, më shumë belbëzonte e ngatërrohej me mendimet e tij. Ia ngulja aq pa sajdi shikimin sa që në çast turbullohej. Dikur, përmes ca frazash të fryra, si të presuara varg njëra pas tjetrës, deri sa tek e fundmja u ngatërrua fare me to, deshi të më këshillonte se duhej të isha më i thjeshtë në paraqitjen time dhe më i afruar me nxënësit, bile të mos tregohesha aq dorështrënguar, domethënë t’u vija ca nota më të larta. Mbase kishte edhe hallin e vajzës së tij, pasi nuk e arrinte dot mesataren, por nuk mund të mos e merrja me mend se përcillte porosinë e dikujt tjetër dhe, në thelb, më vinte keq për atë njeri të pagdhëndur, që i kishin ngarkuar atë barrë mbi shpatulla. Barrën e alltarit ia kanë ngarkuar gomarit, më thoshte Jovani. Gollobordasi u jepte ujë në bisht të lugës sërës së atij tipi. Sidoqoftë, mbase nga prezenca e vajzës së drejtorit, atë çast shoku Tarik u tregua më xhentil e më i lirshëm. Këta njerëz pa kurajo e të ndrojtur, kur sillen në këtë mënyrë, duhen kuptuar se e kanë një arsye për ta ndier veten superiorë. Më mirëseardhi, na uroi të dy për fillimin e vitit të ri shkollor dhe iu drejtua një tavoline në qoshe.

- Urdhëroni, uluni, shoku Tarik, ta pimë sëbashku kafen, - e ftova me çiltërsi.

- Jo, faleminderës juve, pres një shok, - ma ktheu ai. E ndjeva se donte të më thoshte diçka dhe ia thashë Vilajetit. Ajo ma miratoi me kokë.

E vështrova me nënkuptim Vilajetin, atë bëri dhe ajo, që ndonëse më shkeli syrin, dukej e shqetësuar. Pastaj më zhbiroi me një vështrim të shpejtë, që ishte e vështirë ta kapje.

- Qetësohu, koleg i dashur, s’besoj se keni për të dëgjuaar ndonjë gjë të llahtarshme…

Edhe sikur të më kishte ngulur dhëmbët e të më kishte shqyer, s’do të isha shastisur më shumë. Hera e parë që më thoshte “koleg i dashur”, qëkur ishim njohur. E kuptova si një njësi distancë, që duhej ta respektoja tash e tutje me të. Dukej sikur edhe ajo ishte vënë përballë meje.

- Përse ju dukem i shqetësuar, kolege e dashur? – iu përgjigja me të njëjtën monedhë.

- Këtë ma thotë pamja juaj. Tani ju tregoni qartë shenja nevrastenie. Qetësohu para bisedës me shokun Tarik dhe mos e nënvleftësoni.

- Më falni, unë e di që shoku Tarik është i rëndësishëm, por këtu sikur erdhëm për kafe, jo për t’u bërë masazh nervave.

- Po, ja ndërhyri ai, na prishi rehatinë… - m’u përgjigj, duke treguar shokun Tarik, që na kishte kthyer shpinën.

- Mos e prishni gjakun, - ia ktheva me ironi. – Sido që të jetë, gjithçka do të bjerë mbi mua.

Pimë kafet, pothuajse në një heshtje të nderur dhe thirra Jovanin të paguaja kafet.

- Ikni, s’keni gjë, janë të paguara, i pagoi shoku Tarik, - u përgjigj Jovan gollobordasi.

Ndërkohë Vilajeti më kishte kapur dorën, domethënë për të mos më lejuar të paguaja. Ia hoqa me delikatesë dorën.

– Po ju pres këtu, - më tha.

- Mbase vonohem, më mirë mos më prit.

- Po ju, kur u ulëm, sikur diç deshët të më thoshit?

- Desha diç t’ju thoja?... Ah, po, po… - thashë me një farë pasigurie. – Flasim më vonë pas bisedës me shokun Tarik.

Ajo tundi kokën në shënjë pohimi me një buzëqeshje të lehtë, sikur ta trazonte ndonjë kujtim, që ajo e ruante si sytë e ballit.

* * * * *

Mendova se biseda me shokun Tarik do të ishte e shkurtër, më e thjeshtë. Dhe nuk mund të themë se kaloi pa tronditje. Vetë shoku Tarik dukej i sikletosur. Edhe unë, nga ana ime, u tulata. Në të vërtetë pse e trasha bisedën me shokun Tarik, që t’i shtoja zavalle kresë?... Ama edhe ajo bisedë fare pa kuptim! …

- Ka do llafe, pëshpërisin… Unë për vedi s’kam pa gja me sy, po ja që njerëzve nuk u rri goja. Thonë se ju, prej kohësh shoqënoheni me një vajzë, me të cilën nuk duhet as me u përshëndet e jo ma me u shoqënue…

- Pse, mos është e çmendur ajo vajzë, apo ka ndonjë sëmundje ngjitëse?

- Shumë ma keq, -heshti ca. Hunda tërë gunga po i zgjatej para syve të mi. – Shteti ynë ka ligje të rrepta.

- Ç’ligj është shkelur, shoku Tarik?

- Po, ja, ashtë ai ligji i luftës së klasave.

- Deshe të thoje parimin e luftës së klasave, - i bëra një ndërhyrje.

E pashë që biseda nuk ishte hiç e këndëshme. Mendova si të dilja prej saj sa më me lezet.

- Dakord, dakord, kuptohet se ju diç dini për mua , por që nesër e tutje nuk do të përshëndetem e shoqërohem me asnjë vajzë të këtij qyteti, pasi secila mund të jetë ajo vajza që s’duhet ta përshëndes.

- Domosdo që di, prandaj dhe ju flas. Ajo s’ashtë një vajzë dosido, ashtë e dallushme, se ashtë e bukur, ashtë e squtë, ashtë kryelartë, ashtë mospërfillëse, ashtë e rrezikshme. Ashtë vetë mbesa e bajraktarit të tanë kësaj krahine… Keni ba një akt pa pre… cidencë, … pa presidencë…

- Pa precedent, -e ndihmova, ama më pëlqeu fraza e tij , e ngjeshur me ata gjymtyrë homogjenë, të renditur sipas shkallës së rrezikshmërisë.

- Por unë as e njoh,as kam folur me të e as kam dëgjuar për të.

- S’ka mundësi mos me e njoh, atë e njohin të gjithë dhe do gangsterë e kanë pagëzue “Princesha” e qytetit.

-A thua se do të na përmbysë shtetin kjo “Princeshë”? – desha të bëja humor e ironi me të.

Kjo përgjigje iu duk herezi shokut Tarik dhe e irritoi.

- Ç’ashtë kjo pyetje që bëni?...Edhe ju, profesor, mos e merrni kaq përpjekur me këto ligjet tona. Gjepura jeni duke dërdëllitur?

- Hëm, por unë s’e njoh dhe s’kam dëgjuar agjë për atë “Princeshën”.

- Ama disa herë në kinema keni qënë krah për krah me ta dhe keni folur mes jush.

- Këtë bisedë e kisha përfytyruar më të përzemërt, shoku Tarik, por dua t’ju them se sa të lehtë e kanë këta shefat, t’i përcjellin detyrat e tyre me ju!

- Unë baj detyrën time, profesor.

- Hëm, sigurisht që ju bëni detyrën tuaj dhe unë e respektoj, por as më thua kush janë ata përgjues që më kanë ruajtur me kë shoqërohem unë e me kë më bie radha të ulem në kinema?

- Ata nuk janë përgjues, janë njerëz të zakonshëm ose të rëndësishëm, ne nuk mund të marrim emrat e tyre nëpër gojë. Pastaj ç’randësi ka kjo, profesor.

- Kjo ka shumë rëndësi, - ia ktheva dhe mëndja më shkoi te Vilajeti dhe vajza e tij, me të cilat kIsha shkuar shpesh në kinema, - se diku ata persona, të zakonshëm apo të rëndësishëm, duhet të dalin dëshmitarë me fakte, bile të japin dhe llogari, sa mund të humbasin dhe ca privilegje, që mbase edhe nuk i meritojnë. Sidoqoftë, faleminderes juve, shoku Tarik, për sinqeritetin dhe dashamirësinë tuaj! - Unë të rekomandoj ta mendosh dhe një herë me qetësi transferimin në Burrel, pranë mikut tuj, professor, - e mbylli ai bisedën dhe unë i mërmërita “mirupafshim”.

Shprehjen e fundit të shokut Tarik e mora si kërcënim dhe më habiti seriozisht. Dukej si i dëshpëruar që nuk e kishte çuar dot deri në fund detyrën. Tashmë ishte e qartë si drita e diellit, se, për dikë pas shokut Tarik, isha i padëshiruar në atë qytet. Qëndrova ulur disa minuta në bankën e nxënësit, ku kisha zënë vend, në klasën time. Mos kam hyrë pa dashje apo me kryeneçësi në një shteg pa krye? Më dukej se isha ulur në bankën e pendesës. Qëndrimi shpërfillës dhe përgjigjet ironike, që i jepja shokut Tarik, m’u dukën pa sensin e masës.

* * * * *

Nuk ishte se nuk e njihja fare mbesën e bajraktarit, pasi ajo ishte femra emblematike e qytetit verior, në të cilin shpaloseshin dukshëm. Jo vetëm ata që vinin me punë, por edhe ata që kalonin tranzit, ishte e pamundur të mos dëgjonin për “Princeshën”. Kushdo që e përmendëte nga bashkëqytetarët e saj fliste me një pasion të çuditshëm për të. Përshtypjet ishin të ndryshme, por të gjitha fokusonin te bukuria, zgjuarsia dhe krenaria e saj, e thënë me dy fjalë: “kini inatin, falni hakun”. Edhe ata që simpatizonin regjimin, rezervoheshin, por nuk shpërthenin atë urrejtjen e pakuptueshme, siç bënin për njerëzit e sërës së saj; ata që nuk e donin regjimin e adhuronin; ishte një grupi i tretë, shumica të rinj, që s’donin t’ia dinin për luftën e klasave, ata flisnin vetëm për bukurinë e saj; kishte dhe vajza të reja, por edhe lënesha, vejusha, nga ato beqaret e stazhionuara, që hynin në grupin e ziliqareve. përsa u përket meshkujve, të gjithë e lakmonin, e vështronin hapur apo tinëz, e dëshironin heshtaz me lakmi, por askush nuk guxonte t’i afrohej. Një veshtrim tagent i saj, do t’u shkaktonte drithërima, por askënd nuk e vështronte ajo. Natyrisht kishte dhe nga ata, ziliqarët e lakmitarët që përpiqeshin ta anatemonin e ta izolonin, me demek si e klasës së përmbysur. Por asaj s’i dridhej qerpiku fare, ishte aq dinjitoze, sa askush nuk guxonte ta stigmatizonte hapur. Artistët e qytetit e quanin “piktura vetëlëvizëse”. Mjaft të rinj vinin baste se mund të shoqëroheshin me të, të tjerë, më të guximshëm, thonin se mund ta puthnin, ca garipa, që mbaheshin si don Zhuanë, thonin se së shpejti ajo do t’u shtohej listës së dashnoreve të tyre.

Etiketimi “e deklasuar”, sa i krijonte një murë mbrojtës nga bezdia e meshkujve të rëndësishëm e lakmitarë, të cilët synonin të gjitha vlerat materiale e shpirtërore të shoqërisë. Por, edhe sikur të mos ishte ai murë, prapë nuk do të guxonin t’i afroheshin. Bukuria magjepsëse, trupi i derdhur, eleganca në veshje dhe ecje, inteligjenca e trashëguar dhe, mbi të gjitha, krenaria e vetëdijes për epërsinë e vlerave të saj, e rrethonte me një aureolë drite verbuese e të padepërtueshme. “ Të ishte e bija e një ofiqari apo artisti, njerëzve do t’u dukej vetja liliputë para saj", thoshte Jovan gollobordasi. Por ajo, madhështore dhe kryelartë, ishte aq dinjitoze sa rrinte vetëm, lëvizte vetëm, shërbente veten si një perëndeshë.

Dikur i kisha bërë vetes pyetjen: Si është e mundur që rastësia e vendos pranë meje sa herë jemi të pranishëm të dy në kinema? Mos vallë kur unë prisja biletë, ajo më ruante dhe nxitonte të priste biletën e radhës? Sigurisht këtë mund të mendonte dhe ajo për mua. Mund të ishte edhe ndonjë truk kushedi për çfarë arsye. Ama, pavarësisht se si ndodhte, mua më pëlqente. Mbase dhe asaj. Heshturazi e kisha pranuar këtë si një mrekulli , si ujdi e Zotit. Dhe kjo mrekulli punonte si një sahat i kurdisur, ndoshta dikush e kurdiste.

Më pëlqente aq shumë prania e saj, sa më dukej se ky ishte një rregull i kombinatorikës matematike. Në se do të ndodhte ndryshe, do të më dukej sikur ishin prishur ligjet e natyrës. Dhe ajo që nuk besohet ishte se ne as e shikonim njëri-tjetrin as e preknim e as shkëmbenim ndonjë fjalë. Veçse e ndjeja praninë e saj në çdo qelizë e në çdo ind. Prezenca e saj në krahun tim ishte kthyer në një nevojë aq sa, po të mungonte, kur nuk isha i shoqëruar, mund ta lija kinemanë. Bile dhe kur isha i shoqëruar, do të gjëja ndonjë arsye me raste, për t’u larguar…

Eh, atje në mbështetëset e karrigeve fqinje mund t’i kishim prekur supin apo parakrahun njëri-tjetrit, gjë që shoqërohej me shtrëngata ndjeshmërie e shungëllima të gjakut, por vetëm një herë kishim shkëmbyer dy fjalë të thata.

Po shfaqej opera e Puçinit, madam Baterflaj. Isha unë i pari që e hapa gojën:

- Ju pëlqen “Madam Baterflaj”?

- Shumë, - m’u përgjigj ajo pa e kthyer kokën.

- Në përgjithësi ju pëlqejnë operat?

- Shumë, - m’u përgjigj duke pohuar edhe me kokë, por prapë pa më vështruar.

Ramë në qetësi. Ajo ishte përqëndruar në shijimin e operës, unë isha zhytur në admirimin e hireve të saj. Pas rreth një çerek ore, më pyeti befas:

- Po juve, ju pëlqen kjo operë?

- Shumë, - gënjeva unë pa e vështruar.

- Po vetë Puçini?

- Shumë.

- Domethënë ju shijojnë operat?

- Shumë, - iu përgjigja prapë pa e vështruar.

Kthimi i “reshtos” e bëri të qeshë, sa i dridheshin supet dhe në mënyrë periodike preknin supet e mia.

- E qeshura është e rrallë, thotë greku, - i thashë. Ia këputa kot, desh i thashë, thotë Sokrati.

- Francezi, - ma ktheu.

Kaq ishte e gjithë biseda e parë.

Më parë habitesha me thënien se Napoleoni, gjeniu, shprehte injorancën e tij, kur thoshte “Operat i duroj me vetmohim”. Kjo me që edhe unë nuk isha pasionant i tyre. Por ja që fillova t'i shijoja, bile shumë. Ma ngjiti "Princesha", e cila, jo vetëm ishte dashamire dhe e pasionuar pas tyre, por kishte dhe kulturën e mjaftueshme për t'i reçensuar. S’thonë kot se rrethanat ndikojnë në shijet e njeriut.

Një ditë, një nxënëse bukuroshe, që e gjeta para derës së klasës, më la një biletë kinemaje në dorë dhe iku. Me një të parë e mora me mënd se ishte nga soji i saj. Parandjenja ime nuk më zhgënjeu. Gjeta radhën 17, karrigia 12. Ajo ishte ulur në karrigen 11. Gumëzhiu gjaku në venat e mia. Shfaqej opera Aida e Verdit. Pranë saj u ndjeva mirë tej çdo imagjinate. Ishte një natë magjike. E shijoja aq thellë operën dhe u zhyta në ndjesitë dhe ëndërrat e mia, duke e identifikuar "Princeshën" me Aidën. Nuk shkëmbyem asnjë fjalë. Ishte e dukshme se donim të shijonim praninë e njëri-tjetrit, të ndienim dhe vetëm të ndienim atë prani të paharrueshme. Ai ishte takimi ynë i fundit.

Kolegia më priste në tavolinën që e lashë. Qe e tëra e përpirë nga ca mendime të thella. Më pa kur hyra te porta, u ngrit menjëherë dhe ma bëri me shënjë ta shoqëroja në shëtitje nga parku. Sa m’u afrua më pyeti:

- Hë, çfarë biseduat me shokun Tarik?

- Po ju pse digjeni nga kërshëria për ta ditur? – iu përgjigja pa takt.

- Si të doni, - foli ajo dhe pashë në sytë e saj një zhgënjim turbullues. U pendova për atë përgjigje të nxituar, reflkes i gjëndjes sime shpirtërore dhe iu përgjigja:

- Më bërie ca pyetje pa kuptim: nga e njihja kryetarin e komitetit ekzekutiv të Burrelit?... Pse nuk i kërkoj mikut të më afrojë në atë qytet, diku në seksion të arsimit apo drejtor shkolle?...

- Ç’poshtërsi!, - shpërtheu ajo, pa pritur t’i mbaroja përshtypjet e mia. E vështrova vërtetë i habitur me regimin e saj.

- S’jua themë dot arsyen… se, ndoshta kjo punë ende… por… ju e dini që ata presin miratimin e zvendësministrit.

- Domethënë ju dini diçka? Për çfarë miratimi është fjala?

- Doni ta dini të vërtetën, si qëndron puna, koleg i dashur? – u hodh ajo papritur tërë nervozizëm? – Shefi dëshiron t’ju transferojë në Burrel.

- E përse?!

- Për asnjë arsye serioze, thjesht nuk dëshiron të jesh këtu, në qytetin tonë.

- Po babai juaj.

- Po edhe ai, ia mbush mëndjen shefi.

- Po si? Për ç’arsye?

- I thotë se unë do ta prish fejesën me drejtor Jaupin dhe do të fluturoj me ty në Jug.

- Po nuk e bisedon me juve babi?

- Babi nuk dyshon kurrë për mua, por, mbase… miqësia jonë…

Më erdhi aq e papritur, sa bëra një hap prapa. Mos të gjitha janë kurdisur nga kolegia që kam para? Gjykova në çast, por, kur pashë, se ajo më vuri re me një dhimbje aq të dukshme, sa nuk mund ta duroja, i thashë me shaka:

- Do të fluturonim si zogj shtegëtarë drejt viseve të ngrohta!...

Ajo m’u hodh në gjoks dhe lotët e saj të ngrohtë depërtuan midis jakës sportive të këmishës në gjoksin tim.

- Vilajet e dashur, -i thashë, - nuk të kam premtuar asgjë.

- E di, e di… - ma ktheu, - por nuk do t’i lejoj të bëjnë lodra me ty… Ama mos gënje se nuk ndien asgjë për “Princeshën”.

Bëra sikur s’e dëgjova.

-Në se do të transferohem, ndoshta do ta kërkoj vetë, ai shoku shef duhet të tërheq nga banka, katër rrogat që m’i ka marrë hua, - i thashë për ta bërë me dijeni.

Këto fjalë e shushatën fare.

- Ju ka katër rroga borxh?

I pohova me kokë.

- M’i ka marrë kur mori shtëpinë e re, për ta mobiluar sipas rangut të detyrës së tij.

- Po kaq shumë? Katër rroga? Si ia dilje për vete?

- E zgjidhnim me Orestin. Rrogën e tij e harxhonim, kurse timen ia jepnim shefit. Kështu ndihmuam atë, kursenim dhe për vete.

- Aha, ja si paska qënë puna… Dhe tani do të mos ju ketë para syve. Kështu nuk ndihet keq dhe mund të t’i japë kur t’i bëhet ose… - nuk e mbaroi shprehjen.

- Nuk besoj ose nuk më pëlqen të mendoj se mund të jetë ky motiv kryesor për transferimin… Shoku Tarik më përmendi shoqërimin me “Princeshën”.

- Ky është pretekst. Atëherë do të kishte një motiv për të gjithë intelektualët meshkuj.

Sinqeriteti, logjika në arsyetime dhe shprehja lakonike e tyre ma rritën para syve personalitetin e saj.

U ndamë, duke e falenderuar dhe shprehur respektin tim për angazhimin e saj në problemet e mia misterioze. Ajo u nis për në shtëpinë e vet. Unë zbrita shkallët e parkut dhe dola në rrugën e larë nga rrezet e diellit. Ishte shumë vapë dhe shkëlqimi i diellit mbi ndërtesat e bardha më lëbyrte sytë. Eca i vetëm nëpër anën me hije të rrugës së pjerrët drejt qendrës shëndetësore, ku shpresoja të gjeja Zenelin. Hija ishte e dëndur dhe e freskët si ujë burimi. Por, kur lashë prapa rrugicat tërthore, vapa zuri menjëherë. Mes njerëzve që takoja përballë nuk vura re asnjë fytyrë të njohur. Tamam përpara qendrës shëndetësore, hyra në kafene “Lura”. Kafeneja ishte bosh. Vetëm ca njerëz rrinin jashtë në tavolinat afër murit. Në njërën nga tavolinat katër veta të moshuar loznin me letra. Të tjerët rrinin të mbështetur pas murit dhe tymosnin; para tyre kishin mbetur gota bosh dhe filxhanë kafeje. Kalova përmes sallës së gjatë në dhomën e vogël të pasme. Në qoshe rrinte në një tavolinë një person, i cili flinte. U ula në një nga tavolinat. Hyri kamarieri dhe erdhi pranë meje.

- Nuk e keni parë Zenelin? – e pyeta.

- Ai erdhi në mëngjes , - m’u përgjigj. – Duhet të ketë shkuar nëpër shkolla, për të kontrolluar higjenën. Tani s’vjen më para orës pesë.

- Më sillni një kafe me qumësht dhe një fërnet, - i thashë.

E piva me nge kafen e fërnetin, i tretur në mendime ogurzeza. E pashë dhe e rraha problemin nga të gjitha anët. Pashë në sy realitetin dhe mendova pasojat. Sido që bëra të paditurin, mospërfillësin dhe burracakun me shokun Tarik, fillova ta ndjeja tokën të më dridhej nën këmbë. Në se do të provohej se kisha shkelur parimet ideologjike, ishte njëlloj sikur të kisha shkelur në një tokë vullkanike, që do të shpërthente nga çasti në çast. Në sy kisha vazhdimisht prindërit, ç’do t’u thoja, si do të ndiheshin. Ishte një makth i vertetë. Ashtu i përhumbur në mendim kontrakditore, sa nostalgjike aq edhe ogurzeza, kishte kaluar ora katër. Ç’bëj këtu akoma? thashë me vete. Hodha një vështrim nga dritarja e asaj dhome të pasme të kafenesë dhe pashë si nëpër ëndërr atë. Fërkova sytë, mos ishte zhgjëndër, por jo… Ishte pikërisht ajo, vetë Princesha. U bë ç’u bë, vendosa dhe nxitova pas saj, duke vështruar sa majtas, sa djathtas, sa pas e sa para, si ai hajduti që vrapon me atë gjënë e rrëmbyer, se mos bija në sy që e ndiqja. Kur iu afrova te rrugica që i ngjitej kodrës, ku ishte ish-vila e bajraktarit, sikur toka t’i trasmetonte frekuencën e hapave dhe mendimeve të mia, ktheu kokën pas dhe më bëri me shenjë të mos e ndiqja. Tentova sërish, por kundërshtia e saj ishte kategorike.

Kalova një ditë e një natë mos më keq, me telashe kotsëkoti, për të qarë e për të qeshur. Ishte ora dymbëdhjetë e natës. Rrija atje në atë vrimëzën time dhe kujtoja ç’më ndodhi. Nisi ajo ditë me entusiazëm, se do të takohesha me kolegët e mi të dashur dhe përfundoi si mos më keq…

E lashë veten në mëshirën e fatit, të ndodhte ç’të ndodhte! Thonë se stresi të lë pa gjumë, kurse mua më vë në gjumë ariu. Të nesërmen u zgjova vonë. Nga ora dhjetë e gjysmë, me hapa të rënduar nga ndërgjegjja, u nisa drejt shkollës, si ai që niset drejt litarit. Ishte dita e parë e mësimit. Nxënësit ishin rreshtuar pas pushimit të gjatë. Sikur dikush t’i kishte komanduar ata kthyen kokën nga porta e oborrit sa hyra unë. Më pritën me duartrokitje, sikur ta dinin mynxyrën e shpirtit tim. Gjesti i tyre më dha kurajo. Por, për çudinë time, drejtori që jepte ca udhëzime, duartrokiti bashkë me ta. Oresti m’u afrua dhe më shoqëroi deri te shkallët. Marjola më përshëndeti sikur të mos ishim takuar më parë, ndërsa Vilajeti transmetonte një lumturi të përkryer… Nxënësit më shikonin me admirim, me kureshtje të pazakontë. Dukej hapur se nuk më prisnin…

Pra mrekullia kishte ndodhur, unë isha përsëri mësues në shkollën e mesme të qytetit… Pas mrekullisë zgjatej si bisht çudia: si ndodhi që, brenda njëzetë e katër orëve, u pastrua figura ime nga ndikimet e huaja e të armikut të klasës… Pas mësimit, në kafen e Jovan gollobordasit, mësova të vërtetën. Orestit i kishte shpjeguar gjithçka Vilajeti, duke e porositur të mos më tregonte mua.

Pasi kishim mbaruar drekën e bollshme, shefi, drejtori, domethënë babai i Vilajetit dhe zëvendësministri, kishin pirë kafe në një aneks të turizmit. Shefi dhe drejtori i propozuan zvendësministrit transferimin tim, gjë të cilën e kishte marrë përsipër kryetari i komitetit ekzekutiv të Burrelit.

Kur gjithçka ishte miratuar, Vilajeti, e cila, në bashkëpunim me Rozën, kamariere në turizëm, kishte përgjuar bisedën dhe kishte shkuar pa pritur midis tyre. Sigurisht ata ishin befasuar, por e kishin ftuar për kafe dhe ajo kishte pranuar.

- Nuk ju shqetësoj, kam vetëm një fjalë, u kishte thënë ajo, sapo kishte mbritur kafja. Shefi dhe drejtori kishin shqyer sytë.

- Urdhëroni flsni, shoqja Vilajet, - ishte përgjigjur zvendësministri, pasi kishte hetuar fytyrat e vrerosura të dy drejtuesve të arsimit.

- Unë mendoj se nuk ka arsye për ta tranferuar nga shkolla jonë mësuesin më të mire të saj, të cilin, për punën dhe personalitetin e tij, e respekton tërë qyteti.

- Edhe Princesha, pa tjetër, - kishte ndërhyrë me sarkazmë shefi i seksionit

- Unë jam mësuese letërsie dhe mendoj se nuk është rasti për sarkazma, shoku shef. Bllofi i shoqërimit me atë vajzën është sa cinik aq edhe i turpshëm. Por unë i drejtohem edhe babit tim të dashur: Në se ikën ai, unë "fluturoj" pas tij.

Ata ishin ngurosur si statuja. Shefi e kuptoi ironinë therëse të Vilajetit.

- Kam edhe për ju, shoku zëvendësministër, një lutje: bëni sikur nuk i dëgjuat këto që thashë unë dhe faljua këtë rast babit të dashur dhe shefit të nderuar.

- Prit, prit, ti shoqja Vilajet, mos nxito. Si rastisnin radhasi biletat e kinemasë ngjitur për të dy, mund të ma shpjegosh?

-Për këtë pyesni sportelistin e kinemasë, ai është nipi juaj, -iu përgjigj me një buzëqeshje ironike, Vilajeti. Shefit iu nxi fytyra, ndërsa drejtori ia vështroi mynxyrosjen me habi. Me sa duket e kapi fillin e lojës.

- Mësuesi nuk do të transferohet, ai është kuadër i partisë, është njeriu ynë, - e mbylli bisedën preraz zëvendësministri.

Në të vërtetë ndodhi një ndryshim i vogël. Babin e Vilajetit, e hoqën nga drejtor, pasi kishte bredhur shumë vite komiteteve dhe e çuan drejtor konvikti, si i vjetër në moshë, kurse drejtoreshë shkolle bënë Vilajetin.

Interesante ishte, këtë e mësova më vonë, se nxënësit ditën e parë të shkollës,më shikonin me admirim, jo ngaqë do të isha sërish në shkollën e tyre dhe mësuesi i tyre, por nga çudia se si kisha arritur të afrohesha me “Princeshën” e qytetit dhe të “dashurohesha” me të.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora