E marte, 19.03.2024, 03:32 AM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Vetëvrasja dukuria që duhet të na shqetësojë

E enjte, 29.09.2016, 08:44 PM



Vetëvrasja dukuria që duhet të na shqetësojë...

Nga Entela Binjaku

Vetëvrasja, një ndër dukuritë e sociologjisë bashkëkohore është e pranishme dhe në rritje në shoqërinë tonë. Ajo godet meshkuj dhe femra, të rinj e të moshuar, të pasur e të varfër, nga zonat rurale dhe urbane, me dhe pa  pushtet, me arsim të lartë dhe pa një arsim të tillë etj.

Vetëvrasja është heqja dorë në mënyrë të qëllimshme nga jeta. Shkaqet që mund të shtyjnë një individ drejt këtij akti mund të jenë të natyrës shëndetësore, kryesisht të shëndetit mendor,  mund të lidhen  me  predispozitën organiko-fizike të tij  dhe  me  natyrën e mjedisit fizik ku jeton individi. Shkaqet e këtij akti nuk përjashtojnë dimensionin shoqëror të saj dhe shpesh një akt në dukje individual, është një fakt i lidhur ngushtë me rrethanat shoqërore.

Edhe gjatë këtij viti,  prej mjeteve të informimit opinioni  ka mësuar  për qytetarë që i kanë dhënë fund jetës, meshkuj dhe femra, të rinj dhe të moshuar, nga fshati dhe qyteti, të pasur dhe të varfër, të arsimit të lartë dhe të ulët etj.  Për këtë dukuri vetëm njoftohet dhe askush nuk thellohet mbi shkaqet që nxitën secilin dhe post-traumën që shoqëron të afërmit të cilët i mundon përjetësisht pyetja: “përse?”. Në statistikat e institucioneve tona të rendit apo  të prokurorisë vështirë të rregjistrohet  numri i saktë i qytetarëve që i japin fund jetës për shkak se  një veprim i tillë nuk quhet vepër penale,  ose përfshihen në kodin si “vepra penale karakteristike të grupit : “shkaktim i vetëvrasjes”.

Duke ju referuar  burimeve zyrtare në vendin tonë, dukuria  e vetëvrasjes duhet të shqetësojë mbarë  shoqërinë.  Për një popullsi të vogël si jona, shifrat janë të larta.

Konkretisht, për vitin 2006 ishin 208 raste të tilla nga të cilat 88 të ndodhura  në zonat urbane dhe 120 në ato rurale.  Gjatë vitit 2007 janë rregjistuar 225 raste vetëvrasjesh nga të cilat 102 në zonat urbane dhe 123 në zonat rurale. Në vitin 2008 në vendin tonë janë rregjistruar 219 vetëvrasje nga të cilat 76 në zonat urbane dhe 143 në zonat rurale. Gjatë kësaj periudhe numri i vetëvrasjeve në zonat rurale ishte më i lartë gjë e cila do të duhej të nxiste shërbimet sociale në këto zona të hulumtonin mbi një dukuri që njihet si kryesisht urbane, të analizonin panoramën e jetës rurale në vend në mënyrë që të ofroheshin shërbimet e munguara për një cilësi jete të ndryshme.

Sipas të dhënave të marra nga Prokuroria e Përgjithshme në  vitin 2009 numri i vetëvrasjeve në Shqipëri ishte 202, në vitin  2010 dhe 2011 ky numër ishte 88, në  vitin 2012 ishte 65 dhe në vitin 2013 ishte 154 vetëvrasje.

Në grupin e veprave penale “Vepra penale kundër shëndetit të kryera nga pakujdesia”në vitin 2013 , vihet re prirja  në rritje prej 136 % e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal “Shkaktimi i vetëvrasjes”, krahasuar  me vitin 2012.

Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale është 80 %  për vitin 2013, ndërkohë që në vitin 2012 ka qenë 70,6 %.  Për tri vitet që pasojnë këto statistika nuk figurojnë ende.

Gjatë këtij viti: një djalë 22 vjec, në muajin gusht i kthyer nga Gjermania  u hodh nga lartësia në aeroport, një 65 vjecar i dha fund jetës në burg, në mars drejtori suedez i kazinosë më të madhe në vend i dha fund jetës në kryeqytet, në janar një 80-vjecar i dha fund jetës në shtëpi, një student nga Saranda rreth të 20-ve i dha fund jetës ndërsa gjendej të gjyshërit, një biznesmen vrau veten në Lushnje, një djalë 32 vjec në kryqeqytet i dha fund jetës pas humbjes së jetës së babait, një burrë nga Përmeti i dha fund jetës në periferi të kryeqytetit pasi kishte konsumuar një kafe me një mikun e tij etj.

Këto janë disa prej rasteve grupimi i karaktereve psikologjike të të cilëve  nuk mjafton për të dhënë natyrën dhe shkaqet e vërteta të aktit që kanë kryer. Por  nëse  nuk dihen historitë njerëzore të secilit, kushtet e mjedisit fizik, nëse nuk njihet një historik i predispozitës së shëndetit mendor, vështirë të zbulojmë më shumë për këtë dukuri. Një gjë e tillë do të ishte e mundur nëse shërbimet sociale do të shtriheshin  në të gjithë vendin, nëse do të ekzistonin qëndra të shërbimit psiko-social kudo ku jetojnë qytetarët  shqqiptarë dhe ky shërbim do ofrohej në  kuptimin e vërtetë që ka. Ajo që ndodh aktualisht në vijimësi të asaj që ka ndodhur në këto 25 vjet është mungesa e plotë e këtyre shërbimeve në një shoqëri që zhvillohet përmes traumave pa analizuar shkaqet e tyre dhe pa marrë masa për parandalim.

Një prej studiuesve që studioi gjerësisht këtë dukuri ishte Durkhemi. Sipas tij ekzistojnë katër tipe vetëvrasjesh: anomike, egoiste, altruiste dhe fataliste.

Në tipin e parë  të vetëvrasjeve përfshihen ato raste  që stimulohen  nga situatat e  karakterizuara nga mungesa apo dezintegrimi i strukturave normative; nga situata të humbjes së vlerave; nga mungesa e përcaktimit qartë të qëllimeve individuale, nga konflikti mes qëllimit dhe mjeteve etj. Një situatë e tillë sipas Durkheimit quhet “anomi”. Në një shoqëri të varfër si jona e karakterizuar nga niveli i ulët i të ardhurave, nga papunësia e lartë, mungesa e një kujdesi të përshtatshëm shëndetësor, nga një nivel relativisht i lartë i analfabetizmit, nga një paaftësi e gjerë e  burimeve njerëzore,  nga një cilësi e  dobët e shërbimeve publike, nga pjesëmarrje e ulët  e qytetarit në proceset vendimarrëse, ose nga një shpërfillje e rolit të tij në zhvillimet e vendit,  nga përjashtimi shoqëror i grupeve vulnerabël, dhe nga një solidaritet në rënie mes anëtareve “anomia” do të ishte termi i duhur përshkrues.

Vetëvrasja e tipit egoist gjen shpjegim në ato raste  kur mbizotërojnë vlerat e tipit individualist,  të karakterizuara nga ndërveprime të kufizuara mes individit dhe grupit.  Sipas tij vetëvrasja egoiste ndodh kur individualizmi mbizotëron mbi kohezionin shoqëror.

Motivimi kryesor në vetëvrasjet e tipit altruist është dëshira për t’u bërë mirë të tjerëve, kryesisht i konceptuar si akt heroik.    kohën që jetojmë flitet mjaft për akte  ku njerëz të caktuar në emër të një cështjeje  i japin fund jetës duke sjellë dëme edhe në jetët e të tjerëve.

Vetëvrasja fataliste e përmendur kalimthi nga Durkheim ndodh në rastet kur normat shumë kufizuese bllokojnë cdo perspektivë individualiste dhe kur individi nuk sheh më asnjë rrugëdalje.  Vetëvrasja anomike është dukuri tipike e shoqërive moderne, ku zhvillimi ekonomik e shtyn individin të besojë se çdo mjet është i arritshëm. Përballja me vështirësitë reale për të realizuar dëshirat, në një sistem që të nxit të besosh tek mundësitë, rrit prirjen për një ndjenjë pakënaqësie, e cila mund të çojë individë të caktuar në vetëvrasje. Mbi problemin e këtij cekuilibri Durkhemi propozonte nevojën e një autoriteti moral laik në gjendje të promovojë vlerën e bashkëjetesës civile; sipas tij tek njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që të dalin kundër cilësdo ideologji për të cilën përparësia ekonomike është qëllimi i vetëm ku duhet të synojë njeriu në jetë.

Dyrheimi jepte këto nëngrupime të vetëvrasjeve: maniake, të shkaktuara nga verbimi delirant ose për të shmangur një turp apo rrezik të mundshëm;  melankolike,  të realizuara në gjendje depresive;  obsesive (ankthi), të lidhura me idenë fikse të vdekjes dhe impulsive të kryera në çaste dramash të ndryshme.

Kjo dukuri tek në karakterizohet nga mungesa e analizës së historive të marra si të izoluara, nga mungesa e statistikave të sakta dhe të përditësuara, nga mosnjohja e tentativave e të kryera për një akt të tillë, nga një tablo e paplotë e  jetës shoqërore të zonave të ndryshme të vendit nga ku ndodhin më shumë këto akte, nga mungesa e qëndrave të këshillimit për njerëz që vuajnë crregullime të shëndetit mendor,  nga mungesa të shërbimeve të ndihmës për njerëz që kanë mendime të tilla etj.

Shërbimet sociale rreth 23 vjet më vonë celjes së Fakulteteve që pajisin me diplomë psikologë, sociologë, punonjë socialë  në universitetet tona do të duhej tashmë të kishin dhënë kontributin e vetë, të prekshëm, eficient, të besueshëm dhe frymëzues madje për të tjerët në një shoqëri që vazhdon të jetojë më traumën...cdo vit me shumë jetë më pak.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora