E premte, 29.03.2024, 01:11 AM (GMT)

Kulturë

Allen, kritikat i thotë ëmbël

E enjte, 21.08.2008, 10:15 PM


Saimir Pirgu me Pavarottin
Saimir Pirgu, prej 10 ditësh, ngjit çdo mëngjes shkallët e operës së njohur të Los Angelos. Në qytetin nga ku duket Paqësori, tenori po mundohet t‘i japë jetë një tjetër roli, atë të Rinuços te komedia muzikore "Gianni Schicchi" të Puçinit. Në sallën e madhe, ku më 6 shtator do të jetë premiera e kësaj vepre, ai takohet çdo mëngjes me Woody Allen.

Woody, ashtu si regjisori dhe aktori i njohur amerikan i pëlqen ta thërrasin, e zgjodhi djaloshin shqiptar sapo pa vidiot me interpretimet e tij të treguara nga Placido Domingo. Sigurisht që zëri, të cilat mediat italiane e quajtën "Pavaroti i ri", nuk kishte si të mos i pëlqente Allenit.

"Woody siç pranon të quhet nga ne, është siç e keni parë në film, pa i hequr as pike as presje. I thjeshtë me një ironi të lehtë, e shumë, shumë i qetë. Ka një vëzhgim akut dhe kritikat i thotë vërtet ëmbël që nuk të duken të këtilla", rrëfen Pirgu.

Mediat amerikane i kanë kushtuar vëmendje kthimit të Allen si regjisor në një komedi muzikore. Ato nuk kanë hezituar ta quajnë një kombinim interesant stafin e zgjedhur nga Allen për këtë vepër. Vetë Pirgu rrëfen se Allen beson se Puçini do të vijë në një mënyrë bashkëkohore më 6 shtator. Fakti se këtë herë vepra është konceptuar nga një regjisor kinemaje, që di t‘i dojë personazhet e historisë që ka vendosur të rrëfejë duke i bërë gjithmonë të paharrueshme nga publiku.

Pirgu do të jetë në këtë vepër sërish në rolin e një dashnori. Tenori pranon se rolet lirike dominojnë pjesën më të madhe të karrierës së tij, dhe në opera e njeh aq mirë dashurinë. E vetmja herë kur ai ka thyer karakteret e tij si "një i dashuruar", ka qenë vetëm një muaj më parë në operën Idomeneo W.A Mozart në Graz të Austrisë, ku u shfaq në një rol dramatik.

Le ta nisim këtë bisedë me suksesin tuaj të fundit në operën Idomeneo W.A Mozart në Graz të Austrisë. Mund të na flisni pak më tepër për rolin tuaj në këtë vepër?

Eshtë një nga rolet më të vështirë që unë kam debutuar ndonjëherë. Por, falë punës dhe përgatitjes me dirigjentin e famshëm Nikolaus Harnoncourt, arrita ta kaloj këtë sfidë për moshën time, tepër të re për role të këtij lloji. Vështirësia qëndronte, përveç asaj vokale e profesionale, në interpretimin e një mbreti dhe babai të vuajtur e të dëshpëruar njëkohësisht. Dramaciteti i veprës kapte kulme shumë të larta teatrale dhe kjo gjë e vështirësonte akoma më shumë rolin, pasi unë jam mësuar të luaj gjithmonë role me lirikë, apo karakteret e një dashnori të përhershëm si Duka di Mantova, në operën e Rigolettos, apo Alfredo te Traviata. Por, në të vërtetë, kam mësuar shumë nga ky produksion. Mund të them se Idomeneo është një nga rolet më të arrira për mua në këtë moment të karrierës time. Punën e madhe prej dy muajsh ma shpërbleu me shumë zemërgjerësi publiku dhe kritika.

Çfarë ndodh me Saimir Pirgun kur merr përsipër të interpretojë një rol. Gjëja e parë që bëni cila është?

Sigurisht, lexohet vepra dhe shikohet nga ana vokale në është e mundshme për t‘u kënduar. Gjithashtu shihet nëse roli të shkon apo jo fizikisht. Pastaj vjen faza e besimit, siç e quajmë ne. Shkohet te dikush, ku artisti ka besim dhe i njeh aftësitë e tij më së miri. Në këtë rast, unë e kam gjithmonë një të tillë që e quaj "këshilltar rolesh" Maestron dhe mikun tim, Vito Brunetti, i cili është gjithashtu dhe pianisti ku përgatis gjithmonë rolet. Pas aprovimit të tyre, kontaktohet agjenti apo sekretaria për të kontaktuar teatrin që e ofron rolin e ri. Sigurisht që unë mund të kontaktoj dhe me ndonjë koleg më me eksperiencë se unë, për të marr më shumë informacion rreth rolit.

Dhe kur një rol përfundon, cila është ndjesia që ngelet tek ju më gjatë?

Ahh... Suksesi i rolit të ri nuk ma ngadalëson ritmin e ambicien e rritjes profesionale. Ky është fakti që mua më shtyn të kërkoj më shumë akoma se ç‘kam arritur nga ky rol e të nis të mendoj për një rol akoma më sfidues...

Ju keni jetuar për një periudhë të gjatë në Itali. Çfarë ka ndryshe në Los Angelos, ku ju ndodheni aktualisht?

Në fakt, përveç një apo dy roleve në vit, ku me kënaqësi shkoj dhe në shtëpinë time në Verona, tashmë janë bërë dy vjet që karriera ime është bërë shumë internacionale. Ky fakt më largon çdo ditë e më tepër nga jeta familjare. Unë jam çdo muaj pothuajse nga një shtet në tjetrin. Dhe muajt e vitit janë vetëm 12, për fat të keq. Los Angelos, Paris, Berlin, Londër apo Vjenë në këtë rast për mua nuk kanë asnjë ndryshim, pasi është vetëm punë. Sigurisht nuk mund të mohoj mundësitë dhe bukuritë që këto vende ofrojnë. Por, unë gjithnjë pres me padurim kohën e lirë për të shkuar së pari në shtëpinë pranë prindërve të mi në Tiranë e së dyti, në shtëpinë time në Verona.

Më 6 shtator ju do të interpretoni në një produksion të madh botëror me regjisor Woody Allen. Çfarë është konkretisht kjo vepër?

Eshtë një komedi muzikore e vetmja e kompozitorit të madh Puçini. Eshtë një gjetje e drejtorit të teatrit të Los Angelos, Placido Domingo, për të festuar 150-vjetorin e Puçinit. Domingo mendoi se për të hapur sezonin e ri operistik do të ishte mirë, duke qenë dhe afër Hollivudit të ftonte dhe një regjisor si Woody Allen. Dhe ja ku jemi duke punuar në teatrin e operës së Los Angelos të gjithë bashkë...

Shumë njerëz janë kurioz të dinë si është të punosh pranë Allen. Si mund ta përshkruanit atë?

Tashmë janë bërë më se 10 ditë që punojmë të gjithë së bashku me Allen dhe Conlon, i cili është dirigjenti i operës. Woody, siç pranon të quhet nga ne, është siç e keni parë në film, pa i hequr as pike as presje. I thjeshtë, me një ironi të lehtë, e shumë, shumë i qetë. Ka një vëzhgim akut dhe kritikat i thotë vërtet ëmbël që nuk të duken të këtilla. Ngandonjëherë, të them të vërtetën, kam pak vështirësi të kuptoj akcentin e tij amerikan, sepse flet dhe me zë shumë të ulët, por kolegët që kamë pranë më ndihmojnë që ta kuptoj më mirë. Eshtë me të vërtetë një kënaqësi e jashtëzakonshme.

A e shihni disi të zbehtë rolin e operës në shekullin e XXI?

Jo, absolutisht, Vivaldi Bach, Hendel, Mozart, Verdi, Puçini, janë gjeni dhe të rrallë. Historia tregon se asgjë nuk arriti në shekullin e vrullshëm të 20-të të harronte ndonjërin prej tyre, përkundrazi këto vite është bërë në modë të zbulohen opera të pa ekzekutuara ndonjëherë që ndiqen me shumë interes nga publiku. Këtë gjë nuk mund ta garantoj për Shqipërinë. Kur në Shqipërinë tonë të na mbaroj kjo periudhë e gjatë tranzicioni, atëherë do të kemi dhe më shumë mundësi të hapim sytë për të parë vlerat e çdo forme arti që na rrethon e që qëndron krenare e pluhurosur përpara syve tanë.

Nëse mund të flasim pak për ju. Cilat janë gjërat që ju pëlqen të bëni në kohën e lirë?

Eshtë kënaqësi këtu në Los Angels. Imagjinoni të keni mundësinë të shikoni çdo film të ri premierë në kinematë gjigante të Hollivudit. Të jesh ballë përball me Oqeanin Paqësor e të bësh shëtitje pranë tij... mos të vazhdoj më tej me parqet e divertimentit me lojërat që çdo njeri do t‘i dëshironte. Ahhh me të vërtetë këtu koha e lirë kalon më së miri.

Lexoni. Cilat janë librat që ju pëlqejnë më tepër?

Jam shumë i pasionuar mbas librave të historisë, e më shumë i interesuar për librat, të cilat trajtojnë Luftën e Dytë Botërore. Jam duke lexuar një libër dokumentar (Historia e Gestapos), i cili është me të vërtetë shumë interesant.

Po dashuria çfarë është ajo për Saimir Pirgun?

Eshtë diçka e rrallë dhe e bukur që unë në këtë moment e përjetoj përditë.

box

Sllovenia, "fushatë" me Allen

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Slloveni ka filluar me duelin televiziv të Kryeministrit Janez Jansha dhe rivalit të tij, Borut Pahor. Por vëmendjen e tërhoqi një tallje e Janshas. Kryeministri e citoi regjisorin dhe komikun amerikan Woody Allen, duke dëshiruar të thotë se politikisht dhe si udhëheqës është më i aftë se rivali i tij. Jansha, në takimin e paradokohshëm të kandidatëve të tij për deputetë, deklaroi se socialdemokratët Pahorit i ofrojnë zgjidhje të thjeshta për çështje të rënda dhe se pohojnë se kanë përgjigje për të gjitha problemet, ndonëse ende nuk kanë prezantuar programin e tyre, duke kujtuar deklaratën e Allen. "Nuk e di pyetjen, por përgjigjja është plotësisht e sigurt - seks!". Pahor, ndaj kësaj deklarate, u përgjigj se bëhet fjalë për tentim të pasuksesshëm të Kryeministrit të tanishëm që të jetë gaztor.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora