Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Celine Dion

| E merkure, 27.07.2005, 06:00 PM |


Interpretimet që i shitën 200 milionë albume në mbarë botën dhe shfaqja e 100 milionë dollarëve

Zëri i Kanadasë që hyri në librin Gines

Që kur dëgjoi duartrokitjet pasi këndoi këngën e parë para publikut e dinte se kjo do të ishte thirrja që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës. E në të vërtetë gjatë karrierës së saj arriti të shesë më shumë se 200 milionë albume dhe hyri në librin e rekordeve gines për shtrirjen e saj vokale. E cilësuar, përveçse si një këngëtare, edhe si mexo soprano, Selin Dion u bë një nga këngëtaret më të famshme kanadeze që çau kufijtë.

Performanca fëmijërore
Më e vogla nga 14 fëmijët e një familjeje muzikantësh, Selin Dion nisi të këndonte në piano barin e prindërve të saj kur ishte vetëm pesë vjeçe. Në shfaqjen e saj të parë në këtë piano-bar, ku interpretonte çdo natë e gjithë familja, ajo kuptoi qartë se cila ishte rruga që do të ndiqte. Në moshën 12-vjeçare shkroi në frëngjisht një nga këngët e saj të para “Ishte vetëm një ëndërr”, të cilën e kompozoi me ndihmën e nënës së saj. Më vonë ajo e quajti këtë këngë si më të rëndësishmen në jetën e saj, kënga që i ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve. Pikërisht me këtë krijim ajo interpretoi përballë menaxherit muzikor Rene Anxheli, i cili thonë se qau kur e dëgjoi për herë të parë. Ai vuri menjëherë në lëvizje procesin për ta kthyer Selin Dion në një yll nga Kebeku dhe më pas në një yll ndërkombëtar. Anxheli shihte tek Dion një të ardhme aq të shndritshme sa hipotekoi shtëpinë e tij për të paguar dy albumet e saj të para. Pas kësaj iniciative Selin Dion u bë këngëtarja e parë kanadeze që kishte një album të artë, jashtë kufijve, në Francë. Kur ishte 18 vjeç, Dion pa Majkëll Xhekson tek këndonte në televizor dhe i tha menaxherit të saj, Anxhelit, se dëshironte të bëhej një yll si ai. Përgjigjja e Anxhelit ishte vendimtare. Nisi ndryshimi i imazhit të Dion, ajo madje u dërgua në një shkollë angleze për të pastruar gjuhën që do ta ndihmonte për të hyrë në tregun amerikan. Kur doli në dritë nga ky proces, kishte bërë një transformim të mrekullueshëm nga një adoleshente në një zonjushë të rafinuar. Shpërblimi ishte i menjëhershëm. Në vitin ’90 ishte kënga, kolonë zanore e filmit “E bukura dhe bisha”, që siguroi suksesin e saj, me në krye të klasifikimeve, madje fitoi një çmim “Grammy” dhe një “Oskar”.

Drejt fantazisë së Las Vegasit
Jetëgjatësia më e madhe e Selin Dion në majën e klasifikimeve botërore ishte kënga “My heart will go on”, kolona zanore e filmit “Titanik”. Kënga shiti 27 milionë kopje dhe u bë orkestrimi filmik më i shitur në historinë e incizimeve. Ky himn i Titanikut fitoi gjithashtu dy çmime “Oskar”, si kënga më e mirë origjinale dhe për performancën nga Selin Dion. Edhe kur brohoritjet për filmin ishin shuar, për këngën e Dion vazhduan për një kohë të gjatë. Tashmë emri i saj mund të renditej midis emrave më klasikë dhe më shik të muzikës botërore si: Barbara Streisand, Luçiano Pavaroti dhe Bee Gees, me të cilët interpretoi disa duete. Pas më shumë se një dekade e gjysmë në skenë, Dion në 1999-ën vendosi të largohej përkohësisht për t’ju kushtuar familjes. Ajo u kthye në vëmendjen e publikut furishëm me albumin “Një ditë e re ka ardhur”. Albumi ishte numër një në 17 shtete. Në vitin 2003 ajo nënshkroi një kontratë trevjeçare për t’u shfaqur në pesë mbrëmje të javës në “Caesar Palace” në Las Vegas, në një arenë prej 4000 vendesh e dizenjuar posaçërisht për shfaqjen e saj. Një program 90 minuta, një ditë e re prezanton një formë të re argëtimi, një mori këngësh, performancash artistike, inovacione teatrore. Për të qenë protagoniste e këtyre 600 shfaqjeve ajo u pagua 100 milionë dollarë.

Jashtë skenës
Në 1998-ën "Dundurn Press" nxori në treg biografinë: Selin...Biografia e autorizuar. Pasi udhëtoi me këngëtaren dhe shoqërinë e saj për mbi një vit, pasi kaloi orë në biseda intime, Georges Germain rrëfen historinë e një nga artisteve vokale më të dashura. Selin dhe Germain bashkëpunuan më vonë në "Selin Dion...historia dhe jeta ime" e publikuar në vitin 2002. Përgjatë rreshtave këngëtarja kanadeze tregon historinë e jetës me fjalët e saj. Autobiografia është një portret jashtëzakonisht i detajuar i Selin Dion prapa skenave, në rrugë dhe në studion e incizimeve.
Në vitin 1999 Selin Dion u tërhoq nga skena për t'ju përkushtuar plotësisht familjes. Pas një periudhe të vështirë ajo arriti të gëzonte lindjen e fëmijës së saj të parë, në janar të vitit 2001. Ndërkohë që gëzonte statusin e plotë të një shtëpiakeje, shumë shpejt nisi planifikimin e asaj që do të ishte pas një viti, rikthimi madhështor. Me rikthimin në skenë në vitin 2002 ajo bëri atë që shumë artiste të tjera e kishin provuar. Nxori linjën e parë të parfumit që mbante emrin e saj. Aroma e re rezultoi e suksesshme dhe u përfshi ndër dhjetë parfumet më të shitura të vitit 2003. Menjëherë pas saj promovoi parfumin e ri "Belong", si dhe ishte imazhi i disa shtëpive të modës, një stil i ri kishte lindur, ai i Selin Dion.

Yllka Parllaku