E premte, 29.03.2024, 03:32 PM (GMT)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Pazar i ndyrë

E hene, 26.09.2016, 07:42 PM


KOSOVA ME NJË ZONË ZGJEDHORE - PAZAR I NDYRË

SHKRUAN IDRIZ ZEQIRAJ

Përgjatë vitit në vijim, 2016, Kosova bëri hapa prapa në demokracinë parlamentare. Presionet dhe shantazhet, kryesisht, nga shefat e PDK-së dhe të LDK-së, për të votuar pazaret e pista: si zgjedhja e presidentit dhe demakacionin, janë dëshmi e ngulfatjes të demokracisë, duke humbur e perdhosur integritetin e deputetëve. Ata u vunë para provës të vështirë: 1) Të votohet për president Hashimi, i akuzuari meritor për krime të para luftës, të luftës dhe të pas luftës në Kosovë. 2) Hiç më pak stërmunduese e torturuese nuk ishte as presioni për ta votuar Shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Pse ndodhi kjo?

Sepse Kosova ka ligjin zgjedhor më absurd, më idiotesk, madje, jo vetëm në rajon: - Kosova me një zonë zgjedhore - ; deputetët janë me elektorat pa adresë dhe hiç të natyrshëm. Pazaret e ndyra bëhen anekënd Kosovës, për të tubuar votat e nevojshme. Për rrjedhojë, ata janë lehtë të shantazhueshëm dhe të pa mbrojtur, sepse nuk kanë një zonë të caktuar zgjedhore, ku mund të mbështeteshin dhe të mbroheshin nga zgjedhësit e një zone të caktuar votuese. Nga ana tjetër, ata nuk i japin llogari askujt, sepse, realisht, nuk përfaqësojnë skënd, krejt ndryshe nga deputeti i zgjedhjes klasike, ku duhej të jipte llogari zonës të caktuar zgjedhore, e cila e kishte votuar, duke e veshur me besimin e tyre.

Andaj, në saje të pazareve të pista, u bindën, lehtas, shefave të tyre, për të votuar pisllëqe të tilla, siç është rasti i zgjedhjes të një presidenti të kontestuar, faktueshëm, nga populli. Me një referendum nga populli, siç është zgjedhur, fillimisht, Presidenti Rugova, Hashim marrja kurrë nuk do ta arrinte kuotën e numrave, për t`u zgjedhur president.

Në saje të këtij pazari të ndyrë, pra -Kosova me një zonë zgjedhore -, rezulton se Kosova ka Parlamentin më kriminal në botë. Vrasës serialë të organizatës terroristre të SHIK-ut, riciklohen për 16 vjet radhazi. Madje, kjo mënyrë e turpshme zgjedhore, do t`i pensionojë këta deputetë kriminelë!!

Çuditërisht, për ligjin zgjedhor - Kosova me një zonë zgjedhore -, janë dakorduar të gjitha partitë politike, përfshi edhe Vetëvendosjen, sepse favorizon Kryesitë partiake dhe kriminelët e SHIK-ut, të cilët, me paratë e haraçit, sigurojnë votat!

Prandaj, reagimi duhet të vijë nga populli, tashmë, fort i përgjumur, i cili duhet të zgjohet, për ta shpëtuar shtetin e Kosovës nga zhbërja. Në asnjë mënyrë nuk duhet të shkohet në zgjedhjet e radhës, me ligjin kriminal - Kosova me një zonë zgjedhore-. Zgjedhjet me konkurrencë ballore, zgjedhjet klasike, me shumë zona, janë domosdo e kohës. Gjithnjë e më shumë dyshime edhe tek ndërkombëtarët, sepse flasin kundër krimit dhe hajnisë zyrtare, por vazhdojnë të puthën me kriminelët!?!

Lajthitjet belbëzuese të kryeministrit Isa Mustafa

Intervista e radhës e kryeministrit Isa Mustafa, për Demakacionin, dhënë KTV-së, ishte hallakamë e mjeruese për një akademik! Heshtjen e agjitimit për Demakacionin të PDK-së, po e mbulon, ngulmueshëm e  sforcueshëm, kryeministri, fort i çoroditur! "Ne mund të bisedojmë për Shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, por, marrëveshjen, tashmë, të nëshkruar, nuk e ndryshojmë", - deklaron, madje përsëritshëm, Isa Mustafa! Komenti është i tepërt!

Dokumentet e Komisionit shtetëror zyrtar, në shpjegimin e Kryeministrit, janë të paqendrueshme, absurde dhe krejt alogjike. Ndërkohë, ai kërkon nga kundërshtarët e Demarkacionit, në vijën kufitare aktuale, fakte shtesë, edhepse ia kanë mbushur thasët me fakte e dokumente Kryeministrit të hutuar, i zënë peng nga partneri në koalicion.

"Hartat nuk bëjnë, duhet shkrime përshkruese të kufinjëve", - thotë ai! Dhe, Kryeministri me aleatin në koalicion, sherbëhen me shkrimet e njëanëshme serbo-jugosllave, të shkruara, madje, enkas dhe fshehtas, përgjatë periudhës të pushtimit armik, duke kulmuar me kalemxhinjtë e Millosheviçit, më 1988! Tmerruese, sa shumë u besojnë Kryeministri dhe Hashimi me lakejtë e tyre, të dhënave burimore jugosllave, pikërisht, të vitit 1988!??

"Rugovasit i kanë pronat e tyre, nuk po i humbin ato. Tokat tjera nuk kanë qenë dhe as nuk janë të tyre", - thotë Kryeministri, disi i hutuar, i medyshur dhe aspak bindës. Por, nëse nuk është pronë private e tyre, pjesa tjetër e tokës, nuk do të thotë se ajo është e Malit të Zi. Përkundrazi, ajo ka qenë dhe është tokë e Kosovës.

Për shembull, Bjeshkët e Thata, që kufizohen me Malin e Zi, të cilat shfrytëzohen nga 11 fshatra, përafësisht, 15 kilometra, ose ecje në këmbë tej 4 orëve, askush nuk posedon tapi prone. Mali dhe bjeshka janë pasuri shtetërore, pasuri e brezave, ashtu siç është edhe Bjelluha dhe tokat poshtë Kullës së Zhlebit, Pra, të tilla janë edhe kullotat, malet, tokat, të cilat i shfrytëzojnë, madje në shekuj, rugovasit.

Edhe fshatrat tjera të Istogut dhe tutje, që kufizohen me Serbinë, duke filluar nga Vrella, Lugu i Butë, nuk kanë tapi bjeshkore, por i shfrytëzojnë bjeshkët. Përjashtim bën një lagje ardhacake, nga një komunë tjetër, në një fshat të Podgurit. Arsyeja pse vetëm ata kanë tapi bjeshkore, tashmë, dihet. Kishin miqësi të hershme me disa serbë. Ata u kishin sugjëruar dhe ndihmuar, për t`i bërë tapitë në bjeshkë, që të mos kontestohen nga vendorët, për ta shfrytëzuar bjeshkën.

Shumica e maleve, sipër fshatrave dhe të gjitha bjeshkët, në tërminologjinë praktike të njerëzve konsiderohen si tokë "pashnjak", "utrinë", "me re", pra, e askujt, jo private, por, që për zot ka shtetin. Prandaj, dikur, kishte taksë për krerë bagëtish, ashtu siç paguhet, sot e gjithë ditën, për prerje drunjësh në mal, në bjeshkë.

Shpërfillja injoruese e popullatës kufitare, është një qasje e gabuar, për të mos thënë, kriminale. Ne që kemi kaluar një pjesë të jetës këtyre bjeshkëve kufitare, kemi fakte të bollshme, që pronësia e tokave, padrejtësisht, të kontestuara, kanë qenë gjithmonë shqiptare. Në vitet `60-a, me qëllim të njohjes, personalisht, kam përshkuar, me këmbë, rreth e rrotull, kufirin e Kosovës. Kam vënë re se vendorët - kufitarë, e njihnin, deri në imtësi, kufirin në zonat ku jetonin.

Mbamendja e përcjellur në breza, e shtrirë në kohë, kalon shekullin e shfrytëzimit nga shqiptarët. Zgjidhjen e problemit të paqenë, por, të krijuar artificialisht, nga pushtetarët batakçinj e faqezinj, duhet ta zgjidhin njerëzit e përgjegjshëm, atdhetarë të pa cen, të shpenguar nga çfarëdo interesi personal.

Dështakët e tanishëm duhet t`i lënë gënjeshtrat e mashtimet zyrtare. Është rrenë e madhe e Kryeministrit me shokë, se "janë përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, përveç ratifikimit të marrëveshjes për Shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi!?

Kryeministri i fshehë dhe i heshtë, me dashje, dy kushtet bazë të Bashkimit Evropian: 1)Luftimin e krimit të organizuar vrastar politik dhe 2) hajninë zyrtare, të kamufluar me termin ndërkombëtar "korrupsion". Arsyeja është qartësisht e lexueshme: Për këto krime, në krye të akuzës janë dy eprorët e tij në koalicion, pra, Hashimi dhe Kadrija, të cilët, Isa Mustafa ngulmon për amnestimin dhe rehabilitimin e tyre!!

Papërgjegjësia në deklarime dhe veprime, e degradoi LDK-në

Jemi mësuar me veprimet e matura dhe të përgjegjshme të LDK-së. Por, papjekuria dhe mungesa e seriozitetit, tani, po shfaqen çoroditshëm, duke zvetnuar namin fort të mirë, që dikur kishte LDK-ja. Kur Vëllezërit Geci ofruan vëllain magjistër, Fadil Gecin, për kandidaturën e deputetit, Kryesia e LDK-së doli me një deklaratë, që ngjasonte fort me komunikatën numër 59 të një biçim Shtabi të Përgjithshëm, i përbërë, kryesisht, nga halabakët e LPK-së, e cila, gjithashtu akuzonte dhe denigronte Gecajt. Deklarata e LDK-së, të jipte përshtypjen se është shkruar nga njerëz rrugash. Aty moralizohej se duhet dhënë prova e kontribute për LDK-në dhe marrëzira tjera!

Dhe, çfarë duhej të jipnin më shumë për LDK-në dhe Kosovën Vëllezërit Geci, kur dihet përballja e tyre, edhe me armë, fillimisht, kundër pushtuesit dhe, më vonë, me banda dhe banditër shqipfolës, në shërbim të Serbisë, të cilët e kishin përgjakur LDK-në, substancën më aktive e vitale të saj, Familjet e zëshme atdhetare. Madje, kërcënonin se do të vrisnin të gjithë rugovistët, kudo që të jenë! Pra, Vëllezërit Geci  vunë në dispozicion jetën e tyre, për mbrojtjen e LDK-së dhe të Kosovës, gjë që nuk e bënë dhe as që pritet ta bëjnë ndonjëherë akuzuesit e tyre.

Ardhja kontrabanduese e Isa Mustafës në krye të LDK-së, duke mos qenë kurrë anëtar i kësaj partie, mbetet një enigmë deshpëruese. Premtimet e bujshme për reforma në parti, ishin një përrallë dimri, të cilat kurrë nuk i bëri. Konsolidimi i një grupi klanor, brenda Kryesisë të LDK-së, i dha kurajo e forcë kryetarit enigmatik, Isa Mustafa, për anashkalimin dhe largimin e kuadrit të dëshmuar rugovian.

Mospranimi i debatit, konkurrencës si dhe përzgjedhja e delegatëve nëpër degët e LDK-së, votimi fiktiv, aklamativ, mbyllja e dyerëve të delegatëve të Mërgatës në Kuvendin e 8-të "zgjedhor" të LDK-së, kulmoi në degradimin dhe degjenerimin e LDK-së. Tashmë, aplikimi, përdorimi i metodave komuniste e staliniste, e barazoi atë me partitë banda: PDK-në dhe AAK-në.

Bajram Gecaj - tellall i së keqës

Përveç klanit vendim-marrës, z. Isa Mustafa, duke qenë një jetë të tërë, në të gjitha pushtetet, dinë edhe të zgjedhë bashkëpunëtorë, si vetja e tij. Ai angazhoi edhe një staf servilësh e "qatipësh", zelltarë të bindur, pa fije integriteti intelektual e njerëzor, të cilët bjerrin kohën me reagime gojore e shkrimore, gjithnjë në mbrojtje të shefit dhe të klanit të tij, rrënues të LDK-së. Njëri syrës është Bajram Gecaj.

"U lumtë LDK-ista, rikonformuat traditën tuaj shtetformuese",- thoshte Gecaj më 29 shkurt 2016, me rastin e zgjedhjes të Hashim krimit president! Por, ky është krimi dhe provokimi më i madh, i bërë ndaj popullit të Kosovës. Një zgjedhje e tillë, e bëri zallogë shtetin e Kosovës.

Edhe ata pak zëra të kundërshtisë racionale në Konventën e fundit të LDK-së, panegjeriku i papërmbajtshëm i vendimeve fatale, për LDK-në dhe Kosovën, Bajram Gecaj, këshilltar politik i z. Isa Mustafa, rrekët, dështueshëm dhe trishtueshëm, për t`i devalvuar. Folësit dinjitozë, me integritet peronal e intelektual, të rrjeshtuar në avangardën reformuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i quan "qyqarë" dhe çkamos tjetër...!

Ky arrivist dhe karrierist i neveritshëm, i cili i ka bërë hije botës demokratike, duke jetuar diku në Anglinë e traditës qytetëruese, por, duke e ruajtur me fanatizëm primitivizmin klasik ballkanik, i shkon, madje, më së miri, shembulli i një sivëllait të tij: "Kishte jetuar 20 (njëzetë) vjet në kurbet dhe nuk kishte mësuar asgjë! Por, ama, as nuk kishte harruar asgjë"!!! Pra, fyll ka shkuar dhe fyll ka ardhur. Dhe, duke parë mendësinë çoroditëse komuniste, të një garniture aksidentale, në drejtim të partive dhe të shteit, shprehja popullore "tenxherja gjeti kapakun", është më se adekuate, e gjetur.

I kërkoj ndjesë, heroit të gjallë të Kosovës, Fetah Rudit, që, në mënyrë të përsëritur, lakoj emrin e nderuar të Tij. Nëse do të provonim të hiqnim një paralele në mes të kuadrit përbashkues, rugovistit Fetah Rudit dhe klanistit, zërit të zi, zërit të së keqës, përçarësit, linçuesit, përjashtuesit - Bajram Gecaj, do ta shihnim mendjen e ndritur, shpirtin e dlirë, investuesit, deri me jetë për LDK-në, të rugovistit Rudi, nga njëra anë dhe mendësinë e mykur të arrivistit, bërrylaxhiut - Bajram Gecaj, nga ana tjetër.

Heroi Rudi i vlerëson dhe respekton fort edhe ata që mendojnë ndryshe nga shefat e përçarësit Gecaj. Ka mirëkuptim të plotë për kërkesat e tyre legjitime, se brenda LDK-së duhet të këtë debate dhe demokraci të mirëfilltë. Ai është pajtues, ashtu siç ishte shefi, mësuesi i tij Rugovë dhe nuk i del i tepërt asnjë anëtar i LDK-së, qofshin ata edhe mospajtues me shefat e Bajram Gecajt, sepse kjo është jo vetëm në të mirë të LDK-së, por edhe të Kosovës.

Bajram Gecaj, ky tellall i të keqës së madhe, shantazhoi e kërcënoi, së fundi, edhe Profesor Shpejtim Bulliqi, deri më përjashtim nga LDK-ja! Si shumë turr ka marrë zotëria, tellall i së keqës, në ratifikimin e marrëveshjeve fatale për Kosovën, siç janë Bashkësia e komunave serbe dhe Shënimi i kufirit me Malin e Zi.

Tellalli Gecaj po e konkuron suksesshëm lëvriçkën shtiharake, Edita Tahirin, shelegen e pacipshme të Hashim dallaverës. Binomi Profesor Shpejtim Bulliqi dhe Profesor Florim Isufi, janë të parët, të cilët denoncuan pazaret e pista të pushtetarëve më të lartë të vendit, madje, me elemente të bollshme dyshuese, që meritojnë vëmendjen e Prokurorisë të Kosovës.

Strukturat e LDK-së dhe anëtarësia të distancohen nga Isa Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovë përkatësisht, strukturat e shëndosha të partisë si dhe anëtarësia e gjerë e LDK-së, duhet të distancohen nga veprimet shumë të dyshimta, që vazhdojnë të bëjnë administruesit aktual të LDK-së. Themi administrues, sepse i janë shmangur procesit të zgjedhjes demokratike në Kuvendin e 8-të "zgjedhor".

Deklaratat mujëshore, prepotente, megallomane, provokative, deri në rrugaçëri, në këmbënguljen mushkore, për ratifikimin e Demakacionit, ka ngjallë zemratë të ligjshme gjithëpopullore. Provokimet e tilla satanike, mund të kalojnë caqet e përmbajtjes të popullit. Dhe, këtë gjëmë për Kosovën, janë gadi ta favorizojnë agjentët e vjetër dhe të rinj të Serbisë.

Ashtu siç janë përgjegjëse partitë banda: PDK-ja dhe AAK-ja, për trazirat e mars-prillit 2004 në Kosovë, për rrjedhojë, nismën e Decentralizimit, deri në themelimin e Bashkësisë të komunave serbe, brenda Kosovës, ashtu do të jetë përgjgegjëse LDK-ja, në rast të trazirave të mundshme, në kundërshtinë e Demarkacionit, edhepse kjo çorbë e thertuar, është përgaditur nga Hashim dallaverja.

Është detyrë akute e strukturave të LDK-së dhe e anëtarësisë të saj, të reagojë, duke ia marrë mandatin e administratorit të LDK-së, Isa Mustafës, në mënyrë që ai të mos flasë në emër të partisë, pra, në emër të LDK-së. Përndryshe, dikur do të bëhet vonë dhe LDK-ja do të turpërohej me fund.

Rrjedhimisht, nuk kanë asnjë të drejtë as morale dhe as ligjore, të flasin dhe të veprojnë në emrin e LDK-së. Të gjithë ata kuadro e anëtarë të LDK-së, të cilët nuk pajtohen dhe denoncojnë batakçillëqet e shefave të vetemëruar aktual, janë mbrojtësit më të përkushtuar të LDK-së zëmadhe të vizionarit profetik - Ibrahim Rugova.



(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora