Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lihtenshtejni, shumë i dobët për skemat anti-Suedi të Hanit

| E enjte, 21.08.2008, 11:09 PM |


Fitojnë 2-0, por nuk kënaqin trajnerin si me gola, ashtu edhe me lojë

Lihtenshtejni rezulton shumë i dobët për skemat e trajnerit Ari Han, të projektuara për Suedinë. Shqipëria e mund 2-0 për 18 minuta, pastaj tanëve u mungon dëshira për të shënuar, ndaj tabela e rezultatit nuk shënon më shumë. Modestia e kundërshtarit nuk ka qenë testi i duhur për këto strategji, gjë e cila ka bërë që 90 minutat e mbrëmshme të ngjajnë më shumë si një ndeshje stërvitore e kuqezinjve përballë një ekipi të dobët të Kategorisë së Dytë shqiptare. Trajneri Ari Han ka zbritur një skuadër të vendosur 4-3-2-1, ku portën ia kishte besuar Beqajt. Në djathtë të mbrojtjes ishte Dallku, që së bashku me Telin e Currin në qendër dhe Agollin në të majtë formonin repartin difensiv. Lala e Cana mendonin për shkatërrimin e aksioneve të kundërshtarit në mesfushë, ndërkohë që Duro, Skela e Hyka mendonin të dominonin mesin e fushës dhe të furnizonin me raste për shënim sulmuesin e vetëm, Kapllanin, të cilin e kishte preferuar para Salihit. Skema e përzgjedhur nga tekniku holandez i kuqezinjve për kundërshtar të fortë të Grupit 1 eliminator për Botërorin 2010 dështoi në tentativën për të gjetur sadopak reagim nga kundërshtarët modestë, të cilët, thuajse në asnjë moment nuk mundën të ndërtonin një aksion të mirëfilltë. Rezistenca e Lihtenshejnin hyri në librin e rekordeve të Shqipërisë: ajo zgjati vetëm 57 sekonda nga fërshëllima e parë e gjyqtarit për fillimin e ndeshjes, duke u dhënë kështu kuqezinjve mundësinë për të shënuar edhe golin më të shpejtë në historinë e ekzistencës së përfaqësues sonë, e cila herë-herë ishte mësuar që vetëm të pësonte gola të shpejtë. Talenti Jahmir Hyka kishte menduar për t‘ju dhënë "shuplakën" e parë, kur pikërisht në sekondën e 57, pas atij krosi të kalibruar të Kapllanit, shënoi një super-gol (të parin me bluzën e Kombëtares) falë një gjuajtjeje fluturimthi me të majtën. 17 minuta më vonë është Kapllani (i pesti me Kombëtaren), ai që me kokë kthen në gol një kros të Dallkut. Mbrojtja është testuar më pak se të gjitha repartet e tjera, pasi kundërshtari është vërtet inekzistent në fushë, me përjashtim të një krosi të rrezikshëm nga e djathta, që largohet në goditje këndi nga tanët. Lihtenshtejnit i mungon teknika, por edhe horizonti për lojën. Ndërsa tanët qarkullojnë vazhdimisht topin, ndërtojnë aksione, të mbështetura më shumë me Dallkun e Hykën nga krahët, por që nuk finalizohen në fund. Pas pjesës së parë, Han provon jo vetëm lojtarë të tjerë, por edhe lojtarë të veçantë në role të ndryshme. Çdo lëvizje e holandezit bëhet në funksion të krijimit të një ideje më të qartë rreth lojtarëve që ka në dispozicion. Curri testohet në mesfushë, ndërsa Dallku merr qendrën e mbrojtjes. Por në fushë zbresin edhe Bakaj, Lila e Vangjelin. Në minutën e 57 Salihi zë vendin e Kapllanit. Curri më vonë i lë vendin Bulkut. Gjithsesi, në pjesën e dytë skuadra nuk ka ritëm, nuk ka emocione. Harron të ushtrojë të njëjtin presion si në 45 minutat e para dhe për fat të keq duket sikur i mungon dëshira për të shënuar. Dy golat ndaj Lihteshtejnit janë shumë pak, por megjithatë shpresojmë që loja e tanëve t‘i ketë shërbyer trajnerit Ari Han për të përgatitur ndeshjen e 6 shtatorit ndaj Suedisë në "Qemal Stafa".

Hyka, të parin dhe më të shpejtin gol shqiptar

Jahmir Hyka, talenti i Kombëtares shqiptare dhe i Mainzit Bundesligë, ka thyer mbrëmë edhe një tabu dhe ka fiksuar edhe një rekord për përfaqësuesen kuqezi. Goli i mungonte prej pesë ndeshjesh aktivizimi në radhët e Shqipërisë. Në katër ndeshjet e mëparshme ka hyrë në fushë si zëvendësues, ndërsa mbrëmë e ka nisur për herë të parë si titullar. Dhe pikërisht në të pestën ai ka thyer edhe tabunë e golit të parë personal me bluzën e kuqezinjve, kur në sekondën e 57 e ka gjetur atë me një gjuajtje të shkëlqyer fluturimthi. Po mbrëmë talenti ka mundur të fiksojë edhe një rekord, pasi goli i tij është edhe më i shpejti i shënuar ndonjëherë nga Kombëtarja në gjithë historinë e saj. Por kontributi i tij në krahun e majtë të mesfushës ka qenë i madh gjatë gjithë ndeshjes me Lihtenshtejnin, ku ka spikatur me triblimet e tij të shpejta.

G. Shqip