E premte, 29.03.2024, 02:12 AM (GMT)

Mendime

Eshref Ymeri: Deklarata e ambasadores greke

E hene, 26.09.2016, 10:35 AM


Në gjurmët e deklaratës së ambasadores greke

Nga Eshref Ymeri

Në faqen e internetit të datës 21 shtator, lexova analizën me titull Sqarim ambasadores greke për kufirin, çamët dhe pronat”, me autor Prof.dr. Arben Lalla.

Kam respekt për Profesorin Arben Llalla, për gjithë atë kontribut që ka dhënë dhe vazhdon të japë për ndriçimin e të vërtetave rreth shqiptarëve të Greqisë (arvanitasve) dhe, përgjithësisht, për qëndrimet e tij me theks të veçantë nacionalist (termi “nacionalist” është i papërshtatshëm për grekët, të cilëve u ka hije vetëm termi “shovinist”) në ndriçimin e qëndrimeve të shteti grek ndaj vendit tonë.

Po të ishte e mundur të bëhej një pasqyrë jo vetëm e artikujve publicistikë, por edhe e veprave nga fusha e historisë, në të cilat është trajtuar problemi i qëndrimeve tradicionalisht armiqësore të shtetit grek ndaj vendit tonë që prej shpalljes së pavarësisë, bie në sy një dukuri mjaft e dhimbshme: në të gjitha ato materiale, bëhet një inventar i hollësishëm i qëndrimeve armiqësore, i krimeve dhe i barbarive që shovinizmi grekokaragjoz ka kryer kundër Shqipërisë. Por thuhet shumë pak, për të mos thënë asgjë, se çfarë kanë bërë shqiptarët për t’u treguar vendin shovinistëve grekë.

Gazeta franceze “La Croix”, më 19 dhjetor 1912, pati botuar një artikull me titullShqipëria është më e lashtë se vetë Evropa”, të cilin ia kishte përcjellë i dërguari i saj në Athinë (ribotuar në faqen e internetit “Koha net”. 25 maj 2015).

Pra, siç dihet mirë nga historia, edhe bota e njeh lashtësinë e kryehershme të etnisë shqiptare në gadishullin tonë, i cili quhej “Gadishull Ilirik”. Por, për fatkeqësinë tonë, po të kryehershme, edhe përçarjen e kemi pasur të kryehershme. Prandaj edhe Evropa, duke na njohur se cilët jemi, se sa të përçarë jemi, na i bëri trojet çarçaf. Dhe është normale: në troje etnike të përçara, ku shqiptarët, duke filluar që nga ilirët, gjithmonë kanë vrarë njëri-tjetrin, gjithmonë lindin mercenarë dhe tradhtarë me bollëk. Për pasojë, përçarja ndërshqiptare ka qenë dhe mbetet aleatja më besnike e armiqve tanë shekullorë grekosllavë. Kjo është edhe arsyeja kryesore që ne, në historinë tonë, e kemi mjaft të pasur inventarin e krimeve grekosllave kundër vendit tonë, kurse inventarin e ndëshkimeve që meritonin grekosllavët për krimet e kryera ndaj nesh, e kemi shumë të varfër. Se me shqiptarë të përçarë, ky inventar domosdo që nuk mund të mos ishte i varfër.

Evropa na njeh mirë se cilët jemi, grekosllavët na njohin mirë se cilët jemi, prandaj edhe qeshin dhe tallen me ne. Dhe kanë shumë të drejtë. Sepse si është e mundur që Shqipëria arriti t’i lejojë vetes të pranonte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë më 08 maj 1971, duke e ditur që kjo e fundit kishte në fuqi ligjin e luftës që prej vitit 1940? Ku është parë dhe ku është dëgjuar në mbarrë rruzullin tokësor, që dy vende, në gjendje lufte me ligj, të kenë lidhur ndonjëherë marrëdhënie diplomatike?

Një lëshim i tillë skandaloz, që iu bë shtetit shovinist grek, kishte për autor mercenarin e grekosllavizmit, me emrin Enver Hoxha. Prandaj ambasadorja shoviniste greke, me emrin  Eleni Sourani, është në të drejtën e vet shoviniste kur deklaron se nuk ekziston Çështje Çame dhe, sipas saj, gratë, fëmijët pleqtë e plakat çame “bashkëpunuan” me nazistët gjermanë dhe “bashkë” me ta u larguan për në Shqipëri. Asaj s’ia bën syri tërr, se e di që klasa politike shqiptare është mercenare e shovinizmit grekokaragjoz. Trashëgimtarët e thekur të Enver Hoxhës i kemi në pushtet për më shumë se një çerek shekulli, prandaj edhe shtetit shovinist grek nuk i vunë si kusht kryesor heqjen e ligjit të luftës.

Në këto kushte, të gjitha përçapjet anësore, jashtë strukturave të shtetit shqiptar, për zgjidhjen e Çështjes Çame dhe, për pasojë, të pronave të shqiptarëve të Çamërisë, janë thjesht rrahje uji në havan. Ligji i luftës është mburojë e pakapërcyeshme e shtetit shovinist grek. Me këtë ligj, Athina e ka mbyllur Çështjen Çame se është e bindur se në Shqipëri s’ka burra që t’i tregojnë vendin Greqisë. Prandaj ka plotësisht të drejtë Profesori i Universitetit të Oksfordit Xhejms Petifer, i cili thotë:

“Shqipëria ka qënë e paaftë të ribashkojë pjesët e copëtuara të territorit të saj” (Gazeta “Telegraf”. 08 maj 2012).

Por këtë paaftësi, Shqipëria e ka kompensuar me aftësinë e saj të jashtëzakonshme për mbajtjen e inventarit të rregullt të krimeve grekosllave kundër kombit shqiptar. Ishte e dhimbshme kur para dy ditësh, në faqet e internetit “lapsi.al”, lexova reagimet e dy qytetarëve. Njëri shkruante: “Ne jemi turpi i Evropës”. Tjetri ia kthente: “Ne jemi turpi i vetvetes”.

Eshref Ymeri

Kolumbus, Ohajo

22 shtator 2016



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora