E enjte, 25.04.2024, 05:17 AM (GMT+1)

Mendime

Irakli Premti: Baronët dhe ushtarët e kanabisit

E diele, 25.09.2016, 09:39 AM


Baronët dhe ushtarët e kanabisit

Nga Prof. Dr. Irakli Premti

Sot kur oferta e dyerve të Brukselit për Shqipërinë është më afër se kurrë, një ngërç i gjatë kriminal, një oktopod gjigand, po mban peng rendin, stabilitetin social dhe pritshmëritë e shqiptarëve drejt Be-së. Arat e mbjella me kanabis, kultivimi dhe trafikimi i kësaj droge, po kthehet në një përditshmëri të sëmurë shqiptare, e shoqëruar me përplasje bandash, vrasje, inidicie dhe pasoja të rënda të veprimit të botës së krimit mbi shoqërinë shqiptare. Baronët dhe ushtarët e kanabisit e kthyen vendin e shqiponjave në një tokë hashashi dhe krimi, duke e zhvendosur oferën e Bashkimit Evropian për Shqipërinë në kalendat greke.

Si pasojë e gjithë kësaj, tashmë askush, as krerët më të lartë të policisë dhe vetë ministri Tahiri, që duket herë pas here në fushat, kodra dhe malet e mbjella me drogë, në vidiot e përgatitura nga vetë ministria e Brendshme, nuk mund ta mohojnë dot faktin e shndërrimit të frikshëm të Shqipërisë në një tokë kanabisi. Siç nuk mund të mohojnë faktin e implikimit të mjaft oficerëve të lartë të policisë në këtë biznes vdekje, që po sjell çdo ditë e më shumë një problematikë të ngjeshur kriminale dhe probleme serizoe në vetë strukturat e policimit shqiptar.

Çështja nuk është aq e thjështë dhe pyetja që shtrohet është: Kur polcia paska një vullnet të tillë shembullor, për të goditur vatrat e kanabisit në çdo cep të vendit, siç duan të vetëreklamohen titullarët e saj, përse u lejua kjo batërdi që në krye të herës? Ku ishin shefat e komisariateve, inpsektorët e zonave, shefat e krimit, informatorët e fshehtë, që paguhen me duar të bollshme nga taksat e popullit?

Një përgjigje serioze e kësaj pyetje do të nxirrte në pah implikimin e mjaft drejtuesve të strukturave të policisë, nga baza në piramidë, në këtë biznes kriminal.

Siç dihet, raporti i SHISH për Prokurorinë e Përgjithshme, që gjithësesi nuk është shterues, evidenton pikërisht një fakt të tillë dhe hap një mundësi për hetime serioze në këtë drejtim.

Para disa ditësh, një punëtor në arat me canabis në Dukagjin të Shkodrës, rrëfeu me zë dhe figurë se si funksionon ky biznes vdekjeje dhe frikën e tij e të familjes nga hakmarrja e trafikantëve, për shkak të largimit të tij nga këto parcela ku kultivohet bima diabolike e drogës. Ai nuk pranonte të bashkëpunonte me policinë, pasi ishte i bindur se ajo kishte lidhje me kultivuesit dhe trafikantët e kanabisit.

Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë si në këto dy vjet, veçanërisht këtë vitin e fundit, që Shqipëria të jetë mbjellë në çdo cep me bimën e drogës, asnjëherë vendi ynë nuk ka qenë më i ekspozuar ndaj kultivimit dhe trafikut të drogës, shoqëruar kjo me presione, dhunë, vrasje dhe hakmarrje të trafikantëve dhe grupeve kriminale rreth tyre.

Vendi ynë është kthyer në një Kolumbi të dytë, ku as zëri i medias, as zëri i shoqërisë civile, as lufta e organizatave ndërkombëtare të antikrimit, as përkushtimi i një pjese të oficerëve të policisë shqiptare që punojnë me përkushtim deri në akte sublime, nuk po e pengojnë dot këtë oktopod gjigand të krimit të organizuar.

Shqipëria është ngjyrosur në hartën e Evropës me ngjyrën e kanabisit, pasi nga jugu në veri, nga fushat deri tek kodrat dhe stanet majëmaleve, bima e drogës po lulëzon duke e kthyer vendin tonë një qendër të prodhimit dhe furnizimit të gjithë kontinentit e më gjërë me drogë.

Ky nuk është një realitet i denoncuar vetëm nga opozita dhe mediat shqiptare e të huaja, por dhe një problem i ngritur me forcë nga organizatat evropiane e botërore të policimit dhe antikrimit. Përveç shijes së hidhur që të lë një tokë e begatë, e kthyer në shtrat prodhimi të vdekjes, ky biznes kriminal po nxit në mënyrë galopante presionet, shantazhet, vrasjet dhe mbajtjen peng të shoqërisë nga bastionet dhe protagonistët e kanabisit.

Bima e kanabisit, e mbjellë në çdo cep të vendit të shqipeve sjell me vete jo vetëm helmin vdekjeprurës, që tentohet të eksportohet drejt Greqisë, Italisë dhe vendeve të BE-së, por dhe  botën e vrasjeve dhe krimeve të nëndheshme,  pazaret e përgjakura që nuk kanë të sosur e që fatura rëndon mbi qytetarin e këtij vendi, që tash njëzet e pesë vjet po rropatet për të jetuar me  dinjitet dhe i çliruar nga paranojat e krimit.

Kultivuesit dhe trafikantët iu paguajnë drejtuesve të policisë 40 euro për çdo rrënjë të mbjellë me canabis, pohoi gazetari Artan Hoxha, duke përcjellë me foto dhe video fushat e pafund të drogës, të rujatura me dhunë e brutalitet nga roje të aramtosura me armë të sofistikuara, pjesë e këtij rrjeti gjigand kriminal.

Kjo ka bërë që mjaft policë të përkushtuar, që nuk janë pjesë e kësaj «skeme», të ekspozohen dhe dekonspirohen nga drejtuesit, duke u ndier të kërcënuar dhe rrezikuar nga trafikantët.

Para disa kohësh, u dorëhoq nga polcia efektivi i komisariatit të Rrëshenit Aranit Dedaj, i kërcënuar nga trafikanti me dy emra PB(PD), ish funksionar i lartë i pushtetit vendor në  Mirditë. I akuzuar për mbjellje në sipërfaqe të mëdha dhe trafikim të lëndëve narkotike, ky person arriti ta kërcënonte punonjësin e policisë A. Dedaj brenda në ndërtesën e komisariatit si dhe në gjykatën e rrethit gjyqësor Lezhë, duke e quajtur atë fajtor për arrestimin e tij. Lënia nga Gjykata e Apelit në «gjendje të lirë» e këtij kultivuesi dhe trafikanti që së bashku me një person tjetër në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli mbajnë peng Mirditën, i dha mundësinë që të përndjekë ish oficerin e përkushtuar A. Dedaj, i cili ndihet i zbuluar dhe i pambrojtur nga eprorët e tij në Rrëshen dhe Lezhë, në lidhje me hetimet e tij për baronët e kanabisit.

Ndërkohë që oficerët e ndershëm dhe të përkushtuar ballafaqohen me presionet dhe kërcënimet e trafikantëve, këto të fundit, në mjaft raste, ndihen të mbrojtur nga strukturat policore dhe organet e hetimit.

Në arat me kanbis ku punojnë qindra e mijëra punëtorë, mjaft prej tyre të marrë me dhunë nga grupet kriminale, arat ruhen ditë e natë me persona të armatosur, pjesë e rrjeteve të drogës dhe askush nuk e trazon mbretërinë e tyre kriminale. «Spekaklet» që jepen në rrjetet telvizive, ku asgjesohen mijëra rrënjë kanbisi, nuk kanë të bëjnë me këtë histori, por janë pjesë që funksionojnë jashtë skemës e për pasojë ndëshkohen. Pra, kemi dy standarde ndaj kanabisit: një që e «përndjek » dhe një qe e «ledhaton», në raport me «kontratat» apo «ofertat» e pashkruara të mbjellësve dhe trafikantëve të tij me drejtuesit e policisë.

Në arat me kanabis shpesh punëtorët keqtrajtohen, dhunohen, detyrohen të punojnë pa asnjë shpërblim, vriten dhe masakrohen.  Shqipëria la prapa Lazaratin e frikshëm, Lazaratin e furnizimit me drogë të gjithë Europës dhe u kthye vetë e gjitha në një Lazarat, duke bërë që toka e shenjtë e gjyshstërgjyshërve tanë historikë të kthehet në një tokë canabisi, diabolik-canabisi.

Ka ardhur koha që ky dimension i frikshëm, ky makth që e ka emrin canbis e që po kthehet një oktopod gjigan krimi e ndëshkimi, duke e çuar Shqipërinë vite të tëra pas në hartën e vendeve të sigurisë, të ndërpritet e të marrë fund, duke bërë që të bllokohet, ashtu siç u veprua në Lazarat, kjo aferë vdekjeje që kërcënon çdo ditë e me një agresivitet të rëndë rendin dhe stabilitetin qytetar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora