E enjte, 28.03.2024, 11:08 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Netanjahu flet pa doreza lidhur me dyfytyrësinë antihebreje të OKB-së

E premte, 23.09.2016, 07:00 PM


Netanjahu flet pa doreza lidhur me dyfytyrësinë antihebreje të OKB-së

Nga Elvi Sidheri

“E ftoj udhëheqësin palestinez të vijë të mbajë një fjalim para Knesetit (parlamenti i Izraelit) në Jeruzalem, dhe paskëtaj edhe unë do të shkoja të flisja para parlamentit palestinez në Ramalla”, do thoshte Beniamin Netanjahu para asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Kështu pra, kryeministri izraelit, do t’i zgjaste dorën presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas në OKB këtë të enjte gjatë ndërhyrjes së tij në mbledhjen plenare të Asamblesë së Përgjithshme duke dhënë kështu një mbështetje të hapur për procesin e paqes mes dy vendeve.

Fjalë tepër kuptimplota këto, të shprehura pasi kryeministri izraelit qe ankuar edhe njëherë lidhur me faktin që udhëheqësi palestinez e pati shfrytëzuar përsëri rastin duke folur para asamblesë së OKB-së, ekskluzivisht për të sulmuar Izraelin.

“A nuk do të ishte më e udhës që të flisnim ballë për ballë njëri me tjetrin fundja?” do të shprehej Netanjahu para sallës mitike, ku ndërkaq mjaft vende ishin të zbrazura.

Gjatë fjalimit të tij prej mëse 40 minutash, lideri izraelit theksoi sërish faktin se ai nuk kishte hequr dorë nga procesi i paqes dhe se vijonte t’i përmbahej thellësisht vizionit të paqes përmes dy shteteve për të dy popujt. Duke iu drejtuar personalisht Abasit, Netanjahu insistoi mbi faktin se presidenti palestinez mund ta mposhtte urrejtjen anti-hebreje që ndjente përbrenda dhe të ulej të punonte bashkërisht me homologun e tij izraelit. Kryeministri izraelit ngulmoi përsëri se në thelb çështja e ngulimeve hebreje, që ai në vetvete nuk e vlerëson si gjenezën e konfliktit, “mund dhe nevojitet të zgjidhet gjatë negociatave për statusin përfundimtar të shtetit palestinez”.

Gjëja e vetme, siç nënvizoi Netanjahu, që ai kurrë nuk do të ishte i gatshëm të negocionte kurrën e kurrës, do të ishte “e drejta themelore e pamohueshme për një atdhe hebre”, siç do të pohonte me bindje ai, duke shkaktuar një valë duartrokitjesh mes të pranishmëve. Gjë kjo, që do të linte fort të habitur edhe vetë Netanjahun. “Një duartrokitje kaq e ethshme në mbështetje të kryeministrit të izraelit në Asamblenë e Përgjithshme; duket pra haptas se ndryshimet për mirë do të ndodhkan më parë seç mund të pandehja unë”, do të pohonte ai krejt i shtangur.

Minuta më parë, pa u ngjitur akoma në foltore, Netanjahu kish kritikuar “përndjekjen obsesive” që shpërfaqin ngaherë Kombet e Bashkuara ndaj Izraelit. Pavarësisht këtyre kritikave të ashpra, ai vuri në dukje se kjo situatë kishte për të ndryshuar në vitet e ardhshme. Kurse në raste të mëparshme, lideri i shtetit hebre gjithaq e pati akuzuar këtë organizatë për një obsesionim të egër kundër Izraelit.

Dhe, përfshirë në këtë shfaqje të rrallë optimizmi të moderuar nga ana e tij, Netanjahu u kërkoi shteteve anëtare që “t’i ulnin armët, sepse lufta jetëgjatë kundër Izraelit brenda Kombeve të Bashkuar, tashmë ka mbaruar njëherë e mirë”, duke nënvizuar se kjo organizatë asnjëherë nuk ka për të gëzuar mundësinë që të ndikojë apo përcaktojë në çfarëdo mënyre interesat kombëtare të Izraelit ose çështjet e sigurisë së tij. “Shtegu drejt paqes kalon nga Jeruzalemi dhe Ramallahu, jo nga Nju Jorku”, theksoi ai.

Sipas mendimit të kryeministrit izraelit, ky është momenti më i përshtatshëm për të arritur paqen, për shkak të “gjithë këtyre ndryshimeve epokale që po ndodhin nëpër botë”. Ai gjithashtu do të gjente rast për të falenderuar presidentin e Egjiptit, Abdel Fatah Al-Sisi, për iniciativën arabe për paqe, të prezantuar pak muaj më parë.

Më poshtë, mund të lexohet pjesa më interesante e fjalës së Beniamin Netanjahut para asamblesë së OKB-së:

“Ajo çfarë kam për t’ju thënë, do t’ju trondisë thellë, sepse do të pohoj këtu se Izraelin e pret një e ardhme e shkëlqyer në OKB.

E di pra, se ta dëgjoni këtë gjë nga goja ime mund të jetë pakëz befasuese për ju, sepse vit pas viti kam qëndruar po në këtë podium dhe e kam akuzuar haptas OKB-në për marrëzinë e saj obsesive kundër Izraelit. Dhe fundja, OKB-ja i ka plotësisht të merituara çdo fjalë mërie prej meje, për turpin e vet Asamblesë së Përgjithshme që vetëm vitin e shkuar pati miratuar jo pak, por 20 rezoluta kundër shtetit demokratik të Izraelit, dhe mënjanë tyre, gjithësej një numër total prej vetëm 3 rezolutash të tjera kundër çfarëdo shteti tjetër në botë.

Izraeli 20; pjesa tjetër e botës 3.

E çfarë të thuhet për atë shakanë pa kripë që mishërohet nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së, që përvit e dënon publikisht Izraelin më tepër se të gjitha shtetet e tjera të botës të mbledhura bashkë. Ndërkohë që nëpër botë gratë përdhunohen sistematikisht, vriten, shiten si skllave, cili është ndërkaq shteti i vetëm që Komisioni për Femrën i OKB-së paskërka zgjedhur të dënojë këtë vit vallë? Po pra, e gjetët vetë ? Izraelin, vetëm Izraelin. Izraelin, aty ku femrat dhe gratë janë pilote avionësh ushtarakë, ku drejtojnë korporata të mëdhaja tregtare, ku udhëheqin universitete, ku kanë drejtuar, dy herë, Gjykatën Supreme, dhe ku ato kanë mbuluar postet e Kryetares së Parlamentit dhe të Kryeministres.

Dhe cirku i turpshëm vijon me UNESCO-n. UNESCO, që nga OKB-ja është caktuar të kujdeset për trashëgiminë kulturore botërore. Tani, e di se mund të duket e vështirë për t’u besuar, por UNESCO sapo ka mohuar lidhjen mijëravjeçare midis hebrejve dhe vendit të tyre më të shenjtë, Malit të Tempullit. Gjë kjo po aq absurde saç do të ishte mohimi i lidhjes midis Murit të Madh Kinez dhe Kinës.

Zonja dhe Zotërinj,

OKB-ja, që dikur do të krijohej si një forcë morale, tashmë është shndërruar në një farsë morale”.



(Vota: 11 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora